Përse kam frikë të shkruaj për Kampionatin Botëror

BESNIK DIZDARI 

Këto ditë të qershorit 2010 Shqipëria ka zhvilluar Kampionatin e saj Kombëtar të Atletikës së Lehtë dhe Kampionatin Kombëtar të Gjimnastikës. Dihet, e para është “mbretëresha e sporteve”, ndërsa e dyta është “princesha e sporteve”. Mirëpo, Shqipëria as që ka dashtë të dijë për zhvillimin e këtyre dy kampionateve që i përkasin Kombit të saj, me “K” të madhe, natyrisht.
Kjo do të thotë se asnjë gazetë nuk ka denjuar të shkruajë dy rreshta të vetëm për zhvillimin e këtyre dy Kampionateve të Kombit. Çka do të thotë, se asnjë gazetë shqiptare, sidomos asnjë prej 6-7 gazetave sportive shqiptare të përditshme (numër rekord botëror i verifikueshëm) nuk ka denjuar të japë as lajmin për zhvillimin e këtyre dy Kampionateve që nuk janë Kampionate lagjesh, por Kampionate Kombëtare, prapë me “K” të madhe. Them asnjë, sepse edhe një gazetë e vetme, një e vetme, që denjoi të shkruante për Kampionatin Kombëtar të Atletikës dhe e cila me disa gabime arriti të botojë emrat e rezultatet e kampionëve (tash gati nja 10 vjet nuk botohen kurrë emrat e rezultatet e nënkampioneve) i kushtoi vetëm 20 rreshta të “fshehur” diku në një faqe kah fundi, xene se nuk ka shkruar. E po kështu edhe radiot e TV-të. Ky fakt përbën një lajm të madh, sepse është një lajm që njofton se në Shqipëri asnjë gazetë nuk denjon të shkruajë dy rreshta për dy ngjarje kombëtare, të cilat për çdo shtet të qytetëruar përbëjnë dy ndër ngjarjet sportive më të rëndësishme të vendit. 
Ç’ka tregon kjo?
Edhe më “apolidi” (qytetar i botës) e kupton se kjo tregon mungesë kulture, mungesë dije, mungesë respekti për sportin tënd, për kampionët tuaj, për zhvillimet tuaja kombëtare, shpirtërore, për historinë tënde. (Kampionati i Atletikës është më i vjetri në Shqipëri, qysh më 1929). Në fund të fundit, kjo tregon injorancën (padijen) tënde si komb, si gazetar, si përgjegjës i një gazete. Kjo tregon për mungesë civilizimi, europianizimi. Kjo tregon në fund të fundit, për mungesë të ndjenjës e detyrimeve kombëtare, e thënë më rreptë, kjo tregon çkombëtarizim.
Kur zhvillohet Kampionati Kombëtar i Atletikës në SHBA, “Nju Jork Tajmsi” e vë në faqen e parë. Pak a shumë kështu vepron edhe gazeta sportive e Malit të Zi, që e ka atletikën në një nivel më të ulët se Shqipëria. Kur zhvillohet Kampionati i Gjimnastikës në Rusi, ngjarja mund të zërë mû kreun e faqes së parë të dy gazetave të vetme sportive që ka Rusia 150-milionëshe, “Sovjetskij Sport” dhe “Sport Ekspres”. Ata veprojnë kësisoj edhe nëse janë duke u zhvilluar Kampionati Botëror i Futbollit apo edhe Lojërat Olimpike Dimërore. Sepse këto shtete (të gjithë shtetet përveç Shqipërisë) e kanë të zhvilluar tejet ndjenjën kombëtare, të kulturës kombëtare, të sportit kombëtar, të zhvillimeve kombëtare, të historisë kombëtare, të dashurisë për pasurinë njerëzore kombëtare, cilado qoftë ajo, sado modeste e përvujtun që të jetë ajo. Ndonëse nuk e ka kaq të përvujtun as Shqipëria e vogël, kur kujton se ka formuar për sportin botëror deri Kampionë Olimpikë dhe të Botës, nga peshëngritja e deri te kjo që po flasim, Atletika e Lehtë me dy herë Kampionen e Botës, Mirela Manjani, të cilën tashmâ askush nuk e njeh në Shqipëri. Nga inati që ka përfaqësuar Greqinë!
