Ilir Kalemaj Vendet e BRIK-ut (Brazil, Rusi, Indi dhe Kinë) kanë të paktën një dekadë që kanë rikonfiguruar botën unipolare pas Luftës së Ftohtë, duke i dhënë një ngjyrim shumëdimensional dhe për rrjedhojë duke nxitur edhe teza të drejtimit të marrëdhënieve ndërkombëtare në shekullin e 21-të. Së fundmi, një rol përherë dhe më aktiv po luan edhe Turqia, si dhe nuk duhet neglizhuar sjellja e Bashkimit Europian si një aktor unik politik në ato pak raste kur ia kanë dalë mbanë të flasin me një zë për probleme të ndryshme, kryesisht të aspektit normativ. Madje, bash për këtë, Evropa shpesh është etiketuar si “Venusi”, e cila shpërhap dhe promovon vlera nëpërmjet “fuqisë së butë” në ndërhyrjet e saj në vendet e treta, krahasuar për shembull me fuqinë bruto ushtarake amerikane, ruse apo kineze.
Analistë të ndryshëm të zhvillimeve ndërkombëtare nuk kanë një konsensus rreth trendeve globale, matjes së fuqisë specifike të shteteve apo aleancave të ndryshme, të cilat disa i etiketojnë si më të mundshme rreth civilizimeve, apo rreth një binomi të ri Kinë-Amerikë, apo rreth partnerëve tradicionalë BE-SHBA nga njëra anë dhe Rusi-Kinë nga ana tjetër. Të tjerë ndahen në diskutimin nëse fuqi të tilla si Brazili, India, Turqia, Izraeli, Japonia e me radhë janë shtete me një ndikim në rritje në sferën globale, apo thjesht fuqi rajonale me qendra të kufizuara interesi. Ende më e ngatërruar paraqitet gjendja me situatën kaotike brenda Bashkimit Europian, ku protagonizmi veçanërisht i tri shteteve kryesore të saj, Gjermani, Britani e Madhe dhe Francë në arenën ndërkombëtare dhe ndjekja shpesh e axhendave kombëtare në kurriz të atyre mbi-kombëtare, bëhen shkas për një kakofoni veprimesh dhe strategjish, që e bëjnë të pamundur daljen me një zë të vetëm për shumë çështje të karakterit global.
Por çfarë konkluzionesh paraprake mund të nxjerrim me një vështrim skematik të qëndrimit dhe veprimit të disa prej fuqive në ngritje, rolin dhe impaktin që mund të kenë në ridimensionimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe pasojat që rrjedhin prej tij? Cilat janë disa prej vendeve të ‘nivelit të dytë’ të gjendura mes statusit aktual si fuqi të padiskutueshme rajonale, por ende larg impaktit global që synojnë? Në këtë përmbledhje të shkurtër janë lënë jashtë vendet që gëzojnë konsensus të përgjithshëm si fuqi të mëdha: SH.B.A, Kinë dhe Rusi.
Japonia, një vend me peshë të konsiderueshme në Azinë e Largët dhe një nga ekonomitë më të fuqishme në botë, me krizat financiare të viteve të fundit, rritjen e paprecedentë të Kinës si fuqi e padiskutueshme në rajon dhe një krisje të lehtë në marrëdhëniet me amerikanët (kryesisht që lidhet me bazat amerikane të luftës së ftohtë), ka pësuar një zbythje jo të vogël nga ambiciet globale që ushtronte deri të paktën një dekadë më parë.
Brazili, një fuqi me rritje të shpejtë ekonomike, eksportuesi kryesor në Amerikën e Jugut dhe me një shtrirje të gjerë territoriale dhe popullsi të konsiderueshme, është kthyer gjithashtu në një zë përherë dhe më të dëgjueshëm në arenën ndërkombëtare, kjo dhe falë karizmës dhe energjisë së një presidenti ish-marksist i kthyer në reformator, i cili në fund të mandatit të dytë është edhe më popullor së ç‘qe në fillim. Brazili në mënyrë aktive ka qenë i përfshirë në të gjitha projeksionet e rikonfigurimit të fuqive botërore, duke përfshirë reformën në Këshillin e sigurimit të OKB-së ku së bashku me Gjermaninë, Indinë dhe Japoninë kanë paraqitur një plan për përfshirje me të drejtë vetoje, te pesha gjithnjë e më e rëndësishme brenda institucioneve financiarë botërore, si FMN dhe BB, ku së fundmi propozoi të kontribuonte krejt i vetëm serumin financiar për Greqinë në rast se plani i BE-së dështonte, deri tek akti i fundit për zgjidhjen e ngërçit me Iranin, ku si partner pati pikërisht Turqinë e Erdoganit në një planveprimi që përfshinte një shumë prej 10 miliardë euro.
