Lëvizja kulturore/ “Hylli i Dritës”, revista atdhetare, politike e kulturore, është revista e parë e botuar brenda territorit të Shqipërisë
Hylli i Dritës” - fazat e veprimtarisë
“Hylli i Dritës”, revista atdhetare, politike e kulturore, është revista e parë e botuar brenda territorit të Shqipërisë. Kjo revistë mblodhi rreth vetes elitën “e uritur” shqiptare për të shpërthyer me sfera të ndryshme të dijes. Që në fillime, atë e mbërthyen intelektualë shqiptarë të krishterë, por edhe të tjerë, për t’u bërë ngadalë një tribunë shqiptare në plot kuptimin e fjalës.
“Hylli i Dritës”, organ i Provincës Françeskane Shqiptare, nisi të dilte në vitin 1913 dhe pati për drejtor autoritetin më të madh të kohës, At Gjergj Fishtën. Kjo revistë, me përmasa tribune, bashkoi rreth programit të vet kombëtar e kulturor, shkrimtarë, gjuhëtarë, etnologë, njerëz të fesë dhe njerëz të veprimit kombëtar. Revista në vitet që doli, pasqyroi pjesën më të madhe të jetës letrare, kulturore e kombëtare shqiptare.
Sipas Willy Kamsit, veprimtaria e “Hyllit të Dritës” para diktaturës komuniste mund të ndahet në tri periudha të shkurtra, por disi të ndryshme:
1. Periudha e parë, 1913 - 1914, që konsiderohet periudhë hyrëse, sprovuese, meqë është hera e parë që në Shqipëri del një revistë e shkallës së tillë intelektuale. “Diskutohet aftësia e shqiptarëve për me organizue shtetin e vet mbas pesë shekujsh pushtimi të huej, dhe marrëdhaniet në mes lirisë e klerit katolik, në mes kombësisë e fesë e kaq probleme të tjera të cilat, në mënyrën se si trajtohen, kanë qellimin kryesor që me nisë, moralisht e në mënyrë vepruese, nji mënyrë të ré për me kuptue marrëdhaniet në mes individit e shtetit, në mes shoqnisë e shtetit. Nuk mungojnë as shkrimet me sfond historik, kulturor e në disa rasa gjuhësor, tue i vû nji thekës nevojës që, me vend, gjuha shqipe të përfshihet me të drejtë të plotë në disa shkolla në të cilat trajtohej si gjuhë e kategorisë së dytë, dhe shì kur tashma ishte shpallë pavarësia e Shqipnisë.” (Kamsi)
2. Periudha e dytë, 1921 - 1924, që ishte periudha më e gjallë, më e pasur e kësaj reviste. Kjo është faza kur shoqëria shqiptare po konsolidonte demokracinë dhe po ndërtonte jetën institucionale, po arsimohej e po jepte prova të vërteta kulturore.
3. Periudha e tretë, 1930 – 1944, “pau përhapjen dhe imponimin e mendimit katolik në fushën e kulturës, tue e çue “Hyllin” në nji nivel të tillë sa me pasë pëlqimin e çmimin e rretheve shkencore e kulturore jo vetëm kombtare por edhe ndërkombtare; pau nji përparim që prirej te përballimi dhe zgjidhja e anëve pak të njohuna ose të panjohuna të historisë, të letërsisë, të gjuhës, t’etnografisë e të folklorit shqiptar. Âsht paraqitja bâ lexuesve, e kryesisht studjuesve, i të gjitha atyne që mund të qiteshin në pah e që mund t’i nënshtroheshin nji diskutimi. Jo më kot ndër bashkëpuntorët e tij mbahen me të tjerë emna në shêj si prof. Norbert Jokl, Georg Stadtmüller e të tjerë si këta”. (Kamsi)
Është e ditur që puna e kësaj reviste, si pjesa më e madhe e veprimtarisë së françeskanëve shqiptarë, u ndërpre në vitin 1944. Programi kulturor e kombëtar i “Hyllit të Dritës” ishte në kundërshtim të plotë me pushtetin e ri që u vendos në Shqipëri nga komunistët. Pas disa dekadave, më 1993, françeskani i madh At Zef Pllumi, rinisi botimin e revistës, pra edhe një fazë të re të saj, që zgjati deri në verë 1997, kur u sërish u ndërpre. Më 2006, “Hylli i Dritës” u rikthye edhe një herë, edhe tash si organ i Provincës Françeskane Shqiptare, por si tribunë e vërtetë e intelektualëve shqiptarë.
