Polemika Kastriot Myftaraj - Salajdin Salihu

Shqiptarët e Maqedonisë në epokën para dhe pas lindjes së Salajdinit PDF Print E-mail
Written by Gazeta Sot   
E Marte, 20 Korrik 2010 00:00

Nga Kastriot MYFTARAJ

Mentaliteti i shqiptarëve të Maqedonisë mund të shpjegohet fare mirë në personin e Salajdin Salihut, poet, kolumnist dhe mësimdhënës

në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë, ku ligjëron lëndët “Media Production”, “Media Writing and Reporting” dhe “On line Journalism”. Salajdin Salihu është një individ paradigmik për shqiptarët e Maqedonisë, aq sa mund të thuhet se koha e shqiptarëve të Maqedonisë mund të ndahet në epokën para lindjes së Salajdinit (Salihut) dhe pas lindjes së Salajdinit. Salajdin Salihu u lind në 26 maj 1970, në Tetovë. Ai lindi pikërisht në kohën kur në Jugosllavinë e Titos për shqiptarët do të vinte një ndërrim epoke. Shqiptarët e Jugosllavisë qenë duke kaluar nga një epokë kur ata nuk kishin të drejta, qenë të izoluar nga bota, shumë të varfër, në një epokë kur kishin shumë më tepër të drejta, dhe filluan të qarkullojnë lirisht në botë, për të punuar dhe jetuar, me ç’ rast u pasuruan shumë, në krahasim me çka kishin qenë më parë.
Në epokën para lindjes së Salajdinit, shqiptarët e Maqedonisë, ashtu si krejt shqiptarët e Jugosllavisë, qenë të prirur që ta identifikonin Perëndimin me Serbinë dhe Jugosllavinë, dhe ta shikonin si armikun e tyre. Feja islame, e cila ishte toleruar dhe stimuluar djallëzisht nga shteti jugosllav i para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, shihej prej shqiptarëve të Jugosllavisë si një nyje socializuese më e sigurt se institucionet e Jugosllavisë komuniste. Kjo bëri që shqiptarët e Jugosllavisë të kishin prirjen për ta parë Perëndimin edhe si armikun fetar, duke qenë se ai qe i krishterë, ashtu si dhe sllavët. Në përfundim të epokës para lindjes së Salajdinit (Salihut), shqiptarët e Maqedonisë, ashtu si krejt ata të Jugosllavisë, filluan që të shkojnë masivisht në Perëndim, për të punuar. Atje ata e panë se Perëndimi nuk ishte ajo mbretëri e së keqes që ata patën imagjinuar. Tash për herë të parë ata po ia shikonin të mirat Perëndimit. Por në vend që kjo të bënte që shqiptarët e Maqedonisë të ndryshonin dhe të bëheshin më pak të lidhur me fenë islame, ata përkundrazi vazhduan që të mbeten të lidhur me fenë islame. Kjo ndodhi se megjithëse ata e njohën Perëndimin dhe përfituan prej tij, ata thellë në shpirt nuk ndjeheshin të sigurt në Perëndim dhe me Perëndimin. 
Por kur shqiptarët e Maqedonisë panë se Perëndimi, megjithëse ata e urrenin, u tregua bujar me ta, duke i pranuar që të punonin atje dhe të fitonin mirë, ata e perceptuan këtë si naivitet te Perëndimit, dhe u bënë arrogant ndaj Perëndimit. Salajdin Salihu është një fakt i gjallë për këtë, se atë e kanë quajtur me këtë emër në vitin 1970, duke qenë frut i këtij animoziteti të shqiptarëve të Maqedonisë ndaj Perëndimit në atë kohë. Emri i tij “Salajdin” është simptomë e urrejtjes ndaj Perëndimit, të mjedisit ku ai lindi. 
