“Washington Post” publikon pikat e dobëta të shërbimeve sekrete të SHBA

Në tre artikuj jepet një tjetër panoramë krahasuar me atë zyrtaren

Sistemi i grumbullimit të informacionit sekret në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është rritur në përmasa të mëdha që pas ngjarjeve të 11 shtatorit të vitit 2001, sa që askush nuk e di koston e saktë, apo edhe përmasat e këtyre informacioneve, sipas gazetës amerikane, “Washington Post”.

Sipas kësaj gazete, tashmë bëhet fjalë për një sistem shumë të madh dhe çka është më e rëndësishme, është shumë e vështirë që të vërtetohet efektiviteti i tij në ruajtjen dhe mbrojtjen e sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Artikulli i botuar në këtë gazetë, me emrin “Amerika Top Secret”, është fryt i një pune dyvjeçare investigative të gazetës. Menjëherë pas botimit të tij, David Gompert i ka mohuar si të vërteta ngjyrat me të cilat përshkruhet Shërbimi Inteligjent në artikull. Madje ai e ka cilësuar artikullin si “jo të rregullt”. “Artikulli nuk reflekton realitetin e komunitetit inteligjent që ne njohim. Ne pranojmë faktin se operojmë në një mjedis që e kufizon shumë sasinë e formacionit që marrim dhe këmbejmë, megjithatë fakti është se njerëzit që janë pjesë e shërbimeve sekrete, i kanë përmirësuar operacionet tona, duke sjellë si rezultat shmangen e sulmeve dhe arritjen e një suksesi të përditshëm”.

Para se artikulli të publikohej, Shtëpia e Bardhë i bëri me dije gazetës se ishte në dijeni të problemeve që ekzistojnë brenda strukturave të Shërbimit Inteligjent të agjencive të ndryshme të vendit dhe se po bënte përpjekje për t’i ndrequr ato.

Sipas gazetës, rreth 2000 kompani private dhe 1270 agjenci qeveritare janë përfshirë në atë që quhet lufta kundër terrorizmit dhe në të gjithë botën ekzistojnë 10 mijë qendra operacionale amerikane. Një numër i madh qytetarësh amerikanë, më saktësisht 854000 persona, kanë një nivel shumë të lartë survejimi. Një e pesta e të gjitha organizatave amerikane kundër terrorizmit është krijuar pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001. Që nga dita e këtij sulmi, në zonën e Uashingtonit janë ndërtuar rreth 30 komplekse për mbledhjen dhe përpunimin e informacioneve top-sekret. Agjenci të ndryshme publikojnë raporte nga më të ndryshmet, të cilat fatkeqësisht injorohen në masë nga zyrtarët. Dështimet në mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave të shërbimeve sekrete që çuan në sulmet e 11 shtatorit kanë krijuar imazhin e një paaftësie të shërbimeve për sa i përket marrjes së masave parandaluese, por që nga ai moment sistemet e mbikëqyrjes dhe survejimit kanë ndryshuar kryekëput me reforma të tjera, si ajo e krijimit të direktoratit të posaçëm të Inteligjencës Kombëtare, që merret me mbikëqyrjen e 16 agjencive të shërbimeve sekrete. Zyrtarët që i kanë ndërmarrë këto reforma këmbëngulin se ato kanë qenë të efektshme dhe se kanë shërbyer për parandalimin e shumë situatave të rënda. Por incidente të tilla si ai i dështimit në paralajmërimin e bombës në avionin që shkonte në Detroit, apo sulmi në “Times Square”, mund të kenë nxjerrë në pah vazhdimësinë e një situate jo të mirë dhe një gjendjeje aspak pozitive në shërbimet sekrete.

Një muaj më parë Obama emëroi gjeneralin James Clapper si shefin e tij të Inteligjencës. Zyra e drejtuar prej tij është kritikuar shpesh për mungesë funksionaliteti dhe numër më të madh se sa duhet të nëpunësve. Në artikullin e botuar në gazetë kanë bashkëpunuar një gazetare shumë e njohur dhe disa gazetarë të tjerë që janë marrë me çështjet e inteligjencës. Ai do të vazhdojë që të botohet në vijim të tre numrave në gazetë gjatë kësaj jave. “Washington Post” thotë se hetimet e saj janë bazuar në dokumente qeveritare, publike dhe qindra intervista me zyrtarë dhe ish-zyrtarë të shërbimeve sekrete. Një pjesë e madhe e burimeve janë anonime.

Posted via email from Shkupi Press extra