Duke parashikuar 100 vitet e ardhshme

Nga George Friedman

Përpara se të rrëmoj në ndonjë hollësi të luftërave globale, prirjeve të popullsisë apo ndryshimeve teknologjike, është e rëndësishme që t`i drejtohem metodës sime -- d.m.th. saktësisht si unë mundem të parashikoj atë që bëj. Në të vërtetë, nuk kam si qëllim të merrem seriozisht me hollësitë e luftës në vitin 2050, luftë të cilën unë e parashikoj.
Por dua të merrem seriozisht me kushtet se si do të zhvillohen luftërat në atë kohë, të merrem me centralitetin e fuqisë amerikane, me mundshmërinë se vendet e tjera do ta sfidojnë këtë fuqi dhe me disa prej vendeve që unë mendoj se do ta sfidojnë – dhe nuk do ta – sfidojnë këtë fuqi. Për të bërë këtë duhet ndonjë arsye.
Ideja e një përplasjeje SHBA - Meksikë dhe madje për një luftë, do t`i linte në dyshim shumicën e njerëzve të matur, por mua do të më pëlqente të provoja se përse dhe se si mund të bëhen këto pohime. Një arsye, të cilën të cilën tashmë e kam prekur, është se njerëzit e matur janë të pazotë për ta parashikuar të ardhmen. Slogani i vjetër i Të Majtës së Re “Ji Praktik, kërko të Pamundurën” duhet të ndryshohet: “Ji Praktik, Shpreso të Pamundurën.” Kjo ide është në thelb të metodës time. Nga një perspektivë tjetër, më thelbësore, kjo është quajtur gjeopolitikë. Gjeopolitika nuk është vetëm një mënyrë mendjemadhe e shprehjes “marrëdhënie ndërkombëtare.” Kjo është një metodë e të menduarit rreth botës dhe e parashikimit se çfarë do të ndodhë në terren. Ekonomistët flasin për një punë të padukshme, në të cilën veprimtaritë e interesit vetjak dhe afatshkurtra të njerëzve të çojnë tek ajo që Adam Smith e quante “pasuria e kombeve”. Gjeopolitika vë në zbatim konceptin e punës së padukshme kundrejt mënyrës së sjelljes së kombeve si dhe të aktorëve të tjerë ndërkombëtarë.
Ndjekja e interesit vetjak afatshkurtër nga ana e kombeve dhe nga udhëheqësit e tyre çojnë, nëse jo te pasuria e kombeve, atëherë të paktën çojnë në një mënyrë sjelljeje të parashikuar dhe kësisoj në aftësinë për të parashikuar formën e sistemit të ardhshëm ndërkombëtar. Gjeopolitika dhe ekonomia, të dyja supozojnë se lojtarët janë racionalë, të paktën në kuptimin e të njohurit të interesit të tyre vetjak afatshkurtër. Si aktorë racionalë, realiteti u jep atyre zgjedhje të kufizuara. Në tërësi është pranuar se njerëzit dhe kombet do të ndjekin interesin e tyre vetjak, nëse jo në mënyrë të përkryer, atëherë të paktën jo në rrëmujë. Mendoni një lojë shahu. Në sipërfaqe duket se secili lojtar ka njëzet lëvizje potenciale të hapjes. Në të vërtetë, ato janë shumë më pak sepse shumica e këtyre lëvizjeve janë aq të këqija sa të çojnë me shpejtësi drejt shpartallimit. Sa më i mirë të jesh në shah aq më qartë i shikon alternativa e tua dhe se në të vërtetë janë të disponueshme lëvizje më të pakta. Sa më i mirë të jetë lojtari aq më të parashikuara janë lëvizjet.
