OBSH: Qytetarët të qëndrojnë në shtëpi. Grimcat bllokojnë frymëmarrjen



Dje, specialistë të meteorologjisë, si dhe drejtues nga aviacioni civil e kanë mbajtur frymën pezull kur kanë parë në hartë retë me hirin e vullkanit islandez që i afroheshin zonës së Mesdheut. Pas anulimit të fluturimit në Italinë Veriore, e më pas në Kosovë dhe Mal të Zi, rreziku i shtrirjes së hirit edhe në Veri të vendit tonë ishte i pranishëm. Vetëm erërat e fryra nga Jugu dhanë avantazhin e zbutjes së situatës, por që shqetësimi vijon të jetë i lartë. Ndërkaq, ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë dhënë informacionet e para rreth efekteve që mund të japë ulja e hirit të vullkanit në tokë dhe kontakti me njerëzit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar qytetarët e Europës të qëndrojnë në shtëpi nëse konstatojnë tymin vullkanik në qiellin e qyteteve të tyre. Me anë të një komunikate për shtyp, paralajmërimi është adresuar në mënyrë të veçantë ndaj Islandës, Skocisë dhe Norvegjisë, ku pluhuri është më pranë sipërfaqes së tokës. Daniel Epstein, zëdhënësi i OBSH, tha se hiri është potencialisht i rrezikshëm për njerëzit. Kur të arrijnë në Tokë, sipas tij, grimcat mund të hyjnë në mushkëri dhe të shkaktojë probleme të frymëmarrjes.
"Ne jemi të shqetësuar shumë për këtë", tha Epstein. "Këto grimca kur thithen mund të arrijnë rajonet periferike të mushkërive dhe mund të shkaktojnë probleme, sidomos për njerëzit me astmë apo probleme të frymëmarrjes".
Ai tha gjithashtu se europianët të cilët punojnë në ambiente të hapura, duhet të konsiderojnë mundësinë e përdorimit të maskave.
Ekspertë të tjerë, megjithatë, nuk ishin të bindur se hiri vullkanik do të ketë një ndikim të madh mbi shëndetin e njerëzve. Ata thanë se paralajmërimet e OBSH-së ishin "histerike". Këta ekspertë thanë se hiri vullkanik është shumë më pak i rrezikshëm se sa tymi i duhanit apo ndotja e zakonshme.
Aktualisht reja e hirit vullkanik ndodhet 20 mijë metra mbi Tokë, nëse tymi qëndron në këtë lartësi, efektet megjithatë pritet të jenë minimale në shëndetin e njerëzve. "Jo të gjitha grimcat janë të barabarta", tha Ken Donaldson, profesor i toksikologjisë respiratore në Universitetin e Edinburgut, i cili ka studiuar ndikimin e hirit vullkanik te njerëzit.
Ai tha se pas shpërthimeve të mëparshme vullkanike, pak ndikim është parë në shëndetin e njerëzve, me përjashtim të atyre me probleme të mushkërive, të cilët ishin pranë vullkanit.
Dr. Stephen Spiro, një profesor i mjekësisë respiratore dhe zëvendëskryetar i Fondacionit Britanik të Mushkërive tha se njerëzit duhet të mbajnë maska apo të qëndrojnë në ambiente të mbyllura për të shmangur kontaktin me hirin.
Agjencia e Mbrojtjes se Shëndetit në Britani tha se përqendrimi i grimcave vullkanike, që mund të vendosen në Tokë, ka të ngjarë të jetë e ulët dhe nuk do të shkaktojë dëm serioz. Agjencia tha se njerëzit me probleme të frymëmarrjes si bronkit dhe astmë mund të përjetojnë simptoma si dhembje të fytit dhe kollë e thatë.
Ekspertët ndërkombëtarë nuk kanë ende një përgjigje për kohëzgjatjen e fenomenit të pluhurit vullkanik që po shpërndahet nga Islanda, duke anuluar qindra fluturime në të gjithë botën.