Megjithëse kemi dy dekada që flasim për nevojën e ndërtimit dhe rolin e veçantë të shoqërisë civile, për angazhimin qytetar të njeriut jo vetëm në politikë, por dhe në jetën publike, ende duket se në kulturën e qytetërimit tonë ka paqartësi konceptuale, keqkuptime rolesh dhe përfytyrime të deformuara për kontributin që duhet të japë dhe rolin e personalizuar që duhet të luajë individualisht njeriu, si detyrim për tagrin dhe statusin e qytetarit të vërtetë. Natyrisht, këtë rol të rëndësishëm ai nuk mund ta luajë ndryshe veçse duke qenë pjesë aktive e jetës shoqërore dhe instrumentalisht përmes mekanizmit të përfshirjes në strukturat e ndërtimit të opinionit publik. Në të vërtetë, roli i vërtetë i qytetarit nuk është në nivelin e duhur, i përputhur me parametrat e shoqërisë modern, jo vetëm për shkak të defekteve politike, sociale dhe strukturore të së kaluarës tonë totalitare, por dhe për shkak të brishtësisë që ende shfaq shoqëria civile shqiptare. Në këtë kontekst është e nevojshme që të vlerësohet më shumë krijimi i kushteve ontologjike të shoqërisë civile ne mënyrë që të rritet sasia, cilësia dhe intensiteti i kulturës së reagimit qytetar dhe roli i veçantë i opinionit publik. Nga e kaluara në këtë fushë nuk trashëgojmë ndonjë gjë të madhe, sepse qytetari dhe shoqëria civile kanë qenë “tabula rasa”. Thelbësisht ato kanë qenë inekzistente në shoqërinë tonë të dy dekadave më parë, kur e gjithë struktura sociale dhe vendimmarrja qytetare ka qenë vetëm politike dhe shtetërore. Por a duhet të jetë sot i njëjti qëndrim? A mund të mjaftohemi vetëm me qytetarin “si të tillë” që vetëm, pasivisht, individualisht reagon ndaj zhvillimeve politike, shoqërore dhe qytetare që në mënyrë pasive dhe pa verb qytetar e mendon veten në pozitën indiferente të detyrimit për të thënë “po” ose “jo” në mënyrë informale dhe vetëm nga shtëpia apo kafeneja e lagjes? Padyshim është një defekt serioz i demokracisë shqiptare, nga mangësitë thelbësore të qytetërimit tonë, fakti që ende raporti midis “qytetarëve aktivë” dhe “qytetarëve pasivë” është në disbalancim jo demokratik. Ky është një nga shqetësimet e thella për demokracinë dhe qytetërimin tonë. Nuk është rastësi që këtë çështje që ka të bëjë me rolin aktiv të qytetarit dhe raportet e tij aktive me politikën e qytetëruar është një nga çështjet që historikisht është trajtuar gjerësisht dhe me mprehtësi në mendimin teorik, filozofik dhe politologjik duke filluar që nga lashtësia. Që në kohën e vet Aristoteli, ky mësues i madh i demokracisë antike mendonte së qytetarë aktivë janë ata të cilët kanë mundësi ose kryejnë një funksion publik. Por besoj se kjo çështje ngaqë jemi mësuar dhe përshtatur me mentalitetin se qytetar i mirë është ai që është pasiv dhe indiferent, që shikon punën e tij dhe nuk merret me punët e shtetit ka ndikuar jo vetëm në kalcifikimin e mentalitetit empirik pasiv të qytetarit, por ka ndikuar edhe në njëanshmërinë e mendimit teorik, sociologjik dhe politologjik shqiptar. Nga analiza e shkrimeve, observimi i ideve që trajtohen në shtypin dhe median shqiptare, duket qartë se çështja e gjetjes së mënyrave, formave dhe mekanizmave të angazhimit të qytetarit në jetën publike dhe politike si “detyrim qytetar”, nuk është bërë ende as problem dhe objekt i