Në grackën e konsumizmit dhe kënaqësive banale..

GËZIM TUSHI 

(A kemi koncept të qartë social për dëshirat dhe kënaqësitëe njeriut?)
Shoqëria jonë përveç halleve të tjera me natyrë endemike, të shpjeguara dhe të lidhura me fazën konkrete të zhvillimit, tani po përballet me disa dukuri të reja që kanë qenë të panjohura ose kanë qenë shfaqje parciale, të rudimentuara dhe të kufizuara në të kaluarën. “Masa e qejfit” dhe “niveli i kënaqësisë” së individit në shoqërinë parademokratike kanë qënë procese të kontrolluara dhe të monitoruara nga shteti dhe shoqëria.

“Mekanizmi i dëshirës” dhe “sistemi i kënaqësive” në kohën tonë ka pësuar ndryshime të mëdha strukturore dhe material që kanë sjellë ndryshime në filozofinë dhe konceptualitetin e vet.  Tani në shoqërinë shqiptare jo vetëm që flitet hapur për “çështjet e qejfit dhe nevojat e kënaqësisë” personale, por me sa duket këto (konsumi, qejfi dhe kënaqësia) janë bërë qëllim kryesor në mos i vetëm i njeriut, në dispozicion të të cilave ai ka vënë edhe jetën e vet. Padyshim nuk mund të flitej për to, në se në shoqërinë shqiptare nuk do të ishin krijuar kushtet material për t’i plotësuar ato. Ka disa dukuri të jetës materiale dhe të “qejfit”, që sot jo vetëm kanë superuar mbi interesat e tjera të individit, por dhe kanë marrë shpërpjesëtime të dukshme në raport me vlerat dhe interesat e tjera të jetës së përditshme të njeriut. Duke analizuar këtë prirje dominante të shoqërisë së sotme moderne, filozofi dhe sociologu francez Edgar Morin ka bërë një lidhje të shkëlqyer të komponentëve bazë të këtij ekuacioni të përbërë nga lidhjet që vendosen në kohën tonë midis njeriut, prodhimit, konsumit dhe ndjenjës së kënaqësisë. Ai ka shkruar se “Rrjedha e qytetërimit ka marrë një kahje të re. Njeriu prodhues i është nënshtruar njeriut konsumues, njeriu konsumues prodhimit të shitur në treg dhe ky forcave libidinale gjithnjë e më të fuqishme e më pak të kontrolluara (profili kapitalist dhe dëshira e konsumit e nxitin njëri tjetrin”. (E. Morin, “Hyrje në një politikë të njeriut”, faqe 92) Sipas tij qytetërimi po kalon “nga prozaiziteti në libidinalitet”. Mjetet e shumta të konsumit si qëllim në vetvete bashkë mjetet e kulturës masive po paralajmërojnë deformimin e qytetërimit në një masë të qytetërimit që ka në themelin e vet kënaqësitë.Një gjë është e vërtetë që në shoqërinë tonë, ndërsa nga njëra anë ka një rritje të dëshirave për nivel jetese dhe konsumi sa më të lartë, nga ana tjetër po ndihet e fortë epidemia e konsumacionit të kthyer në garë dhe qëllim në vetvete. Kjo sindromë sociale me të mirat dhe të këqijat e veta, është duke u shfaqur dukshëm në jetën e përbashkët të shoqërisë tonë, e cila po thellohet për shkak të orientimit të qartë liberal dhe individualist të jetës sociale më Shqipëri. Dëshirat dhe kënaqësitë individuale si kurrë më parë në shoqërinë shqiptare, janë bërë filozofi sunduese, natyrë e dytë e njeriut individualist. Ato kanë dalë si kërkesa të dorës së parë në shoqërinë tonë. Duke vlerësuar këtë tipar universal të shoqërisë moderne dhe këtë natyrë të njeriut të dhënë pas konsumit, qejfit dhe kënaqësive filozofi i pragmatizmit amerikan Xhon Djui, ka thënë se “dëshira është një çështje ndërgjegjeje e drejtuar vullnetarisht te një qëllim i njohur siç ishin kënaqësitë”. (Xh. Djui, “Publiku dhe problemet