Dhe vepron kështu kjo Shqipëri e Kupës së Botës 2010, që buçet në media duke u deklaruar pa pikë “turpi” se “unë tifoz i Gjermanisë” e “ti tifoz i Italisë”, “ne tifozët e Brazilit”, “e ju tifozët e Spanjës”! “Mamma mia!”, siç më thoshte me duar në krye një mik italian i ndodhur këto ditë në Tiranë. E thashë italisht, sepse çka nuk po dëgjojmë! Deri dhe shprehje të tilla përmes ekranit shqiptar si “paregio clamoroso”, “punto e basta”, “non si sa”. Vjen e pasurohet kësisoji fjalori çkombëtarizues i gazetarisë sportive të shkruar e të folur në Shqipëri.
Sikur të mos na mjaftonin gjithë ato “barbarizma”, që prej vitesh kanë shkatërruar gjuhën shqipe në gazetarinë tonë. Dhe se siç kam shkruar fort herë, gazetaria sportive e folur dhe e shkruar në Shqipëri, ka hequr “epërsinë” për hir të “avantazhit”, “pjesëmarrjen” për hir të “aktivizimit”, “tregun” për hir të “merkato”-s, “çmimin” për hir të “premios”, “plotësisht” për hir të “totalisht”, “Kombëtaren” për hir të “nacionales”, “përbërjen” për hir të “formacionit”, “mënjanimin” për hir të “devijimit”, “jashtë lojën” për hir të “ofsajtit”, “praninë” për hir të “prezencës”, “e ndritshme” për hir të “brilante”, “drejtpërdrejt” për hir të “direkt”, “largësi” për hir të “distancë”, “gabim” për hir të “faull”, “ndalim” për hir të “frenim”, “shëmbëllim” për hir të “imazh”, “ngjasim” për hir të “imitim”, “përanësoi” për hir të “kalibroi”, “golshënues” për hir të “kanonier”, “renditje” për hir të “klasifikim”, “e rehatshme” për hir të “komode”, “shndërrim” për hir të “konvertoj”, “katror” për hir të “kuadrat”, “i përsosur” për hir të “perfekt”, “trysni” për hir të “presion”,  “prodhues” për hir të “produktiv”, “parashikim” për hir të “prognozë”, “nxit” për hir të “stimulon”, “adhuruesit e¼” për hir të “tifozeria”, “i plotë” për hir të “total”, “shndërrim” për hir të “transformim”, “cilësi” për hir të “kualitet”?    Besoj se e keni dëgjuar dhe e dëgjoni përditë “frenimin”, “garancinë”, “grintën”, “kompeticionin”, “kontestimin”, “kontratën”, “krosimin”, “momentin”, “preparatorin”, “spoljatoj”-n, “transfertën”, “tripletën”, “dopietën”, “sfidën”,  “supersfidën”.
Ky është fjalori “i pasur” dhe “modern” i komentatorit shqiptar të Shekullit XXI.
Doemos pa harruar “eventin” në vend të “ngjarje” apo “ndodhi”!
Merrini gazetat e brezit tim, njëra prej të cilave arriti deri në 150.000 kopje në javë, se si e ka pasqyruar Kampionatin Kombëtar të Atletikës, pavarësisht nga niveli modest i tij, pavarësisht nga rezultatet modeste të tij. Kemi bërë vetëm detyrën, asgjë më tepër. Dhe mos kujtoni se krenohemi për këtë. Sepse ai ishte kampionati ynë, ishte atletika jonë, ishte sporti ynë. Dhe një komb i cili nuk merret me zhvillimet dhe ecurinë e tij, hap mbas hapi rrezikon të mos jetë më komb, por diçka tjetër…
* * * 
Dhe unë, një gazetar i vjetër, i cili mû në 40-vjetorin e shkrimit të parë (1970) që kam shkruar për Kampionatin Botëror, i vetmi autor i katër librave historikë për Kampionatin Botëror, kam frikë të shkruaj për të.
