I pari dijetar që zhvilloi konceptin e filologjisë ballkanike. Profesori i Lajcigut e mësoi shqipen më së pari si toskërishte në Manastir, pastaj me një elbasanas gegënishten në Athinë në vitet 1889/90.
Ka qëndruar dy herë në Shqipëri të mesme, sidomos në Elbasan, para se t'i jepte formën përfundimtare Gramatikës së tij që u mbështet mbi gegënishten jugore.
Gustav Weigand në 80-vjetorin e vdekjes
Belgershain është një lokalitet i vogël pranë Lajpcigut, ai ka sot rreth 3.500 banorë, një kështjellë, një kishë, njolla pyjesh, liqenesh e përrenj që ndajnë lagjet e banimit ose vilat nga njëra-tjetra.
Midis tyre dallon nga trajtat e veçanta që të kujtojnë mënyrën tradicionale të ndërtimeve në Vllahi shtëpia që ngriti këtu 85 vjet më parë Gustav Weigandi (Vajgand 1860-1930).
Më datë 30 maj, pra sot, kjo komunë e vogël kujton, në 80 vjetorin e tij të vdekjes, me një ceremoni dhe një ekspozitë dijetarin filolog që studioi me themel popujt e Gadishullit tonë dhe vuri themelet e një gjuhësie ballkanike.
Shtëpinë e tij në Belgershain Weigandi e ndërtoi në një pjesë të madhe vetë, me tulla balte që kishte përgatitur po vetë, ashtu siç bënin muratorët rumunë, vllehë, shqiptarë.
Ndoshta dhimbja për dy fëmijë që i humbi në vitin 1918 e bëri profesorin e Lajpcigut që t'u jepej kaq shumë ndërtimeve dhe të merrej me frutikulturë e zbukurimin e një kopshti të madh, të cilin e kishte trajtësuar gjithashtu pas kujtimesh nga vendet e ndryshme të Ballkanit që hulumtoi në jetën e tij.
Në të vërtetë kishte lindur në Duisburg të krahinës së Ruhrit, ndërsa në Lajpcig studioi gjuhët romane.
Po këtu mbrojti doktoratën më 1888 me një punim për gjuhën e vllehëve të malit Olimp, ndërsa habilitimin e bëri më 1891 me një gramatikë të megleno-vllahishtes. Prej këtij viti e deri në vdekje do të ishte docent e profesor i gjuhëve romane pranë Universitetit të Lajpzigut. Më 1893 ngre këtu Institutin për gjuhën rumune, i pari i këtij lloji jashtë kufijve të Rumanisë.
Veprat e tij janë themelore për gjuhët rumune (Atlas gjuhësor i trevës dakorumune, në 2 vëll. 1898, 1909), arumune (Arumunët, në dy vëll. 1894-1895), bullgare (Fjalor bullgarisht-gjermanisht dhe Biblioteka bullgare, 9 vëll. nga 1916-1919) shqipe (Gramatikë e gjuhës shqipe, 1913, Fjalor shqip-gjermanisht e gjermanisht-shqip 1914).
Weigandi ishte i pari dijetar që zhvilloi konceptin e filologjisë ballkanike, e cila gjuhët e ndryshme të Gadishullit, që janë degëzime familjesh të ndryshme (romane, sllave) ose edhe degë më vete sikurse greqishtja dhe shqipja, i sheh megjithatë edhe si një familje të madhe më vete falë shkëmbimeve dhe ndikimeve të shumta që kanë pësuar ato nga njëra-tjetra në rrjedhë të shekujve.
Studimet e tij për gjuhën dhe etnografinë e këtyre popujve i shoqëronte me qëndrime të gjata në vendet përkatëse. Kërkimet më intensive i ka bërë në Rumani, në Maqedoni, Olimp e Pind me vllehët e këtyre trevave.
Thuhej se ishte vëllam (probatin) me disa nga të parët e fiseve rumune. Po kaq e gjithanshme ishte edhe puna me Bullgarinë: te Biblioteka bullgare ka botuar ndër të tjera përralla të shumta dhe material tjetër folklorik, ndërsa më 1909 organizoi në Lajpcig një vargan me mbi 30 mbajtës kostumesh popullore bullgare.
Kurse shqipen e ka mësuar më së pari si toskërishte në Manastir, pastaj me një elbasanas gegënishten në Athinë në vitet 1889/90. Më vonë ka qëndruar edhe dy herë në Shqipëri të mesme, në vitin 1909 dhe 1912, sidomos në Elbasan, para se t'i jepte formën përfundimtare Gramatikës së tij që u mbështet pikërisht mbi gegënishten jugore. Kishte arsyet e tij që u përqendrua pikërisht mbi këtë trevë gjuhësore të shqipes.
