Europa, si në futboll, edhe në politikë, po shfaq të njëjtat vese

 La Stampa

 

Edhe në futboll jemi bërë "Kontinent i Vjetër”, jo vetëm në politikë, ekonomi dhe shoqëri. Ide të vjetra, zakone të vjetra, gabime të vjetra, të cilat të gjithë i dimë. Por që i ruajmë me xhelozi. Por a i keni parë këto ditën në TV Lippi-n, Capello-n dhe Domenech-un? Trajnerët e Italisë, Anglisë dhe Francës që u ngjajnë udhëheqësve të vendeve të tyre përkatëse, kur dalin nga një mbledhje e Këshillit Europian për krizën ekonomike? Kakofoninë me të cilën jemi mësuar në takimet e Brukselit u shfaq papritur në formën e një farse, teksa luhej në fushat e futbollit të Afrikës së Jugut. Fuqitë e vjetra duken të pasigurta. Nukli i vendeve themeluese është vënë në provë. Reziston vetëm Holanda, por për të tjerat ka vetëm probleme. Edhe armata gjermane zbuloi se i kishte këmbët prej gjalpi. 
Problemet jofutbollistike të Europës së vjetër i njihnim prej kohësh: popullata jonë nuk rritet, nuk krijon, nuk rrezikon. Ekonomia dhe puna jonë sot janë të paralizuara nga rregulla anakronike, por mbahemi pas tyre me thonj, duke e refuzuar realitetin, sepse kemi frikë se çdo ndryshim mund të na kërcënojë privilegjet e lashtë. Shoqëria europiane duket e palëvizshme: kush ka fatin të ketë lindur në kontekstin e duhur mund të shpresojë të përsërisë jetën e paraardhësit të tij, të tjerët duhet të shpresojnë për një mrekulli apo ngjarje që mund t’ua ndryshojnë jetën. 
Të studiosh, të angazhohesh, të përgatitesh, zakonisht shërben për të hapur sytë drejt mundësive që ekzistojnë larg kufijve. Politika është e ftohtë përpara këtyre dëshmive, duket e përqendruar në taktika të nevojshme për mbijetesën e përditshme: nuk ka sy për të parë pak më larg, duke imagjinuar një të ardhme për vendin, në vend të karrierës personale. Është e panevojshme pastaj të gjesh zgjidhje fituese dhe të përbashkëta në nivelin kontinental, sepse sa herë vjen një urgjence, aty mbizotëron vetëm logjika kombëtare. 
E gjitha kjo është duke u përsëritur në fushat e futbollit të Kupës së Botës, aty ku, në teori, imagjinata dhe kreativiteti mund të lirohen nga çdo pengesë. Kurse rezultatet, por akoma më shumë sjellja e ekipeve të mëdha europiane në Afrikën e Jugut, deri tani ka riprodhuar kaq simbolikisht vese dhe inerci të kontinentit të vjetër. Francezët, siç e dini, kanë shpikur revolucionin, dhe kështu që s’humbin kurrë një mundësi për të sfiduar autoritetin. Megjithatë, së paku, në ditët më të mira të kohëve të vjetra, ishin vetëm kokat që rrotulloheshin dhe kaq. Kurse tani ekipi kombëtar francez luan për faqe të zezë, dhe lojtarët ia hedhin fajin trajnerit, futbollisti Anelka e ekzagjeron me fjalë dhe pastaj federata e largon nga ekipi... Dhe shokët e tij si reagojnë? Bëjnë një asamble, përgatisin një deklaratë, dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre të patjetërsueshme, e braktisin punën: më shumë Georges Sorel, sesa Robespiera. Herën tjetër, në vend të kapitenit, në ekip do të thërrasin një sindikalist. 
Britanikët, siç e dini, kanë pushtuar botën me shkathtësinë e tyre. Sepse në ishullin e tyre binte kaq shumë shi - atëhere u dukej ngushtë – prandaj, sapo mundeshin, e linin ngrohtësinë e shtëpive dhe familjeve të tyre, dhe fillonin udhëtimet e rrezikshme, që i  transformuan në fuqinë dominuese në botë. Në misionin në Afrikën e Jugut kombëtarja e tre luanëve nuk pushton as Algjerinë... Dhe si lojtarët kërkonin shpengimin? Duke u ankuar me Capello-n, sepse ka lënë jashtë dhomave të tyre, zonjushat dhe zonjat që kultivojnë virtytet e larta kombëtare. 
Gjermanët, siç e dini, janë gjermanë. Kur makina punon siç parashikohet nga manuali, shtyp një skuadër si Australia. Mirëpo kur diçka nuk shkon siç duhet, si në rastin e Serbisë, e humbin toruan. 
Kurse ne italianët, këtë vit kemi pak talente dhe shumë vullnet të mirë, dhe jemi duke polemizuar para se të eliminohemi. Është e vërtetë se kemi pasur dy talente si, Cassano dhe Balotelli, dhe nuk kemi mundur t’i integrojmë në këtë projekt botërori. Ndoshta ata janë si Mikelanxhelo dhe Leonardo, por në këto ditë nuk mund t’ia lejonim vetes të linim në shtëpi edhe një si Del Piero, apo Pinturikio-n e futbollit siç e quante avokat Anjeli. 
Edhe pse Spanja ka luhatur, ndoshta për ndonjë kapriçio që nuk bën pjesë në traditën e saj, ajo ka uri për një kohë të gjatë, si Portugalia, për të kafshuar. 
Sidoqoftë gjithmonë duhet të largohemi nga klishetë, por nuk ka dyshim se në Afrikën e Jugut Europa po jep përshtypjen e një kontinenti të ndalur, ende i frikësuar e i preokupuar për të mos humbur atë që kanë në vend se për të pushtuar diçka të re. Lojtari i famshëm francez Zinedin Zidane e tha në opinion se ekipet e mëdha të kontinentit të vjetër kanë të gjithë të njëjtin problem: vlerat e ekipeve të botës janë niveluar dhe ne nuk jemi më konkurrues si më parë. Ai bënte një analizë futbollistike, por pa dashje ai shprehu edhe një të vërtetë të rëndësishme që shihet në të gjitha fushat: shoqëria globale nuk ka më durim, me ata që vënë këmbët në tokë dhe frenojnë, në vend që të vrapojnë, të testojnë eksperimente të reja, duke u vënë në lojë. I kthehen shpatullat dhe na lë prapa. 
Historiani i prestigjiozit amerikan “Yale University” Paul Kennedy, duke folur për problemet gjeopolitike në skenën ndërkombëtare, na tha një herë se ne jemi si një plakë e rënë, e detyruar për të shitur bizhutë e të kaluarës së lavdishme për të ecur para. 
Shpresojmë se jemi gabuar, natyrisht. Ne shpresojmë që të jemi gabuar, ndoshta duke filluar me një finale spektakolare e gjitha europiane në fund të Kupës së Botës.

Posted via email from Shkupi Press extra