sociologjisë dhe politologjisë shqiptare bashkëkohore. Duket se ende nuk kemi konceptin e duhur, të gjerë për qytetarin dhe qytetarinë demokratike. Dhe ky është një handikap thelbësor, një mangësi që e bën qytetërimin tonë demokratik të “paarrirë”. Ndaj është shumë i shtrirë mentaliteti semplist, mjaft i përhapur gjykimi horizontal për rolin dhe staturën e qytetarit, që ndikon në përfytyrimin tonë dhe që roli thelbësor i qytetarit nuk shikohet nga këndi se dhe si ata marrin pjesë në debatin politik, në diskutimin e çështjeve publike dhe problemeve të përbashkëta të jetës qytetare. Pikërisht në këtë çështje paradigmatike qëndron thelbi i problemit, pikërisht këtu dallon në jetën tonë të përditshme qytetari aktiv nga ai pasiv. Ka një iluzion social të përhapur në shoqërinë tonë, sipas të cilit quhet qytetar aktiv që merr pjesë pasivisht apo duke shprehur mendimin e vet në opinionin publik në rrugë spontane dhe me mjete informale. Në të vërtetë kjo mënyrë aktivizimi qytetar të deformuar, tashmë është banalizuar keq në shoqërinë tonë. Por defekti i “pjesëmarrjes qytetare” është se njerëzit tanë vetëm shprehin opinionin e tyre të përgjithshëm, por pa ndier detyrimin për të marrë pjesë jo vetëm në debate informale politike dhe për politikën, por në radhë të parë të jetë pjesë aktive në ndërtimin e “projekteve sociale” komunitare, në angazhimin permanent dhe në dhënien e mendimeve konkrete. Analiza e situatës së nivelit të zhvillimit të mendimit dhe angazhimit qytetar në shoqërinë shqiptare të ditëve tona tregon se reagimi qytetar është reduktuar në minimum dhe shfaqet kryesisht në reagimin e tij në ato raste kur ajo është e lidhur me planin e qëllimeve personale dhe veçanërisht kur është fjala për interesat e ngushta materialiste. Prandaj me sa duket jemi ende larg formimit të standardit të vërtetë të qytetarit, sepse qytetari nuk është ai “njeriu biologjik” apo “qenia sociale” e reduktuar që mendon vetëm për vete, vetëm për çështjet materiale të jetës personale, dhe që vetëm kur është fjala për to, ai është “aktiv”. Qytetari që ka të zhvilluar vetëm “shqisën materiale” dhe orientohet në jetën e gjerë sociale dhe publike duke vënë në lëvizje vetëm format personale të sensibilitetit, është “qytetar i paarrirë”, qytetar i cunguar, me mangësi në strukturën dhe staturën e vet. Nuk mjafton dhe nuk është e mjaftueshme kjo mënyrë sempliste e përfytyrimit të staturës qytetare. Qytetari nuk është qytetar vetëm përballë “vetes”. I tillë ai duhet të jetë edhe përballë shoqërisë dhe shtetit. Në këtë kontekst mund të të krijohen kushtet e duhura dhe të mund të ndërtohet opinioni i shëndoshë publik qytetar, i cili bëhet efektiv pikërisht kur qytetarët bëhen “qenie sociale” aktive, kur krahas sensibilitetit material personal kanë dhe sensibilitet social, moral, ndjenjë të drejtësisë qytetare, pa të cilat është i pamundur ndërtimi i opinionit publik. Padyshim është e vërtetuar nga historia e demokracisë, se opinion publik as ndërton as bën politika, që mund të jenë alternativa të politikave qeveritare. Opinioni publik nuk ndërton “projekte aksioni”. Ato i bën qeveria që është “shtylla e shtetit”, por ajo nuk i bën ato e shkëputur nga perceptimi dhe sensibilitetet qytetare të opinionit publik, ca më pak pavarësisht