Afëri dhe afrime midis jetëve dhe letrave

Faruk Myrtaj

Kur Fraser Sutherland na ftoi për Krishtlindjet e mbrame, nuk ekzistonte as edhe një shkak i vetëm të prisnim që, pas më pak se dy ditësh, të ishte po ai (poeti dhe prozatori kanadez Fraser Sutherland, që miqësisht e thërras Frashër, thjesht për afëri shkronjore me vëllezërit poetë dhe filozofë frashërllijë) të na njoftonte sërish, kësaj radhe për një lajm skajshmërisht të rëndë...
Shkuam dhe iu gëzuam oborrit të pasmë të shtëpisë së tij të thjeshtë thuajse veç librore, sjelljes pa teklif të bashkëshortes së tij mes një grupi miqsh të familjes që “mbase asgjë tjetër të përbashkët s’kishim”, dhe natyrisht dlirshmërisë së djalit të tyre universitar, Malcolm. 25 vjeçari Malcolm studionte për afërsitë dhe afrimet mes religjioneve, dhe sillej me ne të ftuarit –të të gjithë zejeve, profesioneve, racave e kulturave- si me ca shpirtra që ishin aty për pak orë dhe pastaj kush e di në cilat udhë do t’i kërkonte përballimi i jetëve që kishin zgjedhur.
Dy ditë më pas, ishim të lutur të besonim se Malcolm nuk jetonte më. Mëngjezin tjetër kishin shkuar ta zgjuanin, në shtratin e tij, pa arritur dot...
Kësaj radhe shkuam në kishë, ku Lamtumira për Malcolm, njëherësh me dhimbjen për humbjen e pamatshme, gjente rast të sillte në kujtesën e pjesëmarrësve detaje dhe momente të mëhershme nga jeta e tij.
Përmendja e tyre “sikur…” e lehtësonte ndarjen që, edhe ajo, e përkohshme është.
Shtatë-tetë muaj të tjerë më pas, është sërish Fraser, që na ftoi në promovimin e një libri me poezi, titulluar “The philosophy Of As If”. A thua si vazhdim të zbulimit të “afërsive dhe afrimeve midis jetëve dhe përtej-jetëve” të të birit...
Ose si shembëllim tjetër i filozofisë” së një dhimbjeje tjetër, në anën tjetër të oqeanit njerëzor, se për jetën mund të shkruhet sidomos pas vdekjeve...
Në faqen e parë të librit, si kushtim, lexojmë:
Do të dëshiroja një mendje tjetër, një trup tjetër dhe një tjetër jetë.
Mos është ca si shumë kjo që kërkoj?
Fraser Sutherland, nuk e zë n’goje të birin. As jetën as pas-jetën e tij. Ai thjesht luan fjalësh me “sikur-e”. Prej nga ka zgjedhur edhe titullin e librit: “The Philosophy Of As If”. Por, me dy fjalë, ç’është filosofia e “sikur…”
…mbështet përshtatjen e një këndvështrimi me “…sikur” ndaj njohurive, fakteve, të kuptuarit dhe vetëdijes. Kështu njerëzit inkurajohen të testojnë apo përshkojnë konstrukte të ndryshme të ngjarjeve meprirjen për t’i parë se ç’mund të ndodhë nëse ata veprojnë “sikur” këto konstrukte janë siç marrin përsipër t’I shohin ata. “Sikur…” plotëson nocionin inspirues të alternativizmit konstruktiv, që bazohet në idenë se ka një infinit mënyrash e rrugësh për të ndërtuar jetën dhe botën.
Tërë ç’ka njerëzit është mirë të dijnë në këtë sipërmarrje letake, është të relaksojnë konstruktet e diçkaje, t’i gëzohen mundësisë së një konstrukti apo forme tjetër, dhe më tej testimin e këtyre varianteve sikur ato të jenë trajta të tjera të vërteta.
Nëse këto alternativa nuk provohen dot të dobishme (por, edhe nëse po, testohen si thjesht eksperimente), ndokush mund të vazhdojë të formulojë variante të tjera konstruktesh të të njëjta ngjarjeve dhe veprimeve me “sikur…” në vend të mëparshmeve. Duke inkurajuar këtë mënyrë lojacake të eksplorimit, orvajtja bëhet një eksperiment që njerëzit e përdorin si verfikim të ndërtimit dhe qëndresës së hipotezave të veta. 


Tri poezi nga Libri: Malcolm

Pothuaj Në  Shtëpi

Përtej portës së pasme së  shtëpisë
diku në oborrin aty mbajti këmbët,
a thua ngrirë në borë,
duke sfiduar të ftohtët
si një dhelpër majë kodre,
a si një qen gjahu në përgjim,
Në qendër të qetësisë
Së një tjetër bote.
Ç’vallë nuhat në të ftohtin e skajshëm?
Ç’zëra vijnë prej së largu?
Joshja e viktimës? Troku i thundrave të kuajve të parajsës?
Përgjues mbeti,
Për minuta të tëra.
Çfardo t’i jetë endè aty rrotull,
çfardo t’i jetë shfaqur atë ditë.
Ai iu dha, u dorëzua...
Por atë ditë u kthye çaprëndë për drekën,
duke lënë për më vonë ç’ka do të ndodhte.

E gjelbër deti

Një grua vuri re tek unë sytë e gjelbër
Unë pata menduar se ishin në  blu të zëntë
Paskësaj duhet të mësohem me këtë, të pranojë,
xhelozinë, zilinë, dhe të qenit naiv,
shkatërruar nën sipërfaqen e ujit
premtimin e trazuar të një  qielli të rrënuar.
Një det pas stuhie
nxjerrë në breg një  djalosh i cili,
për shkak të së ardhmes që i kanë ofruar,
del prej meje dhe largohet.

Grusht

Atë ditë në trotuar
Një i panjohur më goditi në fytyrë
S’e mora vesh kurrë përse…
Nuk isha duke folur në cellular
por mbase ishte thjesht një gjest simpatie
ose urrejtje ndaj universit,
ose nuk pëlqente dukjen time,
ose ishte ngritur me humor të keq nga shtrati
ose s’kishte shtrat fare, njeriu i shkretë
Ose urrejtje krejt të paklasifikueshme…
Edhe vetë kisha menduar të goditja ndonjë të panjohur,
Por kurrë s’munda të gjeja ndonjë shkak.
Asnjë i panjohur s’më ka goditur
Dhe ngjarja më sipër s’ka ndodhur.

Përktheu e përgatiti : Faruk Myrtaj