Bekim Fehmiu, “rivrasje” pas vetëvrasjes

Thanas Mustaqi 

Kuvendi i Shqipërisë, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, mjetet e informacionit masiv në hapësirat shqipfolëse e kanë nderuar pas vdekjes Bekim Fehmiun, aktorin jugosllav-serb me origjinë shqiptare në një garë mediokre. Së pari, zia në Parlamentin Shqiptar është e pashembullt, pasi kanë ikur nga kjo jetë figura shumë më të mëdha të kulturës, artit, letërsisë, shkencës, albanologjisë me ndihmesa të mëdha për Shqipërinë e më gjerë dhe ky veprim nuk është bërë. Kjo gjë mban erë mediokritet që nga larg. Po kështu po ndodh me disa shkrues që janë më të mençur se ministri i Kulturës. 
Të lë shije të hidhur deri dhe një nga personalitetet me vlerë të Kosovës, si Nexhmedin Spahiu. Ai ka lëshuar një “mufkë” të tillë, që nuk i shkon përshtat postit të drejtorit të përgjithshëm të një radiotelevizioni, sado vendor apo i vogël qoftë. Në një miniaturë publicistike me titullin “Bekim Fehmiu, aktor serb dhe shqiptar i madh”, Spahiu shkruan ndër të tjera: “Si patriot shqiptar, bir i familjes patriotike shqiptare, ai u përpoq të ishte një aktor shqiptar, të luante rolin e Skënderbeut, por kjo iu besua një aktori rus”. 
Ky është kulmi i banalizimit, për fat të keq. Filmi “Skënderbeu” është xhiruar në vitin 1953, kur i ndjeri ishte vetëm 17 vjeç! Është bashkëprodhim sovjetik-shqiptar, ku rolin e Skënderbeut nuk e luan një rus, por një gjeorgjian: Akaki Horava (1895-1972), kur ky i fundit ishte 58 vjeç. Në këtë film kanë luajtur për herë të parë si artistë kinemaje dhe aktorët shqiptarë të teatrit si Besa Imami, Adivie Alibali, Naim Frashëri, Marie Logoreci, Mihal Popi në role kryesore etj. 
Të ashtuquajturin atdhetarizëm, që mëton të shpallë Spahiu nuk mund ta bësh me padituri. Edhe më keq, kur këtë padituri e shpërndan me mjete informimi masiv. Është ndihmesë në përçarje kombëtare, e kundërta e atdhetarizmit të menduar. Madje, kjo lloj “atdhetarie” është fyerje pas vdekjes për aktorin me emër ndërkombëtar. Është punë e Tadiçit që u përul para kujtimit të një aktori me ndihmesa të mëdha në kinematografinë serbe. Por është e tepërt të kërkosh një minutë heshtje nga Kuvendi i Kosovës. Aq më keq që këtë e bëri Kuvendi i Shqipërisë, një lloj shtirje e shpifur. Në Shqipëri kanë ikur nga kjo botë figura të mëdha të letërsisë, teatrit, kinematografisë, arteve pamore, muzikës, shkencës, albanologjisë, sportit dhe Kuvendi nuk ka mbajtur zi.  
Nuk ka pse i vlerësojmë aktorit Bekim Fehmiu bëmat atdhetare të të parëve të tij. Por ne t’i njohim dy merita, që janë bërë publike: ruajtjen e nyjës shquese në llagap dhe tërheqjen nga skena serbe, për shkak të keqtrajtimit të shqiptarëve. Për të tjerat ai është thjesht një aktor me emër ndërkombëtar, për të cilin bëhen lajme apo shkrime të zgjeruara. Pasi jo vetëm Spahiu, por edhe gazetarë apo ndonjë mik i të ndjerit po rreken të na mbushin mendjen se në Kosovë e kanë luftuar kolegët e tij “mediokër”, që i hëngrën kokën. Gati-gati, shkaku i vetëvrasjes së tij është intoleranca e “mediokërve” të Prishtinës! Citati i një teksti në vargje i Ismail Kadaresë për rastin Majakovski (“Ti ishe i madh po ne ta hëngrëm kokën”), nuk shkon fare, sikurse bën poeti i nderuar Agim Vinca. Kjo është e tepërt! Dashje, pa dashje, shërbim më të mirë propagandës antishqiptare serbe nuk mund t’i bëhet. Kosova mund të mburret me artistët dhe regjisorët e saj si për nivelin, ashtu edhe për qëndrimin qytetar, atdhetar. Nëse Fehmiu ka pasur fërkime me qarqe artistike të Kosovës, kjo është normale në mjedise krijuese. Që ka zili, xhelozi, luftë bërrylash dhe kjo dihet. Por me thashetheme, pa i ditur gjërat nga afër, nuk mund të flitet. I ndjeri nuk ka përmendur gjëra të tilla publikisht. 
Kur erdhi në Shqipëri, në vitin 1972, është pritur me nderime. Thuhet se në Tiranë ka shprehur ëndrrën për të interpretuar rolin e Skënderbeut. Ëndërr domethënëse dhe e ligjshme. Por del sikur regjisorët dhe Kinostudioja e vendit amë kanë ngurruar t’ia japin atij rolin dhe për këtë gjë, në vitet 1970, paskan zgjedhur një aktor rus apo ukrainas. Dhe ky është shkaku i vërtetë i vetëvrasjes së aktorit me emër ndërkombëtar. Projekte për filma kushtuar Skënderbeut, dihet, kërkojnë regjisorë të mëdhenj, shpenzime kolosale por që janë fitimprurëse. Vetëm Hollivudi, Mosfilmi, Çineçita etj. mund t’i realizojnë. Amerikani i Hollivudit, Zack Snyder, kineasti (regjisor, skenarist dhe aktor) i filmave kolosalë me buxhete deri 130 milionë dollarë, nuk ka gjetur dot financime për Skënderbeun. Merret me mend ç’mund të bëjë regjisori i reklamave, labi amerikan Stan Dragoti. Para 5 vjetësh regjisori italian Roberto de Feo shpalli një projekt për heroin kombëtar të shqiptarëve. Deri tani asgjë... 
Vërtet, për të ardhur keq kur përlyejnë penat njerëz jo pa mend. Ndoshta, për të fituar pikë për vete, mundohen të shpikin ngjarje. Një lloj “vrasjeje” pas vetëvrasjes së Fehmiut. Po të perifrazojmë Vinca-Kadarenë, shkrues të tillë, me qëndrim tejet mediokër e që nuk i nderon, mund të themi se i “hëngrën kokën” Bekim Fehmiut post-mortum. Ajme!

Posted via email from Shkupi Press extra