Kam frikë, sepse fyerja që ndjej si gazetar i vjetër, pse na e zhdukën Kampionatin Kombëtar të Atletikës dhe të Gjimnastikës, e plot shkaqe të tjera të ngjashme, ma mpak guximin për të shkruar për Kampionatin Botëror.
Përfundimisht e kam shumë të vështirë të shkruaj, sepse përveç të tjerave nuk di se si të shkruaj. Nuk di se si të shkruaj, kur shoh se atdheu im, Shqipëria, megjithëse nuk e ka Kombëtaren e vet në Johanesburg, i kushton çdo natë e pakta 6 emisione të njëkohshme dy-tri orëshe në televizionet që shteti shqiptar me naivitet iu ka dhënë licencën kombëtare! Gjashtë emisione të njëkohshme, të cilat përveç të tjerave kanë bllokuar keqas mbrëmjet e familjes shqiptare, e cila sigurisht nuk i ka të gjithë anëtarët e saj tifozë futbolli, por edhe amatorë të filmit, historisë, muzikës, artit, letërsisë…
Shkova thuajse tek të gjitha stacionet kryesore të Gjermanisë që mëton titullin e Kampionit të Botës në Afrikë: vetëm një emision 45 minuta. Shkova në Itali. Vetëm një emision RAIUNO. Shkova në Rusi te dy kanalet publike të tij “Planet RTR” dhe “Kanal Pervij”, e këtu përjetova skajin tjetër: asnjë emision për Kupën e Botës! Në Shqipëri 6 të njëkohshëm 2-3 orëshe madje! Bukur! A vërtet jeta është vetëm Kampionati Botëror i Futbollit?!...
Dhe mû e gjithë kjo ma mpak guximin për të shkruar për Kampionatin Botëror. 
Ma vështirëson, sepse nëse shkruaj simbas rrymës, puna e parë që duhet të bëj është që të patjetër të shfaqem se tifoz i kujt jam. Besoj e shihni që pothuajse të gjithë ata që po komentojnë a përimtojnë (analizojnë) Kupën e Botës 2010, pa pikë ndrojtjeje po shfaqen si tifozë të kujt janë. Madje nuk kanë edhe aq fort faj, sepse drejtuesit e rubrikave apo të emisioneve, shpesh edhe ata vetë tifozë, puna e parë që bëjnë sapo fillojnë, është që t’i drejtohen “analistit” rreth gëzimit apo mërzisë që ai ka ndjerë për fitoren apo e humbjen e skuadrës së tij, edhe pse ajo i përket një kombi tjetër. Kemi marrë fund, vërtet! 
Kur dihet se në bazë të etikës antike e moderne të gazetarisë, këta “tifozë” sui generis, jo vetëm që nuk duhet të flasin kësisoji, por as që duhet tërhequr mendimi i tyre për publikun, sepse sjellja e tyre prej tifozi, në këtë rast më e pakta përbën konflikt interesi. Interesi të mendimit, të idesë, gabueshmëria e së cilës është tronditëse për shoqërinë. Sepse dihet që “tifoz”, që etimologjikisht nënkupton një sëmundje infektive, epidemike, nga ana figurative përkthehet si një “entuziazëm fanatik”. Dhe me “entuziazëm fanatik” nuk mund të merret kultura e mirë dhe e paanshme. Pa harruar se “të sëmurët” nuk mund të lejohen të përpunojnë në opinionin publik, në sport, në politikë, në kulturë e kudo.