Salah-ad-din ishte sulltani i famshëm i cili sundoi në pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme në shekullin XII dhe luftoi e triumfoi kundër kryqtarëve perëndimorë të cilët kishin shkuar të çlironin qytetin e shenjtë të Jerusalemit. Salah-ad-din ishte ai që ua mori kryqtarëve Jerusalemin, çka mbahet ende si triumfi më i madh ushtarak i Islamit në luftën me Krishterimin. Megjithatë, emri Salajdin (Salah ad-din) nuk është i përhapur në botën islame, si emër njeriu, për shkak se ai nuk është emër njeriu, por një emër njeriu të cilit i është bashkuar një titull, sipas praktikës së familjeve aristokrate islamike të kohës. Kuptimi i emrit Salajdin (Salah ad-din) në arabisht është “përmbushja e drejtësisë prej besimtarit”. Për shkak të emrit të tij, ai u quajt si i predestinuar për atë që bëri, luftën kundër kryqtarëve dhe marrjen e Jerusalemit. Kryqatat sot, ashtu si dhe atëherë, në botën islamike quhen si agresion i Perëndimit të krishterë ndaj Islamit, por e vërteta e thjeshtë kronologjike është se territoret që Salajdini (sulltani jo Salihu) u mori kryqtarëve qenë të krishtere para se ato të pushtoheshin nga arabët. Derisa prindërit e Salajdin Salihut e kanë quajtur atë me këtë emër, kjo tregon se ata duhet të kenë qenë jo thjesht besimtarë muslimanë, por fanatikë antiperëndimorë. Ata prindër që e kanë quajtur djalin e tyre Salajdin kanë dashur të shprehin urrejtjen e tyre ndaj Perëndimit dhe Krishterimit në përgjithësi.
Në epokën pas lindjes së Salajdinit, fëmijët dhe nipat e shqiptarëve të Maqedonisë u rritën në kushte të reja shumë më të mira, falë punës së prindërve të tyre në Perëndim. Nga ata që lindën në epokën e Salajdinit, një pjesë u shkolluan dhe një pjesë e të shkolluarve, si Salajdin Salihu, u bënë intelektualë. Në fakt këta si Salajdini nuk u bënë vërtet intelektualë, por meqenëse pas shpërbërjes së Jugosllavisë, Maqedonia doli si shtet i pavarur, perëndimorët kishin nevojë për interlokutorë ndërmjet shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët do të potenconin shabllonet e reja ideologjike që vinin nga Perëndimi për integrimin, modelin shumëetnik, globalizimin. Salajdin Salihu është epitomë e këtyre lloj intelektualëve të fabrikuar. Edhe pse është i shkolluar për gjuhë dhe letërsi shqipe, ai kryen një master për gazetari dhe thjesht me të bëhet mësimdhënës në universitet (Universiteti i Europës Juglindore në Tetovë), në degën e komunikimit, për jo pak por për tre lëndë: “Media Production”, “Media Writing and Reporting” dhe “On line Journalism”. Gjithashtu ai u bë edhe kolumnist në media ku të bëjnë përshtypje shkrime liturgjike të tij, si “Historia e Idesë së Integrimit Europian”. Në këtë ese Salajdini ka bërë një plagjiaturë të tmerrshme nga dy ese të hershme të Aurel Plasarit, më së shumti asaj “Rrëmbimi i Europës”, por edhe esesë tjetër “Europa nga rrënjët”. 
Kur Salajdini u bë një nga njerëzit e elitës shqiptare në Maqedoni, të cilët janë favoritë të perëndimorëve, tashmë duhej pritur që Salajdini ta ndryshonte emrin e vet. Ai duhet ta ndryshonte emrin se supozohej që të mos kishte të njëjtin mentalitet me atë të prindërve të vet, të cilët e quajtën me emrin Salajdin. Nëse Salajdini do të ishte vërtet një intelektual me bindje iluministe, laike, sikur paraqitet, ai do ta kishte ndryshuar emrin e vet. Ai do të duhej që ta kishte bërë këtë gjë, jo thjesht për vete, por edhe për faktin se kur perëndimorët takojnë një intelektual shqiptar nga Maqedonia, me emrin Salajdin, i cili paraqitet si i emancipuar, i iluminuar, poet, opinionbërës, njeri i rretheve akademike, ata nuk mund të mos mendojnë shumë keq për shqiptarët e Maqedonisë, si fundamentalistë islamikë. Të jesh një intelektual i ri shqiptar në Maqedoni, me profil publik, opinionbërës dhe mësimdhënës, pra formësues i gjeneratave të reja, dhe të mbash emrin Salajdin, kjo është njëlloj si të mbash një çallmë në kokë dhe një jatagan në brez. 
