"International Herald Tribune"
Këtë pranverë, Parlamenti pakistanez nënshkroi një amendament, i cili shlyen nga Kushtetuta e vitit 1973 të këtij vendi të gjitha dispozitat e demokracisë së kufizuar. Puna që çoi deri te marrëveshja, ishte një akt i ndërtimit të konsensusit demokratik. “Kjo është një pikë referimi në historinë kushtetuese të Pakistanit”, kishte thënë një zyrtar parlamentar në atë kohë, por shtrohet pyetja - a mund të bëhet Pakistani një demokraci? Përmes thjerrëzave, imazhi duket i zymtë. Terrorizmi, varfëria, mungesa e energjisë dhe institucionet e dobëta civile, të bëjnë të kuptosh se një sistem i qëndrueshëm demokratik dhe një kulturë e qëndrushme demokratike, do të jenë të vështira për t’u vendosur.
Por, përmes një tjetër këndi, shihen edhe premtimet. Shumë pakistanezë, pavarësisht trazirave aktuale, duken të vendosur për një përfaqësim qeveritar. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2008, ekstremistët pësuan goditje serioze, ndërsa laikët e moderuar arritën rezultate të kënaqshme. Sipas sondazheve të fundit, opinioni publik është kthyer fuqishëm kundër militantëve islamikë.
Tani, është koha për amerikanët të lexojnë disponimin, ndërsa në rrugë qëndrojnë dy pengesa kryesore. E para është ushtria e Pakistanit. Ajo kontrollon ende vendimmarrjet kombëtare në çështje të rëndësishme të politikës së brendshme dhe të jashtme. Kurse, pengesa e dytë për progresin demokratik të Pakistanit ka të bëjë me shoqërinë civile të vendit. Përderisa Uashingtoni lufton Al-Kaidën dhe aleatët e saj në rajonin kufitar të Pakistanit dhe në Afganistan, në të njëjtën kohë duhet të bindë Islamabadin që t’i zhvillojë zonat fisnore. Rreth katër milionë pakistanezë në këto rajone janë të bllokuar nën sundimin taliban dhe të braktisur nga qeveria qendrore. Shtetet e Bashkuara duhet të thellojnë dialogun me liderët pakistanezë, përfshirë edhe klerikët konservativë. Në letër, Pakistani ka tashmë një demokraci parlamentare, që është “modeli më i mirë në Azi”. Por, Perëndimi duhet të investojë te pakistanezët dhe në shoqërinë demokratike që ata duan ta ndërtojnë, në mënyrë që e kaluara të mos e pengojë shansin e Pakistanit.