E kam vërtetë shumë të vështirë për të shkruar për Kampionatin Botëror, sepse nuk kam guximin t’i bindem euforisë komentuese kolektive edhe të këtij kampionati, ku edhe sivjet si në çdo edicion të mëparshëm të Kupës së Botës po edhe të Europës, sapo janë shfaqur politikanët e parë tifozë, disa prej të cilëve teksa iu shkëlqen fytyra prej rrogave të larta e rehatisë së pafund vetjake, nxitojnë të shfaqin edhe ata tifozllëkun e tyre për një shtet apo një tjetër (e ky mund të jetë edhe një incident i vogël diplomatik në papërshtatje me funksionin e tyre politik). Në vend që të shkojnë te votuesit e tyre e t’i pyesin, se çfarë problemesh kanë. 
Ndërkaq, e kam shumë të vështirë për të shkruar për Kampionatin Botëror, edhe sepse e kam të pamundur të flas në hollësi për taktikën e skuadrave, ashtu siç po flitet e guxohet të flitet këto ditë në Shqipëri, Kombëtarja së cilës është vetëm e 80-ta në botë. E edhe më e vështirë më bëhet të shkruaj për Kampionatin Botëror, sepse e shoh që nuk arrij dot që përmes një ekrani të vogël të atij aparati magjik që quhet televizion, të kuptoj asisoji deri në imtësi taktikën, apo të guxoj deri aty sa të kuptoj se çfarë këshillash mund t’i jepen trajnerit të skuadrës, se cilin lojtar duhej të fuste e cilin duhej të ndërronte. Apo se cili gol qe i rregullt apo i parregullt, qoftë dhe përmes moviolës, të cilën tash së fundi Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, e ka quajtur si shkatërrimtare për futbollin.
Dhe duke mos i marrë përsipër për t’i thënë këto, atëherë në shkrimet do të stonoj si pakkush.
Natyrisht, kam frikë të shkruaj për Kupën e Botës 2010, sepse e kam të vështirë t’u kundërvihem të emëruarve, të cilët në pikun e punës në gazetë a TV, vrapojnë të komentojnë diku tjetër, e të mos shkruajnë asnjë editorial të vetëm për të tyrin. Duhet ta kenë lejen e pronarëve të tyre. Po le të më thonë, përse arriti puna, që mû në ditët e Kampionateve Botërore, nuk rritet numri i shitjeve të gazetave, madje bie (kjo simbas një sondazhi lokalizues, natyrisht, sepse në Shqipëri ende mungon matja e audiencës së shtypit apo të radio-televizioneve)?
Vërtet, shumë të vështirë e kam të shkruaj për Kupën e Botës Afrika 2010, sepse nuk guxoj të bëj shkrime “kritike” për Italinë apo Brazilin, se më mbysin tifozët e tyre, se më revoltohen specialistët–tifozë, se më marrin inat gazetarët–tifozë. Kësisoji prapë rrezikoj të dal kundër rrymës, e cila përfundimisht ka marrë me vete për t’i tretë në det gjithçka: ndjenjën kombëtare, sportin kombëtar, Kampionatin Kombëtar të Atletikës, Kampionatin Kombëtar të Gjimnastikës, notarin kombëtar Sidni Hoxha me të gjitha medaljet ndërkombëtare të tij të çmueshme edhe të këtyre ditëve të fundit, atletin kombëtar Adriatik Hoxha – i pari shqiptar i afër 18 metrave në gjyle (që nuk e kemi parashikuar kurrënjiherë) për të cilët askush nuk shkruan përsëmbari, nuk boton përsëmbari, nuk portretizon, nuk krahason, nuk veçon. Madje, as që denjon të shkruajë ndopak!
Qê pra, mû për të gjitha këto (por dhe për shumë të tjera që do t’i them një herë tjetër) po kam frikë të shkruaj për Kupën e Botës. Ndonëse një gjë do ta bëj megjithatë. Menjëherë, vetëm nja dhjetë ditë  mbas mbarimit të Kampionatit Botëror, do të botoj librin tim tradicional për të: “Kupa e Botës”, Libri 5. Për fat, karakteri i tij enciklopedik nuk ka të bëjë asesi me frikën që po më pengon sot për të shkruar për Kampionatin Botëror “Afrika e Jugut 2010”.

Posted via web from Shkupi Press extra