Tribuna shqiptare
Lënda që solli “Hylli i Dritës” gjatë dekadave sa doli, është e fushës së kulturës e të historisë kombëtare, fesë letërsisë, kritikës letrare etj. Kjo gjerësi e lëndës së saj dhe emrat e autorëve, nga më të njohurit, që botuan në faqet e kësaj reviste, e bëjnë “Hyllin e Dritës”, siç është quajtur jo një herë, një tribunë të vërtetë shqiptare. Aty botuan: Gjergj Fishta, Faik Konica, Eqrem Çabej, Bernardin Palaj, Anton Harapi, Marin Sirdani, Luigj Gurakuqi, Mustafa Kruja, Benedikt Dema, Ernest Koliqi e shumë të tjerë. “Hylli i Dritës”, pas veprave letrare të autorëve françeskanë, shkollave që hapen e mbajtën ata, është një kryevepër e qarkut françeskan, por edhe e kulturës shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX. Tematikisht, kultura e “Hyllit të Dritës” shtresohet në radhë të parë si kërkim, zbulim dhe dokumentim i përkatësisë kulturore perëndimore të popullit shqiptar. Kjo bëhet duke gjurmuar e botuar dokumente të ndryshme, shumë të rëndësishme, nëpër arkiva, sidomos në arkivat italiane e më së shumti në Arkivin e Vatikanit. Pas kësaj, “Hylli i Dritës” kujton e boton autorë të njohur e më pak të njohur arbëreshë, duke bërë kështu që kultura kombëtare shqiptare e bashkë me të edhe historia të plotësohen edhe me një pjesë shumë të rëndësishme. Në faqet e “Hyllit të Dritës” janë botuar studime të rëndësishme letrare e kulturore, siç është “Për gjenezën e literaturës shqipe” e prof. Eqrem Çabejt, pastaj “Fjalori toponomastik” i Dom Nikollë Gazullit, “Gjurmime të nji moji në Romë” e “Dorëshkrime të Bibliotekës Nacionale të Parisit” të prof. Filip Fishtës etj. Një faqe shumë e rëndësishme e kësaj reviste janë botimet letrare e studimet për letërsinë. Në artikuj e studime të tëra u trajtuan probleme teorike të letërsisë e të kritikës letrare. Po ashtu “Hylli i Dritës” në rubrika të veçanta shënonte publikime e reja brenda e jashtë Shqipërisë. Punimet e botuara te kjo revistë janë të rëndësishme për gjithë historinë e mendimit shqiptar për letërsinë. Në grupin e autorëve që kanë botuar tekste kritike e teorike te kjo revistë janë edhe: Fishta, Çabej, Sirdani, Prela, Justin Rrota, Filip Fishta etj. Edhe në këtë dimension “Hylli i Dritës” ndihmoi trashëgiminë letrare e kulturore shqiptare. “Hylli i Dritës” u themelua dhe doli në një epokë të rëndësishme të kulturës shqiptare. Me autorët më të mirë të vendit e ndihmoi këtë epokë të arrinte majat. Edhe pse u ndalua gjatë regjimit komunist në Shqipëri dhe qarkulloi fare pak në Kosovë, ajo gëzon reputacion të madh ndër studiues e dashamirës të kulturës. Njëherësh u bë model për revistat e tjera letrare të asaj kohe. Të theksojmë edhe një herë ndihmesën e veçantë dhe tepër të rëndësishme të kësaj reviste për të themeluar një letërsi shqiptare origjinale, me pikënisje letërsinë dhe kulturën popullore shqiptare. “Hylli i Dritës” u bë kështu zë i autorëve, por edhe i kulturës autentike shqiptare. E këtillë vjen kjo revistë edhe sot te ne, ndër brezat e rinj.
“Hylli i Dritës” në koleksionet e veçanta të BKUK-së
Sektori i Koleksioneve të Veçanta i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës është ndër më të rëndësishmit, sepse aty ruhen materiale origjinale, dorëshkrime dhe publikime. Vlera e tyre është shumë e madhe dhe në çdo bibliotekë të botës koleksionet e tilla kanë tretman të veçantë. Koleksioni i BKUK-së kryesisht është në shërbim të studiuesve të historisë, të hartografisë në veçanti, të kulturës e të letërsisë shqipe etj. Koleksionet e veçanta janë kujtesa e veçantë e kësaj biblioteke. Në koleksionet e veçanta të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës ndodhen edhe koleksione të “Hyllit të Dritës” të disa viteve. Këto koleksione janë me disa mungesa dhe nisin nga viti 1921. Edhe pse numrat që posedon BKUK-ja janë të rëndësisë së veçantë, koleksioni i plotë është i domosdoshëm për të plotësuar trashëgiminë e kësaj reviste, por edhe kërkesat e lexuesve të interesuar e të studiuesve të kulturës, letërsisë e të publicistikës shqiptare. Në vijim do të sjellim të dhëna për numrat e “Hyllit të Dritës” që zotëron BKUK-ja. Viti 1921 - 8 numra; Vitit 1922 - 12 numra; Viti 1923 - 12 numra; Viti 1930 - 11 numra, mungon numri 5; Viti 1931 - vetëm numri 11 gjendet në fond; Viti 1932 - 12 numra; Viti 1933 - 12 numra; Viti 1934 - 12 numra; Viti 1935 - 12 numra; Viti 1936 - 12 numra; Viti 1937 - 12 numra; Viti 1938 - 12 numra; Viti 1939 - 12 numra; Viti 1940 - 12 numra; Viti 1941 - 1 numër; Viti 1943 - shtator/dhjetor; Viti 1944 - 1-3 dhe 9-12.
(Autorja është bibliografe në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës)
Janë konsultuar
- Benedikt Dema: Hylli i Dritës. Diftojsi i gjithmbarshëm i pesëmbedhete vjetëvet të para, Shtypshkroja Françeskane, Shkodër, 1940
- Ibrahim Rugova: Kahe dhe premise të kritikës letrare shqiptare 1504 - 1983, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1986
- Ernest Koliqi: Estetikë dhe kritikë, Apollonia, Tiranë, 1999
- Kastriot Marku: Kritika dhe studimet letrare shqiptare në revistën Hylli i Dritës (1913 - 1944), Camaj-Pipa, Shkodër, 2000
- Sabri Hamiti: Vepra letrare 8, Faik Konica, Prishtinë, 2002
- Willy Kamsi: Hylli i Dritës 1913 - 1944. Bibliografí kronologjike, Botime Françeskane, Shkodër 2008
- Studime albanologjike, Fakulteti i Filologjisë dhe i Historisë, nr. 2, Tiranë, 2008