Salajdini i di të gjitha këto, ai e di se kush ishte Salajdini (sulltani), e di përshtypjen që u bën perëndimorëve emri i tij, e megjithatë nuk e ndërron emrin. Salajdini ia lejon vetes këtë se ai, ashtu si ata paraardhësit e tij që shkuan më së pari në Perëndim, mendon se perëndimorët janë naivë. Është një veti e përhershme e orientalit që t’ i perceptoje perëndimorët si naivë të cilët mund të mashtrohen. Emri që mban Salajdini, tregon se nëse e gërvisht pak intelektualin liberal tek ai, atëherë del islamiku arrogant. 
Epoka e Salajdinit për shqiptarët e Maqedonisë ka shumë gjasa që të mbyllet në një mënyrë shumë tragjike. Kur në një situatë të re ndërkombëtare, sllavo-maqedonët të gjejnë rastin që me ndihmën e bullgarëve të ndërmarrin spastrimin etnik të shqiptarëve atje, duke e kamufluar si luftë kundër terrorizmit islamik, për Perëndimin do të jetë e besueshme që një popullsi tek e cila edhe intelektualët që shfaqen si të oksidentalizuar quhen “Salajdin” të jetë bërë bartëse e terrorizmit islamik. 
Madje, Salajdini me emrin që mban dëmton jo vetëm shqiptarët e Maqedonisë, por edhe nacionin (kombin) shqiptar në përgjithësi, se Salajdini është shqiptar, dhe të huajt që e ndeshin atë mendojnë keq jo veç për shqiptarët e Maqedonisë, por për krejt shqiptarët. Por Salajdinit aq i bën për nacionin shqiptar, se ai e ka shprehur hapur shpërfilljen e tij për nacionin dhe kulturën nacionale, kur shkruan në esenë e vet për historinë e integrimit europian: “Kur flasim për integrimin evropian duhet të përmendim edhe Gëten (1749 - 1832). Ai edhe pse qëndroi indiferent ndaj një bashkimi si mjet politik, megjithatë kundërshtoi fenomenet e nacionalizmit kulturor. Për të shprehja “letërsi kombëtare” nuk do të thoshte kushedi se çfarë, prandaj bënte thirrje për një “letërsi të përbotshme”, për çka secili duhej të mundohej për të shpejtuar ardhjen e saj”. (cituar sipas: http://salajdin.ëebs.comiese.htm)
Salajdini nuk përmend, nëse e di, kontekstin në të cilin shkruante Goethe (Gëte). Goethe (Gëte) ishte kundër nacionalizmit dhe letërsisë nacionale, që në atë kohë qenë shumë në modë, se ai ishte zyrtar i lartë i Dukatit të Saxe-Weimar-Eisenach, një prej 388 shteteve në të cilat qe e ndarë Gjermania. Pra, Goethe kishte konflikt interesi, se ai kishte të ardhura të mëdha nga posti i vet i lartë shtetëror në oborrin e princit të Ëeimar dhe nëse Gjermania bashkohej, Goethe dhe padroni i vet do t' i humbinin këto, sikur ndodhi më pas kur u bashkua Gjermania me princat gjermanë dhe oborrtarët e tyre.
Por kur Salajdini shkruan kundër nacionalizmit dhe kulturës nacionale, ai nuk e bën këtë se ka bindje postnacionaliste, globaliste, multietnike, por thjesht se ai nuk e ndjen veten shqiptar. Emri që mban ai është simptomë e mentalitetit të tij. Derisa Salajdini shprehet kundër nacionalizmit dhe letërsisë nacionale, atëherë ai bëhet i preferuari i qendrave globaliste kozmopolite të inxhinieringut nacional dhe social, të cilat i botojnë edhe librat e tij me poezi jashtë vendit, jo se kanë vlera, por se duan ta promovojnë si intelektual antinacionalist.

