Brizida GJIKONDI
Në fakt pak shqiptarë mund të jenë “shokuar” nga pasuritë marramendëse të politikanëve tanë të të gjithë krahëve. Shqipëria është aq e vogël, sa të gjithë njohim dhe dimë gjithçka për njëri-tjetrin, pavarësisht “fshehjeve” të rrobave të palara nëpër emra të deleguar, llogari bankare përtej kufijve ose jo. Shqipëria është si një fshat i madh, ku burimin e fshatit e dimë të gjithë se ku ndodhet. Çka më bëri përshtypje ish babëzia progresive e “elitës sonë politike”, babëzi e cila është aq makute dhe e verbër, saqë sundon dhe nxjerr zbuluar çdo “rrenë” të tyren të deklamuar në podiume, sheshe, foltore ose seli partiake për devotshmërinë dhe legjitimitetin e tyre për të qarë hallet e shqiptarëve të mjerë. Po kush janë këta pasunarë..?!! Si mundën këta të gdhihen në 1990 xhepgrisur e të barabartë me të gjithë ne 3 milionët e tjerë dhe në 20 vjet të zgjohen multi-milionerë në Euro..?!! Edhe ekonomisti më mediokër dhe optimist njëkohësisht do e kish të vështirë t’iu hartonte bilance “shpëtuese” pasunarëve të politikës shqiptare. Çka unë mendoj se duhet të jetë shqetësuese për mbarë shoqërinë realisht elitare shqiptare, duhet të jetë kuraja e këtyre “kodoshëve”, të cilët në ditë me diell fyejnë intelektin tonë duke proklamuar se “pasuritë e tyre janë të pastra” dhe se s’kanë të bëjnë fare me mjerimin e çdo vlere që ka kapluar Shqipërinë. Është për të ardhur keq që në një shoqëri demokratike, ku logjikisht konkurrenca e vlerave është çelësi që të çon përpara, janë shushunjat servile të pushteteve që majmen me gjakun e mbarë një shteti. Pasunarët e pushteteve (allias politikanë) janë vdektarë që s’iu dhëmb ardhmëria, pasuria kombëtare dhe dinjiteti i kombit të tyre, ata janë qeniet më të pështira, më qylaxhie, më të paafta. Ata “vdesin” po t’i nxjerrësh në luftën e egër por shpërblyese të kapitalizmit, por JO !!! ata janë grabitqarët e mallit që iu është besuar për ta ruajtur dhe menaxhuar në emër të të gjithë shqiptarëve të tjerë, shtetit të tyre. Kam parë nga afër se sa diabolik dhe përbindësh është një ministër kur bie era tender; kam parë nga afër se sa Toto Rina është një kryetar partie kur bie era zgjedhje dhe qeveri pazaresh. Ai pasunari i politizuar mund të jetë deputet, ministër, drejtor KESH-i o drejtor Taksash a Doganash a Burgu, biznesmen, kryebashkiak, ndërtues, prokuror, gjyqtar, pronar mediash, kryetar OJF-je, por ai ka një veçori nga intelektualët punëtorë por të heshtur e xhepshpuar, ai ka lugën në brez dhe moralin në pusetë. Të gjithë dimë se si funksionon kjo dynjaja jonë e quajtur Shqipëri, edhe bufi di emrat dhe pazaret e vampirëve që kanë shkatërruar dhe shkatërrojnë vlerat e kësaj Shqipërie. Por ata janë dhe Ligji dhe Maliqi, cikli është i mbyllur, është si biçim lavatriçeje, lavatriçe mafioze, askush nuk duhet të presë që kasta e kapur e politikës së pasunarëve shqiptarë të vetëpurifikohet, për fat të keq tonin ata i kanë mbyllur të gjitha shtigjet, gjyqësori dhe prokuroria, pararendësit e tronditjeve të shteteve mafioze nëpër botë, në Shqipëri janë barkas-shtrihu njësoj me pasunarët e politikës, jo më kot këta të fundit janë aq “agresivë” me njëri-tjetrin kur është puna e ndarjes së pazareve të emërimeve të VIP-ave të Drejtësisë shqiptare. Eh Shqipëria e mjerë, prej dekadash s’i lindin më bijë që t’i japin vlera e jo t’ia zhvatin, prej dekadash si hijena hamë njëri-tjetrin ndërkohë që për 2 vjet mbushim një shekull pavarësi shtetare, një shekull të mbushur plot vëllavrasje shumëtrajtëshe. Ndoshta këta jemi, ndoshta kështu meritojmë të jemi, vdektarë të vegjël, parazitë, sherrxhinj, mashtrues dhe grabitqarë pa fe dhe zot në zemër. Pa të shkuar dhe pa të ardhme. Le të vazhdojnë të heshtin, besimtarët dhe atdhetarët, Shqipërinë ndoshta s’e meritojmë. Më kot një idealist i mërguar shkruajti vargje utopike…si: “Se të deshte kur s’të deshën, se të vishte kur të zhveshën…nënë moj të ra dëshmor”.
Home »
» Politika si biznes qylaxhinjsh





