Prof. Nasho Jorgaqi
Në përfytyrimin tim, poezia lirike shqipe gjithnjë i ka përngjarë një orkestre, e cila ka përftuar muzikë të shpirtit e të botës shqiptare. Një muzike të fuqishme dhe delikate, që më ka tingëlluar e ekzekutuar sa nga instrumentet kombëtare si fyelli e zurnaja, lahuta e çiftelia, aq dhe nga instrumente universale si violina e flauti, kitara e lira e deri te buria e trumbeta.
Dihet se në arealin e çdo letërsie, lirika përbën shkallën më të lartë të ndjeshmërisë poetike. Ajo është poezia e poezisë, rinia e saj e përjetshme. Një përcaktim ky, nga i cili nuk bën sigurisht përjashtim as poezia shqipe. Sido që kushtet e rënda social-ekonomike i kanë diktuar struktura epike, prapë lirika ka qenë e ka mbetur komponenti parësor i poezisë sonë. Një zë i përhershëm, konstant që buronte së brendshmi, nga hovet e zemrës dhe trazimet e shpirtit, nga thellësitë e fshehta të qenies njerëzore të genit shqiptar. Duke kërkuar fillet e poezisë sonë të shkruar në rrugëtimin e kohërave, jonet saj më të hershme lirike, nuk ka si të mos befasohemi kur ato na shfaqen, të paktën deri më tani, aty nga mesi i shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Mendimi i parë që më vjen, tek kam parasysh këtë kohë, është fakti se klima gjallëruese e humanizmit evropian nuk kish si të mos ndjehej dhe në botën arbërore. Këtë e dëshmojnë, në një farë mënyre, jonet lirike të fiksuara në librin e parë shqip (1555). Murgu shqiptar, Gjon Buzuku, do të rikëndonte në gjuhën amtare te “Meshari” i tij vargje lirike nga “Himnet” e Davidit (“Ngreu e eja, e dashuna eme, e bukura eme”) apo te “Këngës së këngëve” të Solomonit. Këngë këto madhore zemre, të huajtura nga lirika biblike, të ndërkallura mes predikimeve liturgjike, por që nuk do të mbeteshin zëra të vetmuar brenda “Mesharit”. Themi kështu, sepse pikërisht nga hapësirat e mugëta të atij shekulli të largët, na vjen dhe kënga e parë lirike e një poeti të mirëfilltë shqiptar. Është Pjetër Budi, ai që këndon këngën “Spculum”, për t’u ndjekur me një këngë tjetër lirike, një shekull më pas, siç është cikli i “Sibileve” të Pjetër Bogdanit e për t’u shfaqur në shekullin e tetëmbëdhjetë, në përmasa më të gjera, me një zë të plotë lirik, poeti Jul Variboba me poemën “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër”.
Por këto vargje lirike, të thurura nën dritën e qirinjve të kishave dhe në vetminë e zymtë të manastireve, të shkruara në një gjuhë të ndaluar, nën robërinë osmane, do të qenë vetëm një vokacion minor në jetën shpirtërore të shqiptarëve. Thënë ndryshe, një minoritet, sado që tepër i rëndësishëm, po të mendojmë se në malet dhe fushat e Shqipërisë, populli do të këndonte këngët e tij të mrekullueshme në gjuhën amtare. Këngë për jetën dhe bëmat e veta, për luftën dhe mbijetesën, këngë kreshnike e heroike, me tone të forta epike, por dhe këngë të shpirtit, me fllade e jone lirike. Kjo poezi orale aq’ e begatë dhe tronditëse do të bëhej pjesë përbërëse e substratit të identitetit të tij, që do ta shoqëronte nëpër shekuj.
Duhet të presim shekullin e nëntëmbëdhjetë që letërsia shqipe e kultivuar të merrte vetëdijen dhe përmasat e një letërsie kombëtare në kuadrin e lëvizjes së Rilindjes shqiptare. Ashtu siç kish ndodhur në thuajse të gjitha letërsitë kombëtare dhe letërsia jonë do të shfaqej kryesisht si letërsi poetike. Ishte kjo shprehje e stadit të parë, diktuar nga niveli dhe kërkesat e kohës, si një nevojë e manifestimit dhe artikulimit të jetës e të aspiratave të shqiptarëve përmes fjalës së bukur. Por ajo ç’ka e bën të veçantë daljen në skenë të letërsisë shqipe në jetën tonë kombëtare është fakti se ajo u prezantua, së pari, jo vetëm si letërsi poetike, por me një vepër poetike tërësisht lirike. Poeti arbëresh Jeronim de Rada do të botonte (1836) poemën “Milosao”, vepër kjo që i vinte letërsisë sonë nga diaspora e përtej Adriatikut në një kohë, kur fjala shqipe e shkruar në dheun e të parëve ishte në përgjumje.
