Shaban Sinani - Orhan Pamuk shkrimtari i kodit te identitetit





Ndihem i privilegjuar, po aq dhe në përgjegjësi, të them pak fjalë për shkrimtarin nobelist Orhan Pamuk, profesor i letërsisë së krahasuar në Columbia University, i cili, prej ditës së sotme, duke pasur mirësinë të pranojë titullin doctor honoris causa, që po i jepet me vendim të autoriteteve shkencore të Rektoratit të Universitetit të Tiranës, do t’i bëjë nder me emrin e tij profesoratit dhe studentëve të tyre, si dhe botës akademike-universitare shqiptare në përgjithësi.
Lexuesi dhe dija shqiptare e ka njohur vonë shkrimtarin Orhan Pamuk. E njohëm pasi ishte bërë fenomen europian, atlantik, botëror. Kjo gjë që ka ndodhur jo rrallë me mënyrën si ka komunikuar letërsia shqipe me letërsitë e popujve të rajonit. Pavarësisht nga kjo vonesë relative, brenda dy-tri vjetësh letërsia e Orhan Pamuk është bërë pjesë e jetës shpirtërore të shqiptarëve. Tashmë janë në gjuhën tonë veprat më të rëndësishme të tij: “Unë jam e kuqja” (2006), “Bora” (2007), “Baulja e babait” (2007), “Kështjella e bardhë” (2008), “Shtëpia e heshtjes” (2008), “Jeta e re” (2009). Ai i bëri vend shumë shpejt vetes në këtë mjedis të ri.
Tradita duhet prishur e shmangur nëse kthehet në imponim. Ky është një përfundim i rrezikshëm, në të cilin të çon leximi i veprës së shkrimtarit Orhan Pamuk. Shenjtërimi për parim i traditës mund të bëhet një mallkim për të ardhmen e një letërsie dhe kulture; është kthim në robëri dhe shterrje krijuese. Orhan Pamuk është një shkrimtar që pati fuqinë krijuese të ndryshimit të traditës, të ikjes prej saj, të shmangies nga rruga e mëpërparshme. Ai i vlerësoi të padenja shqetësimet e gatshme të letërsisë që gjeti; të pakryera mjetet e të shprehurit të letërsisë; të pa të ardhme tematikën dhe problematikën e saj. Me letërsinë e tij theu shumë korniza tradicionale, duke shkelur në zonë të ndaluar. Si një dyshimtar i madh ai guxoi ta shohë ndryshe historinë e sulltanëve, lavdinë e supershtetit osman; kohën e lulëzimit të perandorisë; të vërtetën e së shkuarës së popullit, vendit dhe shtetit të vet.
Orhan Pamuk ktheu në letërsinë e re turke, që e promovoi si letërsi europiane, disa argumente që sipas një mendimi gjerësisht të pranuar, duhej të heshteshin. Nuk është fjala vetëm për prekjen e Lindjes me Perëndimin, ndërthurjen kushtëzuese të dy qytetërimeve, kulturave dhe besimeve. Në Ballkan kjo ka ndodhur shpesh, jo vetëm në letërsi. Midis kryqit dhe gjysmë-hënës, midis mitit të Europës dhe ekzotikës së Orientit - janë sintagma të mirënjohura të cilësimit të Ballkaneve prej letërsisë dhe dijes perëndimore. Orhan Pamuk preku të fshehtën e këtij kushtëzimi historik, duke marrë shkas nga forma më e kodifikuar e artit mesjetar: miniatura. Në romanin e tij “Unë jam e kuqja” karakteret vijnë prej ateliesë më të hershme të kulturës së shkruar të njerëzimit. Ata janë miniaturistë, mjeshtra të të njëjtit urdhër si scribe-t, shkruesit e Shkrimeve, dhe detyra e tyre është të përgatisin një dorëshkrim, që sulltani perandor e khalif do t’ia dhurojë parësisë së republikës së Shën Markut. Në terminologjinë e historisë së shkrimeve këto vepra quhen kodikë dhe Kostandinopoja ka qenë kryeqendër e shkrimit të kodikëve. Në atelienë e kësaj kulture të shkrimeve të kodifikuara, që nis qysh në shekullin e katërt para Krishtit, me shkollën aleksandrine; pikërisht në kohën kur Perëndimi i krishterë dhe Lindja islamike; bashkë me tri perandoritë më të mëdha që u dilnin për zot librave të shenjtë; i kërcënoheshin njëri-tjetrit me kryqëzata dhe shfarosje, ndodh e pabesueshmja: në kodin e artit më të kanonizuar, në kodin e miniaturës së ngurtë lindore, të mbështetur mbi motivin gjeometrik e floreal dhe sidomos mbi kaligrafinë, mbi stilizimin e shkrimit apo arabeskat e njohura, shfaqet prania e një kodi krejt tjetër, të miniaturës perëndimore. Për të thënë një të vërtetë më vështirë: ndikimi i Perëndimit shfaqet tamam në atë art që Lindja e kishte lidhur fort qysh në burim me kaligrafinë e ajeteve të Kur’an-it.
