Sonila Merolli
“Njerëzit janë engjëj, por vetëm me një flatër. Që të fluturojnë duhet të rrinë të përqafuar”. Për fat të mirë përkthyesit dhe shkrimtarit Amik Kasoruho, nuk i ka munguar asnjëherë flatra tjetër, përkundrazi. Andaj edhe këtë thënie të Don Toninos, priftit françeskan e mban si kryefjalë. Në të gjithë aktet e dramës të jetës së tij, femrat që e rrethonin i kanë qëndruar pranë pa kushte. Kanë vuajtur bashkë me të, i kanë zvogëluar vetminë, në të njëjtën kohë i zbehnin kujtimet e trishta të burgut, në të cilat heshtazi ai i rikthehet shpesh. Nëse pjesa tjetër e botës ngulte këmbë t’ia bënte të pamundur jetesën, ato e mbërthenin fort pas së drejtës për të jetuar çast mbas çasti. Ata të tre, nëna, e shoqja dhe ai vetë kishin qarë e buzëqeshur hidhur kushedi sa herë, ama gjithnjë bashkë. Nëna, një grua e brishtë në dukje, por me forcën e duhur për të përballuar sprovat e njëpasnjëshme që regjimi i kurdisi. Më tej Nina, bashkëshortja e urtë dhe fjalëpakë, që pranoi destinin përkrah tij dhe përfund Lindaniza, e bija, e cila përfaqësonte shpresën se e ardhmja mund të gjallonte. Këto gra fisnike, janë pjesë e pandashme dhe e rëndësishme e krijimtarisë së Kasoruhos, i cili diku në fletët e librit të tij “Ikje nga trilli i Perëndive”, i përligj me frazën: “Jeta është si një zjarr i fikur në dukje. Mjafton të mbesë një shkëndijë, një e vetme dhe të fillojë një puhizë e lehtë e do shohësh që flaka gjallërohet”. Teksa flet mbi gratë që ndezën shpresën e tij kryeneçe, shkrimtari mundohet të jetë sa më konciz dhe i kursyer, edhe pse zëri dhe sytë hera-herës e tradhtojnë. Ndryshe i ndodh kur ulet orë të tëra para makinës së vjetër të shkrimit “Remington”. Para kartës së bardhë Kasoruho, rrëfen në detaje vuajtjet që ka hequr nëna e tij, nga burgimi i të birit, pushkatimi i të shoqit, vizitat stërmunduese në burg çdo muaj, e më pas ato të një tjetër femre, bashkëshortes së tij Nina, e cila nuk u mendua dy herë para vështirësive, por pranoi të rrezikonte për ndjenjat...
Markeza e Mikit...
Në takimet në burgun e Burrelit, nëna e tij shfaqej gjithnjë e buzëqeshur, sikur mos kishte ndodhur asgjë në jetën e tyre dhe ajo të rridhte normalisht. Dhe nëse ai këmbëngulte për të marrë vesh gjësendi, ajo ia printe shkurt me fjalët “jam si markezë”, huazuar nga teksti i një kënge franceze, melodinë e së cilës e sillte shpesh nëpër mend. Por Amiku e dinte fort mirë që diç rrekej të fshihte dhe pikërisht për forcën e saj të pamat e adhuronte. Për më tepër një takim aq i lodhshëm, i pritur një muaj të tërë, me shumë sakrifica nga ana e saj, nuk ia kishte ënda të ankohej për stërmundimet që kishte kaluar. “Nëna ime është jo vetëm femra e parë e jetës sime, por edhe më e rëndësishmja, nga e cila kam mësuar shumëçka, fillimisht pasionin për gjuhët e huaja dhe librat, dy fushat ku ajo përpinte çdo gjë. Me origjinë nga familja e dëgjuar e Jusufatëve të Libohovës, ishte një nga gratë e pakta të shkolluara jashtë vendit”, rrëfen Kasoruho për marrëdhënien me të, për të vijuar me virtytet e saj. “Edhe pse ka vuajtur shumë në jetë, duke kaluar një sërë fatkeqësish gjithnjë ka ditur t’i bëjë ballë pa u ankuar. Mbi të gjitha ime më kishte një forcë morale të pakrahasueshme. Jam munduar të ruaj atë që kam trashëguar prej nënës sime, si korrektesën, një sens të zhvilluar miqësie e mikpritje”, thekson shkrimtari duke u zhytur thellë në kujtimet e një nate dimri. Pas këmbënguljeve të tij, për të ditur se ç’ kish ndodhur, në harkun e pesë viteve