Nga Petrit HALITI
Akti i pare nderkombetar i njohjes se ligjshmerise se shtetit te Kosoves ka krijuar nje klime dhe problematike te re nderkombetare për ato shtete që nuk e kanë njohur deri tani Kosovën, dhe në radhë të parë për shtetet, të cilat ndodhen në Europë dhe sidomos për ato shtete që janë anëtare të Bashkimit Europian. Institucioni më i lartë dhe më kompetent juridik ndërkombëtar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, dha për Kosovën një vendim dhe argumente juridike, të cilat e ngushtojnë hapësirën dhe bazën e politikës së mosnjohjes së Kosovë. Verdikti se Kosova nuk është dhe nuk përbën një problem juridik ndërkombëtar, nuk mund të neglizhohet as nga diplomacitë më intransigjente dhe këtë realitet juridik duhet ta mbajnë tani në konsideratë edhe OKB-ja, edhe OSBE-ja, edhe Këshilli i Europës, dhe gjithë organizmat ndërkombëtare.
Tani edhe raporti me Serbinë i bllokut të shteteve mosnjohëse të Kosovës nuk është dhe nuk mund të jetë më i njëjtë. Ishte vetë Serbia ajo që iu drejtua Gjykatës së OKB-së, dhe tani ajo ka detyrimin moral dhe juridik që ta pranojë e para vendimin e Gjykatës, siç nuk ka më të drejtë t’u kërkojë të tjerëve të mos njohin vendimin e Gjykatës.
Serbia është goditur në thembrën e Akilit, sepse baza e gjithë politikës dhe e diplomacisë antikosovare të saj ishte ngritur mbi bazamentin e pretendimit për të drejtën juridike të saj mbi Kosovën. Tani që ky bazament iluziv ra, në Beograd po nxitojnë ta braktisin kalin juridik dhe të shalojnë një kalë tjetër, atë politik. Humbësi i madh i betejës diplomatike serbe për Kosovën, ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç, në vend që të japë dorëheqjen, (siç do të bënte çdo protagonist i një fushate të personalizuar diplomatike), deklaroi se beteja do të vazhdojë në fushën politike në sesionin e ardhshëm të OKB-së.
Vendimi, që Kosova nuk është një problem juridik ndërkombëtar dhe se pavarësia e saj është konform ligjit ndërkombëtar, u hoqi argumentin apo pretekstin kryesor të deritanishëm të shteteve që nuk kanë njohur Kosovën, si Spanja, Qipro, Sllovakia, Rumania, Greqia, Kina etj. Nëse deri tani pesë shtetet e BE-së që nuk kanë njohur Kosovën, ndiqnin këtë qëndrim me argumentin se kërkonin të mbronin ligjin ndërkombëtar, (ndonëse 22 shtetet e tjera të BE-së e kishin njohur Kosovën), pas vendimit të GJND-së ky argument nuk ka më vlerë. Sepse tashmë është një gjykatë ndërkombëtare e OKB-së, një institucion juridik ndërkombëtar, i cili jep vendimin që pavarësia e Kosovës nuk e shkel ligjin ndërkombëtar.
Shteteve që nuk kanë njohur Kosovën u ra në ujë edhe argumenti tjetër kryesor i tyre, ai mbi precedentin që krijon Kosova. Gjykata e OKB-së u shpreh qartë se Kosova nuk ka të bëjë me precedentin dhe pikërisht për këtë, në mënyrë specifike gjykata theksoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar. Ajo nuk formuloi në përgjithësi që “deklaratat e pavarësisë nuk bien ndesh me ligjin ndërkombëtar”, por e përcaktoi në mënyrë të specifikuar për Kosovën. Kjo është tepër e rëndësishme dhe nuk mund të mos merret në konsideratë nga diplomacitë e shteteve që nuk e kanë njohur deri tani Kosovën. Qëndrimi dhe vendimi i gjykatës vlen dhe është i vlefshëm vetëm për Kosovën, për rastin e saj të veçantë, dhe nuk krijon e as mund të shfrytëzohet si precedent.
Është interesant qëndrimi i shprehur nga Qipro pas vendimit të GJND-së. Qipro, si aleat i veçantë i Serbisë dhe shtet ku janë depozituar miliarda euro të personaliteteve dhe të kompanive legale dhe ilegale serbe, është nga shtetet më radikale në qëndrimin për mosnjohjen e Kosovës. Madje ka arritur deri në ekstremin, që ka deklaruar se Qipro nuk do ta njohë Kosovën, edhe nëse Kosovën do ta njohë Serbia. Por pas vendimit të GJND-së, komunikata e posaçme e MPJ të Qipros deklaronte menjëherë se “argumentet e përdorura nga GJND e diferencojnë çështjen e Qipros nga ajo e Kosovës”. Kjo do të thotë se Qipro tani e pranon se Kosova është rast i veçantë dhe nuk përbën një precedent. Kjo do të thotë se një farë reflektimi po ndodh në qëndrimin dhe në argumentet.
