Nga Gëzim Tushi
Ne të gjithë po merremi me politikë më shumë se duhet dhe po harrojmë një të vërtetë që shumë të këqija nuk janë domosdoshmërisht të lidhura me të as pasojë e “cilësisë” së saj. Jeta ka një varg problemesh që janë me natyrë sociale dhe në thelbin e tyre, ose “ekstrapolitike”, ose të lidhura në mënyrë periferike me të. Por mirazhi i politikës është bërë si perde e hekurt që po e pengon shoqërinë tonë të merret me veten, të realizojë standardet e saj që janë të lidhura me kulturën, edukatën sociale, standardet e qytetërimit, me shoqërinë civile, familjen, komunitetin, median dhe vetë qytetarin si të tillë. Por edhe këto të fundit janë në terrenin e politikës. Po kush duhet të merret atëherë me shoqërinë dhe qytetarin?
Që të merremi me shoqërinë tonë, që ta “kuptojmë” dhe rregullojmë atë, por dhe që ajo të na kuptojë ne si qytetarë, duhet ta shikojmë ndryshe esencën e vërtetë të saj dhe krejt ndryshe duhet të vlerësojmë marrëdhëniet e reja sociale që po kristalizohen në shoqërinë tonë të cilat në thelb janë standarde të reja të qytetërimit modern. Relacionet e shoqërisë me njeriun që po vendosen jo pa probleme në shoqërinë shqiptare bashkëkohore, pavarësisht defekteve, janë lidhje moderne dhe demokratike që nuk kanë të krahasuar me relacionet e jetës së shoqërisë shqiptare të periudhës “paramoderne” dhe të marrëdhënieve “parademokratike”. Ndaj, që të merremi me veten tonë, shoqërinë dhe qytetarin, së pari, na duhet të kuptojmë dhe të përshtatemi me “veçoritë” e ndryshuara të shoqërisë shqiptare, në mënyrë që të mund të ndërtojmë marrëdhënie qytetare të suksesshme me të. Në pamje të parë dhe në perceptimin publik sipërfaqësor, duket sikur shoqëria shqiptare po deformohet tërësisht. Ky perceptim ka ca të vërteta thelbësore, por në shumë raste është një perceptim i deformuar që vjen nga “optika konservatore” e shikimit dhe vlerësimit të thelbit dhe fenomenologjive të saj, sepse në fakt nuk mund të mohojmë të vërtetën se sa më moderne po bëhet shoqëria jonë, është në logjikën e saj dhe duhet pranuar se po aq më shumë krijohen kushte të thjeshtëzimit të raporteve dhe marrëdhënieve me njerëzit dhe të gjithë “aktorët” që janë të lirë, sovranë, në individualitetin e tyre dhe fizikisht sovranë. Këto nuk janë defekte. Në thelbin e tyre ato përbëjnë progres, sidomos për shoqërinë tonë e cila ka qenë super e socializuar dhe me njeriun të reduktuar fatalisht në një “atom social” për përdorim mekanik nga “shoqëria e madhe”. Në fakt, po të mos jesh i predispozuar për t’i parë gjërat në thelbin e tyre, për të dalluar iluzionet sociale që e bëjnë shoqërinë dhe njeriun të duken ndryshe nga çfarë janë në të vërtetë, të duket se ato janë “entitete të shkëputura” që janë jashtë saj, por që në të vërtetë pavarësisht nga “dukja” dhe ndryshimet e thella tipologjike, në mënyra dhe forma të ndryshme janë të lidhura me të (shoqërinë).
