Në takim me Dikensin


Meri Lalaj
Janë ndërtuar në vendet e mbetura bosh prej bombardimeve të Luftës së Dytë Botërore, ato janë disi të mëdha, të rënda, katrore dhe me dritare të njëllojta.
Pjesa e Londrës, që thirret Ist End ka disi pamje dikensiane. Ndërsa për të vajtur tek shtëpia e Dikensit udhëtova me autobus, ata dykatëshit, pastaj i hipëm trenit në metro dhe ndalëm tek Stacioni Viktoria, i cili është edhe “stacion muze”. Librat e Dikensit i kam lexuar kur isha studente, ndërsa ime bijë e ka lexuar “David Koperfild” qëkur ishte nëntë vjeçe.

Çarls Dikens gjatë viteve ka jetuar në shtëpi të ndryshme, por njëra prej tyre është kthyer në shtëpi muze, ajo gjendet në 48 Doughty Street, këtu ai ka ndenjur dy vjet e gjysmë me gruan Katerina, djalin Çarls, në këtë shtëpi i lindën dy fëmijë dhe ka shkruar disa vepra. Ndodhem përballë një ndërtese katërkatëshe me shumë dritare e ndërtuar në shekullin e 19,porta e hyrjes është e ngushtë dhe e gjelbër me pjesën e sipërme të harkuar. I biem ziles, më duket sikur do të hapet dera dhe do të shfaqet ai, autori aq i dashur. Në anën e majtë të hyrjes duket kati nëndhe, aty kanë qenë dhomat ku kanë punuar dikur shërbëtorët, Dikensi në këtë shtëpi kishte katër njerëz që i shërbenin: një kuzhinier, një shërbyese, një kujdestare për fëmijët dhe një shërbyes me emrin Toping. Në dhomën e larjes mjetet janë ato të dikurshmet: një kazan ku mund të futej njeriu për t’u larë, vendi ku ndizej zjarri, disa hekura për hekurosje nga ata që mbushen me prush dhe sende që nevojiten për të pastruar një shtëpi. Në dhomën tjetër të vockël shohim një but për verë dhe shumë shishe të stivosura, mesa duket do të ketë qenë qilari i ushqimeve.
Në korridorin e ngushtë të katit të parë është vendosur një grilë e zezë burgu me dërrasa për së gjati, kjo është grila origjinale e burgut ku kanë qenë të mbyllur dikur për borxhe babai dhe nëna e Dikensit, të cilët shkrimtari aq bukur na i ka përshkruar me personazhet e mister dhe misis Mikoberit. Në katin e parë dhoma përballë, dikur ka qenë kuzhinë, tani përdoret si bibliotekë me kopjet e botimeve, përkthimeve, përshtatjeve të veprave të Dikensit, raftet e mbushur plot e përplot zenë një sipërfaqe prej më shumë se 8 metrash. Një dhomë tjetër, e ngrënies, këtu autori priste miqtë e botës letrare dhe mund të shtroheshin për të ngrënë deri në 14 veta. Në studio syri të kap libra, dorëshkrime, tryeza e punës në të cilën punonte me sendet e duhura mbi të. Në katin e dytë ndodhen dhomat e gjumit, në një dhomë të vogël mbi mur sipër shtratit shohim portretin e Meri Hogërthit, motra e vogël e gruas së Dikensit, e cila vdiq këtu në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare.