dëshirave qytetare. Përkundrazi, qeveria është e detyruar të marrë në konsideratë dhe të vlerësojë mendimin qytetar, vlerën alternative të opinionit publik. Sociologët e kohës moderne janë të mendimit se qytetarët nuk kanë asnjë mundësi tjetër ndikimi mbi politikat e qeverisë, veçse duke riorganizuar “dëshirat e tyre” të formatuara në mënyrë të organizuar në trajtën konsistente të opinionit publik, dhe afishimin e saj përmes strukturave omnipotente të shoqërisë civile. Roli i “presionit” të opinionit publik mbi qeverinë dhe qeverisjen, jo vetëm që është nga njëra anë “kusht demokratik”, por nga ana tjetër edhe konditë për të pasur një qeverisje të mirë në Shqipëri. Por opinioni publik ka paradokset e veta të formimit dhe funksionimit, sepse siç thotë filozofi E. Veil atë “mund ta formësojnë vetëm qytetarët pasivë, masa e individëve të izoluar, ku secili për vete shpreh interesat e veta”. (Patrice Canivez, “Të edukohet qytetari” faqe 192)Gëzim TUSHI
Ky është defekt gati sistematik i demokracisë modern, “ilaçin” e të cilës akoma nuk po e gjen shoqëria aktuale. Në përgjithësi reagimi i opinionit publik është më shumë “veprim reaktiv” sesa “veprim social” i organizuar. Kështu që opinioni publik në shoqërinë tonë përgjithësisht shfaqet në struktura të copëzuara, spontane, në mendime sporadike më shumë të lidhura me interesat imediate dhe të çastit të shprehura përgjithësisht në formën e aprovimit apo refuzimit. Unë besoj se ne jemi në një fazë kur kemi nevojë që përmes shoqërisë civile të ndikojmë në procesin e vështirë të ndërtimit të opinionit publik qytetar, duke e strukturuar atë në mendim social të përbashkët për grupet e interesave qytetare, profesionale, fetare, morale, regjionale. Kjo shkallë e ndikimit të opinionit publik në mënyrë të organizuar dhe të shfaqur përmes grupeve të interesit është ende e paorganizuar si duhet në vendin tonë. Koha kërkon që këto interesa të veçanta të grupeve, nuk duhet të mbeten të mbyllura në “guaskën e grupit”, por duhet të paraqiten si “propozime politike”, që në këtë mënyrë janë ose bëhen kompatibël me interesat e përgjithshme të shoqërisë dhe të vendit tonë. Natyrisht, në Shqipëri, opinioni publik dhe aktivizimi qytetar ka një specifikë që është e lidhur me dukurinë evidente të “prirjes partiake” që kanë njerëzit tanë. Dhe aktivë në këtë aspekt nuk janë vetëm militantët, ata që janë të organizuar nëpër radhët e partive respektive, por edhe ata që nuk janë në asnjë parti dhe që si qytetarë kanë prirje për të diskutuar dhe përcjellë opinionin e tyre për politikat partiake, qeveritare dhe parlamentare që zhvillohen në vendin tonë. Madje, shfaqen edhe në debatet publike e mediatike duke dëshmuar kështu një shkallë të lartë aktivizimi dhe përgjegjësie qytetare. Angazhimi qytetar deri në këtë nivel ka vlerë të kufizuar, sepse në kohën moderne kërkohet që të rritet angazhimi dhe qëndrimi aktiv i qytetarit, i cili angazhohet konkretisht në punët e jetës politike, publike, qeveritare, në strukturat e jetës publike, në hierarkitë e ndryshme qytetare dhe funksionet publike. Ka një maksimë të demokracisë sipas të cilës, “qytetari sa më afër politikës, qeverisë, strukturave të jetës publike që të jetë, aq më aktiv është”…
Home »
» Nuk bëhet demokracia pa qytetarë aktivë…