UDHËTAR ETERNITETI...



Ali Asllani, kalorës i rrallë i lirikës erotike, ai i lëmoi “me magji
stili” poezitë e tij që, për nga muzikaliteti, zënë kryet e vendit në
letrat shqipe . Mbi të gjitha, Ali Asllani ishte këngëtar i dashurisë.
Për të, ajo ishte thelbi i jetës dhe palca e artit. I pavlerësuar kurrë
aq sa duhet në gjallje e, për fat të keq edhe më pas, ai vijon të na
mrekullojë me rininë e përjetshme të vargut të tij magjepsës, me
figurat rrezëllitëse, duke na bërë të ndjehemi krenarë për fuqinë
shprehëse të gjuhës sonë amtare. Merret me mend se ç’mundim
është zgjedhja për botim e nje tufe lirikash nga poezia e Ali Asllanit.
Çdo vjershë e lënë jashtë dhemb, si një perlë e munguar në gjerdanin
e florinjtë të poezisë se tij, pa harruar diademën, “Hanko hallën
“,” kryezonjë,” që farfurin me shtatë ngjyra “ylyveri”...Këtë pohojnë
shkoqur, në shkrimet që vijojnë, bashkëkohësit e tij të mëdhenj,
Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli e Isuf Luzaj.




Ernest Koliqi


Ke autori i “Hanko Hallës”

Zoti Ali Asllani, në një pasdite të këtij dimri shumë të vësh
tirë e plot pasion, na ftoi në shtëpinë e tij për të ndëgjue
peligjirimin e copave ma të thekshme të poemthit të vetë.
Ishim katër e pesë shokë, të gjithë prej tyne që merren me letra e
me shkrime. Dikush mund të vërejë se e sotmja nuk asht koha ma e
përshtatun për ndëgjim vjershash. Mund të duket kjo mbledhje letrarësh
si nji akademizëm i zbrazun e i kotë, kur mendjet e njerëzve janë të
kapërthyeme në kundrimin e ngjarjeve të jashtëzakonshme qi po zhvillohen
rreth nesh. Por, jo. Qe një orë preheje poetike qi na ngushëlloi
thellësisht në shpirt. Qe nji pauz plot frymë muzikore mbas së cilës
duelëm ma të forcuem në vullnet për të krye detyrat tona të përditshme.
Na ishim ndenjur rrotull në nji dhomë plot me dritore të mëdhaja
prej kah hynte drita e marrun e qiellit të vranët tue krijue një atmosferë
intime. Vjershëtari lexonte. Në za të tij dridhej zjarri i dashurisë qi ai
ka për poezi. Theksonte rythmin e gjashtëroksheve të përngjitura edhe
na u për përkundshim n’at valë të rrjedhshme. Dalëngadalë nga ajo valë
muzikore pluskojshin shfaqje të gjalla të jetës sonë shqiptare, tipa zonjash,
burrash, vajzash, djelmoçash, kostume të qëndisura, armët aq të
dashuna për shqiptarin, zakonet e ruajtuna brez pas brezi me kujdes,
dramat që mëshef shpirti i plakave e i nuseve, krejt nji korte, me ngjyra
xixëlluese qi zhvillohej e na kalonte përpara në atë pasdrekë të përgjumshme
ndë një dishir andrrash të vjetra e të reja.
Në palcin e kësaj vepre të bukur të Ali Asllanit qëndron kundërshtimi
ndërmjet botës së re dhe botës së vjetër. Hanko Halla qi na paraqitet
mirë e vizatueme nga vargjet e poemthit, përfaqëson frymën e
kalueme, bukurinë e dokeve në perëndim. Na prej fjalëve që ven në gojë
të saj vjershtari mbesim të prekur nga fisnikja qi kishte jeta e moçme e
jona. Ata tipa mashkujsh të veshun, të mbathun edhe të shtrënguem
ndër armë, qi e drejtojnë jetën mbas parimeve të nji urtije stërgjyshore,
ato zonja të stolisuna jeta e të cilave rregullohet mbas një kuptimi të
shtrëngueshëm të nderit vetiak e familjar, mbushin me krehni zemrën
tonë ka mendojnë bujarinë e pamohueshme qi shqiptari pat në themel të
përfitimit të jetës. Por Ali Asllani nuk e shef me sy kundërshtari të
përtëriemin që zakonet marrin në këtë valvitje të soçme ngjarjesh të paprituna.
Çuditet Hanko Halla për sjelljen e së resë, por pa fjalë pezmi e
pakurrnji shenjë urrejtje. Në gjykimin e saj ndiehet sikurse bindja përpara
nji fataliteti. Çuditet e nuk kupton veçse ndien se jeta ecën përpara
e nuk mund të kthehet më mbrapa. Kjo ndiesi i jep ligjeratës së saj atë
mallëngjim të hollë qi patjetër përmban vlerën ma të madhe të poemthit.
Vini re, atë pjesë ku Hanko Halla sodit të renë kah ndëgjon radion.
Shef mbi fytyrën e nuses tue u përshkue hove-hove mbresa të ndryshme
të shkaktueme nga fjala e nga kanga e atij zani të largët qi kumbon
n’atë dhomë. Nuk mundet me ia spiegue vehtes arsyenat se si, ai
za i huej e i panjoftun mund të ketë aq fuqi mbi shpirtin e nuses së
djalit. Vetëm nji gja kupton dhe kjo e mërzit; ai za ia rrëmbën shpirtin
vashës, e largon nga atmosfera e qetë e shtëpisë, e vërvit në vise të
largëta ku i humbet vlera frymës të zakoneve të trashëgueme.
Nëpër gojën e Hanko Hallës, Ali Asllani interpreton ndiesitë dhe
përshtypjet e breznive në kalim, tue na falë me vizatime të mprehta e
plot gjallni nji fytyrim të jetës qi jetuem, të asaj krejt të ndryshme qi po
vjen tue xanun vend. Me mallëngjim poetik të tij ka krijue me “Hanko
Hallën” nji tip grueje qi do të mbesë i paharrueshëm në letra shqipe.
Revista “Shkëndija” nr. 8-9, viti 1941, Tiranë.