Në këtë shtëpi muze ruhet një tryezë druri e thjeshtë katërkëndëshe me një stol katror, që i përkasin kohës kur Dikensi punonte si shkrues tek një zyrë avokatie. Në njërën nga stendat me xhama shohim një unazë me gurë të kaltër, është unaza e fejesës së Katerinës në verën e vitit 1835, në kohën që punonte si gazetar i Parlamentit, paskëtaj ai u bë i famshëm me “Shënimet e Klubit Pikuik”, aty shohim edhe fletë nga dorëshkrime të këtij libri. (Pasi u bë i famshëm Dikensi filloi që t’i ruajë me kujdes dorëshkrimet). Në një faqe muri janë të vendosura njëzet numrat e revistës së përmuajshme, që botoi librin e tij “Nikolas Nikëllbi”. Duke patur pranë vetes shumë miq piktorë shpesh librat e Dikensit janë ilustruar, kështu pashë tri vizatime origjinale me laps nga John Leech. Në një dhomë të bukur janë vendosur kolltuku veshur me lëkurë ngjyrë kumbulle siç pat qenë dikur, piktori George Cruikshank bëri portretin e tij të ulur në këtë kolltuk dhe më vonë ilustroi librin “Oliver Tuist”. Po në këtë dhomë të mobiluar shumë bukur ndodhet, përveç një tryeze të madhe me një vazo të kristaltë mbi të, edhe një komo dru mogani spanjolle e punuar në mënyrë artistike, të cilën shkrimtari e bleu kur filloi të fitojë para nga librat e tij. Në shtëpinë muze është ruajtur edhe një tryeskë e vogël e ngushtë, që prej vitit 1858 dhe derisa ndërroi jetë, Dikensi e përdorte për të lexuar veprat e tij në publik, kështu ndërmori shumë udhëtime nëpër qytete të ndryshme të Anglisë si edhe në veri-lindje të Amerikës. Në katin e sipërm në krye të shkallëve qëndron statuja prej druri e marinarit, që vështron larg me tejqyrë, ky është thuajse personazh tek libri “Dombi dhe biri”.Po kështu ruhet edhe një orë tavoline për të cilën ai ka shkruar një letër zbavitëse kur i duhej që ta riparonte. Në shtëpinë muze ruhet edhe një kostum ceremonial i zi me kopsa të arta si edhe një shpatë, me këtë veshje Dikensi u paraqit tek mbretëresha më 9 mars 1870 për t’i treguar fotografi të fushëbetejave të Luftës Civile në Amerikë. E fundit në këtë muze është një pikturë e Robert Buss titulluar “Një dhuratë Dikensit”, e punuar sipas një fotografie, në të paraqitet Dikensi ulur në kolltuk në studion e tij me sy mbyllur duke ëndërruar për personazhet e librave të vet. Mbi një mur qëndron druri gjenealogjik i familjes Dikens, stërnipat e tij jetojnë. Dikensi ndërroi jetë më 9 qershor 1870.
Shoqata “Miqtë e Dikensit” është themeluar në vitin 1902 dhe të gjithë kujdesen për të pajisur muzeun. Para se të largohesha pyeta zotërinë, që shërbente aty nëse kishin libra të Dikensit në gjuhën shqipe. Ai m’u përgjigj: “Jo.” Dhe shtoi: “Por kemi edhe në gjuhën kineze!”
Në shtëpinë e Xhon Kicit: Për të vajtur tek shtëpia muze e Xhon Kicit në fillim hipëm në autobusin 149 i madh si fizarmonikë mbushur plot djem e vajza me ngjyrë dhe pastaj me tren duke soditur nga dritarja peizazhin e kohës së Dikensit. Ndalemi para një porte në anësoren e rrugës, tek muri rrethues ndodhet një pllakë në kujtim të Xhon Kicit. Futemi brenda oborritqë është një lëndinë e madhe e gjelbër. Hyjmë brenda në shtëpi, ndërkaq sjell në mendje vargjet e Bajronit: “Kush të vrau, o Xhon Kic/ Ti ishe vërtet artist...”Këtu Xhon Kic ka jetuar prej vitit 1818 deri në vitin 1820 bashkë me mikun e tij Çarls Braun, këtu ai shkroi shumë poezi përfshirë edhe poemën “Lavde një bilbilit”. Këtu ai takoi dhe ra në dashuri me Feni Broune, vajza më e madhe e fqinjit tek dera tjetër. Po në këtë shtëpi ai u sëmur nga tuberkulozi, la Anglinë për ta kaluar dimrin e 1820-1821 në një klimë më të butë në Italinë e Jugut, por nuk u kthye kurrë më prej andej, sepse vdiq në Romë në shkurt të vitit 1821, në moshën 25-vjeçare.
Dhoma në të djathtë ka qenë dhoma e ndenjes së Kicit me një derë-dritare, që shikon oborrin e gjelbëruar, anash është një dollap me libra dhe një portret i Shekspirit, sipër oxhakut shohim portretin e Kicit të ulur në këtë dhomë të qetë me diell. Miku i tij Joseph Severn e pikturoi versionin origjinal të kësaj pikture pas vdekjes së poetit. Përballë oxhakut në një stendë të xhamtë janë të vendosura dy maska prej allçie: njëra e poetit kur ishte gjallë 22-vjeçar dhe tjetra kur ishte i vdekur, po aty ndodhet shishja e bojës dhe më tej tryeza e shkrimit.
Dhoma përkundruall i përkiste Çarls Braunit, në këtë dhomë priteshin miqtë. Kici shkruan për ata që vizitonin shtëpinë darkave dhe luanin me letra. Kur u sëmur, në fillim të vitit 1820 në njërën nga letrat e tij përshkruan se atij i ndërtuan një “kanape-shtrat” për të ndenjur në këtë dhomë dhe për të parë kopshtin nga dritarja.
