BESNIK DIZDARI
Sporti ka fuqi të ndërrojë botën, të bashkojë njerëzit, të rizgjojë shpresën atje ku më parë kishte vetëm dëshpërim". Këtë e ka thënë Nelson Mandela, njeriu i cili ia kushtoi jetën kauzës së zhdukjes së aparteidit në Afrikën e Jugut, shtetit që po organizon Kupën e Botës Nr.19. Shteti i vetëm në histori, të cilin për shkak të dallimit racial, FIFA e ka ndaluar për të marrë pjesë në Kupën e Botës për shtatë edicione të saj rradhazi: nga 1966 deri më 1990. Sot, në 20 vjetorin e lirimit të Afrikës nga burgosja e saj ndarëse prej Kampionatit Botëror, gara e 206 shteteve pjesëmarrëse nga eliminatoret deri te fundoret (finalet) e Afrika e Jugut 2010, midis të cilëve edhe Shqipëria - njëra prej plot 127 shteteve të botës, të cilët nuk kanë arritur të jenë asnjëherë midis 79 pjesëmarrësve të deritashëm të garave të fundore (finale) në të 19 Kampionatet Botërore - duket se është bërë më "gjeopolitik" se kurrënjiherë. E vendos në thonjëza sepse në këtë rast, përveç ndërlidhjeve gjeografiko-politiko-ekonomike, me "gjeopolitikë" kam parasysh sidomos gjeografinë dhe ekonominë prej ku mbërrijnë 32 shtetet pjesëmarrëse të Edicionit Nr. 19.
80 vjet më parë, ditë të përtej Oqeanit të 13-30 korrik 1930 në Montevideo të Uruguajt, mû për shkaqe të gjeopolitikës, Europa thuajse e braktisi Kupën e parë të Botës, të shpikur prej Francës me Jules Rimet dhe Henry Delaunay. Uruguaj ishte tepër larg, krejt i vogël, asokohe me vetëm 1.4 milionë banorë, dhe krejt i varfër për të bërë për vete superfuqitë e kontinentit të vjetër. U tha se futbolli është punë shtetesh të varfër. Në të vërtetë i tillë duhej të ishte teksa kujton se kush u përshkua për të mbërritur Uruguajn: Argjentina, Kili, Jugosllavia, Brazili, Bolivia, Rumania, Peruja, Meksika, Paraguaj! Prej "të pasurve" ishin vetëm tre: SHBA, Franca dhe Belgjika.
Kështu, për shumë vite sundoi mendimi se ky sport i përkiste shteteve të varfra, ndonëse shpikësi ishte shteti më i pasur i botës: Anglia. E shpiku, që borgjezia të kishte një mënyrë dëfryese për të shteruar kaloritë e saj të shumta, siç thotë një historian.
U duk se kjo garë "e varfër" botërore e Uruguaj 1930, në ndeshjen e parë të së cilës, atë të 13 korrikut 1930, Franca- Meksika 4-1, ishin vetëm 500 spektatorë, e tillë do të mbeste: "e varfër" në të gjitha kahet. Mirëpo, nuk ndodhi kështu sepse në ndeshjen e fundit, atë për titullin, të 30 korrikut 1930, Uruguaj - Argentina 4-2 të Stadiumit "Centenario" të Montevideos, simbas përimtimit më të fundit të FIFA-s, ishin plot 80.000 shikues. Dhe fitoi një plotësisht "i varfër": Uruguaj!
Për një çast, të duket se asgjë nuk ka ndryshuar as sot mbas 80 vjetëve. Sepse në krye të gjithë kësaj historie është Brazili me vetëm 7000 dollarë të ardhura për banor, një shtet po i varfër, i cili ka fituar pesë Kampionate Botërore. Shto këtu dy titujt e Uruguajt si dhe dy Argjentinës, e cila ka vetëm 6600 dollarë për frymë, e atëherë bindesh edhe më fort se edhe mbas 80 vjetëve të themelimit të saj, Kupën e Botës e sundojnë shtetet "e varfra".
