Petrit HALITI
Askush në qarqet diplomatike në Sofje nuk është në gjendje të thotë se cilat ishin argumentet dhe instrumentet që përdori.kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin për të bindur kryeministrin e Bullgarisë, Bojko Borisov, në bisedën e tyre telefonike më 2 korrik, që qeveria bullgare të ndryshonte befas politikën dhe strategjinë e saj energjetike. Edhe deklarata enigmatike që bëri vetë kryeministri bullgar se “Putini më kupton mua më mirë se sa politikanët bullgarë të opozitës”, më shumë e shtoi konfuzionin.
Fakti është se me bisedimet që zëvendëskryeministri rus Viktor Zubkov zhvilloi në Sofje më 6 korrik, dhe me marrëveshjen që u arrit mes tij dhe kryeministrit Borisov për përfshirjen zyrtare të Bullgarisë në projektin energjetik rus të gazsjellësit “South Stream”, kemi një ndryshim të befasishëm të politikës së ndjekur deri tani nga kryeministri i Bullgarisë.
Kur Borisovi erdhi në fuqi në korrik të vitit të kaluar, ai deklaroi se do të rishikonte marrëveshjet për tri projektet e mëdha energjetike, që Bullgaria kishte nënshkruar me Rusinë në vitin 2008, në kohën e qeverisë së Partisë Socialiste, sepse ato cenonin interesat kombtare bullgare. Jo shumë larg, por më 11 qershor të këtij viti, ai u deklaroi ambasadorëve të 26 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, të akredituar në Sofje, se qeveria e tij do të pezullonte projektin rus të ndërtimit të centralit bërthamor të Belenes si dhe projektin e naftësjellësit rus Burgas-Aleksandropullos. Njëkohësisht, qeveria e Borisovit shpalli se prioriteti i saj më i lartë do të jetë gazsjellësi “Nabucco”, që planifikon të ndërtojë Bashkimi Europian dhe që ka edhe mbështetjen e SHBA. Si SHBA, ashtu dhe BE, u kanë bërë të qartë qeverive të Europës Juglindore se interesi strategjik perëndimor është që gazsjellësi europian “Nabucco” të ndërtohet përpara gazsjellësit rus “South Stream”.
Pa u mbushur as muaji, ky prioritet i shpallur i qeverisë bullgare ndryshon, dhe mes qeverisë ruse dhe asaj bullgare arrihet një marrëveshje, e cila e rikthen Bullgarinë në shinat, ku e kishte vendosur qeveria e mëparshme socialiste e Stanishevit, dhe për të cilën Borisovi e kishte kritikuar. Gazeta e mirinformuar ruse “Komersant” shkruante të nesërmen e marrëveshjes së arritur nga Zubkovi në Sofje se “kërcënimi rus për të përjashtuar Bullgarinë nga “South Stream” funksionoi”.
Edhe nga ato pak elementë, që kanë dalë deri tani, të marrëveshjes së arritur më 6 korrik nga kryeministri i Bullgarisë me zëvendëskryeministrin e Rusisë, Viktor Zubkov, krijohet bindja se qeveria e tanishme bullgare ka ceduar në disa drejtime. Një nga problemet më të debatueshme që kishin lindur qysh kur u zhvilluan bisedimet e para për marrëveshjet energjetike me Rusinë, ishte çështje e pronësisë së tubacioneve të gazsjellësit, që do të kalojnë nëpër territorin bullgar. Rusia kërkonte pronësinë mbi gazsjellësin në territorin bullgar. Kryeministri Bojko Borisov pranoi në bisedimet e tij me të dërguarin e Kremlinit, që tubacionet e gazsjellësit rus “South Stream”, që do të kalojnë nga brigjet bullgare për në kufirin me Greqinë, të jenë në pronësi të përbashkët, 50 për qind do të jenë pronësi e Rusisë dhe 50 për qind pronësi e Bullgarisë. Zëvendëskryeministri rus njoftoi në konferencën e shtypit, pas kthimit nga Bullgaria, se “të gjitha çështjet që kanë nevojë të zgjidhen, do të zgjidhen mbi bazën e roadmap-it, që sollëm dhe paraqitëm ne”. Kjo do të thotë se bisedimet dhe ecuria e pjesëmarrjes së Bullgarisë bëhen dhe do të bëhen në bazë të programit që kanë përgatitur rusët. Burime diplomatike bëjnë të ditur se më 6 korrik u bisedua edhe për projektin tjetër rus të centralit bërthamor të Belenes, në të cilin firmat ruse në fakt i kanë filluar punimet, megjithëse qeveria e Borisovit e kishte shpallur të pezulluar projektin. Karota që Moska i ofroi qeverisë së Borisovit, është rritja e përqindjes së pjesëmarrjes së nënkontraktorëve bullgarë në punimet e gazsjellësit, si dhe rritja e furnizimeve me gaz për Bullgarinë, pa pjesëmarrjen e kompanive ndërmjetëse bullgare.