"Mund të ngrihet pyetja, shkruan në parathënien e librit të tij, përse vura në themel të gramatikës sime dialektin geg jugor të Elbasanit. Pata arsye të ndryshme: ishte e domosdoshme më së pari që të zgjidhja një dialekt qendror, i cili është i kuptueshëm si për toskët ashtu dhe për gegët, e këtu vinte në diskutim vetëm gegënishtja jugore, edhe pse deri atëherë nuk përdorej si gjuhë letrare.
Shqipëria e mesme është kryesisht muhamedane, e këtu zhvillimi aq më pak ngulitja e gjuhës kombëtare ishte i pamundur për shkak të fanatizmit të klerit, ndërkohë që në Veri, falë propagandës katolike, u nxit drejtpërdrejt zhvillimi i një letërsie në gjuhën kombëtare me alfabet latin.
Në jug te toskët, ku prej kohësh shkollat greke kanë ndikuar për emancipimin dhe kulturën, shpejt filloi edhe shkrimi i gjuhës amtare; edhe këtu zuri vend një propagandë e fortë kombëtare, kështu ndodhi që gegët e jugut përdorin si gjuhë shkrimi toskërishten dhe jo dialektin e tyre.
Mirëpo kjo toskërishte, që i përgjigjet pak a shumë dialektit të Korçës, paraqet vështirësi të mëdha për gegët e veriut, si për trajtat më të plota ashtu dhe për fjalorin.
Anasjelltas, gegënishtja e veriut (shkodranishtja), për shkak të trajtave të saj me sinkopë [rënie zanoresh] të fortë dhe kthimin në fërkuese të fonemave qiellzore, shpesh është për toskët e pakuptueshme. Të gjitha këto vështirësi bien në qoftë se merret gegënishtja jugore.
Elbasani, për arsye të vendndodhjes së tij në qendër të Shqipërisë, në një zonë thjesht shqiptare, anë Via Egnatias së vjetër në luginën e Shkumbinit, ku ndahen rrugët që shkojnë drejt Tiranës, drejt Durrësit, drejt Beratit-Vlorës, është si i paracaktuar të bëhet kryeqyteti i një Shqipërie të lirë, e cila në këto çaste që po shkruaj ende nuk ekziston, por që i ka të gjitha gjasat të realizohet. Hapja e një shkolle pedagogjike në këtë qytet është fillimi më i mirë, për t'i dhënë elbasanishtes, përkatësisht gegënishtes jugore vendin që ajo meriton."
Në të vërtetë sugjerimi i Weigandit për t'u bërë Elbasani kryeqytet i Shqipërisë nuk u dëgjua, nga ana tjetër ideja e tij për ta bërë gegënishten jugore gjuhën e shtetit të ri zuri vend fort.
Qysh gjatë Luftës së parë botërore Komisia letrare e Shkodrës, e krijuar nën kujdesin e shtabit të ushtrisë austro-hungareze në vjeshtë 1916 dhe e përbërë nga anëtarë si Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci, At A. Marlaskaj, Ndre Mjeda, Gjergj Pekmezi, Sotir Peci, pas mbledhjesh të shumta anoi në zgjedhjen e dialektit të Elbasanit.
Lexojmë në protokollet e kësaj Komisie p.sh. mendimin e Luigj Gurakuqit: "...sot për sot komisija letrare ka nevojë, të zgjedhi nji dialekt, qi të jetë si urë në mes të dy djalekteve, i cili âsht për t'u kërkuem në Shqipni të mesme; përandaj munt të merret djalekti i Elbasanit, por gjithnji tue vështruem me gjetë forma të mesme me përmirësime për me i futun në gjuhë të përbashkme" (Lajmet e Komisisë Letrare, Shkodër 1918, f. 9). Problemi i Elbasanit ishte që ky qytet nuk kishte nxjerrë shkrimtarë të dëgjuar e botime të shënueshme.
Prandaj komisia vendosi të thërrasë në takimet e veta profesorin dhe drejtorin e Shkollës Normale nga ky qytet Aleksandër Xhuvanin. I pyetur nëse duhej marrë për bazë gegënishtja siç gjindej në përkthimin e Librave të shenjtë prej Kristoforidhit, Xhuvani "u përgjegj, se nuk e përfytyron thjesht e për kët shkak porosit mâ fort gramatikën e Weigandit". Kjo mund të mirrej "për udhëheqës për hartim të librave shkollarë" (po aty f. 18).
Dihet që vendimet e kësaj Komisie pas lufte u bënë orientuese për gjuhën zyrtare të administratës shtetërore që ekzistoi deri më 1944 dhe për një numër të madh tekstesh shkollore që u hartuan deri në mbarim të Luftës së dytë botërore, edhe pse autorët shkodranë nuk bënë ndonjë përpjekje për ta afruar gjuhën e tyre me gegënishten jugore, e po kështu as autorët toskë.
