Turqia “pushton” Lindjen e Mesme me telenovela

Turqia ka nisur që të “pushtojë” vendet arabe me modelet e saj kulturore, ashtu siç bënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Perëndimin një herë e një kohë

Një djalosh i bukur ndez qirinj në një dhomë gjumi. Aty pranë shfaqet një vajzë. “Eja, të mos vonohemi”, e lut, por sytë e saj të errët përcjellin një tjetër mesazh. Më pas ata puthen. Ai i kalon njërën dorë nëpër flokë dhe në dorën e tij shfaqet një unazë martesore. Ndërkohë shkojnë drejt shtratit…

Është një skenë e “Gumus”, telenovela turke që për dy vjet ka bërë një bujë shumë të madhe në Kanal D. Përveç faktit që ajo u ofron turqve më shumë erotizëm se çdo film tjetër i dhënë deri më tani në një orar dite, kjo telenovelë ka sjellë në skenën turke të gjitha llojet e dramave tashmë të lëvruara nëpër të gjitha telenovelat e botës, kryesisht ajo amerikane dhe amerikano-latine, si rikthimi i të vdekurve, tradhtitë bashkëshortore, apo të tjera gjëra si këto. Sigurisht që për ata që i ndjekin telenovelat në përgjithësi këta janë skenarë të zakonshëm të tyre, por në televizionin turk telenovelat kanë gjetur sërish shumë telespektatorë falë kontekstit islamik, në të cilin zhvillohen ngjarjet e rëndomta. Tashmë dashnorët e fshehtë, ata që tradhtojnë familjet, që grabisin fëmijët, fëmijët e paligjshëm, apo gratë e përdala janë të gjithë myslimanë. Më shumë se vetë publikun turk duket se kjo telenovelë ka zaptuar zemrat e publikut të vendeve arabe. Përmes ekranit të vogël të televizorit, Turqia ka hyrë në shtëpitë e arabëve duke kaluar përmes kuzhinës, dhomës së ndenjes apo dhe dhomës së gjumit e duke përhapur kështu ndikimin e saj në shumë vende arabe fanatike si Maroku apo Iraku. Televizori amerikan nuk ia ka dalë kurrë që të ketë sukses me një ndërmarrje të tillë kaq të madhe dhe të guximshme. E nxitur nga suksesi i eksporteve të tilla, tashmë Turqia ka ambicie të tjera politike në frontin arab dhe republika e themeluar nga Ataturku, që sipas Kushtetutës është një republikë laike, duket se ka marrë një kthesë të re drejt fesë islame.

Si kudo në botë, edhe në Turqi politika dhe kultura janë paralel me njëra-tjetrën. Ndërsa arabët i shikojnë telenovelat turke për të parë vendet ekzotike në të cilat ato zhvillohen, apo makinat e bukura të personazheve, femrat arabe kanë filluar që t’i shndërrojnë në heroina të jetës së tyre personazhet femra të telenovelave. Një nga këto personazhe është Noor, një femër shumë e fortë dhe e zonja, e cila arrin të bëhet e pasur dhe e famshme duke e nisur gjithçka nga hiçi dhe duke përballuar e sfiduar realitetin e pengesat që i kanë dalë përpara. Mbi të gjitha Noor ka një bashkëshort shumë të mirë, që e konsideron të shoqen dritën e syrit dhe kujdeset për të vazhdimisht. Gratë arabe, që e shohin të ngrohtë këtë sjellje, ankohen për indiferencën e bashkëshortëve të tyre dhe vazhdimisht u thonë burrave që përse nuk janë si burri i Noor. Kështu meshkujt sauditë janë bërë xhelozë ndaj Muhamedit, burrit të heroinës, sepse për gratë e tyre tashmë përbën modelin e burrit ideal, të cilin ata nuk e arrijnë dot. Por këto telenovela dhe personazhet e tyre kanë edhe ndikime të tjera. Duke qenë se Turqia është një vend turistik, ato janë shndërruar në reklama të mrekullueshme të vendit të tyre dhe fytyrat e personazheve të telenovelave turke i sheh sot në të gjitha aeroportet e vendeve arabe që u bëjnë publicitet vendeve turistike të Turqisë.