Vështro 16 skuadrat, të cilat u kualifikuan për në 1/8 e fundoreve. Sundojnë po "të varfrit: Uruguaj, Gana, Brazili, Kili, Argjentina, Meksika, Paraguaj, të cilët të gjithë nuk luhaten përtej 6000 - 7000 - 9000 dollarëve për frymë. Madje midis tyre është dhe Gana, e cila ka vetëm 700 dollarë për frymë!
Tash ec e gjeje se ku mund të mësohet më mirë teknika virtuoze e futbollit: në fushat e shkëlqyeshme të Anglisë me këpucët më moderne të futbollit, apo këmbëzbathur në rërën e brigjeve të Brazilit?
Dhe Anglia e cila ndërkaq, u mundua së tepërmi për të shënuar vetëm 2 gola në 5 ndeshje, ndërsa Brazili "i varfër" 8 gola prej të cilëve 3 të së hënës kundër Kilit që qenë kryevepra të vogla të virtuozitetit të "fëmijëve të varfër", emrat e të cilëve ishin Juan, Luis Fabiano dhe Robinho, të mësuar me bregun me rërë të Capocabani-t.
Ky Kampionat është një fundore e fundoreve (finale e finaleve), sepse Europa dhe Amerika e Jugut janë 9 me 9 me tituj të fituar. Dhe për të mësuar, nëse do të fitojë "varfëria" apo "pasuria", duhet pritur edhe pak. Në 16-she dueli qe gjigand për nga përmasat. Në një anë SHBA, Kore, Holandë, Gjermani, Angli, Japoni - kapitalistët më të mëdhenj të botës. Në anën tjetër Uruguaj, Gana, Sllovakia, Brazili, Kili, Argjentina, Meksika, Paraguaj - ëndërrimtarët e vegjël të një kapitalizmi të mundshëm. Epërsia "e varfërisë" duket se është e pandryshueshme edhe në 8-shen e sapopërcaktuar: Uruguaj, Gana, Brazili, Argjentina…
A është vërtet kështu?
Dhe papritmas, në përgjigje të kësaj pyetjeje të dalin përballë disa shifra çarmatosëse:
Vështroni të "varfërit": Brazili ka vetëm 13 për qind të lojtarëve të tij që luajnë në Brazil, Argjentina 26 për qind, Kili 30 për qind, Gana vetëm 13 për qind, Paraguaj 17 për qind, Sllovakia vetëm 9 për qind! Uruguaj vetëm 8 për qind të lojtarëve i ka në kampionatin e vet!
Kjo është "gjeopolitika" e Kupës së Botës, datuar më 2010, dhjetëvjeçari i parë i Shekullit XXI. Futbollistët e "të varfërve" kanë braktisur futbollin e plazheve, të shkretëtirës, të një flore genuine dhe kanë pushtuar kampionatet e "të pasurve" në metropolet e Europës. Kësisoj, Kupa e Botës Nr. 19 është diçka tjetër". "Të pasurit" kanë rrëmbyer "të varfrit", por ende jo plotësisht vetë Kupën e Botës. Kampionati i Anglisë pati 118 lojtarë të tij në këto fundore të Afrika 2010. Madje vetë Anglia ishte e vetmja skuadër, e cila i kishte 100 për qind të lojtarëve të cilët luanin në Kampionatin e saj Kombëtar, në të famshmen Premier League, e themeluar si e para e botës, qysh më 1888. Mirëpo u eliminua dhe deri më sot ka fituar vetëm një herë Kampionatin Botëror!