e tij”, faqe 106) Duke e sqaruar më gjerë konceptin e konsumit, dëshirës dhe kënaqësisë si qëllime kryesore dhe imediate të jetës së njeriut modern, ai mendon se “..dëshirat, qëllimet dhe standardet e kënaqësisë…janë dukuri shoqërisht të kushtëzuara”. Kjo situatë e relacioneve të reja të njeriut me shoqërinë, dëshirat dhe kënaqësinë personale ka bërë që edhe në shoqërinë tonë të shfaqen efektet e drejtpërdrejta dhe anësore të “konsumizmit”, qejfit dhe kënaqësive të çrregulluara. Për një kategori njerëzish konsumi është bërë qëllim në vetvete, ai po shfaqet si nevojë urgjente shpesh përtej kushteve të nevojës së domosdoshme, madje e cuar deri në limitet e konsumit si qëllim në vetvete. Ndaj në shoqërinë tonë ka shenja të forta të konsumit të çrregullt, të kënaqësisë kaotike dhe dëshirave të papërmbajtura me natyrë histerike. Kësaj ideje sociale dhe psikologjie individuale që kanë filluar të shfaqen të deformuara po i shërbehet me të gjithë mjetet e reklamave dhe përhapjes së epidemisë së modave të ndryshuara dhe të pastabilizuara, që e bëjnë njeriun një “viktimë sociale” të konsumacionit si qëllim në vetvete, që e shndërrojnë njeriun në një makinë “perpetua mobile” që e mban njeriun në gjendje të vazhduar të “neurotizmit konsumistik”. Tani në shoqërinë tonë duket sikur nuk ka më “ideale” dhe synime sociale. Njeriu është bërë konkret dhe pragmatist dhe nuk ka më dëshirë për gjëra që janë përtej “shoqërisë konkrete” dhe që nuk lidhen me standardet e jetës morale dhe humane. Prirja konsumistike, rendja pa dëshirave dhe kënaqësive të vogla të jetës material po ndikojnë në zvogëlimin e staturës sociale të njeriut. Koha po tregon se gjithnjë e më shumë njeriu është bërë qenie me nevoja immediate dhe natyrë empirike. Ai po shfaqet si “qenie e mbyllur” në guackën e plotësimit sa më mirë dhe sa më shumë të kërkesave, nevojave dhe dëshirave materiale sipas qejfit dhe modës personale. Ankthi neurotik i konsumizmit është bërë patologji e zgjeruar sociale, është shndërruar në ideologji sunduese për shqiptarët, të cilët në vend të gjërave të mëdha jo materiale tani e kanë lidhur jetën personale me “objektet e imta” të konsumit material, të kënaqësisë dhe qejfit të përditshëm apo të pasurimit strategjik. Në analizën që i bëjnë kësaj ndjenje të makutërisë materialiste të njeriut të kohës moderne, sociologët janë të mendimit se konsumi si qëllim në vetvete është bërë jo vetëm neurotik dhe i shfrenuar, por ka filluar të marrë rolin e ekuivalentit të mundshëm për të mbushur zbrazësitë shpirtërore që krijon qytetërimi modern. Kjo analizë dhe ky konstatim është një e vërtetë që tashmë e dikton kur analizon çështjet e konsumizmit dhe shfaqjeve të “shoqërisë së qejfit” edhe në Shqipëri. Kaq shumë është obseduar njeriu nga ndjenjat e kënaqësisë dhe të konsumacionit sa që është vështirë të dallosh konsumin real nga dëshirat e shfrenuara për “konsum imagjinar” apo shpërthimin e dëshirave të pakontrolluara dhe shpesh të pamundura që të realizohen. Nuk është fjala për ta parë dukurinë nga ana e jashtme, apo ta vlerësojmë “konsumizmin” nga këndvështrimi empirik i dëshirës së njeriut për të konsumuar sa më shumë mallra dhe të mira materiale. Në të vërtetë epidemia e konsumizmit dhe shfrenimi i qytetërimit të kënaqësisë, janë tregues se shoqëria po e kalon konsumin nga një mjet për plotësim të nevojave të natyrshme në dëshirë për zbavitje, si problem për dukje sociale apo dhe qëllim në vetvete. Paradigma konsumistike është një konstante e re që tregon se jemi drejt ndërtimit në shoqërinë shqiptare të një “jete tjetër”, të një modeli social të panjohur më parë duke e parë atë në pikëpamje të prirjes së rritjes frenetike të dëshirave të njeriut drejt konsumit material dhe kënaqësive kryesisht trupore. Mirëqenia dhe kënaqësia në të vërtetë janë një realitet i dëshiruar nga cdo njeri, sepse në thelbin e tyre ato janë tregues të një jete potenciale që mundëson ekonomia e tregut për ata njerëz që kanë shanse, fat dhe mundësi për të plotësuar dëshirat, kënaqësitë apo edhe tekat personale.  “Lakmia e konsumacionit” në shoqërinë tonë duket sikur është bërë epidemi e përgjithshme sociale që ka kapur të gjithë shqiptarët. Kjo sindromë nuk është dukuri vetëm për biznesmenët, tregtarët, politikanët dhe njerëzit e pasur, por kjo sindromë është bërë tipike edhe për rrogëtarët, të cilët kanë filluar të kenë më shumë të evidentuar dëshirat për qejf dhe kënaqësi personale se sa për përgjegjësi sociale. Tani nuk është e vështirë të konstatosh sociologjikisht një të vërtetë të dukshme të rrogëtarëve të cilët kanë më shumë dëshirë konsumacionin personal, qejfin dhe kënaqësinë se sa karrierën dhe përgjegjësinë. Prirjet e tepërta dhe të deformuara konsumistike i kanë dhënë orientim të përgjithshëm social rendjes së njeriut pas zhvillimit dhe plotësimit të kërkesave të jetës private, se sa zhvillimin e jetës dhe mbajtjes së përgjegjësive të përbashkëta qytetare. Jo vetëm në shoqërinë tonë por përgjithësisht njeriu në kohën moderne integrohet në shoqëri me qëllim që të shpenzojë me këmbëngulje kënaqësinë materiale të jetës së vet. Në këtë kontekst, këtë mentalitet e ushqen me karburant social ndjenja e zgjeruar dhe dëshirat e papërmbajtur e “konsumizmit”, e cila në kohën tonë është bërë thelbi i filozofisë individualiste të njeriut, orientim themelor i jetës private apo siç thonë sociologët e kohës së sotme, “degë e madhe materiale e qytetërimit privat”. Kjo është situata e njeriut në shoqërinë moderne kapitaliste. Kjo është mënyra e lidhjes dhe e vlerësimit nga ana e tij e relacioneve me shoqërinë. Është vetë parimi themelor, i përgjithësuar i ndërtimit të jetës në kapitalizmin modern, në të cilën për çdo nevojë apo kënaqësi ose duhet blerë, ose paguar nga njeriu. Në këtë shoqëri “kërkimi i lumturisë” individuale është bërë subjekt qenësor i kapitalizmit, parimi themelor, qëllimi i pandryshuar i jetës individuale të njeriut. Njeriu i kohës moderne i kapluar nga kjo filozofi deterministe e qëllimit të jetës konsumistike, duket se është i orientuar me të gjithë mjetet dhe mënyrat që të vërtitet brenda detyrës së plotësimit sa më mirë dhe sa më shumë të kënaqësive personale. Kjo ka bërë që në shoqërinë tonë të gjejë terren dhe të përhapet esenca e filozofisë personaliste, të bëhet sundues mendimi i përgjithshëm se në shoqërinë moderne, cdo gjë është e mundur të realizohet po të përpiqesh të jesh i suksesshëm. Por në shoqërinë shqiptare tek shumë njerëz që kanë mundësi e shanse të tilla duket se konsumizmi, qejfi dhe kënaqësia nuk po gjejnë “kohën dhe hapësirën” e duhur. Prandaj në shumë raste, ato kanë humbur funksionin e tyre human e të dobishëm dhe e kanë futur jetën e njeriut në krizën evidente të “konsumacionit” me çdo kusht. Prandaj po të vështrosh me kujdes mënyrën se si zhvillojnë jetën njerëzit tanë, si i ravijëzojnë ata qëllimet subjektive të saj, të duket sikur ajo është e mbyllur në qerthullin dikotomik që e ka reduktuar luftën e njeriut në plotësimin e kërkesave në “segmentin e mbyllur” midis nevojës për aventurë dhe sigurisë personale, midis ankthit për të pasur sa më shumë sende materiale dhe kënaqësisë së drejtpërdrejtë që ndjen njeriu nga konsumi personal. Nuk është vështirë të diktosh deformimet sociale dhe trajtimet sempliste që ka marrë ideja e konsumacionit, apo mënyrat se si plotësohen dëshirat dhe si realizohen në shoqërinë tonë kënaqësitë personale. Padyshim ato kanë vlerë kur është fjala për të vlerësuar cilësinë e jetës e cila ka në përmbajtjen e saj natyrisht edhe nivelin e plotësimit të dëshirave dhe kënaqësive që sjell konsumi i të mirave materiale. Por ideja thjeshtësuese se ne jetojmë vetëm për të konsumuar dhe vetëm për t’u kënaqur duke konsumuar, nuk është filozofi jetësore e saktë. Padyshim njeriu duhet të ketë dëshira të personalizuara sepse ato e nxitin që të plotësojë dhe të sigurojë atë që do. Por kënaqësitë dhe dëshirat nuk janë të lidhura vetëm me idenë obsesive të konsumizmit, që ka krijuar tek disa njerëz idenë se ka “kollajllëqe” për të siguruar cdo kënaqësi në mënyrë të rrufeshme dhe pa sforcim. Megjithatë konsumizmi si sindromë sociale është dukuri e shpjeguar si patologji e vendeve që po kalojnë tranzicionin postkomunist dhe që kanë kaluar një jetë të gjatë me privacione materiale dhe me mungesa të thella të plotësimit të kushteve ekzistenciale humane. Por duke parë përvojën e qytetërimit perëndimor dhe plagët sociale që ka sjellë zgjerimi i epidemisë së “konsumizmit personal”, i kthyer si qëllim në vetvete, sociologët kanë diktuar disa pasoja sociale të lidhura me këtë epidemi, të cilat tashmë po shfaqen në disa forma kritike, siç është “kriza e individualizmit”, “kriza e qytetërimit asocial”, “kriza e mënyrës amerikane të jetës”, etj. Duket që në kohën tonë edhe për të pasurit, modeli i “dolçe vitës” është bërë sinonim i zhgënjimit që vjen nga konsumizmi si qëllim i vetëm i jetës së njeriut, por që shpesh shoqërohet nga boshlëku shpirtëror dhe vakuumet e thella ekzistenciale dhe zhgënjyese. Konsumi material me sa duket me gjithë vlerën që ka strategjikisht për njeriun është i pamjaftueshëm për plotësimin e tërë qëllimeve “përtej materiale të jetës së tij. Ndaj sot për të dalë nga kriza e “shoqërisë konsumistike” dhe ideali materialisht i ngushtë i “njeriut konsumistik”, duket se ka nevojë për të ndërtuar politika të reja sociale, që vënë më mirë në ekuilibër nevojat e njeriut jo vetëm për konsum material por dhe për “komunikim inter-njerëzor”. Konsumi si qëllim në vetvete jashtë synimeve të tjera të integrimit dhe angazhimit të njeriut si qenie e komunikimit social nuk ka vlerë. Vjen një ditë që edhe njeriu i pasur bëhet viktimë e “izolimit konsumistik” që e shkëput atë nga bota e jetës, që e zhyt në krizë identiteti personal, duke e lënë në baltën e anonimitetit social. Jo konsumizmi por lidhja sociale dhe komunikimi qytetar janë tregues të jetës së shëndoshë të jetës që zhvillohet e shëndetshme “përtej krizës së konsumacionit”.

Posted via email from Shkupi Press extra