Mitrush Kuteli


POETI ALI ASLLANI


Të magjepsur prej bukurisë plastike të
disa vargjeve të gjetura rastësishtë në
një dorëshkrim, kemi folur për të parën
herë në 1929 përmbi veprën poetike të Ali Asllanit.
Përpiqeshim atëherë të nxirrnim në dritë dinamizimin
e trimit të Vlorës-sot simbol i integritetit
kombëtar-energjinë e legjendarit Fejzo
Xhafo, të cilin poeti e mbiquan “Div i Labërisë”
edhe paravështronim kristalizimin e talentit të
poetit në vepra të zgjedhura për kohën e ardhme.
Z.Ali Asllani, i cili poet ishte njeri nga organizatorët
e epopesë vlonjate nuk vonoi të përplotësojë
pritjet tona dhe të letërsisë duke i falur
literaturës shqipe një vepër të re, “Hanko Hallën”
të shtypur në gazeta dhe revista dhe, të cilën, e
presim me brohoritje në një libër të veçantë.
Poemi i “Hanko Hallës” prej të cilit njohim
deri tani vetëm dy pjesë, qëndron në dy boshte të
veçanta: koha e kaluar romantike edhe legjendare
dhe koha e sotme-prozaike dhe e shpëlarë. Prej
kontrastit, midis këtyre dy planeve të ndryshme,
z. Ali Asllani kalit vargje që mundin të përfytyrojnë
në antologjinë e poezisë shqipe.
Tradicionalisht , në fundin e shpirtit të
vetë, poeti nuk fsheh simpatinë për kohrat e para
të mbuluara me pluhurin e legjendës që e tjerrin
vjetët duke satirizuar, shumë herë me dhimbje
rrymat dhe pseudoqytetërimin e ditëve tona.
Pa fjalë, se edhe si statist, z.Ali Asllani na fal
vargje të bukura dhe me frymë fishkëllonjëse, por
e vërteta vleftë e poemit “Hanko Halla” qëndron
në evokimin e kohës së kaluar, sepse kjo përbën
burimin e lëndës poetike me romantizmin që e
rrethon. Në mezin e qenarit të poemit në fjalë, i
cili tirret pranë zjarrit të Shëndreut qëndron fytyra
e Hanko Hallës, zonja e lashtë e dyerve fisnike
të agallarëve, e harruar prej fatit në kohën tonë

