PENA DUHET NGJYER NË PLAGË


Mira Meksi


Guri Filozofal

A nuk do ishin të çmuar edhe sot për reportazhin e grevës së  urisë informatorët e Herodotit?

Në klimën e përndezur politiko-sociale që po përjetojmë kohëve të fundit gjen gjithçka: shpresën e qytetarëve shqiptarë për të përfituar heqjen e vizave me Europën, përçapjet e qeverisë për integrimin e vendit në Europë, akuzat e ndërsjella mes pozitë-opozitës për pengesë në këtë të fundit, fjalë të Kryeministrit për suksese në këtë proces; gjen shpalljet e krizës që ka përfshirë vendin, protestat e pandërprera politike, mitingjet protestuese për transparencën e votës dhe festat e punëtorisë, e deri te ngujimi i mbi 200 personave (përfaqësues të së majtës, 20 prej të cilëve deputetë të opozitës) në grevë urie. Kjo e fundit i ka dhënë një tjetër ndezuri klimës tashmë të përndezur politiko-sociale në vend, duke e mpiksur paq tensionin në psikën shqiptare. Shumëkush proteston se vendngujimi e ka rënduar tej mase qarkullimin në kryeqytet, duke e bërë të padurueshme jetën e përditshme të qytetarit; të tjerë e quajnë grevën e urisë “një vetëvrasje kolektive në tentativë”, e ngjashme me vetëvrasjet e sekteve okulte që i binden verbazi Mjeshtrit e meqë ndodh në gjirin e shoqërisë sonë, duhet reaguar me shpejtësi për ta ndalur, në emër të shoqërisë. Këtij krahasimit të fundit me një “vetëvrasje kolektive në tentativë” i shtohen zëra që thonë se asnjë deputet mandatar nuk ka të drejtë të zgjedhë rrugën e “vetëflijimit” (akt ky thellësisht individual që mohon gjer Zotin dhe jo më popullin), pasi përfaqëson zërin, vullnetin dhe votën e popullit dhe për hir të kësaj duhet të bëjë detyrën, pra të luftojë në Parlament për gjithçka. Kësaj optike i shtohen edhe intelektualë që bëjnë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të grevës e ndërkohë që të tjerë intelektualë dalin në mbështetje të grevës, një artiste e njohur vjen dhe ngujohet vullnetarisht në grevën e urisë. Përballë këtyre ithtarë e ndjekës të opozitës politike e quajnë grevën një akt heroik, madje patriotik, të vetmin mjet demokratik e paqësor që mund të sigurojë të ardhmen e votës në vend, ndërkohë ka syresh që thonë se greva e urisë mund të jetë mjet paqësor demokratik, por është njëkohshëm edhe dhunë e egër ndaj vetë njeriut grevist. Mes gjithë kësaj vorbulle mendimesh e gjykimesh ka të tjerë madje që ngrenë zërin se protestat e shëndoshin demokracinë, porse greva e urisë është një formë ekstreme e protestave që jep mesazh negativ për ne shqiptarët në botë, aq më tepër kur nuk janë firuar të gjitha mjetet politike për të arritur qëllimin politik opozitar, ndërkohë që prej fillimit të grevës së urisë Kryeministri i vendit akuzon publikisht kreun e opozitës se po pengon qëllimshëm kujdesin shëndetësor ndaj të ngujuarve..., por s’thuhet një fjalë për Deklaratën e Maltës, të Shoqatës Botërore të Mjekëve (e s’ka madje as buletin mjekësor për të ngujuarit), ndërsa institucioni i Klerit hesht dhe, përveç ndonjë dalje sporadike, nuk ka asnjë deklaratë zyrtare me një qëndrim të mirëpërcaktuar... Sa për gazetarët, ka rënë ora e tyre: janë kudo dhe në çdo kohë, ndonëse jo çdokush mund ta “arrijë” kampin grevist dhe të mbledhë brenda tij materialin e mjeshtërisë së vet; shumëkush, në kampin e gazetarisë, ankohet