Politika e Kampionatit Botëror

Nga Simon Tisdall (Guardian)

Loja e mirë - ose e keqe - në Kampionatin Botëror mund të ketë pasoja të rëndësishme politike për shtetet dhe liderët e caktuar.

Çdokush që e ka parë vallëzimin e gëzimit të Angela Merkel gjatë rrahjes së Argjentinës nga Gjermania me rezultat 4-0, mund ta ketë kuptuar shumë qartë se suksesi në Kampionatin Botëror ndikon si një tonik i fuqishëm në politikanët e lodhur. Merkel ka qenë nën zjarr përvëlues në disa fronte në Gjermani. Por, krejt kjo u harrua për pak ditë, gjersa kombi gjerman festoi i përbashkuar. "Faleminderit, heronj!", ishte titulli i madh i gazetës „Bild am Sonntag“. Edhe sikur Gjermania ta fitonte Kampionatin Botëror, Merkel mund të mos kishte përfitime të qëndrueshme. Lufta e koalicionit dhe problemet ekonomike mund ta zhvlerësonin çdo përfitim nga Kampionati Botëror. Prapëseprapë, një paraqitje e mirë (ose e keqe) në garën kryesore të sportit të vetëm global, ka pasoja të rëndësishme politike për shtetet dhe liderët e caktuar. Deri në një masë, kjo vlen për të gjitha kontinentet. Ish-gazetari i gazetës „Guardian“, Arthur Hopcraft, e kishte kuptuar rëndësinë universale të futbollit më mirë se shumica prej nesh. Në vitin 1968, ai botoi librin: “The Football Man: People and Passions in Sport” (Njeriu Futbollistik: Njerëzit dhe Pasionet në Sport), që në disa qarqe konsiderohet si libri më i mirë i shkruar ndonjëherë për futbollin. "Futbolli nuk është një fenomen, por është çështje e përditshmërisë. Më e çuditshme është të injorohet, sesa që atij t’i kushtohet jeta. Për karakterin kombëtar ai ka më shumë rëndësi se teatri", shkroi Hopcraft. "Për 80 vjet, futbolli nuk ka qenë ‘vetëm një lojë’. Ajo çfarë ndodh në fushën e futbollit ka rëndësi të madhe për ne - jo si ushqimi, por si poezia: e angazhon personalitetin... Mënyra në të cilën e luajmë, organizojmë dhe shpërblejmë futbollin, e pasqyron llojin e shoqërisë sonë". Hopcraft ka shkruar kryesisht për futbollin në Angli. Ideja e tij për shoqërinë dhe sistemin e shpërblimeve jehoi javën e kaluar, kur përfaqësuesja e mbipaguar dhe e paaftë e Anglisë u kthye në shtëpi nga Afrika e Jugut, e përcjellë me një kor të sharjeve dhe ankesave. Kjo ishte sikur anglezëve t’iu ishte treguar një pasqyrë dhe ata të reagonin ndaj asaj që kishin parë. Vetëbesimi kombëtar pësoi goditje të ngjashme në Francë dhe Itali, ku përfaqësueset respektive gjithashtu dështuan.
I shqetësuar se dështimi i "Les Bleus" mund të reflektonte keq mbi të, Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, i cili tashmë po humbë përqindje në sondazhe, nisi një hetim zyrtar për të mësuar se çfarë shkoi keq në ekipin francez. Ndërhyrja e tij prodhoi dy rezultate: përhapjen e talljes dhe irritimin, bashkë me një qortim nga FIFA, e cila e akuzoi atë për ndërhyrje në çështjet që nuk i takojnë. FIFA synon ta mbajë sportin dhe politikën ndaras - një sfidë marroqe kur dihet se Lojërat Olimpike janë shfrytëzuar vazhdimisht nga Qeveritë për ta rritur prestigjin e tyre kombëtar. Britania shpreson të ndjekë këtë shembull në vitin 2012. "Duhet ta shmangim (keq)përdorimin e futbollit dhe të sportit për qëllime politike", u tha në një deklaratë të FIFA’s. Për ironi, ky është i njëjti fakt i pandershëm që është përdorur nga liderët e Afrikës së Jugut në epokën e aparteidit, kur ata e kundërshtonin bojkotin ndërkombëtar sportiv që iu bëhej. Presidenti i Nigerisë, Goodluck Jonathan, u shqetësua aq shumë nga performansa e dobët e ekipit kombëtar saqë kërcënoi se do nuk do të linte të merrte pjesë nga garat e ardhshme, kërcënim i cili u anulua këtë javë pas një grindjeje të re me FIFA-n.
Përkundrazi, suksesi relativ i Ganës kishte ndikim pozitiv politik. Pothuajse i tërë kontinenti u bashkua për ta përkrahur përfaqësuesen e fundit të Afrikës në Kampionatin Botëror. Përfitimi i Ganës, dhe largimi tragjik në ndeshjen me Uruguain, mbase kanë bërë më shumë për unitetin afrikan brenda disa ditëve sesa Bashkimi Afrikan dhe Organizata e Unitetit Afrikan (tashmë joaktive), gjatë disa dekadave të kaluara. Ky rast gjithashtu ripërqendroi vëmendjen në mungesën e trajnerëve afrikanë - ekipet kryesore trajnohen nga europianët - dhe mungesën e investimeve në sport dhe në të rinjtë që merren me të. "Ne kemi talent dhe dëshirë, por nëse nuk i inkurajojmë lojtarët do të ketë më shumë pengesa", tha George Weah, ish-sulmuesi i Chelsea, i cili u zgjodh futbollisti më i mirë në botë në 1995, kurse kandidoi për President të Liberisë në 2005. "Ne pamë paraqitje shumë të mirë të Ganës, por përfaqësueset tjera nuk ishin të përgatitura. Ato nuk ishin të gatshme. Luajtën dobët". Kësisoj, Kampionati Botëror i ka dhënë shtysë edhe debatit për qeverisjen e mirë në Afrikën e Jugut. Largimi i hershëm i Brazilit dhe Argjentinës, depresionet kombëtare, akuzat plot zemërim dhe gisht-treguarjet që pasuan, mund t’i ndryshojnë kalkulimet politike në të dyja vendet, ku zgjedhjet presidenciale janë shumë afër. Nga ana tjetër, Uruguai, i udhëhequr nga Presidenti José Mujica, një gueril i Tupamaros (Lëvizjes për Çlirim Kombëtar), u vendos në qendër të vëmendjes ndërkombëtare si bartësi i fundit i nderit të Amerikës Veriore dhe asaj Jugore. Fakti se nga katër ekipe gjysmëfinale, tri ishin nga Europa - prej nga do të jetë edhe kampioni i ri botëror – ka ndikuar që Kampionati Botëror sërish të shndërrohet në një luftë të së resë kundër të vjetrës, të pasurve kundër të varfërve. “Përpara Uruguai!”, është një thirrje që shumë rrallë mund të dëgjohet në Washington DC. Por, për çdo gjë ekziston hera e parë.

Posted via email from Shkupi Press extra