Këto janë paradokset e Kupës së Botës, e cila në duelin e vjetër midis varfërisë dhe pasurisë, apo atë midis Amerikës së "varfër" të Jugut dhe Europës së "pasur", është ende në duart e kontinentit të përtejmë, që vazhdon të shfaqë gjithnjë virtuozitetin e futbollit, ndonëse në Afrikë plot 52.4 për qind e lojtarëve ose plot 386 lojtarë të të 32 shteteve pjesëmarrëse, vijnë vetëm prej Kampionateve Kombëtare të vetëm pesë 5 shteteve të Europës: Angli, Gjermani, Itali, Francë, Spanjë. Dhe mû prej kësaj pesëshe trimoshe eliminohen, duke zënë vendin e fundit në grup, Italia - Kampione e Botës në fuqi dhe Franca - Nënkampione e Botës në fuqi!
Këto po "guxon" të shfaqë Afrika e Jugut me një sipërfaqe prej 1.2 milion kilometra katrorë, katër herë sa Italia, ku flitet jo një gjuhë e vetme, por plot 11 gjuhë. Duke plotësuar deri diku këtë tanësi "gjeopolitike", shtoj se në terrenin e saj të pamatë ajo përfaqëson një lloj dimri mû në mes të verës europiane. Mbas plot 32 vjetëve (Argjentinë 1978), Kupa e Botës i është kthyer dimrit. Nga Cape Town, skaji jugperëndimor, deri në Nelspruit, skaji verilindor jugafrikan, në kufi me Mozambikun, janë bukur 1800 kilometra. Ndryshe, kjo nënkupton që në 9 qytete të të 64 ndeshjeve ka 3-4 lloje klimash. Janë të gjitha: subtropikale, mesdhetare, të lagshta, 1700 metra lart Johaneburgu, klimë e thatë e ditës, vetëm 4 gradë temperaturë e natës, aty këtu madje deri dhe në 1 apo 2 gradë nën zero!
Ndërkaq, fjala nuk është vetëm për "gjeo", por edhe për atë tjetrën, "politikën". Kupa e Botës me në krye presidentin e FIFA-s, Joseph Blatter, mû pse ka dashur të bashkojë gjeografinë me politikën, e pra të bëjë gjeopolitikë, e ka çuar Kampionatin Botëror atje poshtë, deri në në Cape Town, 30 gradë nën ekuator.
Tjetër punë mandej, se as klima, as gjeografia, as ekonomia, as politika, e pra as vetë "gjeopolitika" nuk mund të komandojë lëvizjen kapricioze të topit të rrumbullakët në rrugëtimin e tij përmes këmbëve virtuoze braziliano-argjentino-uruguajane dhe ato të fuqishme gjermano-holandezo-spanjole. E pse jo, edhe ato tekniko-atletike ganeze. Gana pra, natyrisht befasia e madhe e Kupës së Botës 2010. Në një si kalamendje të duket sikur të kujton Shqipërinë: vend bujqësor me disa pasuri minerare dhe me katër fe të ndryshme. Por me një ndryshim të madh me Shqipërinë tonë megjithatë: Gana është dy herë Kampione Botës me 17 vjeçarët dhe një herë Kampione e Botës me 20-vjeçarët!
E pra, çka të veçantë ka dhënë deri tash ky Kampionat Botëror?
Të duket se ai ende nuk ka filluar, ndonëse ka përzënë plot 24 prej të 32 skuadrave. Dhe ashtu si qysh më 1966, duke ruajtur ç'prej 44 vjetësh dukurinë "e zakonshme": eliminimin e pandalshëm të Anglisë - shpikëses së futbollit, ndonëse është kjo Angli sunduese "gjeopolitike" edhe për këte Edicion të 19-të, përderisa ka sjellë jo 23, por plot 118 futbollistë për Afrika 2010!!
Për fat, ajo ende nuk ka kuptuar fort mirë sentencën e një shkrimtari të madh të saj, George Orwell, i cili ka thënë: "Futboll nuk do të thotë me goditë një top, por do të thotë të dish të luftosh".
Ky është dhe paradoksi i "gjeopolitikës" së Kupës së Botës: që luftëtarët antikë të futbollit, të cilët dihet që janë anglezët, për çudi nuk ia arrijnë të njohin sekretet moderne të luftës së pamëshirshme për fitimin e Kupës së Botës!