e ngre zërin se mungojnë madje edhe “informatorët e brendaçadrave”: kemi lajme, kronika, intervista dhe pak, fare pak opinion prej gazetarëve. Duket qartazi se ajo që na mungon vërtet sot prej gazetarisë sonë, qoftë asaj të shkruar, e qoftë asaj audiovizuale, është, tek e fundit, reportazhi. Të mbetemi te ky i fundit; ç’është reportazhi që të mund të na japë plotësinë e informacionit? Reportazhi është një gjini e gazetarisë, që konsiston në rrëfimin e ngjarjeve aktuale, ose jo aktuale, me interes publik, nga një perspektivë aktuale. Reportazhi mban në vetvete një sërë gjinish gazetareske si lajmi, kronika dhe intervista. Përmban edhe mendime, opinione apo vërejtje të vetë reporterit dhe ndoshta në këtë cilësi të fundit të tij qëndron edhe e veçanta dhe rëndësia e tij. Para pak ditësh francezët i bënë homazh Guillaume de Rubrouck, reporter i madh francez, spiun dhe etnolog, shpallur si një nga paraardhësit e denjë të reporterit modern: Në vitin 1253, shkruhej në “Le Monde”, Guillaume Rubrouck, prift françeskan, dërgohet nga mbreti Luigji IX në Mongoli për të bërë një reportazh mbi atë vend. Ai e ndërmerr udhëtimin këmbëzbathur, duron vuajtje të mëdha dhe kthehet dy vjet më vonë. Përpara mbretit raporton për misionin e tij, me një rrëfim të mrekullueshëm, i cili, edhe sot e kësaj dite mbetet një dëshmi e rrallë përshkrimi mbi jetën dhe veshjen e tartarëve. Është po në Francë ku kanë marrë jetë ndoshta të parët dhe të vetmit çmime në botë të gazetarisë për reportazhin: Çmimet “Albert Londres”, i pari i krijuar më 1932: “Reporter i madh i shtypit të shkruar” dhe tjetri më 1985 “Reporter i madh i audiovizives”. Vetë Albert Londres (1884-1932) ka qenë një gazetar i dëgjuar dhe shkrimtar francez, i cili ka lënë fjalët: “Jam i bindur se gazetari nuk është një fëmijë kori në kishë që i paraprin procesionit, me dorën të zhytur në një kanistër plot me petale trëndafili. Zanati ynë nuk është për t’i bërë qejfin njeriu dhe as për të dëmtuar kënd, por për të zhytur penën në plagë”. Sa për vetë gazetën, pra gjurma e gazetarisë së shkruar, sipas të dhënave të historisë, në kuptimin e saktë të saj, ajo shfaqet në shekullin I para Jezu Krishtit, por, me gjithë këtë lashtësi, sërish vjen pas reporterit të parë në historinë njerëzore. Gazeta e parë e botës është ajo që Jul Cezari vendosi në “Foro Romano” në shekullin I para J.K., duke e quajtur Acta Diurna, gdhendur në gur apo në metal. Veç kësaj, në Venecian e shekullit XVI shiteshin fletë të shkruara me çmimin e një gaceta (kështu quhej monedha e Venedikut të asaj kohe), e nga kjo monedhë e morën emrin një sërë periodikësh të erës moderne. Por vetëm në shekullin XVIII dhe XIX, politikanët u bënë të ndërgjegjshëm për pushtetin që mund të kishin gaceta-t në ndikimin në popull dhe i dhanë hov të madh zhvillimit të tyre. Ndonëse mund të duket pothuaj e pabesueshme, për të gjetur emrin e mjeshtrit absolut të reportazhit, mësimet e të cilit zbatohen edhe sot në gazetarinë moderne, duhet të kthehemi rreth 25 shekuj më parë, në Greqinë e lashtë; Herodoti (Herodotus) qe reporteri i parë në historinë dhe kulturën e Perëndimit. Ai lindi në Halikarnasin e lashtë (qyteti i sotëm turk Bodrum në Azinë e vogël); sa për lindjen dhe vdekjen e tij nuk ka data të sakta, por mendohet aty