Vila në të cilën është xhiruar telenovela më e famshme e Turqisë ka fituar një vlerë të jashtëzakonshme dhe tani kërkojnë për ta blerë për plot 50 milionë dollarë. Edhe mallkimet dhe dënimet me të cilat është nëmur telenovela nga ana e klerit mysliman nuk i kanë ndaluar prodhuesit e saj që ta përhapin në vende të ndryshme arabe dhe miliona shikues të fiksohen pas ekranit të vogël të televizorit në të njëjtën orë dhe ditë të javës. Ajo që është e çuditshme dhe pak më e ndryshme në Perëndim është se edhe burrat i shikojnë telenovelat dhe madje ata janë gjithnjë e më të pasionuar. Një karikaturë që doli së fundi në shtypin saudit për të ironizuar efektin që ka bërë kjo telenovelë te njerëzit, paraqiste një mashkull saudit që shkonte te kirurgu plastik me fotografinë e personazhit kryesor mashkull në dorë, pra atë të bashkëshortit të Noor. Ai që e interpreton është një dy metrosh i gjatë biond, që më parë në jetë ka bërë lojtarin e bejsbollit dhe modelin. Sipas grave, burrat i shohin këtë telenovela, sepse atyre u pëlqejnë shtëpitë luksoze që paraqiten në to. Jo shumë kohë më parë, një lider i rëndësishëm i Hamasit tha për një gazetar se qeveria e tij do të krijonte programe televizive, të cilat të ishin në përputhje me ligjet e fesë dhe mbi të gjitha me moralin e saj. Ai madje tha se edhe i biri i tij adoleshent ishte i mërzitur nga muzika amerikane, e cila ishte përhapur shumë në Gaza dhe se vetë i ishte lutur për programe myslimane. Por ndërkohë që ai fliste me gazetarin, i bie zilja e celularit dhe tingulli i ziles ishte nga muzika e telenovelës me Noor.

Ajo që mund të mendohet kur dëgjon gjëra të tilla e mbi të gjitha për telenovelat turke, që janë tepër perëndimore, mund të duket se ky vend ka vendosur që të luajë rolin e ambasadorit perëndimor në vendet arabe dhe myslimane, por në fakt ajo që mund të konsiderohet si urë lidhëse nuk janë sjelljet dhe mënyra e jetesës perëndimore, por konteksti arab ku vendosen këto ngjare. Deri tani në këto vende njerëzit kanë parë telenovelat amerikane dhe këto nuk kanë pasur kurrsesi ndikimin që kanë telenovelat turke. Kjo, sepse të gjithë e dinin se kjo jetë që rrëfehej në këto telenovela ishte e pamundur për ata. Por kur nisën të shohin vetë arabët që bënin jetën e amerikanëve dhe kishin të njëjtat tema me perëndimorët në jetën e tyre, atëherë filluan që të ndiqnin gjithçka me më shumë interes dhe pak nga pak të përfshiheshin në situatat dhe ndjenjat e personazheve duke i shndërruar dhe në modele jete. Drejtori i ndërmarrjes më të madhe turke që merret me krijimin dhe realizimin e telenovelave, “Tv Holding”, thotë se ajo që bën përshtypje është kultura lokale. Sipas tij, njerëzit janë të pasionuar pas ngjarjeve familjare, pas dramave personale të njerëzve, pas asaj që fshihet përtej fasadës së një fytyre apo shtëpie të bukur që mund të jetë shpesh krejt e kundërta e kësaj fasade. Verën e kaluar, telenovela e famshme me Noor u transmetua në një kanal televiziv saudit MBC dhe sipas statistikave nata finale e telenovelës, ku tregohet edhe drejtimi që marrin personazhet, u ndoq nga plot 85 milionë veta.