 

 

Lexo e qesh

 

Salajdin SALIHU

 

Myftari thotë: “Të jesh një intelektual i ri shqiptar në Maqedoni, me profil publik, opinionbërës dhe mësimdhënës, pra formësues i gjeneratave të reja, dhe të mbash emrin Salajdin, kjo është njëlloj si të mbash një çallmë në kokë dhe një jatagan në brez”

Ka emër kryeheroi, por duke qenë i vogël për një emër të madh, vendosa, këtej e tutje, ta quaj Myftar. Myftari, më 21 korrik, të këtij moti, në gazetën Sot të Tiranës, nëpërmjet shkrimit “Shqiptarët e Maqedonisë në epokën para dhe pas lindjes së Salajdinit”, pasi bën retorikë dhe nuk thotë asgjë, me një fjalë, lexo e qesh, më fajëson për diçka që më së paku jam fajtor: pra për shkak të emrit tim. Po Myftari ka edhe zgjidhje: kërkon të vetëpagëzohem, sepse “si person paradigmatik për shqiptarët e Maqedonisë”, me këtë emër që kam, i dëmtuakam gjithë shqiptarët, pavarësisht ku jetojnë. Pra, nëse do të dëgjoja këshillën e tij do të duhej që të zbuloja një formulë vetëpagëzimi, p.sh: Unë vetëpagëzohem në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, sepse emri im qenka dëmi më i madh kombëtar!

Tani e tutje, u ftoj të gjithëve të qeshni.

Myftari thotë: “Të jesh një intelektual i ri shqiptar në Maqedoni, me profil publik, opinionbërës dhe mësimdhënës, pra formësues i gjeneratave të reja, dhe të mbash emrin Salajdin, kjo është njëlloj si të mbash një çallmë në kokë dhe një jatagan në brez”. 
Ai sa nuk e thotë se qenkam ketman. Me shpifje të këtilla jam mësuar. E kundërta më ndodhi në fillim të viteve 90-të, për shkak të një polemike kundër disave që pohonin se turqit erdhën në Ballkan si çlirimtarë; madje në kohën kur Millosheviqi kremtonte 600 vjetorin e Betejës së Kosovës. Ishte koha kur për Myftarët, që paraqitën si nacionalistë të përbetuar, Evropa ishte kurvë e motit, kurse feja (pavarësisht cila) një opium për popullin. Pas 20 vjetësh pasardhësit e Zhdanovit më ngjisin bishta të tjerë. Eh more Myftar, shih mos rastësisht ke gjetur edhe ndonjë dokument që dëshmon origjinën time si arab, edhe pse, sa për dijeni, nuk jam i zi, nuk kam deve në shtëpi, nuk mbaj as çallmë e jatagan.  

Myftari vazhdon të flasë: “Emri që mban Salajdini, tregon se nëse e gërvisht pak intelektualin liberal tek ai, atëherë del islamiku arrogant”. Sa nuk thotë se thellë në qenien e Salajdinit është montuar eksploziv që mund të shpërthejë në çdo çast! Sa nuk thotë: Kujdes se është kamikaz që e ka da me dekë për luftë të shenjtë! I shkreti unë, nuk mund të mbys as mizë e pulë jo më njeri, madje edhe atë që do të më rrezikonte jetën.

Myftari sërish flet: “Salajdini me emrin që mban dëmton jo vetëm shqiptarët e Maqedonisë, por edhe nacionin (kombin) shqiptar në përgjithësi, se Salajdini është shqiptar, dhe të huajt që e ndeshin atë mendojnë keq jo veç për shqiptarët e Maqedonisë, por për krejt shqiptarët”.

