Hamilton: Jam sqaruar me Alonson

Piloti i McLaren, Lewis Hamilton, ka pohuar se ai dhe rivali i tij i përbetuar, Fernando Alonso i Ferrarit, janë sqaruar me anë të mesazheve telefonike pas akuzave që i shkëmbyen njëri-tjetrit pas garës për Çmimin e Madh të Evropës në Valencia.
Hamilton është akuzuar nga Alonso si thyes i rregullave, pasi tejkaloi ‘makinën e sigurisë’ në garën që u zhvillua në Valencia. Hamilton mbajti vendin e dytë, ndërsa Alonso për shkak të kësaj doli i teti në fund.
“Ne mbajmë kontakte. Ai ka numrin tim dhe unë kam numrin e tij. Unë ia kam dërguar një mesazh në të cilin e pyeta se si është dhe ai më tha se është mjaft mirë, ndërsa ai e di se si punon bota e automobilizmit, sepse ky vit është i vështirë”, deklaroi Hamilton.