Për fat të keq, ka shumë njerëz, por dhe politikanë, gazetarë, sociologë, edukatorë dhe punonjës të medias herë me dashje dhe ndonjëherë për shkak të naivitetit sociologjik, mendojmë gabimisht se shoqëria tradicionale shqiptare e së kaluarës ka qenë nga pikëpamja sociale më e thjeshtë se shoqëria e sotme. Por në të vërtetë nuk është tamam kështu. Pa dyshim, është e vërtetë që shoqëria jonë tradicionale në thelbin dhe tipologjinë e vet ka qenë shoqëri me një shumësi të pafund lidhjesh njerëzore, të brendshme dhe të jashtme, organike dhe të imponuara të cilat e kishin bërë atë një institucion të madh social dominant me autoritet universal, një ekuivalent të përgjithshëm të vlerësimit moral. Vetëm shoqëria kishte “tagër” që shërbente si “masë vlere” për çdo njeri dhe për gjithçka. Brenda lidhjeve të shumta tradicionale të shoqërisë së determinuar qarkullonin në mënyrë të detyruar dhe fikse “sistemi i vlerave” të përpunuara në shekuj dhe të deformuara në periudhën e komunizmit, funksiononin parametrat e përbashkët të vlerësimit social të personalitetit individual të çdo njeriu. Natyrisht nuk mund të mohojmë se ajo shoqëri ka pasur shumë lidhje të forta të gjakut, fisit, komunitetit, sepse ka qenë e bazuar fort në organizime të tilla si familja apo është mbështetur në agjenci sociale si shkolla etj., që e kishin bërë shoqërinë tonë një strukturë sociale të ndërlikuar dhe dominante mbi sjelljet individuale të njeriut.
Kohët e reja kanë sjellë ndryshime të thella në raportet dhe lidhjet e njeriut me shoqërinë. Këto lidhje kanë ndikuar në zbehjen e roleve sociale dhe vlerësimin e atributeve aksiologjike e sociale të shoqërisë, duke lejuar rritjen e rolit individual të njeriut, duke bërë jo shoqërinë, por njeriun “masë vlere” për vetveten. Njerëzit tanë si kurrë më parë tashmë gjithnjë e më shumë qarkullojnë në shoqëri duke u shfaqur sovranë, të vetëmjaftueshëm, si entitet më vete, relativisht të pavarur nga strukturat klasike dhe tradicionale të shoqërisë. Sociologët që merren me tipologjinë e shoqërisë shqiptare, kanë diktuar këtë reduktim progresiv dhe shumë të shpejtë të rolit të saj, kanë evidentuar këtë zbehje të rolit të strukturave, organizimeve dhe agjencive sociale në raport me “mëvetësinë e individit”. Unë mendoj se duhet seriozisht ta vlerësojmë faktin që në shoqërinë moderne shqiptare tashmë ka ndryshuar tërë “sistemi i vlerave” që kanë qenë në bazë të marrëdhënieve të shoqërisë me individin në të kaluarën. Tani janë në rënie vlerat sociale që njeriu shfaqte dhe respektonte në lidhjet e dikurshme tradicionale sociale apo raportet që ai mban me strukturat dhe agjencitë sociale. Të gjitha këto cilësi të qytetërimit modern po ndikojnë që edhe shoqëria moderne shqiptare tani ka filluar të “ridimensionojë” veten dhe rolet e saj në raport me individin. Ajo e ka fare të qartë prirjen e reduktimit të shumë “statuseve sociale” që njeriu ishte i detyruar të respektonte pa kusht në shoqërinë tradicionale, në të cilën edhe marrëdhëniet e vogla edhe lidhjet mikrosociale, madje dhe ato që ishin relacione fare intime, kishin vlera të mëdha dhe zmadhoheshin duke u dhënë atyre vlerë determinante sociale, duke mos lënë asnjë hapësirë për individualitet dhe privaci të njeriut. Sot është e sigurt që nuk është më shoqëria ajo që në çdo rast përcakton dimensionin social njeriut, vlerën e emrit të tij në shoqëri, backgroundin familjar, statusin personal, dinamikën e marrëdhënieve intime etj.
