Fillimisht kishte spekulime dhe ekzistonte frika në shtabin argjentinas se ata do të shihnin tifozë të hidhëruar me parulla kundër kombëtares, me Maradonan që u kishte premtuar lojtarëve mbrojtje në rast se tifozët sulmojnë ndonjërin prej tyre.
Megjithatë, ajo që u prit nuk ndodhi. Me të ateruar aeroplani mijëra tifozë argjentinas mbushën pistën e aeroportit, për t’i uruar lojtarët për sulmin e treguar në Botëror dhe trajnerin për imazhin dhe konferencat e paharruara për shtyp. Fansat e Argjentinës, gjatë gjithë kohës brohorisnin, ‘Maradona të lutemi mos u largo’.
Mirëpo, përkundër dëshirës së tifozëve që Maradona të mbesë në krye të kombëtares argjentinase, e ardhmja e tij mbetet e paqartë, pasi që vetë legjenda argjentinase ka thënë se po e shqyrton largimin, por se ‘amaneti’ i tij i fundit në rast se ai largohet, do të ishte që kushdo që do ta zëvendësonte, të vazhdonte me stilin e njëjtë të lojës sulmuese.