dëbimi dhe privimesh, vetëm një natë të gjatë e të vetme, nënë Nadidja i tregoi peripecitë që kishte hequr. “Nuk u përgjigj menjëherë, në fillim ndezi një cigare dhe më pas nisi të rrëfente ngadalë, duke kaluar nga një fakt tek një tjetër pa një lidhje logjike, ashtu sikurse i vinin kujtimet. Tregonte duke kundruar më larg nga ç’kishte përjetuar me qetësinë e atij, që edhe pse ka paguar një çmim të shtrenjtë gjendet më lart sesa vuajtja. Mundohej të fshihte lotët, mbas një buzëqeshjeje të hidhur, me mendjen te dita kur do bashkohej me të birin”, tregon ai me një lëvizje të beftë të kokës si për t’u larguar dhimbjes, evokuar nga kujtimet. Kur shkoi ta takonte nënën e tij në Gosë të Kavajës, në atë vend të humbur, ku e kishin degdisur, ajo çka i ra në sy nuk ishte ndërtesa e rrënuar, por kopshti me lule, një pasion që e kisha pasur ngaherë. Me të hyrë brenda kolibes, që konsideroj si shtëpi realiteti ishte ndryshe. Disa nga pyetjet që i kishin zaptuar mendjen vrullshëm: si ia kish dalë kjo grua në atë gjendje aq të mjerë t’’i sillte ushqime në burg?! Përgjigja e saj e kishte lënë pa fjalë: Me çikërrimat i kishin shpëtuar konfiskimit si dhe me punë dore, por edhe falë ndihmës nga të afërmit dhe shokët. Edhe tani kur i kujton ato çikërrima, i sëmbon në zemër, pasi drama e tyre përbëhej edhe nga plot mungesa dhe kufizime të vogla. Megjithatë ata ishin sërish bashkë dhe çdo vështirësi që u dilte kishin njëri-tjetrin. Jeta po çante rrugën mes kaq e kaq dhimbjesh, pushkatimesh, persekutimesh...
Nina...
Nuk kishin kaluar as pesë vjet, nga koha kur kishte lënë qelinë dhe ja jeta po i buzëqeshte sërish. Me të u njoh nëpërmjet së motrës, të cilën e kishte moshatare dhe ashtu si pa dashje ‘u ngatërruan’. Sa për propozimin, Amik Kasoruho me fjalë të kursyera shprehet se nuk i pëlqejnë provat e memories, jo se nuk e mban mend si erdhi, porse e ka më të lehtë ta hedhë në letër. Dashuria për Ninën ishte fort e ndjeshme, në thelb si të gjitha dashuritë, por në të njëjtën kohë e dhimbshme dhe gati-gati e pamundur për shkak të rrethanave. Por këto nuk ishin pengesa në rastin e Ninës, vajzës së lindur nga një nënë italiane dhe me rrënjë nga familja e Mislojcave. Zysha e biologjisë ia hodhi poshtë shqetësimet e tij, duke i thënë se dashurinë nuk e shihte si një pemë, që pasi e mbjell, pret fitimet nga frytet. Ajo i pat thënë: “Kur jemi të dy bashkë, vështirësitë e jetës kalohen më kollaj”. Pesëdhjetë vjet së bashku do t’i jepnin të drejtë. Kështu, një mbrëmje zagushi të njëzet gushtit, ai dhe Nina u martuan në ceremoni modeste, me të afërmit e ngushtë dhe shoqërinë e muzikës së gramafonit, e cila u ndërpre nga “kalecët” e regjimit. Thellë në shpirtin e tij nuk kishte mundur t’i falte ata që kishin dashur t’i lëndonin lumturinë¸ pikërisht ku ajo po lindte. Megjithatë, edhe kjo u përtyp siç kishte ndodhur në rastet simotra. E rëndësishme ishte se atë e kishte pranë, me heshtjen e saj të vyer dhe punëdoren që nuk e shkëpuste për asnjë çast nga duart. Edhe tani që vitet kanë lënë gjurmët e tyre, Amiku shprehet se ajo nuk ka ndryshuar asnjë nga adetet e përhershme. “Nina është jashtëzakonisht e qetë, respekton punën dhe aspiratat e tjetrit pa ndërhyrë. Ka qenë një ndihmë e madhe për mua, pasi ka ditur të heshtë kur duhet të heshtë dhe të flasë kur është dashur të flasë. Ajo është një këshilluese e mirë për problemet e jetës së përditshme, për sa i përket sferës profesionale, asnjëherë nuk ka ndërhyrë në hapësirat e mia” shton Kasoruho.