me rryma kozmopolitizmi. Rradhë pas rradhe poeti
evokon përmes Hanko Hallës, virtytet e kohës së
shkuar si trimërinë, mikëpitjen, nderin, tradicionin
dhe bukurinë e veshjes kombëtare etj. Të gjitha
këto të vëna në kontrast me gjëndjen e sotme kur
“Malet u bënë fusha, fushat u bënë male” gjenden
në veprën e Ali Asllanit vargje përshkrimi me plasticitet
dhe në trajtë rrjedhëse; të cilat nuk i largohen
vjershave klasike të Naimit, dhe sidomos poemit
rustik “Bagëti e Bujqësi”:
Muaji i Shënëndreut, ky muaj i flamosur,
ngryset e nuk gdhihet, nata s’ka të sosur,
netët shumë të errëta, dita shumë e vrazhdë,
mbetëm mbyllur brenda, si pata në grazhdë...
Gjithashtu edhe fuqia e evokimit të së shkuarës
mund të të barabitet me vjershat e Pashko Vasës
po duke patur ngjyrën pesimiste të këtij të fundit:
E ku është Gjoleka, Gjoleka i Kuçe,
e ku janë këmishat përmbi gju hajduçe,
ku janë ato folla, gjithë ato pallaska,
që pa to arbëreshi, lezetin s’e paska...?
Lipset të pohojmë se bukuria e përlotshme e
poemit të z.Ali Asllani nuk mund të shijohet
përveçse i lëçitur që në krye e gjer në fund. Çdo
nxjerrje vargjesh e zvogëlon vleftën, ose të përdorim
një fjalë të poetit i humbet lezetin.
Që të mbyllim këto të pakta radhë duke
pritur tjetër herë rastin që të analizojmë më hollësisht
veprën e tashme dhe të ardhme të poetit,
shtojmë se, nëpërmjet Hanko Hallës”, z.Ali Asllani
hyn në literaturën klasike kombëtare me mbiquajtje
“Poeti i Vatrës”.
Nga gazeta “Shqipëri e Re’,
Konstancë, nr.537, datë 27 Gusht 1933.





Isuf Luzaj

BILBILIT TË VLORËS

Ali Asllanit për veprat e tija të pabotuara
Nëpër lyrë të Orfeut krenoje kombin me krijime.
Pasqyro një rracë të vjetër nëpër valë t’poezisë,
Poet i madh që u duke që ditën që zure sisë,
Lëri gjurmat mëmëdheut: dy, tre lotë me ngashërime,
Bir i shqipes që në gërxhe ishje rritur me thërrime;
O bujar i vendit tonë, o bilbil i Vlorës sime.
..........................................................................
.......................................................................
Epopenë e kombit tënë që një ditë më të aguar.
Ta këndosh me cyle dyjare nëpër fushë ke filluar,
Trimëritë legjendare mbi mermer ke pikturuar.
Porsi Plaku qorr i syvet një nga një i ke treguar.
Mbaroi të lutem mirë shpirt i gjerë edhe i lirë,
Fryji cylës, mbaro këngën që do t’lërë të pa vdekur,
Merre shpirtin e arbëreshit ngjalle nëpër kohë të shkuar,
Plotëso këngën e kombit atë KËNGË të shenjtëruar,
Shpirt i gjerë e i pa vdekur, shpirt i madh e i trishtuar.
O Bilbil i Parnasit nota jote jep mallnime,
O poet q’i ngjite harkut, o Ali i Vlorës sime.


Marrë nga libri “Rrëfimet” botuar në Korçë, 1937