PAUL KENNEDY 70 vjet më parë, në mbrëmjen e 10 majit 1940, një politikan shumë i diskutuar britanik hyri në Buckingham Palace për një dëgjesë me mbretin George VI. Mbreti i kërkoi të bëhej kryeministër dhe të krijonte një qeveri. Më pas, politikani u largua të kryente detyrën. Ai quhej Uinston Churchill. Sot e kësaj dite, ai ndryshim udhëheqjeje - me të butin Chamberlain që largohej nga skena - shihet si vendimtar. Dekada e pandershme e viteve '30 kish ikur; tani kishte "gjak, djersë, mund dhe lotë" - dhe më vonë, një fitore e luftuar shumë. Nëse kish diçka që vërtetonte argumentin e Thomas Carlyle për rëndësinë e Njeriut të Madh në histori, kjo ishte. Ka patur gjithashtu edhe prova jo të pakta bashkëkohore për këtë teori të përqendruar tek udhëheqësi, në formën e Adolf Hitlerit (i cili e adhuronte Carlyle dhe ishte duke e lexuar në bunkerin e tij në prill 1945), Stalinit dhe Rooseveltit. Nuk ka as arsye që të vëmë në dyshim faktin që ngjitja në pushtet e Churchillit i ndryshoi vërtetë gjërat. Ai bashkoi kombin britanik, duke afruar në Kabinetin e tij të Luftës, si liberalë ashtu edhe laburistë, duke e bërë Clement Attlee, liderin e partisë laburiste, zëvendëskryeministrin e tij, duke bashkuar strukturat e ndara të komandës, si dhe duke marrë pushtet shumë të madh ekzekutiv. Churchilli solli me vete talentin e jashtëzakonshëm që kishte për retorikë dhe gjuhë. Siç ka vërejtur më shumë se një vëzhgues, kryeministri i ri mobilizoi gjuhën angleze dhe e nisi një betejë. Vizitat e tij në shtëpitë e bombarduara në lindje të Londrës, vizitat e befasishme tek trupat në Egjipt, interesi i tij i jashtëzakonshëm për armët e reja, format e reja të luftimit - çdo gjë, çdo gjë për të rrëzuar Hitlerin - i dhanë energji kombit britanik si dhe shumë kombeve të tjerë të vegjël. Nuk është habi që shpesh ai zë vendin e parë në sondazhe si figura më e rëndësishme e shekullit XX. Ishte një njeri që vuri vulën e tij në çështjet botërore. E megjithatë, a ishte ai - apo edhe çdo njeri tjetër i madh - vërtetë aq vendimtar në ndryshimin e çështjeve botërore? Në fund të fundit, çfarë e ndryshon kursin e historisë? Interesant është fakti që sfidën më të rëndësishme teorisë së liderit të madh Carlyles, ia ka bërë ai emigranti, anti-idealisti, filozofi, historiani, ekonomisti politik Karl Marx. Në paragrafët që hapin një nga librat e tij, ai shkruan: "Njerëzit e bëjnë vetë historinë e tyre, por nuk e bëjnë ashtu si duan; nuk e bëjnë në rrethana që i zgjedhin vetë, por në rrethana që ekzistojnë tashmë, të qena dhe të transmetuara nga e shkuara". Çfarë fjalie, që na kujton se si edhe njerëzit më të fuqishëm janë të kufizuar nga hapësira dhe koha, nga gjeografia dhe historia. Kështu ishte edhe për Churchillin. Pavarësisht gjithë fuqive që pati, ai nuk mund të ndalte Blitzkriegun nazist që të përfshinte të gjithë Evropën. Nuk mund të pengonte japonezët që të pushtonin një pjesë të madhe të perandorisë britanike në Lindjen e Largme (vetëm amerikanët mund ta përmbysnin situatën atje). Ai nuk mund të ndalte ushtrinë e kuqe që të gëlltiste Evropën Lindore. Dhe ai nuk mund të ndalte rënien e perandorisë së tij të dashur britanike. Shkurt, arritjet e Churchillit ishin të jashtëzakonshme; por ai nuk mund të ndalte dallgët më të mëdha të historisë dhe ai duhej të bënte politikat e tij brenda