Virgjil Muçi
Ndonëse “Shekujt osmanë në hapësirën shqiptare” i Ferit Dukës është një libër i përbërë, siç e shpjegon edhe vetë autori në hyrje, nga një sërë studimesh e shkrimesh të botuara në kohë dhe vende të ndryshme, nga mënyra se si është konceptuar, por edhe për shkak të tematikës që trajton, vepra ia del ta ruajë unicitetin dhe të lexohet si një punim tërësor. Te punimi “Muzakajt, një lidhëz e fuqishme e kohëve paraosmane dhe osmane” përveç shtjellimit interesant që autori i bën njërës prej familjeve bujare më zulmëmëdha në mesjetën shqiptare, si dhe të disa prej pinjollëve më të shquar të saj, Duka, edhe pse disi shkarazi, hedh dritë mbi atë çast shumë të rëndësishëm në histori që lidhet me apostazinë e shqiptarëve, pra, të braktisjes së krishterimit, si atij katolik ashtu edhe ortodoks, dhe konvertimit në fenë islame të disa prej familjeve të përmendura të fisnikërisë shqiptare në periudha të ndryshme të pushtimit osman të vendit. Dhe këtu mund të rendisim veç Muzakajve edhe Kastriotët, Arianitët, Topiajt, Zenebishtët, Zgurajt e plot e plot të tjerë. Ky akt me rrjedhoja komplekse për fatet e vendit dhe të popullsisë, si në rrafsh lokal ashtu edhe më gjerë, i kryer në rrethana dhe për motive të ndryshme, të cilat, autori bën kujdes dhe i shkoqit me skrupulozitet, po përfton një peshë specifike gjithnjë e më të madhe në studimet historike shqiptare: së pari, ngaqë nuk është i ndriçuar sa e si duhet (dhe këtu kam parasysh më fort atë çka i është ofruar deri më sot lexuesit të gjerë, pra, jo të specializuar); së dyti, duke qenë se ky proces paralajmëronte dhe i hapte rrugë konvertimit në masë të popullsisë shqiptare të kohës në fenë e pushtuesit, çka përbën një çast kyç; dhe, së treti, nga pikëpamja gjenealogjike na ofron të dhëna të dorës së parë (Duka u referohet të dhënave të vjela nga burimet osmane dhe, më konkretisht, punimeve të osmanologut të njohur si autoritet absolut i fushës në mbarë botën, Halil Inalcik) dhe me mjaft interes për faktin se na shërbejnë si një “missing link”, thënë shqip një hallkë munguese në rrjedhën e zhvillimeve dhe realiteteve të reja social-ekonomike ku hyri vendi pas pushtimit nga Porta e Lartë. Gjithsesi, siç e thekson me të drejtë edhe vetë autori i punimit, kjo temë mbetet një portë e hapur që i grish historianët, antropologët dhe studiuesit e interesuar ta hulumtojnë në mënyrë shteruese.
Me mjaft interes është edhe shkrimi “Feja dhe shoqëria në hapësirën shqiptare” ku autori shkon e ndërton një panoramë të plotë të shpërndarjes së besimeve të ndryshme në hapësirën shqiptare përgjatë periudhës së sundimit osman. Përmes një analize të imtë, ai shtjellon zbaticën e pësuar nga popullsia që i përkiste besimit të krishterë, për shkak të erozionit të ndjeshëm që po ndodhte në gjirin e besimtarëve të të dy besimeve, katolik e ortodoks, për hir të së vërtetës në një masë më të madhe tek ata të ritit perëndimor roman, në kohë të ndryshme të të qenit nën hijen e pushtetit të Portës së Lartë. Edhe pse argumentet e shtënë në punë nga autori janë të njohur, të paktën në një masë të madhe, ai ka arritur t’i harmonizojë e t’i vendosë në kontekstet e duhura social-politike të kohës për të cilën bëhet fjalë në studim. Një vëmendje të posaçme ai i kushton edhe dukurisë së bektashizmit në Shqipëri, duke nxjerrë në pah se arsyet se përse ky tarikat që përndiqej e dënohej rreptësisht në Perandorinë Osmane hodhi rrënjë e lulëzoi në Shqipëri, një vend ku, siç i mëshon me të drejtë historiani në disa prej punimeve të veta të përfshira në këtë libër, fanatizmi fetar nuk arriti kurrë të mbizotërojë e të krijojë fraktura politike, etnike dhe sociale, çka, kishte për të pasur një kosto të lartë për të ardhmen dhe vetë ekzistencën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Gjithashtu me interes janë të dhënat rreth hebrenjve të ardhur në Shqipëri pas dëbimit nga Spanja katolike dhe dyerve që u hapi Sulltan Mehmet Fatihu.
Duke prekur e hulumtuar gjerë e gjatë, mbështetur në statistika dhe të dhëna konkrete, që lidhen me jetën në të gjithë aspektet e saj në viset e rajonit të banuara më së shumti nga shqiptarë, libri i historianit Ferit Duka ia ka dalë të krijojë një kuadër të larmishëm të ndryshimeve vende-vende radikale që ndodhën në trevat që iu nënshtruan regjimit politiko-ushtarak të imponuar nga Perandoria Osmane. Pushtimi osman, i cili zgjati për afro pesë shekuj dhe preku si botën fizike ashtu edhe atë shpirtërore të banorëve, e shfytyroi peizazhin në mënyrë të pandreqshme, ndaj dhe nuk lajthisim po të themi që edhe sot e gjithë ditën, reminishenca të atyre kohëve janë në themel të shumë prej dukurive që mbartin emrin “ballkanizim” me një konotacion të qartë e të ndjeshëm pejorativ. Është afërmendsh që punimet e Ferit Dukës, të përmbledhura në këtë vëllim, nuk i shterojnë tematikat që trajtojnë (madje as vetë autori nuk ngjan ta ketë këtë ambicie) për arsye të rrokshme e të kuptueshme, por, nga ana tjetër, ato herë-herë janë një ftesë për historianët; ndaj dhe shërbejnë si piketa orientimi në një udhë të hapur prej kohësh, për ta rrahur e hedhur dritë në lëmenj e rrafshe të ndryshme të jetës e të shoqërisë shqiptare të të gjithë kohërave.