rreth viteve 485 dhe 425 para J.K. Ishte një udhëtar i palodhur, bënte intervista (bashkëbisedime) me protagonistët e ndodhive, krahasonte rrëfimet për të gjetur variantin më pranë së vërtetës dhe e paralajmëronte lexuesin e tij kur kishte dyshime mbi vërtetësinë e një date apo të një fakti. Metodat dhe teknikat e tij “gazetareske” janë praktikisht po ato që përdoren edhe sot nga profesionistët e shtypit në të gjithë botën. Për veprat e tij historike iu drejtua burimeve gojore dhe të shkruara. Burimet gojore qenë të një rëndësie të veçantë për të dhe ato i siguronte, në pjesën më të madhe, nga informatorët e tij (të të gjitha kampeve), të cilëve u referohej në mënyrë pavetore për të ruajtur paanësinë (“sipas persëve...”, “grekët thonë...”; “disa flasin...” “të tjerë i qëndrojnë mendimit...”). Megjithatë Herodoti fliste vetëm greqisht, andaj dhe pati përherë nevojë për udhërrëfyes e përkthyes, dhe kjo ndikoi në rrëfimin e ngjarjeve, të cilat ai nuk mundi dot t’i shohë me sytë e vet, por që u detyrua t’u besonte atyre që ia tregonin. Por mbi të gjithë, ai çmonte informatorët e tij. Nga tërë udhëtimet që bëri, arriti të mblidhte një pasuri të pashtershme lajmesh mbi gjithçka që ishte interesante apo e denjë për t’u ditur në botën e asaj kohe. Autorë të tjerë grekë, si Ktesias, Isokrates apo Plutarku e quajtën deri edhe fantazor dhe ekzagjerues; opinionet e tyre qëndruan në këmbë deri në zbulimet arkeologjike të lindjes së lashtë gjatë shekullit XIX, kur u provua vërtetësia e një pjese të madhe të veprës së Herodotit. Ai nuk e përshkruante botën siç e bënin filozofët “parasokratikë”, që niseshin nga mendimet e tyre për ta bërë këtë, porse rrëfente ato që kish parë dhe dëgjuar. Herodoti zgjidhte fjalë dramatike për të përshkruar fatkeqësinë njerëzore brenda konfliktit; ajo që i pëlqente më shumë atij qe vlerësimi i arsyeve nga të dyja palët. Nuk gjykonte dhe as shkruante me urrejtje për armikun. Përshkruante klimën, historinë, gjendjen e njeriut, politikën, ekonominë dhe tregtinë, gjithçka që mundte në çdo vend ku ndodhej. Në punimet e tij, si kritika e lashtë, ashtu edhe ajo e ditëve tona, ka nderuar stilin madhështor, sinqeritetin, qartësinë e mendimit, por edhe një stil të mrekullueshëm anekdotik. Me siguri Gabriel Garcia Marquez-i ka pasur parasysh stilin herodotian të reportazhit, kur flet për gazetarinë letrare (ose letërsinë jofiksion), të cilën e ka ushtruar duke shkruar reportazhet e tij të jashtëzakonshme, por edhe romanin jofiksion “Rrëfim i një anijethyeri”, i cili, jo rastësisht, u botua i tëri së pari më 1955 në gazetën “El Espectador” të Bogotasë, ku ai pat punuar si gazetar. Sipas kolumbianit të madh, gazetaria e së ardhmes do të qe pikërisht kjo lloj gazetarie, e thënë shumë shkurt, me lajme dhe fakte të vërteta, por e shkruar me një gjuhë të zgjedhur, që nuk është letërsi, por që e çik letërsinë për nga stili. Shkrimi i një reportazhi të mirë është vërtet punë e mundimshme, por sikur gazetarët tanë të mbanin parasysh parimet e lashta të Herodotit për të, por edhe të kishin mundësinë të ngjyenin, apo zhytnin vetë penën në plagë (siç thotë Albert Londres-i), me siguri do të kishim reportazhe të mrekullueshme, edhe nga ngjarjet e një klime të përndezur politike dhe shoqërore si kjo e tanishmja.