Në pjesën kryesore të shtëpisë kalojmë përmes një dere siç ka qenë dhe lidhte pjesën e shtëpisë së Kicit me atë të Fenit; nëpër shkallë ngjitemi lart dhe vërejmë se dikur Kicin e ndante nga e fejuara veçse një mur i hollë. Në krye të shkallëve, tani shtëpia është zgjeruar duke i bashkuar të dyja pjesët, majtas është dhoma e gjumit të Fenit ndërsa përballë ajo e Kicit. Dhomat janë të pajisura me ato sende që i përkasin së shkuarës. Shtrati i Kicit është me katër mbështetëse qarkuar me perde dhe mbuluar me një kuvertë të bardhë pambuku. Në të djathtë ndodhet një dhomë ku janë vendosur sende, mes të tjerash unaza e fejesës së Fenit, (vajza u martua 10 vjet pas vdekjes së Kicit) në këtë dhomë ndodhen libra me përzgjedhje poetike. Zbresim në katin e parë dhe me kujdes kalojmë nëpër shkallët e ngushta për në bodrum. Kuzhina e parë i përket familjes Broune. Kuzhina tjetër përballë i përkiste Kicit dhe Braunit ajo ndodhet në fund të korridorit djathtas. Furra e pjekjes së bukës është origjinale dhe aty shohim qilarin e verës. Plotësoj një formular për vizitorët dhe shkruaj se për Xhon Kicin kam dëgjuar nga profesori i letërsisë, poezitë e tij janë përkthyer në vendin tim. Muzeu do të mbyllet për një vit për t’u pajisur më mirë.
Sapo dilje nga shtëpia në oborr aty ishte mbjellë një kumbull e vogël, në degët e saj ndodhej varur një shënim. Në të shkruhej se mbillej në kujtim të asaj kumbullës së dikurshme kur poeti pa një bilbil në çerdhe, pikërisht nën atë kumbull u ul Xhon Kici për të shkruar poemën e famshme “Lavde një bilbilit”.
Dr. Samuel Xhonson është leksikografi i shkëlqyer i shekullit të 18 dhe hartuesi i fjalorit të parë të gjuhës angleze. Jeta e Xhonsonit plot me aventura është e përshkruar shumë hollësisht nga biografi Bosuell, miku i tij, i cili ishte 30 vjet më i ri sesa Xhonsoni. Fillimisht Xhonsoni ishte gazetar dhe shkruante artikuj për Parlamentin, pa shkelur kurrë në Parlament. Në shtëpinë muze që vizitova, ai punoi për fjalorin, i cili për më shumë se 100 vjet ishte standard për anglishten. Duke punuar për çdo fjalë, ai ka bërë shpjegimet e duhura etimologjike, duke lënë edhe vende të duhura bosh për shënime të mëtejshme. Në të gjitha dhomat e shtëpisë së tij nga kati i parë deri në katin e katërt muret janë të mbushura me portrete të miqve të tij të shumtë personalitete të shquar. Xhonsoni u martua në moshën 25-vjeçare me një grua 46 vjeçe, e ve me tre fëmijë, por u deshën shumë gjatë gjithë jetës. Pas vdekjes së saj, Xhonsoni e mbajti në gisht unazën e martesës derisa vdiq, me atë grua nuk pati fëmijë dhe pasurinë ia la trashëgim shërbyesit zezak nga Xhamajka, Frensis Barbër. Ky i fundit u martua me një vajzë të bardhë angleze e pasardhësit e tij dalëngadalë ndryshuan ngjyrë derisa u zbardhën fare.
Njëherë Dr. Adams, ndërsa e gjeti Xhonsonin në kulmin e punës, e pyeti: “Zotëri, a do të mund ta kryeni këtë punë kaq të madhe për tre vjet?” “Nuk ka dyshim se do ta kryej për tre vjet.” U përgjigj Xhonsoni me vendosmëri. “Por Akademisë Frënge me 40 anëtarë iu deshën 40 vjet për të hartuar Fjalorin e tyre.” “Këtu qëndron puna. Le ta shohim përpjestimin: 40 herë 40 bëjnë 1600. Aq herë sa hyn treshi tek 1600-ta është përpjestimi i një anglezi ndaj një francezi.” Gjithashtu është e famshme thënia e Xhonsonit: “Kur një njeri lodhet nga Londra, ai është lodhur nga jeta, sepse Londra të jep gjithçka që të ofron jeta.”
