2010-a, viti më djegës i të gjitha kohërave

Vera e gjatë dhe e nxehtë është vetëm në fillimet e saj. Që nga marsi deri në qershor temperaturat kanë qenë vende-vende të larta, madje shumë mbi mesataren e stinës, por ajo që do të vijë në muajt në vazhdim do të jetë me të vërtetë e jashtëzakonshme dhe për shumëkënd kjo do të jetë një verë që nuk do të harrohet lehtë. Madje ka shumë nga ata meteorologë që e cilësojnë këtë vit “më të nxehtin” në historinë botërore. Dhe nuk mbaron këtu...


Sipas të dhënave të instituteve meteorologjike të shumë vendeve të botës, ndër të cilët më prestigjiozi është NOAA (Administrata Oqeanike dhe Atmosferike), temperatura e kombinuar tokë-oqean prej 14.2 gradësh, e regjistruar në qershor është më e larta e të gjitha kohërave, ose me fjalë të tjera është 0.68 gradë me e lartë se mesatarja e shekullit të kaluar. Duke filluar që nga muaji mars e në vazhdim, situata ka ardhur duke u përkeqësuar me shifra që kapin rekorde të reja. Meteorologët parashikojnë një skenar “drithërues” për javët në vazhdim. Parashikimet shumë “të nxehta” për verën përvëluese të shkencëtarëve kanë ndezur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një betejë tjetër. Dhe kjo në një kohë kur ky vend po përjeton vërtet një valë temperaturash jashtëzakonisht të larta. Bëhet fjalë për betejën e atyre që mbështesin dhe janë kundër ndikimit të njeriut në ndryshimet klimatike, një debat që ka nisur që prej disa kohësh dhe po zhvillohet me tone gjithnjë e më të mprehta, ndërsa situata meteorologjike po jep shenja ndryshimesh të mëdha. Javën që shkoi Nju Jorku ka lëshuar një alarm që do të zgjasë për 10 ditë, një alarm që ngjan me një paralajmërim ndaj gjithë atyre që dalin në orët më të nxehta të ditës, një alarm për t’iu shmangur sa të jetë e mundur diellit të mesditës, duke qenë se rreziku shëndetësor është shumë i madh. Ndërkaq, kryebashkiaku Majkëll Blomberg ka nxjerrë nëpër qytet shpikjen e tij të fundit, atë të tri pishinave të lëvizshme, që përgjatë gjithë muajit gusht do të qëndrojnë në pozicione të ndryshme në Park Avenue dhe që do të frekuentohen nga ata që për arsye të ndryshme duhet të vazhdojnë të rrinë në “Mollën e Madhe” edhe gjatë stinës së nxehtë të këtij viti. Ndërkaq, disa gazeta të rëndësishme të vendit kanë paralajmëruar edhe për një rrezik tjetër që mund të prekë metropolin më të madh të Shteteve të Bashkuara: rrezikun e uraganeve, që nëse do të “frynin” me forcën që fryjnë në jug të vendit do të shkaktonin një numër të madh humbjesh në njerëz, duke qenë se bëhet fjalë për një qytet të mbipopulluar. Bëhet fjalë për parashikimet e agjencisë së mësipërme prestigjioze, parashikime që të “përkthyera” nga ekspertë të ndryshëm të meteorologjisë nuk ua kanë aspak “zili” skenarëve të filmave hollivudianë me temë katastrofat natyrore. Sipas këtyre parashikimeve, përveç të nxehtit të jashtëzakonshëm priten edhe përmbytje të mëdha, si ajo e Nashvillit në muajin maj, apo edhe reshje dëbore krejt të papritura dhe shumë të dendura, si ato që mbuluan dhe paralizuan gjithë Uashingtonin gjatë dimrit të kaluar. Ndërkaq, ka nga ata që i pranojnë parashikime të tilla dhe nga ata që i hedhin poshtë sigurisht, duke i cilësuar si skenarë fatalistë që kanë shumë pak mundësi të ndodhin. Gjithsesi, për të gjithë problemi më i madh dhe më akut është ai i të nxehtit, i cili ka kapur edhe shumë vende të Europës, madje edhe ato tradicionalisht të freskëta edhe në mesin e verës. Se si do të përballohet kjo verë e nxehtë me temperatura shumë më ekstreme krahasuar me të gjitha verërat e mëparshme, përbën një sfidë personale për çdo njeri, por edhe një sfidë për shëndetin publik të shumë vendeve të botës që duhet të marrin masa urgjente për lehtësimin e situatës.

Posted via email from Shkupi Press extra