Eliksiri i jetës i mundshëm në 2012?

“Nëse dëshiron që të jetosh gjatë, atëherë zgjidhi prindërit e tu me  kujdes”. Kjo është një  nga shakatë e preferuara të gjenetistëve që merren me çështjet e jetëgjatësisë. Jeanne Calment, e cila është zyrtarisht qenia njerëzore që ka arritur të jetojë më gjatë dhe që ndërroi jetë në vitin 1998 në moshën 122-vjeçare, ia atribuonte këtë rekord dietës së saj të pasur me vaj ulliri, gotave të verës së kuqe dhe aftësisë së saj për të buzëqeshur shpesh gjatë ditës.  Por pa dyshim që fati ishte edhe lojtari kryesor në jetën e saj shumë të gjatë. Njerëzit harxhojnë çdo vit sasi jashtëzakonisht të mëdha parash për blerjen e vitaminave e kremrave të ndryshëm në përpjekjen e përjetshme për t’u dukur të rinj dhe të shëndetshëm.  Por në fakt, nuk e dinë se sa e rëndësishme që është trashëgimia gjenetike, që edhe në rastin e jetëgjatësisë apo të pamjes së jashtme luan një rol parësor. Ajo është në fakt faktori kryesor në jetëgjatësinë tonë, sigurisht edhe në cilësinë e saj. Nisur nga kjo, shkencëtarët janë të mendimit se nëse do të arrinin që të manipulonin gjenet do të bënin shumë përpara në fushën e jetëgjatësisë, që në fakt ka qenë një ëndërr e njerëzimit që në fillimet e ekzistencës së tij. Sigurisht që eliksiri i rinisë së përjetshme mbetet një ëndërr e largët për t’u realizuar, por mjekësia mund të ndihmojë shumë në cilësinë dhe jetëgjatësinë e jetës sonë.
Së fundi, shkencëtarët kanë filluar që të bëhen optimistë për arritjen e shkencës së plakjes. Deri më tani janë identifikuar të paktën 10 mutacione gjenesh që kanë shkaktuar zgjatjen e jetës te minjtë me pothuajse dyfishin dhe për sa u përket qenieve njerëzore shumë gjene kanë një lidhje jashtëzakonisht të madhe me jetëgjatësinë. Ndër to mund të përmenden disa gjene të familjes që në fakt janë shumë më tepër aktive në disa lloje popullsish dhe jo te të gjithë njerëzit. Ky gjen njihet me emrin Sirtuins dhe një organizatë italiane që merret me studimin e gjeneve po përpiqet që të gjejë dhe lidhjet e këtij gjeni me sëmundjet e  ndryshme si diabeti dhe kanceri. Variante të tjera gjenesh kanë një ndikim në sasinë e prodhimit të hormoneve të ndryshme të rritjes si faktori i rritjes insulinë (IGF), që shton metabolizmin e organizmit duke e mbajtur atë në një gjendje të re dhe të shëndetshme. Një nga objektivat e shkencëtarëve është pikërisht që të rrisin sasitë e prodhimit të këtij hormoni, në mënyrë që kjo të ndikojë edhe në shtimin e jetëgjatësisë. Ndërkaq, disa studiues të tjerë nga Masaçusets janë duke u marrë me një enzimë të veçantë e quajtur kolesterol, e cila ndikon në nivelet e “kolesterolit të mirë” që ndihmon shumë në mbrojtjen e organizmit nga disa lloj sëmundjeje zemre. Në këtë mënyrë po përgatiten medikamente që e shtojnë prodhimin e kësaj enzime. Një tjetër objekt studimi janë edhe telomeret, që ndodhen në çdo qelizë. Aktivizimi i tyre  përtej normës normale mund të sillte edhe shtimin e jetëgjatësisë së qelizave. Të gjitha këto zhvillime të fundit janë në fakt dallëndyshet e para të një epoke të re në kërkimet shkencore për shtimin e jetëgjatësisë dhe sipas shumë shkencëtarëve që merren me një studim të tillë në vitin 2012 do të fillojë edhe testimi i medikamenteve që janë duke u përgatitur. Sipas parashikimeve, jeta e njeriut jo vetëm që do të zgjatet, por do të përmirësohet për sa i përket cilësisë së saj. Pra 80, 90, 100-vjeçarët nuk do të jetojnë thjesht për të ngrysur ditën, por do të qenë individë aktivë që e kalojnë kohën duke u zbavitur, duke u marrë me hobitë e tyre, por edhe duke mësuar gjëra të reja. Për sa u përket 100-vjeçarëve të tanishëm ata kanë në gjenet e tyre substanca që u kanë bërë ballë sëmundjeve të ndryshme që shfaqen zakonisht në pleqëri, vetëm se 100-vjeçarët nuk janë të shumë dhe vazhdojnë që të konsiderohen si diçka e rrallë. 