Elsa Ballauri E vë në dyshim ekzistencën e elitave tek ne. Para pak javësh, në bisedë me disa miq duke u përpjekur të mbroj këtë opinion, ata kishin të tjera mendime dhe ideja e elitës pak nga pak në fund të bisedës, u transformua në idenë e vjetër që funksiononte në kohën e komunizmit tonë: kush është me shkollë të lartë, është pjesë e elitës (!). Ky përfundim nuk është i çuditshëm për shumë shqiptarë, sepse vetë sistemi i vlerave që pas Luftës së Dytë Botërore ka pësuar një transformim të veçantë e unikal: isha e vogël kur kam dëgjuar të thuhej nën zë anekdota (e vërtetë) e një profesori që kishte mbaruar universitetin në Vjenë dhe që halli e kishte detyruar të jepte mësim në kursin kundër analfabetizmit, që ishte mbushur me partizanë trima. Profesori ngre në mësim një nga nxënësit e tij analfabetë dhe e pyet për malet e Shqipërisë. Dhe nxënësi përgjigjet: "Shqipëria nuk ka pasur male, por pas çlirimit, partia jonë i krijoi ato". Natyrisht që profesori nuk mund ta kundërshtonte thellësisht nxënësin të vet që i rrinte përpara me një revole në brez, sepse i rrezikohej jeta, ai me ironi i tha se ka pasur nja dy kodra të vogla, që gradualisht u bënë male......
E kështu, sistemi i vlerave ndërroi sipas ideologjisë së re, e cila padrejtësisht mohoi gjithçka që ishte bërë më parë, madje më shumë se mohim, e shkatërroi atë dhe e denigroi deri në urrejtje.
Pavarësisht nga kjo, të rinjtë e shkolluar më vonë nëpër Europë filluan të krijonin elitat e reja në shoqërinë shqiptare, atë kulturore, ushtarake, shkencore, e megjithatë përcaktimit klasik të elitave iu mungonte një gjë e vyer dhe esenciale: këto elita nuk ishin të lira, ato funksiononin brenda burgut të tyre rrethuar me tela me gjemba, si të tilla mbetën gjysmake...
Kuptimi i parë i emrit vjen nga latinishtja: eligere- të zgjedhësh, pra në një mënyrë tjetër elita është pjesa e zgjedhur e një shoqërie, një grup relativisht i vogël njerëzish, që dominon në një shoqëri të madhe, që ka statusin privilegjues të krijimit të një modeli, që në rastin më të mirë ky model të jetë pozitiv dhe i ndjekur nga të tjerët.
Sipas Michael Parenti-t, një nga filozofët e sotëm që ka studiuar elitizmin, të gjitha grupimet shoqërore kanë brenda tyre elitat përkatëse të përbëra nga individë, që marrin pjesë aktive e janë promotor i zhvillimit politik e social të shoqërive. Pra, përveçse faktit që janë, elitat edhe veprojnë.
Këtu ndoshta është edhe dyshimi im në diskutimin me miqtë e mi. Për të mos u bërë thellësisht nihiliste, mund të pranoj faktin se deri diku ka pasur dhe madje ende ka një jetë elitash në Shqipëri, por ato janë shumë të zbehta, të pazonjat të lëvizin energjikisht motorin e madh dhe të rëndë të shoqërisë dhe shtetit në mënyrë progresive.
Vetvetiu, këto që kemi dhe disponojmë si elita nuk e kryejnë dot misionin e tyre, për disa arsye:
Veprimi
Së pari, sikurse thotë Parenti, elitat duhet të veprojnë dhe veprimi këtu nuk është thjesht mekanik apo i çfarëdollojshëm: veprimi është aksioni pozitiv që ato ndërmarrin në dobi të grupeve të caktuara, në dobi të shoqërisë dhe në ndihmë të zhvillimit të disa parimeve të rëndësishme të demokracisë, si shteti i së drejtës, humanizmi, paqja, toleranca dhe mirëkuptimi, të drejtat e individit, etj. Këto janë parime për të cilat luftohet dhe punohet gjatë, me dekada, madje edhe me shekuj dhe elitat padyshim janë protagonistë të këtyre parimeve. Mungesa e elitave kësisoj, zgjat kohën e një vendi për të kapur zhvillimet e duhura.
Elitat shqiptare sidomos pas LDB nuk kanë mundur të kryejnë funksionin e tyre të plotë. Shqipëria kaloi në një regjim të egër politik, që i urrente ato elita që ishin krijuar prej disa gjeneratash si pasojë e racionalitetit dhe natyrshmërisë sociopolitike dhe psikologjike: lufta e klasave u shpall si një gijotinë moderne. Elitat e dala pas kasaphanës që shkaktoi urrejtja revolucionare, lindën me handikapin e frikës dhe mungesës së lirisë. Duke jetuar gjatë në atë gjendje, ato krijuan modelin i cili u trashëgua edhe në periudhën e pas vitit 1990.
Kjo është periudha kur kufijtë e lirisë u zgjeruan, por metoda mbeti e njëjtë: e pasuksesshme në kombinimin e rolit të lidership-it me arritjen e suksesit. Të parën e shohim: roli i udhëheqësit është shumë i rëndësishëm, ai i ka bërë elitat shqiptare të jenë protagoniste, por për fat të keq në formën e tyre të keqe: duke abuzuar.