Kthesa e befasishme e kryeministrit Bojko Borisov në politikën e tij energjetike, jo vetëm i gjeti të papërgatitur, por edhe i habiti qarqet diplomatike perëndimore sepse realisht qeveria po rikthehet drejt një statusi të vartësisë energjetike dhe financiare nga Rusia. Nga problem bullgar, ai bëhet kështu problem rajonal dhe atlantik. Kjo është kaq serioze, saqë ambasadori i SHBA në Bullgari, Xhejms B.Warlick jo vetëm kërkoi një takim urgjent më 7 korrik me ministrin e Ekonomisë dhe të Energjisë të Bullgarisë, Trajço Trajkov për të kërkuar shpjegime, por ndërmori edhe disa deklarata publike, të cilat dhanë indikacionin e krijimit të një krisjeje në marrëdhëniet mes dy shteteve anëtare të NATO-s, SHBA dhe Bullgarisë.
Ambasadori amerikan bëri thirrje publike që marrëveshjet me “Gazprom”-in rus të bëhen publike dhe të ketë transparencë për atë se çfarë u bisedua gjatë vizitës së zëvendëskryeministrit rus në Sofje. Në një intervistë me gazetën bullgare “Trud”, ambasadori amerikan tha se dëshironte të dinte se çfarë hapash janë marrë për të ndaluar Bullgarinë të bëhet e varur vetëm nga një furnizues energjetik. Për të mos krijuar keqkuptime, ai specifikoi se “kjo nuk ka të bëjë me Rusinë. Kjo ka të bëjë me diversifikimin e furnizimeve energjetike për popullin bullgar”.
Nuk është e nevojshme të jesh diplomat për të kuptuar, jo thjesht pakënaqësinë, por edhe shqetësimin e SHBA për atë që po ndodh në politikën dhe strategjinë energjetike të qeverisë së tanishme bullgare dhe në raportet e saj me Rusinë. Kërkesat e ambasadorit që bisedimet dhe marrëveshjet të mos mbahen sekret dhe që Bullgaria të mos krijojë vartësinë e plotë energjetike nga një vend, janë kërkesa që shprehin shqetësimin dhe angazhimin amerikan për një element gjeopolitik të zhvillimeve në marrëdhëniet mes Bullgarisë dhe Rusisë, por edhe në planin rajonal.
Qëndrimi i ambasadorit amerikan dhe dialogu i tij me publikun për marrëveshjet energjetike, nuk u pëlqeu qarqeve udhëheqëse në Sofje. Në një reagim tipik ballkanik, presidenti i Bullgarisë, Georgi Purvanov bëri një deklaratë duke u kërkuar ambasadorëve të akredituar në Sofje, që “të mos japin shumë këshilla për çështje të politikës së brendshme dhe rajonale të Bullgarisë”.
Mirëpo, politika dhe strategjia energjetike e një vendi anëtar të NATO-s dhe marrëdhëniet e tij me një fuqi të madhe si Rusia, e cila zyrtarisht e konsideron NATO-n një kërcënim, nuk mund të jenë thjesht dhe vetëm një çështje e brendshme. Po ashtu edhe efektet rajonale të një politike të tillë nuk mund të konsiderohen një çështje dypalëshe.
Pirueta e kryeministrit të Bullgarisë në projektet energjetike hap një dilemë të madhe lidhur me politikat dhe marrëveshjet, që vende të veçanta anëtare të NATO-s nënshkruajnë apo përgatiten të nënshkruajnë me “Gazprom”-in dhe me Rusinë për plane energjetike. Marrëveshjet energjetike as janë, as kanë qenë dhe as do të jenë marrëveshje thjesht dhe vetëm ekonomike. Ato janë marrëveshje që kanë të bëjnë me raporte dhe interesa strategjike. Vartësia energjetike është pjesë përbërëse e vartësisë financiare dhe strategjike. Nëse një vend anëtar i NATO-s e lejon veten të nguroset në statusin e vartësisë energjetike nga një fuqi e madhe jashtë NATO-s, kjo nuk mund të mos krijojë një shqetësim për tërë Aleancën Atlantike. Ndaj edhe shqetësimi i shprehur nga ambasadori i SHBA në Sofje është i kuptueshëm edhe për vendet e tjera të NATO-s.
Krisja në marrëdhëniet mes Bullgarisë dhe SHBA është një paralajmërim edhe për ato shtete të NATO-s në rajon, që disa herë kërkojnë të bindin opinionin e tyre publik se vartësia energjetike nuk krijon vartësi strategjike. Disa drejtues në shtete anëtare të NATO-s në rajon udhëhiqen disa herë më shumë nga interesat e fryrjes së llogarive rrjedhëse ministrore nga gazi rus, se sa nga shqetësimi për interesat afatgjata strategjike. Por ajo çka po ndodh me Bullgarinë, dëshmon se SHBA janë të ndjeshme për një rajon ku kanë investuar aq shumë nga pikëpamja politike, diplomatike, ekonomike, e sigurisë etj. Dhe nuk do të asistojnë në qetësi në flirtet apo në tradhtitë bashkëshortore atlantike të njërit apo tjetrit kryeministër në rajonin e zvjerdhur të Ballkanit.
Home »
» Krisje në marrëdhëniet Bullgari-SHBA