100-vjeçarët zakonisht vdesin të shëndetshëm e menjëherë, pa vuajtur nga ndonjë sëmundje e gjatë siç mund t’u ndodhë, ndërkohë njerëzve të moshuar. Sipas disa shkencëtarëve në një të ardhme shumë të afërt atyre që do të duan të jetojnë gjatë mund t’u duhet që të marrin përditë një tabletë të posaçme e cila do të ngrijë në një kohë të pacaktuar të gjitha ndikimet e pleqërisë në organizëm dhe do ta mbajë njeriun për një kohë të gjatë në gjendjen shëndetësore të moshës 40-50-vjeçare. Por që të arrihet një gjë e tillë duhet që pleqëria të konsiderohet si një sëmundje që duhet shëruar në mënyrë që të stimulohet edhe mbledhja e fondeve për kërkime të këtij lloji. Jo sepse institucionet rregullatore të ilaçeve në Shtetet e Bashkuara dhe Europë licencojnë vetëm ilaçe të cilat kanë të bëjnë me trajtimin e sëmundjeve dhe jo për shembull për diçka të përgjithshme siç është plakja e njeriut. Në fakt dhe pse nuk blejnë ilaçe në Perëndim, njerëzit janë shumë të dhënë pas një konsumi të jashtëzakonshëm parash kur është fjala për blerjen e vitaminave apo produkteve kozmetike që shërbejnë për të shfaqur një pamje më të re. Të gjithë duan që ta frenojnë sa më shumë plakjen dhe të gjitha simptomat e saj. Këtij qëllimi i shërbejnë edhe operacionet plastike të fytyrës dhe pjesëve të tjera të trupit të cilave u nënshtrohen gjithnjë e më shumë individë. Ndërkaq, ka edhe produkte të tjera me prejardhje të dyshimtë që zakonisht shiten nëpër internete që thuhet se nxisin memorien, forcën fizike, energjinë e personave që i përdorin. Tre vjet më parë, një krem antiplakje që përdorej për lëkurën u tërhoq në mënyrë të jashtëzakonshme në treg, pas një emisioni të transmetuar nga BBC në lidhje me efektet e tij të jashtëzakonshme në përmirësimin e  lëkurës së fytyrës. Në këtë program që bëri shumë bujë thuhej se kremi me një çmim relativisht të lirë ishte shumë më i mirë se kremrat që shiteshin me çmime të larta nga laboratorët e specializuar për këtë punë. Kompania që e prodhoi këtë krem pati fitime të jashtëzakonshme. Në këtë rast mund të kuptojmë më së miri edhe forcën e madhe që ka marketingu mbi shitjen e një produkti. Në vitin 2009, ky produkt sipas publikimeve të disa artikujve në një revistë britanike shumë prestigjioze ky krem u cilësua më i miri në treg për hidratimin e fytyrës dhe pakësimin e  rrudhave. Kështu, të gjithë janë gjithnjë e më tepër të mendimit se për sa i përket fenomenit të plakjes ai nuk mund kurrsesi të ndalohet, por ama ka shumë mundësi që kjo fazë e jetës së njeriut të zgjatet sa më shumë dhe mbi të gjitha të përmirësohet nga ana cilësore, duke u dhënë mundësi individëve që të kenë një jetë të shëndetshme dhe me energji. Në botën e sotme që karakterizohet nga numri gjithnjë e më i pakët i lindjes në disa vende të zhvilluara pleqtë po shtohen gjithnjë e më shumë dhe kjo bën që edhe studimet për përmirësimin e jetës së kësaj kategorie të popullsisë të shtohen. E megjithatë, në dhjetëvjeçarët e fundit është vënë re një tendencë gjithnjë e në rritje për sa i përket shtimit të jetëgjatësisë së njerëzve. Kjo për shkak të përmirësimit të kushteve të jetesës në radhë të parë. Dhe kjo kur mendohej se jetëgjatësia e njeriut kishte një limit që do të ishte i tillë në jetë të jetëve. Tendenca e rritjes së jetës nisi në fillim të viteve ‘50, pas qetësimit të gjakrave dhe sëmundjeve nga Lufta e Dytë Botërore. Kjo erdhi dhe si pasojë e pakësimit të stresit dhe e përmirësimit të kushteve mjedisore dhe shëndetësore. Njerëzit filluan që t’i kushtonin një vëmendje më të madhe ushtrimeve fizike, mënyrës së të ngrënit dhe të të pirit. Në vendet e pasura, jetëgjatësia u shtua me 30 vjet. Sipas llogaritjeve është shtuar me nga 3 muaj në vit që nga vitet gjatë 160 viteve të fundit. Një kontribut shumë të madh në këtë drejtim ka dhënë edhe shtimi i lindjeve dhe i përmirësimit të kushtit të tyre, por që nga vitet ’50 është rritur shumë shansi i personave për të kaluar të ‘80-at. Ajo që tremb shumë njerëz në lidhje me afrimin e pleqërisë është humbja e aftësive për të kryer detyrat e  tyre të përditshme ato të të ngrënit, të të pirit, larjes dhe lëvizjes në përgjithësi. Por pavarësisht se sëmundjet e ndryshme janë shtuar të tilla si kanceri, apo diabeti, është pakësuar ndjeshëm numri i personave të paralizuar. Kjo ka të bëjë shumë me përmirësimin e diagnostikimeve të hershme të sëmundjeve. Ndërkohë, është më se e sigurt se për disa dhjetëra vjet jetëgjatësia do të jetë shtuar dhe të jetosh deri në 100 vjeç do të jetë diçka shumë e zakonshme. Disa shkencëtarë shkojnë edhe më tej dhe besojnë se njerëzit e parë që do të jetojnë deri në 150 vjeç kanë lindur tashmë. Shtimi i jetëgjatësisë është një nga sukseset dhe të mirat e mëdha të jetës moderne, por jeta e gjatë pa shëndet është një çmim bosh. Ndaj siç ka thënë edhe gruaja që ka jetuar më gjatë deri më tani në këtë planet Jeanne Calment: ata që bëjnë jetë të moderuar jetojnë më gjatë.