Argumenti apo preteksti i precedentit ka qenë një nga kuajt e betejave diplomatike ndërkombëtare të bllokut të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën. Sidomos Rusia i ka mëshuar në mënyrë të veçantë kësaj teze. Rusia e uli tonin dhe pothuajse e ka mbyllur gojën për precedentin, qysh kur pushtoi ushtarakisht më 2008-ën dy territore të Gjeorgjisë dhe i shpalli mikroshtete të pavarura. Disa shtete të tjera e kanë vazhduar avazin e precedentit, madje Serbia dhe lobet e saj në disa shtete perëndimore po tentojnë, edhe pas vendimit të GJND-së, ta ringrenë hijen e kërcënimit të precedentit.
Mirëpo, vendimi i GJND-së e shkriu këtë argument dhe është sinjifikative që një ndër shtetet radikale të bllokut të mosnjohësve të Kosovës, si Qipro, del me deklaratën se Kosova nuk përbën precedent.
Vendimi i GJND-së krijon një situatë të re juridike, por dhe një situatë të re politike për diplomacinë e shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën. Me interes është edhe qëndrimi i MPJ të Spanjës, pas vendimit të GJND-së. Zëdhënësi i MPJ të Spanjës doli në konferencë shtypi dhe deklaroi se “Spanja respekton vendimin e GJND-së, por nuk do të futem në atë, nëse do ta çojë Spanjën ta rikonsiderojë qëndrimin e saj për mosnjohjen e Kosovës”. Respektimi i vendimit të GJND-së dhe pranimi i tij paraqet një hap të rëndësishëm reflektimi, i cili paralajmëron shenjën e një mundësie ndryshimi për qëndrimin e mbajtur deri tani. Sepse nëse pranon bazën ligjore të pavarësisë së Kosovës, do të thotë që të pranosh edhe realitetin e sanksionuar nga ajo bazë ligjore. Edhe qëndrimi i shprehur nga MPJ e Kinës paraqet një shenjë ku duhet ndalur, sepse zëdhënësi i MPJ të Kinës, Qin Gang, përveç formulimit klasik kinez se “ne mbajtëm shënim që GJND dha një mendim këshillues”, u shpreh se mendimi i GJND-së nuk i pengon të dy palët të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme përmes bisedimeve.
Edhe MPJ e Sllovakisë në komunikatën e saj shprehet se Sllovakia e njeh këtë opinion të GJND-së. Ndonëse ministri i Mbrojtjes i Sllovakisë deklaroi se qëndrimi për mosnjohjen e Kosovës nuk do të ndryshojë, elementi i njohjes së vendimit të GJND-së, sidoqoftë lë hapur portën e një reflektimi në të ardhmen.
Më intransigjente duken deri tani Rusia dhe Rumania. Bukureshti, nëpërmjet ministrit të Jashtëm, Teodor Bakonçi, zgjodhi të përsërisë se Rumania nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj për Kosovën dhe nuk do ta njohë Kosovën. MPJ e Rusisë, përmes zëdhënësit të saj, Andrej Nesterenko, deklaroi se “qëndrimi ynë për të mos njohur Kosovën nuk do të ndryshojë”.
Ato shtete, të cilat edhe pas GJND-së nuk shprehin vullnet për të pranuar dhe reflektuar për vendimin e tribunalit juridik të OKB-së, kuptohet se nuk nisen nga argumentet juridike, por kanë politika dhe strategji paragjykuese ndaj kombit shqiptar, të cilat nuk lidhen as me ligjin ndërkombëtar e as me normat ndërkombëtare. Nuk ka si shpjegohet ndryshe ajo fushatë urrejtjeje antishqiptare që shpërtheu në disa media ruse kundër GJND-së, kundër Kosovës, kundër SHBA-së, kundër Perëndimit dhe kundër shqiptarëve si komb. Në gazetën rusë “Pravda” të datës 23 korrik 2010, mund të lexoni: “Ideologjia nacionaliste e Shqipërisë së Madhe, e krijuar më 1878-ën nga Lidhja e Prizrenit, presupozon genocidin biologjik, kulturor dhe fetar. Fakti që Kosova është tani 90 për qind shqiptare, është testament i genocidit të suksesshëm dhe i spastrimit etnik të serbëve. Shqiptarët kanë qenë klientë të Italisë fashiste dhe të Adolf Hitlerit. SHBA, BE dhe Britania u dhanë mbështetje këtyre elementeve profashistë. Shqiptarët nisën të çojnë gratë e tyre në rajonin serb, që të shumëzonin shumë shqiptarë”.
Ndonëse jemi në ditët e para, mund të thuhet se pas vendimit të GJND-së, në politikën e jashtme dhe në diplomacitë e bllokut të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, ka filluar një proces i ri i rivlerësimit të qëndrimeve. Ky proces mund të jetë i gjatë ose i shkurtër dhe natyrisht, i ndryshëm në shtete të ndryshme, por është një zhvillim pozitiv që po merr formë.
Home »
» Dilemat e mosnjohësve të Kosovës