Do të duheshin disa dekada që letërsia jonë kombëtare të hidhte shtat, me autorë kryesisht poetë, për t’u afirmuar si e tillë nëpërmjet një vargu krijimesh përfaqësuese. Në këtë rast tërheq vëmendjen fakti se nota e tyre zotëruese do të ishte fryma lirike. Vështirë të përcaktojmë me një përgjigje të vetme se nga buronte kjo frymë, e cila, ndonëse përshfaqej në një sfond epik të një epoke të rëndë dhe heroike, nuk arrinte ta ndryshonte thelbin e saj. S’ka dyshim se janë disa arsye në të cilat bashkohen shpirti i lirë i shqiptarëve me vitalitetin e tyre, natyra krenare me optimizmin historik, të cilat do të shpreheshin kryesisht përmes këngës, në një kohë kur pushtimi i egër e kufizonte ekstremisht lëvrimin e gjuhës amtare dhe e mbante kulturën në shtratin e Prokustit. Kështu, këngët për Shqipërinë e robëruar dhe vizioni për të ardhmen e saj, në zërin e poetëve të Rilindjes, do të paraqiteshin, në të shumtën e rasteve, në trajtën e lirikave dhe poemave atdhetare. Të tilla do të qenë vjershat dhe poemat e J. De Radës e G. Darës, të N. Frashërit e të P. Vasës, të N. Mjedës e të Gj. Fishtës, të Çajupit e të Asdrenit. Vetëm nga mbarimi i Rilindjes, do të lindnin vepra të mirëfillta epike, si poemat e Naimit dhe Fishtës “Historia e Skënderbeut” dhe “Lahuta e Malcisë”. Kjo e fundit, e shkruar në frymën dhe verbin e rreptë të epikës popullore të veriut, ndonëse do të shënonte një akord madhor në poezinë shqipe, do të vinte paksa e vonuar, si rudiment i një poezie që letërsia evropiane e kish kapërcyer. Ndaj dhe është fakt i pakontestueshëm që një epikë e tillë nuk u përsërit më si dukuri letrare në poezinë tonë.
Poezia shqipe, duke hyrë në shekullin e XX, do të vijonte të ecte në hullinë e Rilindjes. Edhe pse Shqipëria do të fitonte Pavarësinë, në fillim të dekadës së dytë të shekullit të ri, ajo prapë mbetej e rrezikuar, duke u ballafaquar me situata të rënda tragjike, që vinin seriozisht në pikëpyetje ekzistencën e saj gjeopolitike. Këtë dramë kombëtare do ta ndjente thellë dhe letërsia jonë dhe do ta pasqyronte si një përjetim aktiv të ngjarjeve e të problemeve të mëdha të ditës. Zëri i saj, jo vetëm do të ishte i pranishëm në arenën e përpjekjeve shqiptare për mbijetesë, por ajo do të tentonte dhe do të arrinte në stadin e ri, t’i zgjeronte kufijtë e pasqyrimit të jetës e të gjente trajta të reja shprehjeje. Do të lindte kësisoj romani shqiptar, do të lëvrohej proza narrative dhe ajo poetike, do të bëheshin përçapje në lëmin e dramës, publicistika letrare do të shënonte disa nga kulmet e saj. Por mbi të gjitha do të ishte poezia ajo që do të njihte kuota të mëtejshme zhvillimi dhe konsolidimi të vlerave të veta, duke mbetur dhe në këtë stad gjinia më përfaqësuese e letërsisë shqipe. Do të ishte kjo arsyeja, që poezia do të ndikonte në një mënyrë a në një tjetër, dhe në gjinitë e tjera. Është fakt, që fryma dhe trajtat e saj do të ndiheshin në veprat pioniere të prozës e të dramaturgjisë shqiptare. Poezia, me krijimet më të mira, do të bëhej tharmi i letërsisë sonë kombëtare që po hidhte shtat nga një dhjetëvjeçar në tjetrin.
