| Nëse ndonjëri kupton që mbreti është lakuriq, kjo nuk do të thotë që mbreti pushon se qeni mbret. Do të thotë që shumë nuk do të vazhdojnë të bëjnë sikur admirojnë veshjet e tij. Që me të parën duhet thënë se nuk mund të bëhet pa Rrjetin (internetin), dhe, për t’i dhënë krejt hakun, duhet të vihen gjithnjë në dukje mundësitë e paeksperimentuara më parë dhe potencialitetet e tij, ashtu si duhet patjetër të bëhet lista e aspekteve pozitive. Por informacioni i sotshëm për Web-in lëkundet midis entuziazmit të turmës - shoqëruar nga një lloj kërkese për pjesëmarrje akritike në mekanizmat e tij - dhe mohimit përbuzës e ndonjëherë snob të disa kundërshtarëve të izoluar, të trembur më tepër nga degjenerimet e tij politike, psikologjike, seksuale. Ia vlen të përqendrohem tek kontradiktat më të spikatura të Rrjetit, sigurisht jo për ta mohuar, por për të paralajmëruar kë e frekuenton që të bëjë kujdes nga çdo abuzim i mundshëm. Do të dëshiroja që ky libër, në disa pika tepër kritike ndaj Web-it, të lexohej si një gjest shprese drejt mundësisë së inteligjencës dhe spiritualitetit njerëzor, si një shtytje për t’i përdorur teknologjitë, më tepër se për t’u përdorur prej tyre, gjë që po ndodh gjithnjë e më shpesh. Do të dëshiroja të lëshoja një sfidë - prindërve, mësuesve, edukatorëve në përgjithësi, por edhe djalërisë - për një edukim (dhe një auto-edukim) të shumëllojqenies në vend të njësimit tiranik të modave. Çfarë akuzon vërtet ky libër, më tepër se Rrjeti në vetvete, është shoqëria jonë dhe marrosja mbas inteligjencës kapitaliste të teknologjive të reja: i këndohen hosana më tepër atyre që lavdërojnë fitimin e arritur pa shumë stërhollime etike dhe shumëfishimit të konsumeve, shpesh duke u maskuar mbas ideologjive të rreme të progresit. Nëse ndonjë kupton që mbreti është lakuriq, kjo nuk do të thotë që mbreti pushon së qeni mbret. Çliruar nga xhingla-minglat ideologjike, Rrjeti nuk është gjë tjetër veçse një mjet informacioni dhe zbavitjeje. Do të zëvendësojë televizionin e vjetër dhe do të arrijmë më në fund ta frekuentojmë pa hipokrizi, pa ndërgjegjen false të pjesëmarrjes në një apoteozë të demokracisë. Me ndërgjegjshmin, në rast të bërjes pjesë në një proces globalizimi - ekonomik dhe kulturor - më të sofistikuar. Do të mësojmë ta përdorim ashtu si kemi mësuar të përdorim telefonin, flokëtharësen, furrën me mikrovalë, faksin, pa t’iu nënshtruar, pa na u lëbyrur sytë nga mitologji që, sipas të dhënave të fakteve, tregojnë brishtësinë e tyre të pavlerë. Atëherë teknologjia do të jetë një mjet për të jetuar më mirë, dhe jo mjedisi në të cilin detyrimisht duhet të jetojmë. (faqe 11-12) 1. Në një rrjetë, e thotë fjala vetë, mund të mbetesh i kapur në të. Peshq që përpëliten midis syzeve të gërshetuara të një kurthi të thurur për të na zënë rob, miza të ngecura në një rrjetë merimange të brishtë e megjithëkëtë vrastare, nga e cila nuk do të çlirohemi më. Një rrjetë mund të jetë një pështjellë, një pyll, një sistem biologjik që harliset, lëmshi i një bime parazitare që jeton për hesap të një organizmi tjetër deri sa ia merr frymën. Sa më tepër degëzohet një rrjetë, aq më tepër shton aftësinë të gllabërojë gjithçka. Një rrjetë mund të na burgosë, mbasi të na hipnotizojë me thurjet ndjellëse të nyjeve të saj. Njësoj si peshqit notojmë në tufa, çdonjëri duke vozitur me pendë dhe duke marrë frymë me verza, individualitete