Shoqëria e algoritmit

Motori i kërkimit në internet, Google, e bazon fuqinë e tij në një shprehje matematike. Por kudo, vendimet e rëndësishëm dhe zgjedhjet e vogla u besohen procedurave të automatizuara dhe programeve kompjuterike. Me shumë avantazhe. Dhe ndonjë rrezik. Për privatësinë, për demokracinë dhe për ekonominë. Siç e tregoi kriza financiare e vitit 2008

Po hyjmë në shoqërinë e algoritmit. Vendime të rëndësishëm apo të vogla vetëm në dukje, zgjedhje që lidhen me ekonominë dhe për vetë jetën e përditshme, u besohen gjithnjë e më shumë procedurave të automatizuara, programeve kompjuterike të vëna në punë falë modeleve matematikore që, duke reduktuar apo eliminuar krejt ndërhyrjen e njeriut, duhet të bëjnë më të shpejta dhe të besueshme operacione të shumëfishta, si dhe të reduktojnë rrisqet e tyre. Por pikërisht rendja masive drejt algoritmeve, “shkëmbimeve me frekuencë të lartë” është denoncuar si një prej shkaqeve të krizës së madhe financiare të vitit 2008. Një prej padronëve të botës, Google, e bazon fuqinë e tij pikërisht në algoritmin që mbledh, përzgjedh, vendos hierarki mes informacioneve tek të cilët një numër gjithnjë në rritje personash bazojnë njohuritë e tyre. Prodhimi i pandalshëm i profileve individualë, familjarë dhe të grupit, domethënë ndërtimi i identitetit tonë individual dhe social, u besohet algoritmeve, ashtu sikurse përllogaritjet që u bëhen konsumeve tanë mbi bazën e të cilëve përcaktohen faturat që ne duhet të paguajmë.

Kjo lloj mbështetjeje tek algoritmet përcakton një prani gjithmonë e më të vazhdueshme, që duket se nuk njeh kufij, dhe që pushton çdo sferë të ekzistencës. Gjithmonë njeriu ka kërkuar një formulë që të përmbajë sekretin e jetës.

Por tani, universitetet nxjerrin ekuacione për çdo gjë: për dashurinë, për erosin, për dietën e përsosur dhe natyrisht për të fituar në lojërat e fatit. Në realitet, algoritmi përcakton modalitetet e funksionimit të hapësirave të mëdha të organizimeve tona sociale, dhe kështu rishpërndan pushtete. Ai madje mishëron forma të reja pushteti dhe modifikon cilësinë. Dhe e gjithë kjo ngre pyetje të ndryshme. Do të jemi gjithmonë e më intensivisht nën mëshirën e makinave? Cilët janë efektet mbi lirinë dhe të drejtat, cilat janë pasojat mbi vetë funksionimin demokratik të një shoqërie?

Teknologjive të informacionit dhe komunikimit në fakt u është njohur një virtyt, ai që e kanë bërë shoqërinë më transparente pikërisht sa i përket mundësisë së kontrollit të pushtetit, çfarëdolloj pushteti. Por kur algoritmi bëhet vetë themeli i pushtetit të ushtruar nga një subjekt, siç ndodh në rastin e Google, dhe çdo gjë që ka të bëjë me të rrethohet nga një fshehtësi maksimale, atëherë jemi me të vërtetë përpara versionit të ri të sekreteve shtetëror, që nuk mbajnë nën tutelë vetëm veprimtarinë dhe sipërmarrjet, por bëhen padronë, direkt apo indirekt, të vetë jetës së njerëzve.

Atëherë, si mund të bashkëjetohet me algoritmin, apo me format e shumta që merr kjo teknikë, dhe me rrjetet neutralë, me atë që quhet “autonomic computing”, me gjithçka që i beson teknologjisë ndërtimin e identitetit tonë dhe që kështu prodhon hierarki të reja dhe shpesh herë të padukshme sociale dhe që e vë “algoritmin në pushtet”.

