Nga AFRIM KRASNIQI..Pas vendimit të djeshëm, edhe juridikisht Kosova është shteti më i ri në Europë dhe njëherësh i dyti shtet shqiptar në territore historike të shqiptarëve. Nuk ka dilemë se Kosova përbën prioritetin kryesor në politikat e sigurisë dhe interesin madhor kombëtar, dhe se fillimisht çlirimi e më pas pavarësia e Kosovës janë arritjet më të mëdha historike të të gjithë shqiptarëve. Në aspektin juridik ne jemi dy shtete, kemi dy sisteme qeverisëse, kemi dy modele gati të ndryshme të organizimit politik dhe kemi një qëllim, por me prioritete të ndryshme për integrimin e dy shteteve në bashkësinë europiane. Por, çdo shtet tjetër në botë, pret që në takimet zyrtare me shtetarë apo diplomatë të Shqipërisë, të trajtojë edhe tematika që lidhen me Kosovën. Sepse, për këto është e qartë lidhja e pandashme, interesi madhor dhe zhvillimi faktik në faktorin shqiptar në rajonin tonë.
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt 2008, axhenda diplomatike e dy shteteve ndryshoi rrënjësisht. Periudha e promovimit të interesave i la vend lobingut për njohjen e pavarësisë. Ironia dhe njëherësh fati ynë i madh është se shtetet më të rëndësishme perëndimore, SHBA, Gjermania, Franca, Britania, Italia, etj, jo vetëm shpallën njohjen e pavarësisë, por sidomos SHBA-ja, drejtoi fushatën lobuese ndërkombëtare për njohjen e Kosovës. Shtete të ndryshme nga Amerika Latine e deri në Afrikë, nga Australia në Azi, iu bashkuan njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Në mënyrë paradoksale, shtete fqinje si Greqia, Rumania apo shtete aktive në marrëdhëniet dypalëshe si Spanja, Sllovakia apo shumë shtete të Konferencës Islamike, refuzuan njohjen me alibinë e të drejtës Ndërkombëtare apo problemet e tyre të brendshme. Spanja ishte 6 muaj drejtuese e BE-së, kërkoi një rol aktiv në rajonin tonë, por ajo nuk bëri asnjë hap domethënës në raport me Kosovën. Rumania, një vend i ri anëtar në BE, jo vetëm nuk iu bashkua njohjeve, por tentoi të marrë nisma provokuese dhe refuzuese si ato të presidentit Basesku në Tiranë. Greqia fqinje, me plane të mëdha për lidership europian të rajonit, nuk arriti dot të dalë nga politika refuzuese ndaj Kosovës dhe skemat e vjetra pro-sllave. Kështu, edhe ndonjë vend tjetër, sidomos vende anëtare të Konferencës Islamike dhe me lidhje historike me shqiptarët, por që midis votës shqiptare dhe sllave, në mënyrë provokuese preferuan të dytën.
Tani kundërshtarët e Kosovës nuk kanë më alibi ligjore. Gjykata Ndërkombëtare e dha verdiktin e saj dhe pavarësia e Kosovës u pranua si akt legjitim, në përputhje me të drejtën Ndërkombëtare. Vendimi i saj do të jetë pjesë zyrtare e debatit në OKB në muajin shtator, nga ku zyrtarisht çdo shtet do të ftohet të shprehet lirshëm mbi Kosovën si njësi e re shtetërore ndërkombëtare. Natyrisht, pala kundërshtuese, serbët dhe shtetet pro saj që dështuan edhe në Gjykatën Ndërkombëtare, do të kërkojnë mjete të tjera penguese, por për vendet europiane, sidomos Spanjën, Greqinë, Rumaninë etj, mbetet e qartë se çdo qëndrim refuzues ndaj pavarësisë së Kosovës nuk është më një akt diplomatik i zakonshëm, por një vendim pengues, provokues dhe në kundërshtim me projektin e paqes, demokracisë, stabilitetit dhe evropianizimit të rajonit. Sepse, siç shprehej rezoluta e fundit e Parlamentit Europian, Europa duhet të jetë e bashkuar në projektet e saj integruese dhe në funksionimin e saj si bashkësi shtetesh. Tirana zyrtare ka punuar për pavarësinë dhe më pas, për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Pretendimi është se ajo mund e duhej të punonte shumë herë më shumë, duhej të kishte një strategji diplomatike, të kishte një plan veprimi, të koordinohej me Prishtinën zyrtare dhe të jetë refraktare në problematika diplomatike që lidhen me qëndrime pro e kundër Kosovës. Për shembull, ca donacione spanjolle në fushën e drejtësisë apo në ndonjë vepër publike, nuk mjaftojnë për të pranuar me servilizëm se Spanja është një nga shtetet tona më miqësore dhe aleate, siç thuhet vazhdimisht nga krerët e politikës në Tiranë. Sepse Spanja e Shqipëria kanë vetëm një pikë thelbësore kontakti, Kosovën, dhe Spanja ndodhet në krahun e kundërt. E njëjta gjë vlen edhe për Greqinë. Ne shohim çdo ditë delegacione zyrtare në Athinë e Tiranë, lavde pa fund e plotësim të çdo kërkese greke, përfshirë ajo për më shumë territor në det, por nuk shohim një politikan shqiptar t’u thotë grekëve se qëndrimi i saj për Kosovën është pengues për paqen dhe stabilitetin në rajon. Ne shohim akte publike miqësie dhe bashkëpunimi edhe në nivel partiak, PD me ND-në dhe PS me PASOK-un, por nuk shohim asnjë rast kur një parti shqiptare t’u kërkojë partnerëve grekë ndryshim qëndrimi në raport me Kosovën. Teza e diplomacisë sonë se midis Shqipërisë dhe Serbisë nuk ka asnjë diferencë përveç Kosovës është gjithashtu e gabuar, servile dhe joproduktive. Ne kemi një listë parimesh dhe interesash që na ndajnë dhe shumë pak gjera që na bashkojnë. Vetë serbët vijojnë të na shohin si agresorë territorial dhe të sillen si viktima, kurse ne në mënyrë absurde vijojmë t’i trajtojmë ata si partnerë ekonomikë dhe politikë, të tregohemi servilë dhe simbolikisht, të mos bëjnë asnjë akt padie ndërkombëtare për të kërkuar kompensime për bombardimet ushtarake serbe në territorin shqiptar.
Kosova është shtet, që dje është një shtet akoma më i fortë. Sfidat e saj janë më të mëdha, por tashmë ajo ka arsye të jetë më e përkushtuar në rrugën e saj të zhvillimit dhe integrimit, si një shtet i ri, i gjithëpranuar, shtet europian dhe pro-amerikan. Natyrshëm, festa e sotme ndjehet edhe në Tiranë. Tirana politike e sheh si festë të vetën, por nuk është kështu. Ajo është festë e të gjithëve dhe merita duhet kërkuar më shumë se kudo tjetër në Prishtinë dhe në Uashington.
Home »
» Kosova si histori suksesi e reflektimi