Ky ekumenizëm, që ka sunduar artin e madh qëkurse ka lindur dhe që shkatërron kanonet e krijon botëroren, është zbulimi i Orhan Pamuk në veprën e tij. Ky zbulim është për të rënë në mendime jo vetëm njerëzit e letrave, por edhe historianët e perandorive e të besimeve, historianët e artit, antropologët. Në Shqipëri kjo shfaqje ekumenizmi ka ndodhur shumë shpesh. Janë ruajtur deri sot një kategori dorëshkrimesh ku miniaturisti vendës e ka zbukuruar kodikun e kishës bizantine me veshje të klerikëve romanë; ka të tjerë ku meshtari ortodoks ka përkthyer si libër virtyti për pasuesit e vet veprën e një autori fiorentin apo të ndonjë shkolle tjetër. Mbi kultin e Shën Spiridonit është ndërtuar besimi në Sari Salltëkun, teqeja e njërit është një kat përmbi manastirit të tjetrit. Fan Noli na njofton se në mesjetë në Arbëri priftërinjtë ortodoksë asistoheshin në liturgji prej murgjish domenikanë.
Orhan Pamuk nuk është një shkrimtar që të ketë treguar ndonjë zell të përveçëm për çështje të politikës së sotme. Megjithatë, jeta e tij ka kaluar nëpër telashe të mëdha politike. Kjo ka ardhur pikërisht nga sjellja ndryshe me historinë dhe me realitetin. Pranimi i ndikimit kushtëzues kulturor të tjetrit, sidomos të kundërshtarit, është një mënyrë për ta çfanatizuar historinë, për ta çmilitarizuar kuptimin e saj. Ndërsa shpata e komandantëve përçonte tmerrin e një perandorie të shtrirë në tre kontinente dhe sunduese në mbi 80 kombe e popuj, artisti i njësisë më të vogël të artit të zbatuar kodifikonte në veprën e vet ndërveprimin dhe pëlqimin estetik të tjetrit. Kjo është fuqia e artit. Dhe vepra e Orhan Pamuk na vjen sot si një pyetje tronditëse: e kujt është më e madhe lavdia: e komandantëve dhe strategëve që projektuan pushtimet apo e njeriut të artit që projektoi shpirtin e njëjtë njerëzor?
Ardhja shqip e letërsisë së shkrimtarit Orhan Pamuk ka qenë një befasi për lexuesin e vendit. Ai ka meritën se ia ka ndryshuar rrugën letërsisë së re turke. Ai ka identifikuar nyjet më të rëndësishme të vazhdimit dhe ndërprerjes së traditës prej periudhës osmane tek turqit republikanë-kemalistë dhe i ka dekodifikuar këto nyje me mjetet e një letërsie të jashtëzakonshme, duke provuar dhe një herë se shkrimtarët e vendeve të Ballkanit suksesin e tyre jashtë e kanë të kushtëzuar fort nga etnografizmi.