Villa: Casillas e meriton Topin e Artë

Supersulmuesi i Spanjës, David Villa, ka tërhequr vërejtjen për rrezikun që mund t’i presë nga Gjermania, ndërsa e ka lëvduar portierin e kombëtares spanjolle, Iker Casillas, për të cilin thotë se është portieri më i mirë në botë.
“Ne e mposhtëm Gjermaninë dy vite më parë dhe ata nuk janë gëzuar që do të takohen me ne. Por, ne gjithashtu e kemi harruar atë takim. Nëse shkojmë në shtëpi pa fituar Botërorin, atëherë kjo do të jetë sikurse të mos kemi bërë asgjë”.
“Unë e di se kam shënuar pesë gola, por kjo sepse ato kanë qenë vendimtare. Të shënoj tre gola në një fitore 7-0 nuk më intereson dhe aq. Për çdo rast, unë po i ndihmoj Spanjës sikurse të tjerët, pasi që pa intervenimet spektakolare të Iker Casillasit, goli im ndaj Paraguait nuk do të vlente për asgjë. Nëse thoni se unë e meritoj Topin e Artë, atëherë Casillas e meriton edhe më shumë”, theksoi Villa.
Së fundmi ai u shpreh dhe për kalimin e tij te Barcelona, për të cilin tha: “Në të kaluarën, Real Madridi ishte duke më ndjekur, por asgjë nuk ndodhi sepse Valencia nuk i shet lojtarët shumë lirë. Për çdo rast, them se jam i kënaqur që shkova te Barcelona, sepse është sikurse të vazhdoj të luaj për kombëtaren. Ne luajmë me të njëjtin stil dhe pothuajse me të njëjtët lojtarë”.