Po qenkam njeriu më i rëndësishëm i kombit! Aq i rëndësishëm sa shqiptarët e Maqedonisë më do t’i numërojnë vitet jo para dhe pas Krishtit, por para dhe pas Salajdinit. Me shkrimet e mia nuk përfaqësuakam vetëm vetveten, por gjithë shqiptarët edhe pse askush nuk më ka dhënë mandat të këtillë, përveç atij që nuk dua t’ia përmend as emrin! Po para meje Sali Berisha, qenka hiçfare! Nëse nuk do të qeshnim dhe e merrnim seriozisht Myftarin, atëherë dëmin më të madh kombit ia paskan bërë Naim Frashëri, Faik Konica, Ismail Kadare. Por edhe Pjetër Bogdani, Pjetër Budi, Ernest Koliqi, Martin Camaj, sepse edhe këta nuk kanë emra shqiptarësh. Si nuk doli atëherë një Myftar e t’i pagëzonte si Morlotov, Marlenglen etj.

E shkreta dhe e mira gjyshja ime, e cila më pagëzoi me këtë emër për të ruajtur kujtimin e djalit të saj të shuar në moshën 18 vjeçare, nuk e paska ditur se do vinte dita kur i sapolinduri do të bëhej tmerr i kombit për shkak të emrit! Nuk i kishte marrë parasysh rrethanash gjeostrategjike, gjeopolitike, kur më pagëzoi me emrin e birit të saj të dashur.

Nëse do të ishte në zgjedhjen time, sigurisht, do më kishte pëlqyer një emër shqip, ashtu sikurse i vëllezërve dhe motrave të mia. Por emri im është Salajdin. Të ndjehem i kompleksuar vetëm për shkak se mbaj emrin e një mbreti të cilin e përmend Dante Aligieri apo Xhovani Bokaçio?  Apo ta ndryshoj emrin, sikurse ma sugjeroi një redaktore, sipas së cilës, me këtë emër, nuk do të arrija të afirmohesha edhe sikur të shkruaja kryeveprat e Xhojsit apo Prustit?

Por unë nuk kam ndërmend të vetëpagëzohem edhe nëse do të më merrnin inat “evropianët”. Në fund të fundit, askush nuk mund të më privojë nga e drejta e të qenit evropian, sepse ndjehem i tillë. Këtë nuk e them për të mashtruar “qendrat politiko-ekonomiko-globaliste evropiane”, sepse budallenj nuk janë ata, por pse jam rritur e formuar me kulturën evropiane, me letërsinë evropiane, madje edhe me letërsinë shqipe, e cila, gjithashtu, është evropiane, por, gjithashtu, nuk kam antipati ndaj kulturave dhe qytetërimeve të tjera.

Myftari ende flet: “Ata prindër që e kanë quajtur djalin e tyre Salajdin kanë dashur të shprehin urrejtjen e tyre ndaj Perëndimit dhe Krishterimit në përgjithësi”. 
Me sa më kujtohet prindërit e mi nuk kanë njohur ndonjë Myftar. Pra, nuk mi njeh prindërit dhe vetëm paragjykon. Ata kurrë nuk i kanë urryer shqiptarët jomyslimanë, madje i kanë adhuruar. Për babanë, tashmë të ndjerë, Pashko Vasa, Mjeda, Asdreni, Noli, Migjeni nuk ishin barbarë, por shqiptarë të mëdhenj. Recitonte Fishtën kur bashkëmendimtarët e Myftarit e kishin shpallur heretik, sepse këtë ua kishte kërkuar Moska.

Myftari vazhdon më tej të flasë, por tashmë si studiues. Duke iu referuar shkrimit tim “Historia e idesë së Bashkimit Evropian”, shfaqet kontradiktor. Në njërën anë paraqitet si evropian i devotshëm, kurse nga ana tjetër, e pengojnë të gjithë ata që e përkrahin idenë madhështore të evropianizmës. Pa kurrfarë argumentesh, shkrimin tim, që e quan liturgji (!), e konsideron si plagjiaturë nga dy librat e Aurel Plasarit, të cilët, për fatin tim të keq, nuk i kam lexuar. Myftari duhet që ta dëshmojë këtë “vjedhje”. Në të kundërtën duhet të kërkojë falje publike. Nëse z. Plasari ka të njëjtën qasje, atëherë ndjehem i nderuar, sepse e di që është studiues i cili “nuk ia fut kot”, sikurse Myftari. 
Po deshi ia ofroj listën e referencave. 

