“The Economist”
Ne fund të dhjetorit 2008 Izraeli nisi fushatën e tij bombarduese në Gaza. Qëllimi ishte të ndalonte raketat ndaj Izraelit, që vinin nga Hamasi, i cili kishte nën kontroll Gazën. Tre javë më pas, 1400 palestinezë gjetën vdekjen. “Personalisht e paralajmërova Ehud Barak se ne do të reagonim shumë seriozisht, nëse Izraeli bënte diçka në Gaza”, - kujton Ali Babacan, ministri i Jashtëm turk i asaj kohe. Lufta e Gazës rezultoi në një pikë kthese në marrëdhëniet mes Turqisë dhe Izraelit. Një ditë përpara se Izraeli të sulmonte, ndërmjetësit turq e ndjenë se ishin në mes të një pakti paqeje mes Izraelit dhe Sirisë. “Izraelitët na mashtruan”, - thotë një diplomat turk. Por, zemërata e Turqisë u bë publike kur Recep Tayyip Erdogan, kryeministri i vendit, deklaroi me të madhe në një panel në forumin e Davosit, ku ndodhej i ulur pranë kryeministrit izraelit, Shimon Peres: “Ju izraelitët dini si të vrisni”! Në sytë e Turqisë, Izraeli vërtetoi se Erdogan kishte të drejtë më 31 maj, kur komandot e tij sulmuan “Mavi Marmara”, një anije turke që po dërgonte ndihëm në Gaza, pas bllokadës izraelite. Nëntë turq u vranë në këtë sulm. Izraeli pretendon se veproi për vetëmbrojtje. Ajo akuzon madje se flotilja ishte një front i xhihadistëve globalë. Turqia e mohon këtë, dhe ka bërë thirrje për një kërkesë për falje publike nga Izraeli, si dhe një hetim të drejtuar nga OKB-ja. Nëse Izraeli s’bie dakord, Turqia mund të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike. Disa vende perëndimore ia atribuojnë këtë kthesë lindore të politikes së jashtme turke, qeverisjes së partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të Erdogan. Vota e kësaj jave e Turqisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ndaj sanksioneve për Iranin, e ka forcuar këtë bindje. Disa, kanë frikë se Perëndimi e ka humbur Turqinë, një këndvështrim që u shfaq këtë javë edhe nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, që kritikoi BE-në se nuk kishte bërë aq sa duhej për të inkurajuar anëtarësimin e Turqisë në Bllok. Incidenti i “Mavi Marmara”-s ishte një provë e ndryshimit të rrugës së Turqisë. Kritikët pretendojnë se Turqia mund të kishte bërë më shumë për të ndalur flotiljen. Gjatë 90 viteve të fundit, Turqia i ka neglizhuar tokat arabe dikur në perandorinë otomane dhe është përqendruar te Perëndimi. Turqia kishte si aspiratë anëtarësimin në NATO dhe e siguroi atë në vitin 1952, dhe më së fundmi synon integrimin në BE. Kjo është arsyeja pse Turqia ka lidhje kaq të forta me Izraelin. Për elitën laike turke, miqësia me shtetin izraelit ishte një antidote ndaj radikalizmit islamik. Lidhjet e sigurisë me Izraelin, të kurorëzuara nga një marrëveshje ushtarake, rezultuan të rëndësishme, edhe në luftën e Turqisë ndaj militantëve kurdë. E ndodhur mes Turqisë dhe Izraelit, Siria dënoi më në fund liderin kurd Abdullah Ocalan, që tashmë ndodhet në një burg turk. Politika e jashtme turke mund të bëhet edhe më këmbëngulëse dhe anëtarësimi në BE mbetet prioritet i saj. Marrëdhëniet e mira me fqinjët kanë hapur tregjet e Turqisë për mallra. Një ekonomi e fortë në mes të një krize globale forcon besimin e saj të vetja. Ka një tjetër element në politikën e jashtme turke. Refuzimi i dukshëm nga amerikanët dhe europianët i pushtetit të Irakut, i ka lënë turqit në një situatë të pakëndshme. Në të vërtetë, retorika e ashpër e Erdogan ndaj Izraelit mund të jetë e përllogaritur mirë. Por, gjatë protestave të fundit kundër Izraelit disa demonstrues ngritën lart posterat e Hitlerit. Çfarë ka më tej? Sipas të gjitha gjasave, qeveria heziton të prishë marrëdhëniet me Izraelin. Komisioni hetimor për flotiljen mund të sigurojë kohë. Babacan thotë se marrëdhëniet me Izraelin nuk do të jenë kurrë më të njëjtat. Por, edhe kostoja e prishjes së marrëdhënieve mund të jetë shumë e lartë. Shumë diplomatë thonë se ishte një gabim për turqit të përfshiheshin aq shumë në përpjekjet për të hequr bllokadën ndaj Gazës. Kjo mund të funksionojë në mënyrën arabe, ku Erdogan është një hero, por Turqia nuk është e aftë ta zgjidhë e vetme konfliktin Izraelito-Palestinez. Zgjuarsia është se kjo parti dhe aktivizimi i saj në rajon, e bën Turqinë më të dëshirueshme në BE. Sa për Amerikën, shpresa është që ajo t’ia ketë nevojën Turqisë për Irakun dhe Afganistanin, kështu do të jetë e pranishme atje. Izraeli dhe Irani do të testojnë ashpër këto teori.
Home »
» Kthesa e diplomacisë turke