Në Teatrin Globe të Shekspirit: Ky teatër u rindërtua në vitin 1998 në sajë të parave të mbledhura nga njerëz të pasur, jo vetëm nga Anglia, por edhe prej vendeve të tjera të botës, madje edhe nga Japonia. Dikur në vendin buzë lumit Temiz, ku u ndërtua ky teatër i famshëm, ndodheshin vetëm njëzet a tridhjetë shtëpi. E vetmja urë, që lidhte pjesën tjetër të Londrës me këtë anë, ishte ajo e ndërtuar që nga koha e romakëve dhe varkat e shumta, që venin e vinin nëpër lumë sillnin për në teatër pasanikët e qytetit. Në vitin 1989 gjatë gërmimeve u gjetën mbeturina të Rose Theater on Bankside, kjo gjë ndikoi së tepërmi për rindëtimin e Globe. Sapo futemi në pjesën moderne ku shiten objekte, që kanë të bëjnë me veprat e Shekspirit dhe personazhet, dëgjojmë të bjerë një këmborë bakri (e cila bie çdo dhjetë minuta) dhe tringëllima e saj fton vizitorët për të ndjekur shpjegimet sipas grupeve. Ky teatër ishte për të gjithë njerëzit. Pjesa ku ulen shikuesit është e ndërtuar prej dru lisi me stolat e gjatë që mbajnë numra si dikur, natyrshëm që këtu në ndarjet A dhe B ulej shtresa e lartë rreth 1000 persona, ndërsa publiku i thjeshtë 700 veta e ndiqte shfaqjen më këmbë ngjeshur pas njëri tjetrit në dyshemenë (e njëjta e kohës së Shekspirit) dhe mbështetur pas skenës, sa herë herës edhe mund t’i hidhnin ndonjë fjalë aktorit edhe mund të pinin ndopak alkool. Kjo turmë njerëzish e palarë, me këpucët tërë baltë, që përtypte hudhra dhe që i avullonin rrobat era djersë kur binte shi (pjesa e pambuluar) pra, e bezdiste shtresën e pasur dhe ata mbanin portokalla për të nuhatur apo vinin në hundë një lloj maske mbrojtëse. Në ballkonet anësorë uleshin lordët, ata donin të dëgjonin fjalët dhe jo të shikonin shprehjet e fytyrave të aktorëve.
Çatia që mbulon pjesët ku ulen shikuesit është si dikur prej kashte. Skena mbahet mbi dy shtylla të mëdha prej druri, e ndërtuar pikërisht si në atë kohë: lart pikturuar Parajsa, Dielli, Hëna, Yjet dhe poshtë: Ferri. Përmbi skenë dhe përballë shikuesve, një ballkon tjetër i vogël ku ndiqte shfaqjen mbreti dhe shpura e tij, lart nga një lloj papafingoje dikur me trumbeta lajmërohej hyrja e mbretit aktor në skenë, por njëherë për ta bërë më tërheqëse qëlluan me top, shkëndijat e zjarrit ranë mbi kashtën e çatisë që mori zjarr dhe brenda një ore gjithçka u shkrumbua. Kjo ishte djegia e dytë.
Vizitojmë pak më tej ekspozitën në vendin ku dikur ka qenë vërtet Globe Play House i Shekspirit nga viti 1598-1613. Këtu nëpër stendat janë të shkruara titujt e tragjedive dhe komedive të Shekspirit dhe vitet kur janë shfaqur e rishfaqur në ditët tona. Aty ndodhen të gjitha veshjet e aktorëve, këpucët dhe çizmet e tyre, sënduqet, një krevat baldakin, kolltukët, një kaproll druri, rrogoz, heshta të gjata, shpatat, fenerë, parzmoret e hekurta dhe gjoksoret mbrojtëse prej lëkure, sëpatat edhe trungu i drunjtë ku priteshin kokat e të dënuarve. Një portë e hekurt me kunjat lart, një dorë e këputur e gjakosur, helmeta, kaska, monedha të kohës, flamurë, kurora dafine, toga romake e të tjera. Aty ndodhet dhe libri “Metamorfozat e Ovidit” botim i vitit 1602.
Në një dollap të xhamtë tek një manekin është paraqitur kostumi i Elisabetës I: kapele me xhufkë të bardhë dhe me rruaza, jaka e ngrirë me dantella, në qafë varur një medalion i madh me gurë të kuq, pastaj katër vargje të gjata me rruaza të bardha, që i arrijnë deri poshtë belit, fustani i gjatë deri në fund të këmbëve, i qëndisur i tëri me lule të kuqe dhe blu si edhe me rruaza të bardha nëpër të, një pelerinë përmbi fustan po e qëndisur, doreza të gjata deri tek bërryli të qëndisura dhe me dantella.