Po halli i Myftarit është diku tjetër. Ai nuk mund që të shkëputet nga kritika ideologjike, utilitariste dhe letërsinë ende e vlerëson sipas një metodologjie jashtëletrare. Ai nuk merret me Perandorinë e Tekstit. Ai s’e di se letërsia nuk vlerësohet sipas kritereve etnike, as ideologjike, as utilitare, sikurse vepron teksa ia fut kot kur flet për krijimtarinë e Ismail Kadaresë. Myftari është i “shqetësuar” se e përkrah konceptin e Gëtes mbi letërsinë e përbotshme. Por, përkundër “shqetësimit” të tij, ndaj të njëjtin mendim me gjeniun gjerman, prandaj edhe e kam cituar. Po i referohem edhe Ernesto Sabatos, me origjinë shqiptare, i cili, gjithashtu, nuk pranon kufi ndarës ndërmjet letërsisë kombëtare dhe asaj universale, por e dallon letërsinë e vërtetë dhe letërsinë e cekët. Personalisht, ndjehem mirë kur autori është shqiptar. Kadareja, si autor, është shqiptar, ndërkaq letërsia e tij është shqiptare, por edhe e përbotshme.  Është letërsi e vërtetë dhe këtë nuk e thonë vetëm shqiptarët, por edhe të huaj, që, sipas mendjes së Myftarit, janë pjesë e kushedi çfarë qendrash konspirative.

Nëse do të vlerësonin letërsinë vetëm sipas kritereve etnike atëherë një shkrimtar mediokër shqiptar do të duhej të ishte për ne shqiptarët shkrimtar shumë më i madh se sa një Borhes, Markes, Kafka etj. Së dyti, unë mendoj se kulturat janë sisteme të hapura dhe se kultura shqiptare pasurohet nëse huazon nga vlerat e përbotshme të kulturave të tjera. Vetëm diktaturat ksenofobe kanë frikë nga ndikimet e jashtme. Së treti, për mua është shqiptar shumë më i madh një Norbert Jokli, një përkthyes sikurse Robert Shvarc, se sa shumë të tjerë me origjinë kryekëput shqiptare por që nuk kanë bërë diç për kulturën tonë. Këta e kanë pasuruar dhe i përkasin kulturës shqiptare, pavarësisht origjinës së tyre etnike. 
Myftarin gjithashtu e pengon çdo kush që përkthehet në gjuhë të tjera, përfshirë edhe autorin e këtij teksti. Kjo ndodh, sikurse thotë ai, “jo se kanë vlera”, por pse “qendrat globaliste kozmopolite të inxhinieringut nacional e social” po më “promovojnë si intelektual anti-nacionalist”. Pra, qendrat globaliste po afirmuakan një kinse liberal që nuk është veçse një ketman. Ose, sikurse e thotë paksa më poshtë, promovuakan një të përkëdhelur të tyre. Kësaj i thonë kontradiktë. Ose më saktësisht: T’ia fusësh kot! 
Dhe ja sërish po të ngatërrohet kritika marksiste, e cila, sikurse thonë, nuk bën tjetër veçse denoncon, linçon e fyen.

Myftari i etur për protagonizëm, që nuk shpalon ndonjë projekt apo ide të hajrit, por vetëm tenton të krijojë zhurmë, është veçse marksist i përbetuar dogmatik, pavarësisht se dëshiron të paraqitet si nacionalist i zjarrtë. 

Myftarit askush nuk ia merr të drejtën që të shkruajë dhe të shpreh opinionet e tij nëpër gazeta, por ama edhe ne kemi të drejtë të qeshim. Kemi drejtë të qeshim sepse me tipa si Myftari mund të merresh vetëm për argëtim. Të merresh me të seriozisht, kjo do të thotë të jesh sikurse ai, ose të humbësh kohën kot. Prandaj: lexo e qesh!

 

http://kohaere.eu

Posted via email from Shkupi Press extra