të asgjësuara nga turma që zhvendoset verbtazi sa andej-këndej, duke u uniformuar si bashkësi, pasqyrime flakëruese të argjendta që marrin frymë fryu-shfryu si një mushkëri e madhe, ndonjëherë hallakatur prej sulmit të një peshku më të madh. Teknika tregon natyrën e saj çdo herë në një perspektivë të re, kështu, duke u tutkallosur pas nesh - mutantëve (ndryshimtarëve) të shekullit të njëzetë - teknika ndryshon emocionet tona, ankthet, dëshirat. Rrjeta që na kap, ajo në të cilën mbesim ngjitur, ajo që na magjeps, ndërkohë që na mbërthen, ajo që na burgos duke na lajkatuar, është Rrjeti, rrjeta e vetme që mund të ndërlidhë një peshk pa ujë me miliona të tjerë të ngjashëm me të: Interneti. Një bashkësi ndryshueshmërish që bëhen kapicë në një rrjetë gënjeshtare, seamless, pa syze, nyje dhe thurrje. Një rrjetë e përfytyruar pra, ashtu si duhet të jetë një rrjetë e hedhur në detin abstrakt të individualiteteve të ndërlidhura, që flasin pa u njohur dhe lejojnë të kapen rob për të qenë të sigurt se ekzistojnë. (faqe 13-14) 2. Të tillë jemi, peshq të vetmuar që vozitin në hapësirën e gjerë të një oqeani në të vërtetë të mbipopulluar: gjithnjë e më të vetmuar, të zhytur në paradoksin e një jete që na shtyn të ngujohemi në shtëpi, para pc-së (personal computer) tonë, në iluzionin që gjithçka që na duhet gjendet aty, e strukur në atë ekran. (…) (…) Njohja është, para së gjithash, eksperiencë. Por Rrjeti e ndryshon pa mëshirë eksperiencën: nuk lëvizim, nuk dalim, nuk udhëtojmë më për të njohur botën. Është bota që na ofrohet neve, sedentarë të paluajtur vendit, që nuk e përshkojmë, përveç se në autostrada telematike, e nuk e banojmë më, veçse në site virtualë. (faqe 15-16) 4. (…) Duke harxhuar shumë kohë në Rrjet, bëhet e zakonshme të mendohet që identiteti ynë është i shkëmbyeshëm, që e vërteta dhe përnjëmendësia mund të përputhen, falsiteti mund të bëhet joshës. Në ekranin e pc-së, duke dialoguar me kë nuk na njeh, mund të paraqitemi si e kundërta e asaj që jemi dhe Rrjeti fillon e duket si një vend ku shumëllojshmëria është në vetvete një virtyt, në vend të një gënjeshtre. (…) Nëse bota na ofrohet, ne pushojmë së qeni në botë. Bëhemi konsumatorë të botës. Nëse pastaj bota vjen tek ne vetëm në formë imazhi, nëpërmjet një ekrani, çfarë konsumojmë është vetëm një fantazmë e botës. Çdo eksperiencë e bërë në Rrjet do të na duket një eksperiencë “e vërtetë”. E vërteta dhe gënjeshtra, vërtetësia dhe falsiteti tejkalohen nga miti i shumëllojshmërisë. Sasitë bëhen cilësi: mundësia për të folur me një numër pafund personash, ysht handikapin e të qenit i vetmuar para një pc-je, mundësia për të konsultuar nëpërmjet kompjuterit enciklopedinë më të madhe të botës, të çliron nga detyrimi për të kërkuar gjetkë në mënyra të tjera, sepse, helbete, dihet që gjithçka mund të gjendet atje. (…). (faqe 19-20) 6. Jam lidhur. Kam ndezur celularin, adresa ime e postës elektronike funksionon. Nuk më merr në telefon dhe nuk më shkruan asnjeri. Pra nuk jam askushi. Nga frika, nga një nevojë sigurie të cenuar, lind nevoja për të ndërtuar një jetë të dytë në Web. Nga pikëpamja psikologjike Rrjeti dhe mjetet e reja të komunikimit janë rregullatorë dhe moderatorë të ndarjes, të asaj shkëputjeje që lind nga largësia fizike, por mbi të gjitha nga ajo më e padurueshmja, me natyrë sentimentale, që lind nga mungesa dhe humbja e kontaktit me “tjetrin”. (…) (faqe 