Diplomacia e BE shfaqet sërish e vonuar në rastin e menazhimit të rastit “Kosova”

Guardian

Pas shumë muajsh reflektimi të kujdesshëm, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) po jep mendimin e saj këshillues për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ndonëse vendimi joobligativ nuk ka gjasa që në mënyrë të qartë ta përkrahë pozitën e ndonjërës prej palëve, itinerari i paraparë diplomatik i Serbisë edhe një herë do t’i vë në dukje dhe do t’i zgjerojë ndarjet brenda BE’së lidhur me këtë çështje - në veçanti qëndrimet e Spanjës, Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Qipros, që janë kundërshtare të njohjes. E hutuar nga kriza globale ekonomike dhe me lodhjen në rritje nga procesi i zgjerimit, BE-ja e sheh veten të pajisur dobët për t’i luftuar sfidat e ardhme politike dhe diplomatike. Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të takohen më 26 korrik për të diskutuar dhe formuluar një përgjigje të përbashkët për opinionin e GJND-së, një përgjigje që ka të ngjarë të kërkojë përtëritjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe një qasje konstruktive nga kjo e fundit, por jo diçka thelbësore për shkak të dallimeve të vazhdueshme. Serbia pritet të iniciojë debat në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe të kërkojë miratimin e një rezolute të re në përkrahje të rifillimit të negociatave për statusin e Kosovës, prandaj ekziston mjaft hapësirë për rishfaqjen publike të ndarjeve të BE-së, ashtu siç ndodhi gjatë procedimeve gojore në GJND, në dhjetor 2009. Shqetësimet e BE-së janë aq të mëdha saqë thuhet se ajo është ofruar që së bashku me Serbinë ta shkruajë tekstin e rezolutës së re, e cila do t’i dërgohet Kombeve të Bashkuara pas vendimit të GJND-së. Derisa disa anëtare të BE-së - veçanërisht Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Holanda - do të vazhdojnë ta tërheqin një lidhje implicite dhe eksplicite në mes të perspektivës europiane të Serbisë dhe qëndrimit të saj ndaj Kosovës, të tjerët do të mbesin të gatshëm për të hequr dorë nga një kushtëzim i tillë. Disa, si Italia, këmbëngulin se Serbia duhet të lejohet ta vazhdojë avancimin drejt anëtarësimit në BE, pa pasur nevojë që fillimisht ta zgjidhë çështjen e Kosovës. Të njëjtat ndasi vlejnë edhe kur flitet për perspektivat europiane të Kosovës, të cilës aktualisht nuk i lejohet fillimi i bisedimeve për liberalizimin e vizave dhe marrëveshje tregtare me BE-në, e lëre më Marrëveshja për Stabilizim dhe Asocim (MSA), pavarësisht faktit se avokatët e pavarësisë së saj janë të etshëm për ta zhbllokuar procesin e pranimit të Kosovës. Kjo mungesë e marrëveshjes në fushën kryesore të zgjerimit shërben për destabilizimin e levave politike dhe diplomatike të BE’së në Serbi dhe Kosovë. Në fillim të këtij muaji, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë (455 vota “për” dhe 150 “kundër”) me të cilën i bëri thirrje pesë shteteve të mbetura të BE-së që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Një rezolutë e ngjashme u miratua në shkurt të 2009, me 424 vota “për” dhe 133 “kundër” (dhe 24 abstenime), por ajo nuk arriti të ndikojë në pesë anëtaret e lartpërmendura të BE’së, prandaj duket e pamundur që rezoluta e fundit të ketë ndonjë ndikim të prekshëm. Për shembull, më herët Qipro kishte shkuar aq larg sa të deklarojë se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës edhe në qoftë se Serbia e bën këtë. Për një kohë të gjatë, BE-ja është përpjekur ta japë përshtypjen se ajo mban qëndrim unik ndaj Kosovës, kryesisht duke e përmendur vendosjen e EULEX’it dhe të folurit paksa të mjegulluar rreth angazhimit të përbashkët për të ardhmen europiane të Kosovës. Këto dy shtylla, megjithatë, mbesin disi të zbrazëta. EULEX, ndonëse i mbështetur nga të gjitha shtetet anëtare të BE’së, ligjërisht është i bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB’së, dhe ai u kushtëzua nga Serbia që të jetë neutral ndaj statusit dhe të mos përpiqet ta zbatojë Planin e Ahtisaarit. Ndërkohë, ideja e perspektivës europiane për Kosovën është përfshirë në angazhimin më të gjerë të zgjerimit të BE-së për tërë Ballkanin Perëndimor dhe nuk nënkupton përkushtim nga të gjitha vendet anëtare për ta përfshirë edhe Kosovën e pavarur. Pasi vendimi i GJND-së nuk ka gjasa ta ndryshojë qëndrimin e pesë shteteve anëtare të BE’së që e kundërshtojnë njohjen e Kosovës, BE-ja mbetet e lëndueshme ndaj ndarjeve dhe kontradiktave të brendshme. Ndonëse disa shtete kanë paralajmëruar se perspektiva europiane e Serbisë do komplikohej nëse ajo do të vazhdonte ta ndiqte zëshëm çështjen e Kosovës, veçanërisht para sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Serbia është plotësisht e vetëdijshme se Europa nuk flet me një zë për këtë çështje. Me një SHBA gjithnjë e më të disponuar për t’u shkëputur nga Ballkani, shtrohen pyetje të rëndësishme rreth aftësisë së BE’së për ta parandaluar bllokimin e mëtejshëm në Kosovë, veçanërisht për ta stimuluar dhe lehtësuar dialogun e përtërirë në mes të dy palëve në konflikt. Çdo dështim i politikave të BE’së në Kosovë do të shtrojë pyetje të tjera jo vetëm në lidhje me kredibilitetin e politikave të saja në rajon, veçanërisht në Bosnje e Hercegovinë, por rreth kapacitetit të saj të përgjithshëm në formulimin e qëndrimeve të përbashkëta për çështjet e jashtme dhe ato të sigurisë, bashkë me midis skepticizmit në rritje mbi kohezionin e brendshëm të BE-së.

Posted via email from Shkupi Press extra