E dyta, të arrish suksesin, gjë që iu kërkohet elitave, është pjesa e pakuptueshme për shqiptarët: suksesi do punë, do sakrificë, do pasion dhe dashuri. E parealizueshme kjo në një vend ku dashuria dhe humanizmi janë shndërruar në mëkat.
Pra, elitat duhet të veprojnë dhe kjo nuk ndodh. Individët që i përfaqësojnë ato nuk mund të dalin dot mbi sipërfaqen e turmës, e të përgjithshmes, e mediokres: parimi i interesit të ngushtë personal errëson çdo lloj vizioni për perspektivën. Qëllimi i madh dhe i vetëm i fitimit material e ka përmbysur balancën e modelit të liderit funksional. Vlerat e vërteta janë trembur, disave nuk iu shfaqen kurrë, të tjerëve iu përpëliten në gjoks, por vdesin shpejt, të tjerëve që kanë më shumë guxim dhe parime qytetare iu zhvlerësohen kur dalin në publik nga sarkazma e shumicës. Në situatë të tillë elitat janë gjysmake, atyre iu mungon guximi, një tjetër element i domosdoshëm për suksesin e tyre.
Vlerësimi
Së dyti, elitat nuk vlerësohen. Nuk bëhet asgjë nga askush. Nuk ka strategji për t'i mbajtur, për t'i gjallëruar, për t'i ruajtur. Vendet me përparim të madh janë ato që kanë ecur nëpërmjet punës, vlerave dhe kontributit të elitave, kulturore, shkencore, akademike, ushtarake, gjuhësore.
Pyeta për një mikun tim, i cili vite më parë ka qenë drejtues i një institucioni shumë të rëndësishëm… mora vesh se ai ka një pension të pamjaftueshëm, madje shkon diku për të ndihmuar një të afërmin e tij në një dyqan ushqimesh… Shumë e dhimbshme për të dhe shumë e mjerë për ne. Njerëzit me vlera i hedhim tutje, nuk ka asnjë politikë për të ruajtur dhe për t'u kujdesur për ata që dinë, nuk ka asnjë politikë që mund t'i shfrytëzojë disa mendje të mençura të këtij vendi.
E njëjta gjë po ndodh edhe me daljen në pension në mënyrë të menjëhershme të disa pedagogëve të vjetër dhe me eksperiencë në universitetin publik. Më shumë se e tyrja, fatkeqësia është e vetë shkollës së lartë, e cila do të vazhdojë kësisoj të përpëlitet në kërkimin e modeleve të vlefshme të elitës akademike.
Për dreq më erdhi ndër mend një tjetër anekdotë (e vërtetë)… e atij që mbaroi fakultetin duke paguar ryshfet e pastaj tha me kënaqësi: "Juridiku ishte shumë i lehtë... tani do t'i hyj gjimnazit". Për fat të keq kjo nuk është paradoksale, është një e vërtetë e jetuar e Shqipërisë së re që nëse do të ulemi të flasim për elita dhe me gjuhë elitash, duhet të na vijë turp për pranimin e këtij realiteti. Ata njerëz që s'kanë nisur gjimnazin pretendojnë të kryejnë rolin e elitës së zgjedhur dhe t'i bëjnë të tjerët t'i admirojnë (!)...
Klasat shoqërore
Së treti, kur flasim për elita, duhet të mos harrojmë se ato shkojnë dhe ekzistojnë në variantin e tyre më të mirë së bashku me klasat shoqërore. Shqipëria nuk i ka krijuar shtresat e shoqërisë, të lartën, të mesmen dhe të ulëtën. Për t'u kthyer në fillim të shkrimit, pas Luftës së DB u krye masakra më e madhe që iu bë Shqipërisë nga shqiptarët: rrënimi i shtresave shoqërore, eliminimi i individëve që kishin përfituar nga koha, nga puna, energjia dhe dituria a brezave më parë dhe që trashëguan pozicionet e tyre klasore, aq të rëndësishme për krijimin e strukturave të një shteti të fuqishëm. Shqiptarët me ideologjinë komuniste i shkuan deri në fund shkatërrimit: jo vetëm duke vrarë dhe dënuar ata që nuk e donin ideologjinë komuniste, por duke vepruar me një saktësi admiruese për t'i shkuar deri në fund shkatërrimit: nga brezi në brez. Si rrjedhim, ata shkatërruan dhe trodhën edhe elitat: nga brezi në brez.
Duke mos gjetur një terren të përshtatshëm për t'u krijuar brenda klasave shoqërore, vetvetiu elitat mbeten pa krahë dhe pa dobi.
Krijimi i klasave dhe sidomos asaj të mesme, e cila duhet të jetë promotori i një shteti dhe shoqërie me vizione qytetare dhe europiane, do t'u japë jetë elitave.
Nga ana tjetër, krijimi i shtresave shoqërore do të marrë shumë kohë në Shqipëri, ndofta më shumë se sa u desh për t'i shkatërruar ato, prandaj në këto kushte, ndërgjegjësimi i elitave do ta ndihmojë procesin e krijimit të klasave, nëse individët që përfaqësojnë elitat do ta kuptojnë se ËSHTË në dorë të tyre të ndryshojnë këtë botë shqiptare, mjafton që këtë botë ta duash, ta respektosh dhe të ëndërrosh me shpirt suksesin e saj.
Home »
» Ku i kemi elitat?