27) 7. (…). Të jesh anonim ka një kuptim të dyfishtë dhe kontradiktor: nga njëra anë duket si kushti i domosdoshëm që dikushi të shfaq lakuriq - nëpërmjet fillit telefonik ose telematik - ndjenjat e tij, dëshirat e tij më të fshehta, perversionet e tij. Nga ana tjetër është denoncimi i izolimit tonë - që çdonjëri kërkon në mënyrën e tij ta mbushë “duke u lidhur” pa e zbuluar fytyrën e tij - në mënyrë që të jemi në qendër të interesit të dikujt, në mënyrë që të mos ndihemi të izoluar në boshllëkun e vetmisë sonë. Ashtu si çiliminjtë rrekin të fillojnë të banojnë botën, të zotërojnë realitetin dhe të vendosin relacione ndjesore nëpërmjet kukullash dhe arushkash prej pellushi, njësoj ne nuk jemi më në gjendje të banojmë botën dhe të garantojmë relacione ndjesore pa ndërmjetësinë e pc-së ose celularit tonë, të cilët janë lodrat tona, mrekullitë e reja teknologjike që na rishpien në fëmijëri, në një fëmijërizim të përgjithshëm dhe progresiv të botës - jo vetëm virtual - në të cilën jetojmë dhe veprojmë. (faqe 31-32) 8. (…) Speaker’s Corner (qoshja e oratorëve) është një zonë në anën verilindore të Hyde Park, në Londër, afër Marble Arch. Është vendi tradicional i rezervuar për kë ka ndonjë gjë për të thënë. Veçanërisht të dielën në mëngjes çfarëdo lloj robi mund të dalë në resme pa ia marrë dorën kujt, e praktikisht për të llafosur për çdo lloj argumenti. Oratorët e Speaker’s Corner tashmë janë robër të një manierizmi; denoncimet e tyre, opinionet e tyre, edhe pse mund të provokojnë opinione të kundërta nga ndonjë spektator, mbeten fjalë të ngordhura. Liria, demokracia dhe ambicia e kotë për komunikim e atij lundron në internet, bie pre e të njëjtit manierizëm. Ashtu si në park mjafton një stol mbi të cilin ngjitesh për të ligjëruar para kalimtarëve, në Rrjet të mjafton një lidhje-hyrje. E kujt i intereson ajo që ti kërkon të thuash? Rrjeti dhe Blog-u ngjajnë me një Hyde Park të zgjeruar dhe të frekuentuar në të gjitha orët, jo vetëm mëngjesin e të dielës, nga milionë gojëtarë që, në të gjitha gjuhët e botës, shkarkojnë aty informacione dhe opinione të dobishme dhe korrekte, por edhe të panevojshme ose të parëndësishme, të skaduara ose të papërditësuara. Nëse është e lehtë për të njohur filozofin nga sharlatani që hip mbi stol në Hyde Park, si mund të ndahet djathi nga sapuni në valangën e të dhënave dhe kumteve që përditë përmbyt Rrjetin? (faqe 36) 9. (…). Që në fillesat e tij (Rrjetit), kritikat e para bërë efekteve demokratizuese i mëshonin teprisë së informacionit, e ashtuquajtura “vërejtja Babel”, e cila vëren se kur të gjithëve i jipet leja për të folur nuk mund të dëgjohet më askush. Në këtë tepri, në këtë mbidozë të informacionit, detyrohesh t’i drejtohesh përsëri ekonomisë, financës, parasë për të dalluar çfarë duhet dëgjuar nga çfarë mbetet zhurmë sfondi. Pa dyshim: në internet, me gjithë posaçshmërinë e tij si mjet në dorë të të gjithëve, komandon paraja. Midis miliona kërkesash demokratike, thirrjesh, kundërvëniesh, kundërthëniesh që popullojnë Rrjetin, është videoja e shkurtër e Hillary Clinton për hyrjen e saj në fushën e politikës (20 janar 2007) që “çau” duke u ritrasmetuar nga të gjitha mediat botërore, tv dhe gazeta bashkë. Hillary Clinton, e mbështetur nga të mëdhenjtë e fuqisë ekonomike, përdor mjetin më pak të kushtueshëm sot për t’u folur zgjedhësve të saj, kompjuterin, duke treguar që tashmë