Mjeshtri i madh luan me saktësi absolute të parashikueshme – deri tek ajo goditja e shkëlqyer dhe e papritur. Kombet sillen në mënyrë të njëjtë. Miliona apo qindra miliona njerëz, të cilët përbëjnë një komb janë të ngërthyer nga realiteti. Ata krijojnë udhëheqës, të cilët nuk do të bëheshin udhëheqës nëqoftëse do të ishin irracionalë. Ngjitja në krye të miliona njerëzve nuk është diçka që e bëjnë shpesh budallenjtë. Udhëheqësit e kuptojnë listën e tyre të lëvizjeve të ardhshme dhe i venë në zbatim ato, nëse jo në mënyrë të përkryer, atëherë të paktën i venë në zbatim mjaft mirë. Një mjeshtër i rrallë do të përparojë bukur, me një lëvizje të papritur dhe të suksesshme, por për pjesën dërrmuese akti i qeverisjes është thjesht vënia në zbatim e hapit tjetër logjik dhe të nevojshëm. Kur politikanët ndjekin një politikë të huaj të vendit, ata veprojnë në të njëjtën mënyrë. Nëqoftëse vdes një politikan dhe zëvendësohet, atëherë shfaqet një tjetër dhe ka më shumë të ngjarë që të mos vazhdojë atë çfarë ishte duke bërë udhëheqësi i mëparshëm. Nuk jam duke argumentuar se udhëheqësit politikë janë gjeni, studiues apo madje zotërinj dhe zonja. Thjesht, udhëheqësit politikë dinë si të jenë udhëheqës ose përndryshe ata nuk do të shfaqeshin si të tillë. Është kënaqësi e të gjitha shoqërive që t`i nënvleftësojnë udhëheqësit politikë të tyre dhe sigurisht edhe udhëheqësit bëjnë gabime. Por gabimet që bëjnë ata, kur shqyrtohen me kujdes, rrallë dalin të jenë budallallëqe. Më shumë ka të ngjarë që gabimet tu jenë diktuar nga rrethanat. Do të na pëlqente të gjithëve të besonim se ne – apo kandidati ynë i parapëlqyer – të mos kishte vepruar kurrë me kaq budallallëk. Kjo gjë rrallë është e vërtetë.  Prandaj gjeopolitika nuk e merr udhëheqësin individual shumë seriozisht, jo më shumë se sa ekonomia e merr me shumë seriozitet individin biznesmen. Të dy janë lojtarë, të cilët dinë ta drejtojnë një proces, por nuk janë të lirë për të thyer rregullat shumë të rrepta të profesionit të tyre. Prandaj politikanët rrallë janë aktorë të lirë. Veprimet e tyre janë të përcaktuara nga rrethanat, ndërsa politika publike është një reagim ndaj realitetit. Brenda kufijve të ngushtë vendimet politike mund të  kenë rëndësi.
Por udhëheqësi më i shkëlqyer i Islandës nuk do ta shndërrojë kurrë atë në një fuqi botërore, ndërkohë që udhëheqësi më idiot i Romës në kulmin e tij nuk mund ta rrënonte fuqinë themelore të Romës. Gjeopolitika nuk është rreth të drejtës dhe të gabuarës së gjërave, nuk është rreth virtyteve apo veseve të politikanëve, gjithashtu nuk është rreth debateve të politikës së jashtme. Gjeopolitika është rreth forcave të papërcaktuara, të cilat i ngërthejnë kombet dhe qeniet njerëzore dhe i detyrojnë ata të veprojnë në disa mënyra. Prandaj parashikimi gjeopolitik nuk hamendëson se çdo është e parapërcaktuar. Kjo nuk do të thotë se ajo që njerëzit mendojnë se janë duke bërë, atë që shpresojnë për ta arritur dhe ai që është rezultati përfundimtar nuk janë të njëjtat gjëra. Kombet dhe politikanët ndjekin qëllimet e tyre të çastit ndërsa janë të detyruar nga realiteti, ashtu si një mjeshtër i madh është i detyruar nga fusha e shahut, gurët e shahut dhe rregullat. Ndonjëherë ata e udhëheqin kombin drejt katastrofës. Është diçka e rrallë që rezultati përfundimtar të jetë ai rezultat, të cilin ata në fillim synonin të arrinin. Gjeopolitika hamendëson dy gjëra. Së pari hamendëson se njerëzit e organizojnë veten në njësi më të mëdha se sa familjet dhe se duke vepruar kështu ata duhet të futen në politikë. Gjithashtu, gjeopolitika hamendëson se njerëzit kanë një besnikëri të natyrshme ndaj gjërave ku ata janë lindur, ndaj njerëzve dhe vendeve. Besnikëria ndaj një fisi, një qyteti apo një kombi është e natyrshme për njerëzit. Në kohët tona identiteti kombëtar ka shumë rëndësi. Gjeopolitika na mëson se marrëdhënia midis këtyre kombeve është një dimension jetësor i jetës njerëzore dhe kjo nënkupton se lufta është e gjithëpranishme. Së dyti gjeopolitika hamendëson se karakteri i një kombi është i përcaktuar së tepërmi nga gjeografia ashtu siç është edhe marrëdhënia midis kombeve. Ne e përdorim gjerësisht termin gjeografi. Kjo përfshin karakteristikat fizike të një vendndodhjeje, por shkon përtej kësaj për të parë ndikimet e një vendi mbi individët dhe bashkësitë. Në antikitet, ndryshimi midis Spartës dhe Athinës ishte ndryshimi midis një qyteti të rrethuar nga toka dhe një perandorie detare. Athina ishte e pasur dhe kozmopolitane, ndërsa Sparta ishte e varfër, provinciale dhe shumë e ashpër. Një Spartan ishte shumë ndryshe nga një athinas, si në kulturë ashtu edhe në politikë.