Në vitet 20 të shekullit të kaluar, me ringritjen e shtetit shqiptar dhe me përpjekjet për një jetë të pavarur kombëtare, u çelën horizonte dhe u krijuan pak a shumë rrethana për një ecuri normale dhe të letrave shqipe. Ishte hapur kështu një etapë e re historike, me kushte dhe kërkesa të tjera, me koncepte dhe ide që lypte koha, mbi të cilat synonte dhe përpiqej të mëkëmbej shoqëria shqiptare. Një shoqëri, e cila pas letargjisë disa shekullore, kërkonte me ngulm rrugën e zhvillimit normal përmes kontradiktash dhe kontrastesh, ndeshjesh politike dhe ballafaqimesh të dhimbshme sociale. Ishte kjo një shoqëri më shumë rurale se sa urbane, pa një fizionomi të qartë, plot plagë dhe halle jetike, anemike dhe skajshmërisht e varfër, e zhytur në mjerim dhe e përhumbur në padije. E megjithatë, brenda saj gjallëronte një popull me shpirt vital, i paepur, plot virtyte, i prirë nga progresi, i etur për dije, që provonte të integrohej në jetën e tij të pavarur kombëtare me aspirata progresive dhe mësime të çmuara nga përvoja e rrugëtimit të gjatë e të vështirë të historisë së vet. Ky ishte realiteti shqiptar, lënda dhe frymëzimi i ri i letërsisë shqipe, me të cilën ajo u përball në periudhën e Pavarësisë.
Niste kështu për letërsinë tonë një periudhë tjetër, krejt e ndryshme nga ato të mëparshmet, që e projektuar në historinë e saj do të rrokte një kohë relativisht të shkurtër, prej afro tre dekadash (1914-1944), kufijt’ e së cilës, ndonëse kishin të bënin më shumë me historinë se sa me letërsinë, s’kish si të ndikonin dhe në sferën e kësaj të fundit. Në mes këtyre dy kufijve, kishin ndodhur ngjarje të përmasave botërore që kishin tronditur njerëzimin, përmbysje dhe ndryshime rrënjësore, që do të reflektoheshin në një mënyrë a në një tjetër edhe në jetën shpirtërore e mendore të shoqërisë shqiptare. Për pasojë dhe në brendinë, frymën, format dhe drejtimin që do të merrte letërsia shqipe. Në radhë të parë këto do t’i ndjente poezia, jo vetëm si gjinia zotëruese në stadin ku ndodhej letërsia jonë, por dhe për faktin se ajo përbënte vokacionin më sensibël të fjalës shqipe. Kështu shpjegohen tiparet e reja që ajo nisi të manifestojë, të dallueshme nga periudhat e mëparshme letrare. Duke lënë pas kohën e luftës për çlirim kombëtar, që i kish frymëzuar temat patriotike dhe i kish dhënë një drejtim romantik, në epokën e re që kish hyrë, letërsia e në radhë të parë poezia e kish vendosur qendrën e gravitetit të saj në problematikën social-ekonomike, në jetën e qytetit e fshatit, në botën e brendshme të njeriut shqiptar, të psikologjisë dhe ideve bashkëkohore. Para shoqërisë shqiptare shtroheshin çështje që kishin të bënin me zgjidhjen e kontradiktave sociale, me përballimin e varfërisë e padrejtësisë, me liritë e të drejtat njerëzore, me emancipimin qytetar, por dhe ëndrrën dhe vizionin për një jetë më të mirë. Në këtë atmosferë, do të lindte lëvizja mendore shqiptare me ide e mendësi të reja, me pikëpamje dhe praktika progresiste dhe regresive, ku letërsia do të kishte vendin dhe rolin e saj të pazëvendësueshëm. Tani që Shqipëria ishte bërë, jeta mendore e intelektuale shqiptare kishte kaluar përfundimisht nga diaspora në atdhe dhe do të ishte kryeqyteti ai, që sa vinte e do t’u jepte tonin dhe drejtimin si problemeve politike-shoqërore, ashtu dhe atyre kulturore-artistike. Shtypi dhe botimet, sado të kufizuara, në qendër dhe në krahina (sidomos në Shkodër e Korçë) do të luanin një rol organizues dhe nxitës. Do të krijohej një opinion intelektual brenda të cilit do të zhvilloheshin debate e polemika midis ideve dhe praktikave të reja dhe atyre të vjetrat. Për arsye historike e gjeopolitike do të ndodhnin përballime dhe përplasje ndërmjet oksidentalizmit dhe orientalizmit, nga pasojat e të cilave do të ravijëzoheshin konturet e reja të botës shqiptare. Këto të fundit do të bëheshin më të qarta në përballjen me botën e huaj, me hapjen e Shqipërisë ndaj saj, me qarkullimin e kulturave dhe përvojave artistike evropiane, me shqipërimin, sado të pakët, të letërsisë së huaj. Ishte kjo tabloja e re e jetës social-kulturore shqiptare, ku do të merrte frymë e do të këndonte poezia shqipe e në radhë të parë lirika në periudhën midis dy Luftërave të mëdha botërore.