pc-ja bën pjesë në jetën e përditshme të Amerikës, njësoj si televizioni në vitet ‘40 dhe furrat me mikrovale të viteve 70. (…). (…) Kritika e brezit të dytë ka theksuar faktin që Rrjeti nuk është edhe kaq i decentralizuar, siç besohej në vitet ‘90. Kur i jepet leja për t’u folur të gjithëve, nuk është e vërtetë se nuk arrihet të dëgjohet më asnjeri: Hillary Clinton dëgjohet që ç’ke me të. Beppe Grillo gjithashtu. Studime mbi përdorimin e internetit tregojnë se pak site tërheqin vëmendjen, madje tepër gjerë, ndërsa miliona të tjerë mbeten anonimë dhe krejt të pavënë re. Ndërsa aksioni politik shtyn njerzit të mobilizohen, demokracia gënjeshtare e internetit i shndërron qytetarët në spektatorë pasivë, e megjithatë të pajisur me koshiencë false. Të qëndrosh para një ekrani duke chat-uar (llomotitur virtualisht) për vuajtjet e botës, na bën të besojmë se në njëfarë mënyre marrim pjesë në një betejë heroike, ndërsa nuk bëjmë gjë tjetër veçse konsumojmë një mall tregu. Premtimi i internetit si medium demokratik është telendisur krejt prej statistikave, prej të cilave rrjedh ideja e një demokracie të kuptuar si barazi e konsumit, si e drejtë e të gjithëve për të pasur disa të mira materiale. Liria si e drejtë për të zgjedhur, për të blerë mallra si parim nivelues - pra demokratik - ndërkohë ekonomia dhe politika përlajnë Rrjetin duke iu përshtatur detyrimisht gjuhës së tij dhe duke prodhuar, më tepër se demokraci të vërtetë, forma tinëzare të bindjes. (faqe 37-39) 10. (…). Paradigma e gjuhës televizive është reklama: e shpejtë, kërcitëse, bindëse. Si mund të besohet se mund të shpjegohet një Ligj Financiar ose një Program Qeveritar nëpërmjet televizionit? Interneti vuan po nga i njëjti problem, një lloj “mallkimi i ekranit” që përndjek mediat e reja. Gjithçka që kalon nëpërmjet një ekrani është dënuar të jetë i cekët. Termi “ekran” (schermo), etimologjikisht kushëri me “skermën” (scherma), do të thotë me mbrojtë, me nda. Duke na dhënë iluzionin e pjesëmarrjes në realitet dhe të qenies aty ku nuk ekzistohet, ekranet (e tv-ve dhe pc-ve) na ndajnë nga bota reale dhe na zhysin në një dimension të pastër virtual, në dimensionin e ëndrrës. Një lloj “jete e dytë” që na mbërthen tek mjeti, skllevër të të cilët bëhemi, me përfundimin që nuk e përdorim, por përdoremi prej tij. (faqe 41-42) 12. (…). Repertori stërmadh i informacioneve nuk vlen një dysh nëse ndonjëri nuk na ka mësuar ku dhe si t’i kërkojmë. Mjeti i hatashëm i njohjes dhe i komunikimit midis qenieve njerëzore, premtimi që çdonjëri mund të gjejë ambiente (community) ku ndodhen qenie me të njëjtat interesa si të tijat, është gënjeshtar po aq sa edhe euforik. Më tepër sesa ndodh në realitet, në Rrjet është më e lehtë të ndeshesh në përdorues “të interesuar”, të motivuar për të folur me ne nga interesa tregtare, makar të paguar për “të krijuar trafik”. Agorà-ja e supozuar e botës së globalizuar ngjan përherë e më tepër me një hipermarket, ku pranë McDonald’s dhe Blockbuster ndodhet edhe fallxhorja që të sheh dorën. (faqe 49) 22. (…). Por sa më tepër personazhet sforcohen të jenë vetvetja, aq më tepër duken modele të imitimit. (…). Ndërsa në video-blog fillohet të hiqet dorë prej vetvetes, kënaqsha e vërtetë qëndron në lëshimin pa duar, në humbjen e identitetit personal, i vërtetë ky i fundit ose i supozuar qoftë. Por përfundohet me imitim të modeleve trashanike. Për