Koha moderne ka sjellë ndryshime me rëndësi strategjike në marrëdhëniet e saj me njeriun si njeri, si qenie sociale dhe individ privat. Kjo duhet kuptuar drejt, sepse në thelb, pavarësisht devijancave dhe oscilacioneve që ka ky raport momentalisht në jetën sociale të shoqërisë sonë, ne duhet të mësohemi dhe të pranojmë se me sa duket ky është “çmimi i njeriut” në kohën tonë. Kjo do të thotë se më shumë se lidhjet sociale të së kaluarës, njeriun tonë të kohës moderne e udhëheqin parime të reja më të personalizuara që determinojnë qëndrimet dhe sjelljet sociale në veprimtarinë e tij. Pa dyshim, nuk kemi si t’ia bëjmë, koha e ka sjellë që disa “vlera” që janë të reja, nuk janë dhe aq sociale, sepse vetë njeriu ka prirje të shfaqet në shoqëri si qënie me “dimension social” të reduktuar. Nuk ka rrugë tjetër por të mësohemi të pranojmë të vërtetat dhe të përshtatemi me realitetet e ndryshuara (jo nga ne, por nga koha), sepse tani edhe në shoqërinë tonë njeriu ka vlerë sociale, vetëm nëse është në radhë të parë në shërbim të interesave të vetes, sepse kështu, me njerëz të suksesshëm individualisht do të mundemi pastaj që në mënyrë të tërthortë të jemi në të njëjtën kohë në shërbim të progresit të shoqërisë dhe të rritjes së mirëqenies vetjake. Progresi që po bën shoqëria jonë, mund të mos ketë edhe problemet e veta kontroversale. Madje, mund të ketë shfaqur shumë herët ndoshta edhe “anën e errët”, në qoftë se e shikojmë sipas parimeve të shoqërisë tradicionale (që tani nuk funksionon më), por duhen vlerësuar si prirje të domosdoshme për rregullimin e standardeve të reja të marrëdhënieve sociale të njeriut me shoqërinë. Nuk ka dyshim që disa qëndrime ekscentrike dhe devijime sociale, sidomos në familjen shqiptare, jo vetëm që janë jonormale, por ato po na sjellin shqetësime në funksionimin e shoqërisë dhe në ndërtimin e marrëdhënieve familjare me “njeriun individualist”. Por nuk kemi çfarë të bëjmë, sepse kjo është “logjikë e pakthyeshme” e jetës moderne, që ka në qendër njeriun, tregun, konsumin dhe paranë.
Natyrisht, ne nuk mund të bëhemi romantikë dhe nostalgjikë të shoqërisë së vjetër tradicionale, të idolatrizojmë strukturat sociale të bazuara në marrëdhëniet e determinuara të njeriut me to. Ca më pak të rikthehemi tek “ideali rusojan” i kundërvënies së njeriut ndaj shoqërisë moderne, progresit, teknikës dhe shkencës si shkaktare të “prishjes” së natyrës së njeriut. Ne nuk mund më të ndalemi në rrugën drejt progresit social modern, ca më pak të besojmë se ndonjë ditë mund të bëjmë “pas”. Por nga ana tjetër nuk mund të mos jemi vërtet të shqetësuar, që progresi social i njeriut në shoqërinë tonë shpesh për shkak të natyrës kakofonike, ka ndikuar në lirimin pa limit të natyrës së njeriut, duke e bërë shpesh një qenie sociale që ka humbur mundësinë e “kontrollit të vetes”. Ky është shqetësim social universal, që tashmë ndihet në shoqërisë shqiptare. Problemet që kemi dhe me të cilat po përballemi, kanë të bëjnë me modalitetet e lidhjes dhe integrimit të njeriut në shoqëri, sepse shoqëria bëhet moderne, kur brenda logjikës së modernitetit dhe me sensin e duhur të masës, realizojmë kushtin e domosdoshëm që njeriu sado modern të bëhet, në një nivel të caktuar human, ai duhet ta ndiejë “veten” të shoqërizuar dhe të pranojë të vërtetën e pashmangshme, që në çdo rast, pavarësisht “biografisë” së jetës dhe suksesit personal, është edhe anëtar i shoqërisë në të cilën jeton dhe pjesëtar i organizimeve sociale fondamentale familjare, fisnore, miqësore dhe komunitare…