limiteve që kishte trashëguar. Deri në vitet '40, kishte forca të thella në veprim - forca si ngjitja e Azisë dhe tkurrja relative e Evropës - që kishin nisur të ndryshonin panoramën gjeopolitike të planetit dhe që po avancojnë edhe sot e kësaj dite. Mrekullia qëndron në faktin që Churchilli dhe shteti i tij i vogël ishull arritën aq shumë dhe aq gjatë. A është kjo pikë praktike, mbi kufizimet natyrore të çdo udhëheqësi dhe qeverie, e pavërtetë për ndonjë nga njerëzit tanë të mëdhenj të historisë? Mendoni pak kryekandidatët e shekullit që kaloi. Hitleri çau rrugën nëpër Evropë; por kur ai shkoi në luftë kundër Bashkimit Sovjetik dhe SHBA në 1941 - ndërkohë që vazhdonte të luftonte perandorinë britanike - Rajhu i tij një mijë vjeçar u gjunjëzua. Stalini i mbijetoi sulmeve të Vermahtit, jo përmes gjenisë së tij patologjike, por sepse ushtritë e tij kishin armët më të mira antitanke në botë. Vite më vonë, Kennedy dhe Johnson humbën në Vietnam, për arsye se luftimi i ushtrive guerilase në xhunglat e dendura ishte i pashpresë dhe, në një këndvështrim më të gjerë, Perëndimi po tërhiqej nga Azia. Çfarë do të thotë kjo për politikën kombëtare dhe ndërkombëtare sot? Për mua, do të thotë që duhet të heqim dorë nga obsesioni ynë patetik me personalitetet politikë dhe të tallim sensacionalizmin e talk-shoë-ve duke e parë si atë që është: një fyerje për inteligjencën tonë. Sigurisht, media ka detyrën të raportojë me saktësi, por duhet që edhe të vendosë gjërat në kontekst. A paralajmëron koalicioni konservator-liberal demokrat i Britanisë një epokë të re në historinë e gjatë britanike? Dyshime ka, përderisa ata vetë duhet të merren me deficitet masive, forcat e tendosura të ushtrisë, problemin e imigrimit si dhe marrëdhënien me Evropën. A ka ndonjë dallim roli i Putinit në Rusi? Çfarë mund të bëjë qeveria e tij autoritariste për të ndryshuar alkoolizmin në masë, shpërbërjen demografike, pëshpërimat e minoriteteve dhe paaftësitë e një rendi social aspak stimulues? Konkluzione të tillë na çojnë logjikisht tek disa mendime për administratën Obama. Politikat e tij kanë qenë, në thelb, politika të kontrollit të dëmit. Si mund të kishte qenë ndryshe? Obama e mori detyrën kur sistemi bankar i SHBA dhe rendi financiar ndërkombëtar ishin në prag kolapsi. Ai trashëgoi një luftë të pamundur për t'u fituar në Hindu Kush dhe ende nuk ka gjetur si ta drejtojë. Administrata e tij ka trashëguar fatkeqësi mjedisore. Ai qeveris një vend, struktura sociale e të cilit, sidomos në shumë qytete të mëdhenj, është e dëmtuar keq. Administrata e tij, si dhe të gjithë ata që panë fushatën e jashtëzakonshme elektorale të Obamës, hynë në këtë fushë politike dhe ekonomike plot probleme mes pritshmërive të mëdha dhe premtimeve të ekzagjeruara. Kompetencat e presidentit dhe kongresit janë shumë të mëdha, dhe shumë gjëra ka për të bërë për të përmirësuar çështjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Por, të gjitha këto kompetenca janë brenda limiteve dhe për këtë udhëheqësit e shteteve duhet të jenë modestë. E thamë, njerëzit bëjnë histori në rrethana që tashmë ekzistojnë. Paul Kennedy është profesor i historisë dhe drejtor i Studimeve Ndërkombëtare për Historinë në Universitetin e Yale, si dhe autor i "Ngjitja dhe Rënia e Fuqive të Mëdha"
Home »
» A bëjnë udhëheqësit histori?