më tepër, nëse nuk flas në emrin tim, por të çdokujt, nuk ka përse të mbaj përgjegjësi për çfarë them (…). Nëse në shkollë nuk je kurrkushi, nëse në punë asnjeri nuk të jep të drejtë, nëse nuk ia arrin të “dukesh” si e kërkon me domosdo shoqëria e dukjes, në Web mundet, Rrjeti ta jep këtë mundësi. (…). (faqe 83-84) 25. (…). Teknologjia bëhet mjedisi në të cilin duhet të jetojmë dhe pajisjet e saj - përfaqësuar nga pylli e ekraneve që rrethon tashmë ekzistencën tonë - bëhen buka jonë e përditshme. Duke na përjashtuar nga eksperienca e drejtpërdrejtë dhe duke na ngulitur para një ekrani, Rrjeti nuk ka më nevojë të falsifikojë realitetin. Është realiteti “i vënë në skenë” nga Rrjeti vetë ai që bën të afërt çfarë është e largët, të pranishme çfarë është munguese, llokum në gojë çfarë do të ishte e pamundur të zotërohej, kodi me të cilin duhet të përshtatemi. Në këtë ambient, ku kush mban vesh, dëgjon të njëjtat gjëra që ai vetë mund t’i thoshte dhe kush flet, thotë të njëjtat gjëra që mund t’i dëgjonte nga çdokush, në këtë lloj monologu kolektiv të përdorur nga miliona, si përfundim rrënohet edhe vetë eksperienca e komunikimit, sepse rezultojnë të fshira diferencat midis eksperiencave “të gjalla” të botës. Në ndjekje të njëri-tjetrit, mijëra zëra dhe pamje fshijnë diferencat që akoma ekzistojnë midis njerëzve, duke përsosur homologimin e tyre. Dhe jo vetëm kaq: transformojnë një mjet të krijuar për të komunikuar në qëllim përfundimtar të një ekzistence të konceptuar si komunikim në vetvete. Prej këtej rrjedh ajo formë e tëhuajëzimit në kërkim të dëshirës për të qenë “tjetërkund”, për të kërkuar vende të tjera, jetë të tjera (shkon nga shkon e përsëri tek virtualiteti i ekranit). Për të mos bërë gjë tjetër, në fund të fundit, veçse për t’u larguar nga vetvetja. (faqe 90) 28. Në detin e vërtetë, ku një peshk lehtësisht mund të bëhet pjesë e një tufe që simulon një peshk të madh, nuk gjenden vetëm peshkaqenë. Peshku vetmitar gjen strehë në grup kundër peshkut që sulmon. Por befas mund të ndodhet i braktisur ose i peshkuar në masë, nxjerrë në syprinë bashkë me të tjerët, morinë e cironkave përpëlitëse me vezullime argjendi që formojnë peshkun e madh, kapur nga një peshkatar që ka hedhur rrjetën e tij në çastin e duhur. Pinoku, buratinoja i krijuar nga Carlo Collodi (1826-1890), mbasi rrezikoi të fërgëllohej në tigan nga Peshkatari i Gjelbër dhe mbasi përfundoi në gojën e peshkaqenit, pushoi së qeni një buratino prej druri dhe së fundi u bë një djalë. “Po Pinoku i dikurshëm prej druri ku do të jetë fshehur vallë? - Ja ku është, - u përgjigj Xhepeti dhe i tregoi një goxha buratino të mbështetur në një karrige, me kokën të kthyer mënjanë, me krahët varur dhe me këmbët kryq e gjunjë të përthyera, e që për mrekulli qëndronte pa rënë. Pinoku u kthye për të parë dhe mbasi vështroi për pak kohë, tha me vete me shumë vetëkënaqësi: - Sa qesharak paskam qenë kur isha buratin!... Dhe sa i lumtur jam tani që jam bërë djalë i mirë!” Shenjat e lëna tek Rrjeti kur ngecim në të, kur Rrjeti na kap, kur përfundojmë të jemi të përdorur prej tij në vend që ta përdorim, duken të njëjta me të një sozie shumë të ngjashme me buratinin e Collodi-t. Po të lexohen biografitë e kujt ka zhvendosur identitetin e vet në Second Life, duken të gjitha të kundërta me Pinokun: histori djemsh të hajrit që bëhen papritmas buratinë. Shtëpiake që struken