Dihet ajo që ndodhi pas lufte, kur gjuhë zyrtare e shtetit do të bëhej toskërishtja, megjithatë deri në ortografinë e Prishtinës të vitit 1964 vazhdon të jetojë ideja e një gegënishteje të zbutur jugore si gjuhë letrare për shqiptarët, e bashkë me të intuita e hollë dhe sistemimi që kishte vënë në themel profesori i Lajpcigut.
Sidoqoftë ishte një studim tjetër që Weigandi e botoi pak vjet para se të vdiste, më 1927 në Balkan-Archiv (përkthyer e botuar po atë vit në revistën Dituria nga Xhuvani) me titull "A janë shqiptarët pasardhës të ilirëve apo të trakëve" ai që e bëri më pak të dashur për shkencën shqiptare pas Çlirimit dhe që ia mënjanoi emrin pak nga pak nga albanologjia jonë.
Në këtë artikull studiuesi shpreh bindjen e tij se shqiptarët janë formuar si komb në brendësi të Ballkanit, pak a shumë në trevën malore të trekëndëshit Sofje-Shkup-Nish, ndaj duhet të jenë pasarëdhës të trakasve sesa të ilirëve.
Disa nga tezat e tij kryesore për ta mbështetur këtë prejardhje janë: - Terminologjia e lundrimit dhe peshkimit në gjuhën shqipe është e burimit të huaj; po të kishin qenë shqiptarët stërnipë të ilirëve, të njohur si lundërtarë, do ta kishin ruajtur terminologjinë e detit; - në shqipe nuk ka gjurmë të ndikimit të dalmatishtes së vjetër, por të venetishtes dhe italishtes, kjo do të thotë që shqiptarët kanë ardhur në bregdetin adriatik në një periudhë relativisht të vonë; - ndërkohë që vendi përmendet, shqiptarët nuk zihen në gojë si popull në dokumente para shek.
11; - një numër emrash vendesh në Traki e Daki shpjegohen përmes shqipes; - lidhjet e ngushta rumune-shqiptare të burimit jo-latin dhe mënyra e ngjashme e reflektimit të fjalëve latine dëshmojnë se shqiptarët dhe rumunët kanë banuar diku së bashku; kjo trevë s'mund të ketë qenë në Iliri, pasi këtu mbizotëroi dalmatishtja e vjetër kurse rumanishtja ndryshon shumë prej saj.
Nuk është vendi për t'u marrë këtu me këto teza dhe sa i qëndrojnë ato analizës shkencore. Çabej dhe të tjerë janë marrë gjatë me kundërshtimin e tyre.
Do desha të ndalesha vetëm në një pikë: në lidhjet e ngushta midis shqipes dhe rumanishtes. Afria është aq e madhe sa siç thotë vetë Çabej: "gjuhëtari ka shpeshherë përshtypjen që ka përpara tij një të vetme lëndë gjuhësore, që paraqitet me dy forma të ndryshme.
Nga karakteri i kësaj afërie mund të thuhet me mjaft siguri që populli shqiptar e populli rumun dikur kanë qenë gjeografikisht më afër me njëri-tjetrin, vise-vise mbase kanë qenë dhe në bashkëjetesë (simbiozë). Përsa i përket kohës... janë të periodës së rumanishtes së përbashkët, afërsisht nga shekulli VI gjer në IX... Sa për vendin, kjo çështje paraqitet edhe më e errët" (E. Çabej, Studime gjuhësore III, Prishtinë 1976, f. 74).
E pra edhe dijetari ynë, pasi sjell tezat e tij në të mirë të prejardhjes ilire dhe kundër vendformimit të shqipes në brendësi të Ballkanit, nuk mundet ta përcaktojë djepin e përbashkët gjeografik të shqipes dhe rumanishtes. Weigandi në këtë pikë nuk ka ngurrim, me sa kuptohet pasi aty e çonte njohja e thellë, si e pakkujt tjetër, e gjuhëve romane, shqipe, sllave, në përgjithësi ballkanike.
Sot që çështjen e autoktonisë ose historisë së mjegullt të shqiptarëve në shekuj të kaluar mund ta shohim pa paragjykimet e kohës së nacionalizmit vetizolues, edhe kontributi i Gustav Weigandit për albanologjinë del tërësisht në pah dhe zë dalëngadalë vendin që meriton.
Në Bullgari e Rumani disa qytete kanë rrugë me emrin e tij. Nuk është asnjëherë vonë që të kemi edhe këtu rrugë a shkollë me emrin e profesorit të Lajpcigut. Si një borxh që kthehet.






