“The Economist”
Nje republikë pa kritika”. Kjo është ajo çfarë Nikolas Sarkozi u premtoi francezëve. Në vend të kësaj, ai u ka dhënë atyre “një qeveri pa besim”Më 4 korrik, dy ministra të tij dhanë dorëheqjen, njëri nën akuzë se kishte abuzuar me shpenzimet duke blerë puro kubaneze me vlerë 12.000 euro dhe tjetri, sepse kishte marrë një avion prej 116.500 eurosh për të shkuar në një konferencë që organizohej me qëllim ndihmën për familjet e viktimave ndaj tërmetit në Haiti. Skandalet kanë lidhje edhe me ministrin e Punës, Eric Woerth dhe bashkëshorten e tij, si dhe informatat që ata kishin për evazionin fiskal të gruas më të pasur në botë, Liliane Bettencourt. Dhe tashmë, pas akuzave se Sarkozi kishte pranuar gjatë fushatës rreth 150.000 euro nga pronarja e “L’Oréal”, prokurorët kanë nisur një hetim që mund të prekë edhe presidentin.
Mos dilni menjëherë në përfundime. Nga njëra anë, ish-llogaritarja e Bettencourt tha se Woerth kishte marrë donacione kur ishte grumbulluese fondesh për Sarkozinë. Nga ana tjetër, Woerth e ka konsideruar akuzuesin e tij si një gënjeshtar dhe ka protestuar për pafajësinë e bashkëshortes së tij. Personat e përfshirë në këtë aferë u larguan, por ende nuk është e qartë nëse dyshimet qëndrojnë ende. Mashtrimet me fushatën elektorale përbëjnë një krim serioz në Francë, ku një parti nuk mund të marrë donacione individuale që e kalojnë shifrën 7.500 euro. Për më tepër, Elize duket se është përzier në këtë proces gjyqësor që mendohej se duhet të ishte i paanshëm.
Skandali nënkupton se Sarkozi është gjykuar dhe dënuar nga opinioni publik edhe për një krim tjetër: ai ka tradhtuar premtimin e tij për të ndryshuar kulturën politike në Francë.
Për disa dekada, Franca funksiononte mbi bazën e një formule të thjeshtë. Elita qeverisëse garantonte politikën në Francë dhe populli i thjeshtë kishte një standard jetese të arsyeshëm.
Në këmbim, elita mund të zhytej në shpenzime të jashtëzakonshme në apartamente, makina dhe lukse të tjera.
Në vitet e fundit formula është bërë gjithnjë e më e hidhur, ndërsa rritja ekonomike është ngadalësuar dhe buxheti i shtrënguar i ka kushtëzuar fondet për mbrojtje sociale. Sarkozi erdhi në pushtet duke premtuar ndryshimin e rregullave. Ai e ka bërë këtë, por vetëm për masat. Kjo nuk u prit mirë kur djali i tij 23-vjeçar, Jean u paraqit si një kandidaturë për kreun e organizmit që mbikëqyr një nga hallkat e drejtësisë në vend. Kjo u duk si nepotizëm në fakt. Nepotizëm ishte edhe kur presidenti emëroi një mik të tijin për të drejtuar EDF-në, një grup të energjisë të mbështetur nga shteti. Sarkozi është një politikan shumë i mirë, por është kapriçoz dhe nuk e kupton se si ndikon në elektorat. Sektori publik është kundër tij. Popullariteti i tij ka rënë në fund tashmë. Dhe qeveria e tij është paralizuar nga skandalet e shumta. Në ditët e fundit ai po kërkon të riformatojë qeverinë. Për të ardhmen e Francës, duhet të shpresojmë se nuk është tepër vonë.
Home »
» Sarkozi dhe skandalet e një elite