Nëse ju i kuptoni këto, atëherë është e mundur të mendosh rreth masash të mëdha njerëzish, të lidhur së bashku nëpërmjet lidhjesh të natyrshme njerëzore dhe të përmbyllur nga gjeografia, të cilët veprojnë në disa mënyra. Shtetet e Bashkuara janë Shtetet e Bashkuara dhe prandaj duhet të sillen në mënyrë të sigurtë. E njejta gjë vlen edhe për Japoninë, Turqinë apo Meksikën. Kur bëni sondazhe dhe shihni forcat që formatojnë kombet, mund të shihni se menyja nga e cila ata zgjedhin është e kufizuar.  Shekulli XXI do të jetë si të gjithë shekujt e tjerë. Do të ketë lufëtra, do të ketë varfëri, do të ketë triumfe dhe shpartallime. Do të ketë tragjedi dhe fat të mbarë. Njerëzit do të shkojnë të punojnë, të bëjnë parà, do të kenë fëmijë, do të bien në dashuri dhe do të urrejnë. Ka një gjë, e cila nuk është ciklike. Kjo është gjendja e përhershme njerëzore. Por shekulli XXI do të jetë i jashtëzakonshëm në dy sense: do të jetë fillimi i një epoke të re dhe do shihet një fuqi e re globale që do ta ketë botën nën këmbët e saj. Kjo nuk ndodh shpesh. Tani jemi në një epokë amerikano-centrike. Që të kuptojmë këtë epokë duhet të kuptojmë Shtetet e Bashkuara, jo vetëm sepse është kaq e fuqishme por sepse kultura e saj do të përshkojë botën dhe do ta përcaktojë. Pikërisht ashtu si kultura franceze dhe kultura britanike kanë qenë përcaktuese gjatë periudhave të tyre të pushtetit, kështu edhe kultura amerikane, aq e re dhe aq barbare sa është, do të përcaktojë mënyrën se si bota do të mendojë dhe do të jetojë. Kështu, studimi i shekullit XXI do të thotë të studiosh Shtetet e Bashkuara. Nëqoftëse do të ishte një argument i vetëm që mund të nxirrja për shekullin XXI, ky do të ishte se Epoka Europiane ka përfunduar dhe se ka filluar Epoka e Amerikës së Veriut dhe se Amerika e Veriut për njëqind vitet e ardhshëm do të mbizotërohet nga Shtetet e Bashkuara. Ngjarjet e shekullit XXI do të rrotullohen rreth Shteteve të Bashkuara. Kjo nuk siguron që Shtetet e Bashkuara do të jenë medoemos një regjim i drejtë apo moral. Sigurisht që nuk do të thotë se Amerika ka formuar një qytetërim të arrirë. Kjo në shumë aspekte do të thotë se historia e Shteteve të Bashkuara do të jetë historia e shekullit XXI.

Pjesë e marrë nga libri “100 vitet e ardhshme” - Parashikimi per Shekullin e XXI, botuar në shqip nga Shtëpia Botuese “Plejad”

Posted via email from Shkupi Press extra