Tony Bler dhe shqiptarët

 Nga Prof. Dr. Agim Zogaj

 

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, pra, pasi filloi Lufta e Ftohtë ideologjike midis Perëndimit dhe Lindjes edhe çështjen shqiptare e përfshiu e ashtuquajtura, siç shprehej kryeministri britanik, Winston Churchill epoka e perdes së hekurt. Ndaj, çështja shqiptare gjithandej, sikur në Shqipëri, ashtu edhe e shqiptarëve që, padrejtësisht sërish kishin ngelur jashtë trungut të shtetit amë, hyri dhe ngeli për më shumë se gjysmë shekulli në orbitën e komunizmit. Ishte interes, qëllim i krerëve të atëhershëm ndërkombëtar të komunizmit që, Shqipëria të ishte në kthetrat ideologjike të komunizmit dhe, të ishte e konfrontuar sa më shumë, sa më thellë me Perëndimin. Kaluan shumë vite të stuhishme për popullin shqiptar, jo vetëm në Shqipëri dhe në Kosovë, për të ardhur çasti i rënies së, po të asaj perdeje të hekurt ideologjike/ komunizmit, përkatësisht lindjes së epokës së demokracisë, e cila demokraci  edhe ne shqiptarëve na i hapi  portat e rizgjimit kombëtar. Viti 1990, dhe përgjithësisht vitet ‘90 të shekullit të XX-të, mundësuan rikthimin tonë kombëtar në vorbullën, në gjirin e civilizimeve perëndimore, në qytetërimin, të cilit me zemër dhe me shpirt i kemi takuar që nga epoka e krenarisë sonë kombëtare, epoka e Gjergj Kastriotit. Gjithnjë në këtë kontekst, pra të gjeopolitikës së re botërore, dhe veçmas të krijimit të Rendit të Ri Botëror në glob, e të aleancave të reja midis popujve dhe shteteve, Perëndimi iu rikthye edhe çështjes shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës. Madje, pikërisht në rastin e rikthimit të interesimit dhe përkujdesjes së madhe të Perëndimit ndaj zgjidhjes të çështjes shqiptare, në veçanti zgjidhjes së drejtë të çështjes së statusit të Kosovës, në gjeopolitikën e re, ndodhi rivendosja, rifuqizimi i aleancës anglo-amerikane, e cila aleancë, qëllimisht u prish me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. Ne shqiptarët, gjithandej, që luftonim për faktorizimin tonë kombëtar, për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb/jugosllav iu gëzuam përkushtimit të Perëndimit, përkujdesjes së fuqishme ndaj fatit tonë kombëtar, ndaj aspiratave tona që, edhe ne  si komb i qytetërimeve të lashta ta gjejmë një strehë të merituar në djepin e vlerave perëndimore dhe veçmas në kornizat e aleancës sonë me Perëndimin. Padyshim, ndryshimi rrënjësor i qëndrimit të politikës së jashtme britanike, po aq sa edhe asaj amerikane ndaj çështjes shqiptare dhe veçmas çështjes së Kosovës, e që në mënyrë thelbësore ndërlidhet me ardhjen në pushtet të z. Tony Bler si kryeministër i Britanisë së Madhe, paraqet kthesën e madhe të përkushtimit të po asaj aleance anglo - amerikane për çështjen tonë kombëtare. 
Tony Blair, një personalitet tepër i veçantë i diplomacisë, jo vetëm britanike, por edhe botërore gjithnjë në marrëveshje të plotë me Bill Clintonin, i dhanë një pamje të re, shpirt të ri fizionomisë politike të Rendit të Ri Botëror. Blair, një njeri, politikan,  prijës nacional, kryeministër shteti, që nga fillimi i mandatit të tij të parë u  dëshmua i vendosur në ndërtimin e një bote të re, një bote me më shumë paqe e dritë njerëzore, dhe me më pak dhembje, vuajtje, luftëra, gjak, dhunë e pushtime. Në fjalimet e tij të zjarrta, në retorikën dhe veprimet e tij prej burrë shtetasi, ai rrezatoi fuqinë magjike të thirrjes së epokës së re të fundshekullit të kaluar dhe të fillim shekullit të XXI, për më shumë dashuri mes njerëzve, për më shumë barazi, dhe veçmas për liri të popujve, deri dje të shtypur.  Tony Blair, një iluminist i politikës moderne dhe jo vetëm burrështetas  britanik,  shumë shpejt u bë figurë emblematike dhe fort e dashur për të gjithë shqiptarët, dhe veçmas për popullin e Kosovës. Ishte i vendosur, ishte i pa luhatur, ishte trim dhe vizionar në përkushtimin që, populli i Kosovës, me paqe ose me luftë duhej të çlirohet nga sundimi serb, që popullit të Kosovës, gjithnjë me përkrahjen e vendosur anglo- amerikane t’i mundësohej të vendoste vetë për fatin e vet, lirinë e vet, të ardhmen e vet. Blair, miku ynë i djeshëm, i  sotëm dhe i përmotshëm i kombit tonë, mbajti qëndrim të drejt prej politikani, prej diplomati të përmasave botërore, edhe atëherë kur Kosova ishte e përgjakur nga soldateska serbe. Blair, me guximin qytetar, me fuqinë prej burrështetasi të botës moderne, u rreshtuar në përkrahje të luftës sonë çlirimtare (UÇK-së) për çlirim, për liri dhe për themelimin e shtetit të Kosovës. 
    Sot,  Kosova shtet,  i mbarë populli shqiptar i Kosovës, i madh dhe i vogël, me dashurinë dhe përkushtimin më të thellë njerëzor po i dëshirojmë mirëseardhje, Tony  Blairit, duke i shprehur ndjenjat më të sinqerta të  fisnikërisë, bujarisë shqiptare, pra,  njeriut, personalitetit, mikut të përmotshëm të shqiptarëve. Zemrat shqiptare, si kurrë më parë dhe përjetësisht janë të hapura për Tony Blair dhe popullim mik britanik, për thellimin e miqësisë shqiptaro – britanike, aleancë kjo e cila shndritë  rrugën tonë të sigurt drejt djepit të Evropës së re.   
Autori është shef i Departamentit të Shkencës Politike në Universitetin e Prishtinës

Posted via email from Shkupi Press extra