India, si vendi me shumicën e firmave multinacionale, me një popullsi e dyta numerikisht pas Kinës, bilinguale, me një nga gjuhët zyrtare anglishten, dhe me një nga qendrat kryesore të informatikës sot në botë, në rajonin e Punjabit, në posedim të armëve bërthamore, është një nga vendet që vlen për t‘u marrë në konsideratë si një fuqi e padiskutueshme rajonale dhe me ambicie të qarta globale.
Turqia, si vend me ekonominë e pesëmbëdhjetë më të fuqishme në shkallë botërore, me një pozicion të favorshëm gjeostrategjik dhe lidhje të shumëfishta, mes të paktën tre civilizimeve (atij evropian, aziatik dhe arab), gjendet në kapërcyell jo vetëm të politikave ndërkombëtare që lidhen me Lindjen e Mesme, Europën dhe vendet arabe, por edhe të shndërrimeve identitare, të paktën sikundër këto reflektohen në sferën e jashtme. Zhvendosja e boshtit të politikës së jashtme të saj nga pozitat kemaliste, sekulariste, pro-europianiste dhe pro-amerikane drejt një miksti populist të kombinuar me islamin politik dhe të orientuar drejt një ringjallje të tezave otomaniste të dikurshme që përfshin sfera interesi, i bëjnë interesantë zhvillimet që priten dhe impaktin që do ketë në periudhën afat-mesme dhe afatgjatë. Refuzimi veçanërisht i Gjermanisë dhe Francës për të pasur diçka më tepër se një marrëveshje të privilegjuar me Turqinë dhe futja në ‘kalendat greke’ të integrimit europian të vendit, ka radikalizuar një pjesë të konsiderueshme të elektoratit, duke riorientuar kësisoj edhe busullën e politikës së jashtme turke. Kriza me BE-në është e qartë dhe e dukshme dhe nëse Turqisë nuk i jepet një ‘road map’, sikundër u shpreh së fundmi dhe sekretari amerikan i mbrojtjes Robert Gates, vendi ka për të rrëshqitur gjithnjë e me tepër drejt një perspektive anti-perëndimore. Në lidhje me SH.B.A-në një varg problemesh që lidhen kryesisht me qëndrimin ndaj Iranit, ndaj Izraelit dhe ndaj gjenocidit armen, janë për t`u marrë në konsideratë dhe trajtuar me vëmendjen e duhur.
Kalimi nga sistemi global bi-polar i luftës së ftohtë në atë unipolar amerikan në vitet 90-të, me status thuajse hegjemoni, një kombinim i ‘fuqisë së fortë’ me atë të ‘butë’ të ndihmuar nga filozofia neo-liberale, në një botë më ‘laramane’ me fuqi aspirante të dorës së parë, si Rusi apo Kinë dhe disa të tjera me ambicie gjithnjë e më globale pas sigurimit të hegjemonisë rajonale. Natyrshëm ky ridimensionim prek thuajse gjithë shtetet rreth e rrotull, pavarësisht madhësisë apo pozicionit specifik gjeografik, ku dhe rajoni ynë bën pjesë. Paqartësia e së ardhmes politike së BE-së, por edhe kriza financiare globale që ka çuar drejt nevojës për një konfigurim të ri të panoramës së mjegullt aktuale, natyrshëm të bëjnë të mendosh efektet dhe pasojat që një botë e diversifikuar me disa qendra fuqie dhe ku globalja ndërthuret epshëm me fuqitë rajonale. Në këtë mozaik dhe mbivendosje forcash dhe pushtetesh, është detyrë parësore e cilitdo shtet që të ketë një strategji të qartë afatgjatë për mbrojtjen e interesit kombëtar, e parë jo nga pikëpamja e ngushtë nacionaliste, por nga ajo e mbrojtjes të së drejtës për ekzistencë, e mirëqenies dhe zhvillimit. Disa nga kushtet kryesorë dhe imediatë që duhen mbajtur parasysh janë aleancat fluide në politikën e jashtme (nuk ka miq të përjetshëm, por interesa të përjetshme), klasë politike e unifikuar kur vjen puna për interesa kombëtarë (sikundër fqinjët tanë) dhe zhvillimi i strategjive ekonomike që sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm. Vetëm kështu mund të kthehemi në një aktor të qenësishëm dhe të faktorizohemi të paktën brendapërbrenda rajonit.
Home »
» Drejt një bote shumëpolare: pritshmëritë dhe pasojat





