ENVER ROBELLI
Periskopi / Gazetar apo shkrimtar? Si po demontohet figura e reporterit të famshëm polak Ryszard Kapuscinski.
Ai ishte ndër publicistët më të njohur në Perëndim. Çdokush që ka synuar dhe synon të bëhet gazetar aq i mirë sa të mos i terrorizojë lexuesit, i ka lexuar me vëmendje tekstet e tij, disa madje i kanë lexuar të gjitha veprat e tij.
Ose së paku një libër. Ai ishte virtuoz dhe i etur për formulime pothuaj letrare. Shpesh dukej se idetë i rridhnin nga gishtat. Gjithsesi ishte përherë i gatshëm të udhëtonte nëpër botë, para së gjithash nëpër vatra krize. Afrikë. Azi. Vendet Arabe. Emri i tij: Ryszard Kapuscinski. Shtetas polak. Në Poloni që në të gjallë të tij (1932-2007) e kanë quajtur "Gazetar i shekullit".
Alamet titull. Një barrë e rëndë për një gazetar.
Shumica e librave të tij janë përkthyer dhe botuar në gati të gjitha gjuhët kulturore të botës. Në librin "Mbreti i mbretërve" Kapuscinski përshkruan sundimin anakronik të perandorit etiopian Haile Selassie.
Sistemi i tij brutal përbëhej prej demagogëve, pështymëlëpirësve, oportunistëve, plaçkitësve, vrasësve. Kryeplaçkitësi Selassie edhe qenit të tij ia kishe vendosur zinxhirët me diamante. Bashkë me qenin kishte shkuar në fillim të viteve 70-të në Persepolis për të festuar përvjetorin e mbretërisë persiane.
Në këtë banket, mes shumë të tjerëve, Selassie takoi edhe Josip Broz Titon, kryetarin e atëhershëm të Jugosllavisë. Pjesëmarrësit tregojnë se Tito kishte qenë i veshur me uniformë të bardhë. Kur kamerieri - një zviceran - iu kishte afruar Titos për t'i derdhur verë në gotë, papandehur kishte rrëshqitur një pikë dhe kishte njollosur uniformën e liderit komunist jugosllav.
Para disa viteve kamerieri kishte treguar për mediat zvicerane se atëbotë Tito kishte ngrënë një çuran. Për këtë episod nuk ka shkruar Kapuscinski. Vetëm kjo ngjarje duket t'i ketë ikur në karrierën e tij.
Lufta e futbollit
Por, ai ka shkruar për shumë ndodhi të tjera. Si korrespondent i agjencisë polake të lajmeve PAP, Kapuscinski kishte raportuar shpesh nga Afrika.
Legjendare janë reportazhet e tij. Pastaj përshkrimet nga Teherani i ditëve të revolucionit (1979). Në librin "Lufta e futbollit" ai ka treguar hollësisht se si elitat e korruptuara të Salvadorit dhe Hondurasit në Amerikën latine nuk qenë në gjendje të ulin tensionet. Në vitin 1976, pas një ndeshjeje futbolli, mes dy vendeve shpërtheu lufta. E cila u quajt "lufta e futbollit".
Shumë polakë e madhërojnë Ryszard Kapuscinskin si hero të gazetarisë.
Por, një biografi e re, e shkruar nga gazetari Artur Domoslavski, ka ngritur shumë dyshime mbi punën e Kapuscinskit. Domoslavski shkruan se idhulli i tij i dikurshëm në reportazhe shpesh i ka kaluar kufijtë e gazetarisë. Domethënë: Jo pak konstatime të Kapuscinskit kanë qenë thjeshtë fiksion, aspak realitet. Një përzierje e palejueshme e gazetarisë me letërsi.
Kur një shtëpi botuese amerikane e kishte lutur atë që me nënshkrimin e tij të konfirmonte se të gjitha citatet janë të sakta, Kapuscinski e kishte ndryshuar tekstin dhe disa emra i kishte hequr, të tjerët i kishte reduktuar në iniciale.
Një gazetare etiopiane lidhur me librin "Mbreti i mbretërve" kishte thënë: Shumëçka që përmban kjo vepër mbi rrëzimin e monarkisë se Haile Selassie më shumë i shkon për shtat vëllimit me përralla "Një mijë e një net".
Një gënjeshtër e madhe duket të jetë edhe pretendimi i Kapuscinskit se e ka takuar revolucionarin kuban Che Guevara. Një autori amerikan ai i kishte thënë se takimin e tij me Che Guavarën e kishte trilluar shtëpia botuese, por ky trillim ishte përsëritur edhe në botimet e mëvonshme dhe Kapuscinski nuk kishte reaguar.
Kapuscinski po ashtu ka shkruar se e kishte takuar luftëtarin kongolez Patrice Lumumban - por biografi i tij Artur Domoslavski dëshmon se gazetari polak kishte udhëtuar në Afrikë tek pas vdekjes së Lumumbas. Këto nuk janë akuzat e vetme. Kapuscinski fajësohet të ketë kultivuar kontakte me shërbimin sekret polak, madje krerëve të tij ai iu kishte sjellë edhe dhurata nga bota e jashtme.
Metoda e dyshimit
Pas botimit të kësaj biografie figura e Kapuscinskit me siguri do të humbë shndritjen e deritanishme.
Mbrojtësit e tij thonë se disa gërvishtje nuk mund të rrezikojnë pozitën e tij në gazetari. Biografi i tij thotë: Disa libra të Kapuscinskit i takojnë letërsisë, jo gazetarisë. "Ai ka qenë artist, ai eksperimentonte".
Hëpërhë nuk dihet kur do të botohet në gjermanisht biografia e Ryszard Kapuscinskit e shkruar nga Artur Domoslavski. Përkthyesi i veprave të Kapuscinskit në gjermanisht Martin Pollack ka shkruar në gazetën "Neue Zürcher Zeitung" se përkundër meritave të mëdha që ka kjo vepër, atij nuk i pëlqen tendenca për ta diskredituar tërësisht reporterin e njohur.
"Ryszard jetoi në kohëra të vështira, të karakterizuara nga ideologjitë, thyerjet, shpresat, zhgënjimet dhe gënjeshtrat, të gjitha këto të përziera me njëra-tjetrën", shkruan Pollack. Metoda e Domoslavskit, sipas përkthyesit Pollack, është metodë e dyshimit, jo e hulumtimit pa paragjykime.