Lindaniza...
Drama e tij, për fat të keq, ishte edhe drama e fëmijëve të tij, vajzës Lindaniza dhe më tej djalit Andit. E bija sapo kishte mbushur 17-vjeçe, kur ndjeu përbuzjet e mëdha. Si t’u mbushte mendjen se ai, babai i tyre nuk kishte bërë asgjë të dënueshme?! Megjithatë ajo pranonte në heshtje, duke lënë mënjanë ato ëndrrat e adoleshentes se po të kërkosh gjen gjithnjë një zgjidhje. Ndoshta nga bisedat me të ëmën, apo nga pësimi që kish hequr mbi supe vite me radhë që në fëmijërinë e hershme. Edhe pse me rezultate të shkëlqyera, asnjëherë nuk e kishin vënë në tabelën e nderit, meqë familja e saj ishte “armike” e Partisë. Kurrsesi, nuk e rëndoi gjendjen në familje, linte kokën pas të atit, edhe pse hallet edhe sot e kësaj dite i qan me të ëmën, Ninën. Nuk e humbi kurrë shpresën se një ditë diç do të ndryshonte, dhe ashtu ndodhi. Vite më pas, një ditë të zakonshme Lindaniza do ta ndërpriste të atin nga puna e tij e vyer e shkrimit, për t’i kumtuar një lajm të rëndësishëm: “Ajo, vajza e tij e vetme së bashkë me bashkëshortin dhe dy vajzat do të nisej drejt mërgimit”. Ishte hera e parë pas shumë kohësh që sytë e tij ishin përlotur.
Lamtumira...
Tashti që po ndërmerrte atë udhëtim të mundimshëm që do ta shpinte larg, si do të ndihej nëna e tij? E shkreta nënë! E dënuar për gjithë ato vite të jetonte me kujtimin e burrit të pushkatuar dhe pa patur pranë djalin e saj të vetëm, tashti ishte destinuar të kishte edhe një varr të braktisur. Asgjë nuk e çartte në ato momente heshtjen e atij vendi të prehjes. Nxori nga xhepi shaminë dhe pastroi pllakën, mbi të cilën ishte shkruar emri, mbiemri dhe dy datat: ajo e lindjes dhe ajo e vdekjes. Po ai ku do ta kishte banesën e tij të mbrame?
U ngrit zemërthyer. Ndoshta ishte hera e fundit që vinte të shihte nënën e tij. Me shumë gjasë ai po shkonte të vdiste në një vend të largët dhe të panjohur. Nuk kishte lule me vete. Shitorja me lule në hyrje të varrezës ishte përherë e mbyllur. Hodhi sytë përreth: aty pranë pa disa lule të vogla, të verdha, lule zhabine. Mblodhi disa dhe i vendosi në dheun e rrafshuar të varrit, brenda katër rrasave prej çimentoje që kufizonin atë vend të prehjes së përhershme të nënës së tij. Atëherë u kujtua për mëllagat, për mëllagat që nëna e tij i kishte dashur aq shumë dhe që gruaja e tij i kishte sjellë në Durrës nga fshati: tashti që edhe ia do të nisej. Do të thaheshin në shtëpinë e braktisur. I theri zemra dhe u ndje në faj. Para se të dilte, shkoi të vizitonte edhe varrin e xhaxhait dhe të hallës, edhe atë të babait të Ninës. Dhe mendoi për atin e tij që nuk e kishte ende një varr: ku kishte rënë, i lodhur. Dhe më i vetmuar. Sidoqoftë, të vdekurit nuk mund ta kuptonin.
Pse, të gjallët po?
(Fragment nga libri
“Ikje nga trilli i perëndive”)
Home »
» Amik Kasoruho - Femrat që më zbutën vuajtjet e jetës