Nuk e dimë, por është e mundur që, kur telefonojmë një call center dhe dëgjojmë “të qëndrojmë në linjë për të mos humbur prioritetin e përftuar”, jemi tashmë në duart e një algoritmi që na ka klasifikuar si klientë pak interesantë dhe që na bën të presim në pafundësi, ndërkohë që është e shpejtë përgjigja për klientin “e mirë”.

Në jetën e përditshme lihet të kuptohet për mikrobin e diskriminimeve të reja, lind qytetari jo më i lirë, por i profilizuar, i burgosur i mekanizmave që nuk di apo nuk mundet t’i kontrollojë, të përshkruar më së miri në një libër të Mireille Hildebrandt dhe Serge Gurvitch dhe të titulluar: “Profilizimi i qytetarit Evropian”.

Në shoqërinë e algoritmit zhduken garancitë që do të duhet të mbronin personin nga fuqia e teknologjisë, nga shpronësimi prej individualitetit të tyre nga ana e makinave. Një direktivë evropiane dhe shumë ligje të shteteve parashikojnë që të gjithë kanë të drejtën të njohin “logjikën e aplikuar në trajtimet e automatizuar të të dhënave” dhe ndalojnë do vendim “të bazuar ekskluzivisht në një trajtim të automatizuar të të dhënave të destinuara për të vlerësuar disa aspekte të personalitetit të tij”.

Këto norma na thonë se bota e trajtimeve të automatizuar të informacioneve nuk mund të jetë pa rregulla dhe që mbështetja tek algoritmi nuk mund të shndërrohet në një formë të eliminimit të përgjegjësive të subjekteve që e vënë në punë.

Janë vënë nën akuzë “makinat” që nuk mund të mbrohen e që kështu përdoren si varkë shpëtimi. Por fajësimi i papërcaktuar i pushtetit tek një entitet i jashtëm nuk mund të bëhet rruga për të ushtruar një pushtet pa përgjegjësi. Sigurisht, algoritmi është një instrument për të racionalizuar procedurat, për të përllogaritur variablat që përndryshe janë të vështirë të orientohen, për të zbritur vendime të rëndësishëm nga presione të papërshtatshëm. E megjithatë, sjell edhe një vështirësi jo të vogël sa i përket shtrirjes së variablave që duhet të konsiderohen, karakterin e paparashikueshëm të asaj që ndodh, ajo variabël historik që na ka bërë të themi se “një kalë nuk rend kurrë dy herë” për të nënvizuar rrisqet e basteve për të ardhmen. Dhe nëse kjo është e vërtetë për sistemin financiar ndërkombëtar, është akoma edhe më e vërtetë kur vendimet kanë të bëjnë me personat, të ndryshëm njëri nga tjetri, të marrë në kontekste të ndryshëm, të pashndërrueshëm në skema.

Kjo vetëdije tashmë e përhapur shumë duhet që të na nxisë të paktën të adoptojmë “parimin e masës paraprake” dhe për të ndërtuar një kontekst të përshtatshëm institucional, që sot është i dobët sepse normat që kujtohen anashkalohen apo injorohen, për të shmangur që raporti gjithnjë e më i rëndësishëm mes njeriut dhe makinës të menaxhohet sipas një logjike ekonomike.

Kur marrëdhënia mes pushtetit publik e privat dhe personave bazohet në një “data mining” të pandërprerë, në mbledhjen pa kufi të çfarëdolloj informacioni që ka lidhje, dhe më pas i besohet algoritmit, atëherë personat transformohen në abstraksione, ndërtimi i identitetit të tyre shkëputet nga vetëdija e tyre, e ardhmja e tyre i besohet determinizmit teknologjik. E gjithë kjo u ha hakun të drejtave themelore, vë në diskutim ndërtimin e lirë të personalitetit dhe vetëvendosjen, duke na detyruar kështu të pyesim nëse dhe si mund të jetë demokratike shoqëria e algoritmit.

Related Posts: