“Mos…”, një libër për çdo shtëpi

Nga Agron Bala

Duke lexuar librin e Kiço Blushit “Mos…”, desha ta klasifikoja si gjini letrare diku. Por ishte krejtësisht e pamundur sepse ky libër është jashtë çdo skeme letrare, me tre personazhe reale, (ai, nipi dhe mbesa e tij), pa subjekt të mirëfilltë, (përbëhet nga një zinxhir ngjarjesh pa lidhje subjektore me njëra-tjetrën), pa konflikt letrar, pa prolog e epilog, pa adresë lexuesish (fëmijë, të rinj apo mosha të tjera) …që e bëjnë një libër letërsi…Por megjithëse larg gjithçkaje të cituar më sipër, libri është letërsi e mirëfilltë, madje një sukses letrar i tij. Ndofta mund të quhet një sprovë letrare. “Mos…” është shkruar më shumë natyrshmëri dhe liri krijuese, ndaj lexohet me një frymë, por që të bën të mendohesh gjatë… 
Secila familje ka fëmijë, nipër e mbesa, prindër e gjyshër. Po çfarë i lidh këta njerëz përveç geneve? Çfarë ndryshimesh ka mes tyre, si komunikojnë, a e kuptojnë dot njëri-tjetrin, a kanë interesa të përbashkëta, çfarë botësh përfaqësojnë ata? Në fund të fundit, a ekziston një trashëgimi intelektuale, shpirtërore apo shoqërore mes tyre? Këto janë disa nga pyetjet që rreket t’u përgjigjet Blushi, nëpërmjet disa “ngjarjeve” fare të zakonshme që ndodhin brenda apo jashtë mureve të një shtëpie të çfarëdoshme shqiptare. 
Në këtë libër përplasen dy botë, ose më mirë të themi dy realitete: ai i fëmijërisë së autorit dhe i fëmijërisë së sotme, që duken sikur janë vite drite larg njëra-tjetrës, megjithëse në kushte të tjera do të ishin vazhdim i njëra-tjetrës. Fëmijëria e autorit ka pasur një tjetër kuptim për jetën, ka përjetuar kushte të tjera dhe të tjera interesa, por një fëmijëri e jetuar realisht, larg realitetit të fëmijëve të sotëm, që janë “rob” të virtualitetit dhe teknologjisë, të kompjuterit dhe të televizorit. Por deri këtu nuk ka asgjë të re e aq më pak letrare. Por pyetja që shtron ky libër është shumë herë përtej këtij ballafaqimi. Cila duhet të jetë bota e fëmijëve të sotëm? Çfarë raportesh duhet të kemi ne me ta? Çfarë duhet t’u përcjellim atyre? Deri tani ne thjesht u kemi thënë atyre mos…mos bëj këtë e atë, mos rri kështu e ashtu, mos shko këtu e atje, mos… Por asnjëherë nuk jemi përpjekur t’u shpjegojmë se jeta reale nuk është ajo e lojërave elektronike, e kompjuterit dhe e televizorit. Dhe ata si fëmijë duhet ta jetojnë ndryshe këtë moshe që nuk u kthehet më… 
Dikur me “liri” ne kuptonim rrugën në konceptin e saj më të gjerë. Rruga për ne ishte bota, loja, shokët, informacioni…Sot rruga nuk është më kjo. Në rrugë ndodhet kërcënimi, frika, makinat që mund të të shtypin, qentë e rrugës…Ndaj fëmijët tani “ndryhen” brenda katër mureve të shtëpisë, të vetmuar, larg të “tjerëve”, që në fund të fundit mund të na i “prishin” fëmijëve tanë. Kështu ne i detyrojmë ata t’i përkushtohen një jete virtuale: u blejmë lodrat më të fundit elektronike, i vendosim përballë kompjuterave apo televizorëve…Po a mund të quhet fëmijëri kjo? A duhet të kuptojmë se kështu ne i “mbyllim” në një burg të bukur dhe me të gjitha kushtet për jetë, por që gjithsesi është një burg? Si ka mundësi që për fëmijët e sotëm ngjitja në pemë të quhet “ngjarje”? Si mundet që kur u ofron të hanë një kokërr qershie e gëlltisin me gjithë bërthamë se nuk e dinë që ajo ka një të tillë? Si mundet të mos jenë larë në një lumë…? Por nga ana tjetër po këta fëmijë kanë shumë e shumë më tepër informacion se ne, “pushtojnë” territore e kontinente me një të klikuar të kompjuterit, njohin teknologjinë më të fundit dhe gjithçka tjetër që ndodh në mbarë botën. Por sa u shërben kjo për fëmijërinë e tyre? A mund të quhet vërtet kjo fëmijëri? Blushi, pa pretenduar të japë zgjidhje për këtë mori pyetjesh, ballafaqon “ngjarjet” e fëmijërisë së tij me “ngjarjet” e nipit dhe të mbesës. Të duket sikur mbesa dhe nipi nuk kanë asnjë ngjarje, që meriton këtë emër përveç hipjes mbi shpinën e një gomari apo të ngjitjes në një pemë. Por ata nesër do të përplasen me realitetin dhe ngjarjet e vërteta. Ne nuk mundemi që t’u ofrojmë një model tjetër jete, sepse jemi vetë ne që i kemi “burgosur”. Atëherë? Blushi le të kuptojë se në përplasjen realitet/virtualitet, duhet të ecim drejt të parit. T’u japim fëmijëve kuptimin e jetës, motivin për ta jetuar atë. Dhe këtë Blushi nuk e bën me mjete të moralit, por me mjete letrare… 
Në fund të fundit brezi pararendës ka për detyrë të “krijojë” brezin pasardhës…Nëse fëmijët e sotëm janë “viktima” jemi ne që i kemi bërë të tille. Ndaj prindër, gjyshër ofrojini atyre realitetin, motivin dhe kuptimin e jetës…Duke lexuar këtë libër, m’u kujtua një histori që ma patën treguar në Francë. Panairi i Bujqësisë dhe Blegtorisë që zhvillohet çdo vit atje, tërheq miliona vizitorë…të vegjël, që nuk kanë asnjë lidhje me bujqësinë apo blegtorinë. Përse? Sepse prindërit kanë rastin t’u tregojnë fëmijëve kafshët e vërteta, lopën, delen, dhinë…Kam frikë së nesër edhe ne do bëjmë të njëjtën gjë… 
“Mos…” është një libër që duhet ta lexojë çdo prind, çdo fëmijë, jo si sociologji por si letërsi mirëfilli. Po aq lirisht sa është shkruar, po aq shpejt edhe lexohet. Blushi duket që vetëm “tregon’, por meditimi për atë çfarë “tregon” është në çdo rast prezent. Mbi të gjitha na bën të mendohemi për gjërat themelore të jetës. Dhe një nga vlerat e mëdha të letërsisë është pikërisht kjo!

Posted via email from Shkupi Press extra