Gjatë 20 viteve të fundit, Turqia vetë ka thithur dhe tretur një dozë jo të vogël të kulturës amerikane dhe mund të thuhet se ajo kreu edhe një lloj revolucioni shumë të fuqishëm seksual që vendet e tjera arabe as që mund ta kishin imagjinuar. Noor me bëmat dhe jetën e saj është një sukses i jashtëzakonshëm në të gjitha vendet arabe dhe kryesisht në Lindjen e Mesme, por ajo që është interesante, është fakti se kjo telenovelë, edhe pse përbën një revolucion për vendet e mësipërme, është një telenovelë provinciale për vetë turqit. Seriali “Ask-Memmu”, një sukses shumë i madh mes turqve të rinj, mund të konsiderohet tepër e avancuar për publikun arab dhe mund të transmetohej vetëm nëse do t’i bënin një censurë të mirë. Ajo që duhet kuptuar kur bëhet fjalë për telenovelat dhe imazhin që ato përçojnë te njerëzit, është fakti se ndryshimi që ato sjellin në mentalitet është i ngadaltë, por deciziv. Mendoni se ka njerëz në Stamboll që thonë se kanë mësuar të puthin kur kanë parë këto telenovela, apo të kenë zbuluar faktin se puthja është pjesë e marrëdhënies seksuale. Psikologë dhe sociologë të ndryshëm turq e kanë marrë shumë seriozisht këtë ndikim të telenovelave në mentalitetin dhe mënyrën e jetesës së turqve dhe më pas edhe të banorëve të vendeve arabe dhe kjo ka bërë që të kryejnë shumë studime dhe vëzhgime me përfundime interesante si ai i mësipërmi, për shembull. Tashmë ata e kuptojnë se përse Noor në Turqi është pak demode, ndërsa në vendet arabe ka një ndikim shumë të madh dhe përse ka telenovela që janë pak të avancuara për arabët në këto momente. Në fund të fundit, Turqia duke qenë e pozicionuar edhe vetë mes Lindjes dhe Perëndimit gjeografikisht ka luajtur gjithmonë rolin e një ure lidhëse mes këtyre dy pjesëve të botës.

Sipas një kritiku televiziv turk, që shkruan në të përditshmen “Millet”, ai shprehet se: “imperializmi amerikan ka falimentuar. Vite më parë ne shihnim seriale të tillë si “Dallas”, apo “Ethe dashurie”. Sot skenaristët turq dinë të adaptojnë skenat e telenovelave me problemet që ka shoqëria turke dhe përgjithësisht problemet me të cilat përballet një shoqëri e vendeve arabe. Prodhimet turke në këtë drejtim janë shtuar dhe pranuar shumë dhe me mjaft sukses brenda e jashtë vendit dhe tashmë nuk blihen vetëm në vendet arabe, por edhe në ato europiane e aziatike. Edhe në këto telenovela ka intriga, fëmijë të paligjshëm dhe incest, por ajo që është thelbi i suksesit, është konteksti turk dhe arab”.

Në një qendër tregtare ndodhet Ali Demirhan, një sipërmarrës turk shumë i fuqishëm e me degë të biznesit të tij edhe në Dubai, që do të donte të sponsorizonte të gjitha seritë e ardhshme të një telenovele që duket shumë shpresëdhënëse për sa i takon arritjes së suksesit. Ai rrëfen se edhe sheikët arabë janë të marrosur pas telenovelave dhe për të kryer një punë me të iu desh që t’i plotësonte një dëshirë, ta takonte me dy aktorë të famshëm të një telenovele turke që transmetohet në Dubai. “Dikur ishte kultura amerikane ajo që na ndryshoi shoqërinë, ndërsa tani jemi ne ata që po bëjmë një rol të tillë me shumë vende arabe, përmes telenovelave për t’ua ndryshuar dhe hapur mënyrën e jetesës. Sot, nëse Shtetet e Bashkuara duan të bëjnë paqe në Lindjen e Mesme, duhet më parë t’ia shtrijnë dorën Turqisë”, thotë biznesmeni, i sigurt për fitimin shumë të madh që do i vijë nga sponsorizimi i telenovelës turke të radhës.

Posted via email from Shkupi Press extra