në një jetë virtuale për t’i bërë bisht banalitetit të së përditshmes, docentë universitarë që zgjedhin një avatar (maskë) vogëlusheje për të shitur sa më tepër në trafik tregtarë të dyshimtë, studente që bëhen modele për video-lojëra. Rrjeti na josh me jetë të dyta, na propozon të këmbejmë identitet, të zhvishemi nga veshjet tona, nga trupi ynë. Njësoj si bën Xhepeti me Pinokun, merret një avatar, ndërtohet një personalitet dhe dërgohet në botë (virtuale) për të parë se çfarë i ndodh. Pak nga pak, kjo botë në të cilën paraqitemi çdo ditë në mish e kocka, me fytyrën tonë, bota jashtë Rrjetit, bëhet “bota tjetër”. Sikur realiteti të mos ishte vetëm këtu, por brenda ekranit, në parajsat dixhitale të ndërtuara me bit dhe në simulimet tripërmasore të një jete tjetër, ku mund të rilindim me një hundë, flokë, një shtat, e deri me një moshë dhe seks tjetër. Mëkat se në këtë rast, ndryshe nga sa ndodh në librin e Collodi-t, përshkimi i udhës bëhet në të kundërt, tashmë i shënuar dhe i kushtëzuar, i bërë me kast - me sa duket - për të na hutuar dhe në hutim, për të na bërë të humbim udhën, për të na kapur dhe bërë që të mbetemi, të ngecur në Rrjet, buratinë për gjithnjë. Shqipëroi: Arjan Çelnikasi Box gri Dy fjalë për lëçitësin nga përkthyesi Për t’u kuptuar disi mirë se ku rreh çekiçi i këtij libri kam përkthyer të plotë hyrjen, kapitullin e parë dhe të fundit dhe disa paragrafë përfaqësues të shkëputur prej kapitujve të tjerë. Ky libër i formatit të vogël që nuk kap as 100 faqe, përveç se një manual pedagogjik rreth rreziqeve të internetit (sipas autorit), është edhe një përsiatje rreth filozofisë së internetit dhe përdorimit të teknologjisë në përgjithësi. Por vlerat e lartpërmendura nuk justifikojnë dhe shpërblejnë plotësisht mundimin për të shqipëruar këto faqe e paragrafë, sepse shtysa kryesore ka qenë për të dëshmuar - në vijim të disa shkrimeve të mia në gazetën “standard” - se dukuritë kulturore shfaqen njëkohësisht në disa fusha të konsideruara rëndom pa pikë lidhjeje midis tyre, dhe përsëriten - për herë e më shpesh në mënyrë të degraduar - si “rikthim i përjetshëm i të njëjtës”. Duke folur më konkretisht, nuk është rastësi që gjëmat shoqërore dhe gurguletë mediatike bashkëkohore zhvillohen rreth ndasisë dikotomike real-virtual ose historik-mitik: ekonomia virtuale, virtual-art, politika virtuale, Obama for President nëpër hapësira virtuale, Skënderbeu mitik ose virtual, Krishti mitik që vërsulet si Matrix të shpëtojë realitetin prej hapësirave të virtualitetit etj. Si dreqin na firoi kështu prej duarsh realiteti pikërisht mbasi u zgërlaq soc-realiteti që theksonte si reale vetëm dhe vetëm “këtë botë”, ndërsa “atë botë” e konsideronte iluzion fëmijnor, halucinacion, produkt kulturor i klasave sunduese me efekt drogues etj. Si bëhet e mundur që Web-i, informacioni i iluminuar, kulmi i teknologjisë bashkëkohore (dhe kjo e fundit produkt i pastër i shkencës iluministe që fitoi vetëdije dhe pushtet mbasi bëri def besimin në “atë botë”), çaplon realen prej virtuales, tëpkë si dikur obskurantizmi mesjetar çapëlente “këtë botë” prej “tjetrës botë”? Si ndodhi që ahengu në ekonominë virtuale pasoi me katastrofën e ekonomisë reale dhe me siguri do të pasojë edhe me katastrofën e botës mbarë nëse nuk vijnë mendtë prej botës virtuale në botën reale? Dhe e fundit: pse dreqin vijnë mendtë atëherë kur nuk i hanë as qentë? |