Një biografi dhe një rast/ Nexhmije Hoxha, stalinizmi shqiptar dhe monografia e Fahri Balliut

Nga Bogdan Kristian Jakob
Autori është sekretar i përgjithshem i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit ne Bukuresht. Shkrimi është botuar në revistën “Apostrof”, Cluj, prill 2010

Rasti i Shqipërisë ka mbetur vazhdimisht gjatë viteve, si pjesë e analizave të komunizmit rumun në një perspektivë krahasuese. Arsyeja kryesore është se regjimet e udhëhequra dhe të personifikuara nga Enver Hoxha dhe Nikolae Çaushesku i përkasin të njëjtës familje: asaj të stalinizmit nacional. Megjithatë, literatura për këtë vend është tejet e kufizuar në Rumani. Për këtë arsye, dua të përshëndes që në krye të herës iniciativën e Shtëpisë Botuese Humanitas për të botuar një biografi të Nexhmije Hoxhës Zonja e zezë (2009) (për të venë e diktatorit shqiptar) shkruar nga Fahri Balliu. Vëllimi është përfshirë në kolanën e "historisë bashkëkohore", koordinuar nga Cristian Vasile dhe Vladimir Tismaneanu. Për më tepër, Profesori i Universitetit të Maryland-it ka shkruar edhe argumentin e këtij libri. Dhe jo në radhë të fundit, autori i parathënies së librit është Ismail Kadare, shkrimtari më i rëndësishëm i Shqipërisë, një nga personazhet kryesorë të historisë moderne shqiptare.
«Zonja e zezë...” na ofron një mundësi për të krahasuar në mënyrë të drejtpërdrejtë të dy regjimet, patologjitë e përbashkëta dhe dallimet specifike. Fahri Balliu përshkruan botën stërhollësisht dhe intrigat e nomenklaturës së Partisë së Punës së Shqipërisë (PPSH), e barabartë me PCR (Partinë Komuniste Rumune). Shkrimtari dhe gazetari shqiptar nuk hyn në detaje mbi strukturën e partisë-shtet, por arrin të japë ethosin totalitar dhe personalizimin radikal të regjimit totalitar të Hoxhës. Nexhmija është mishërim i "pedagogjisë diabolike të stalinizmit". Nga pozita e drejtorit të Institutit të Studimeve Marksiste, ishte ekspertja e ortodoksisë enveriste, censuruesja absolute e historisë së PPSH-së dhe e trashëgimisë së Enver Hoxhës.
Me zhdukjen e udhëheqësit “hyjnor”, Ramiz Alia, pasuesi i tij, dhe Nexhmija kanë zhvilluar një marrëdhënie simbiotike me qëllimin që ta përjetësonin sistemin: "Ajo që i mbajti në sekret dhe me fanatizëm së bashku, në një platformë të përbashkët, ka qenë bashkëpunimi, bashkimi në një institucion të vetëm me qëllim ruajtjen e trashëgimisë së udhëheqësit me çdo çmim "(f.149). Udhëheqja e re u zyrtarizua dhe me lidhje gjakësore (një tipar themelor i rastit shqiptar): Ilir Hoxha ishte i martuar me mbesën e Ramiz Alisë. Dhe regjimi i Çausheskut ishte një formë e socializmit dinastik i realizuar përmes "familjarizimit të partisë" (Kenneth Jowitt) dhe të imponimit të një kulti të personalitetit. Pas Kongresit të XIV-të të Partisë Komuniste Rumune, një skenar i ngjashëm i transferimit të pushtetit në Shqipëri u duk si mënyra më e mundshme për të zgjidhur  krizën ardhmen e trashëgimisë. Analisti politik Tismaneanu ka vënë në dukje disa herë faktin  se në udhëheqjen e PKR problemi shtrohej mes një zgjedhjeje midis Niku Çausheskut dhe Elena Çausheskut.
“Zonja e zezë” paraqet në mënyrë shembullore intrigën e shfarosjes brenda partisë në historinë e komunizmit shqiptar. Arshi Pipa, ndoshta analisti më i rëndësishëm i enverizmit, e ka përcaktuar këtë fenomen si një “shkatërrim progresiv (progresive enucleation) të udhëheqjes së PPSH. Hoxha u bë udhëheqës absolut duke spastruar dhe eliminuar rivalët e tij dhe fizikisht. Më shumë se kaq, me besnikëri, sipas modelit stalinist, i përdori ata, duke i instrumentalizuar kundër njëri-tjetrit, pastaj për t’u distancuar nga ish-aleatët. Pipa përdor shprehjen "purging the purgers " Kësisoj, personazhet qendrorë të librit të Fahri i Balliut si: Koçi Xoxe, Bedri Spahiu, Liri Belishova, Mehmet Shehu, Beqir Ballaku janë viktima të një sistemi i cili është i bazuar në thelb në vetëshkatërrimin dhe në vetëzhdukjen e elitës politike. Më shumë sesa kaq, Hoxha nuk eliminoi vetëm kundërshtarët. Urrejtja e tij u derdh mbi familjet e tyre, pastaj duke goditur të afërmit e tyre, duke përfunduar me eliminimin e grupeve të tëra, e meta kryesore e të cilëve ishte lidhja e gjakut me "elementin përçarës”.
Spastrimet në Shqipëri ndoqën katër drejtime kryesore në lidhje me ndryshimin e vijës partisë. Enverizmi ka përcaktuar herezitë e mëposhtme: Titoizmi, social-imperializmi sovjetik, dhe maoizmi dhe eurokomunizmi. Ashtu siç rrëfen dhe Balliu, terrori komunist në këtë vend ishte formuluar në fjalorin e vigjilencës revolucionare dhe pastërtisë ideologjike. Nexhmija si bashkëfajtore për krimet e bashkëshortit të saj, tregon mungesë  solidariteti dhe respekti për viktimat duke e motivuar me nevojën për të mbrojtur interesat e partisë. Në 1981, Historia e Partisë së Punës së Shqipërisë kodifikonte etikën e pastërtisë kësisoj: 
Revolucioni, diktatura e proletariatit nuk duhet të hezitojë të përdorë dhunën kundër armikut të partisë, të popullit dhe të socializmit. Kontradiktat midis nesh dhe armikut të klasës nuk mund të zgjidhen në ndonjë formë tjetër. Në përpjekje për t’i zgjidhur disa dallime në kuadrin e masave punonjëse, si aspekte të ndryshme të rendit socialist, kjo do të thotë të biem në grackën e idealizëmit dhe pajtimit të klasave. Spastrimi i elementëve  armiqësore në udhëheqjen e Partisë dhe dërrmimi i aktivitetit antiparti dhe antisocialiste kanë kalitur ideologjikisht dhe politikisht Partinë, duke e bërë atë pararojë të klasës punëtore dhe udhëheqëse të popullit.
Në origjinën e këtyre parimeve gjendet imperativi i përcaktuar nga Lenini sipas të cilit "një organizatë me të vërtetë revolucionare nuk duhet të hezitojë në asnjë mënyrë për të eliminuar anëtarët që janë provuar si të padenjë". Për Hoxhën, logjika ekstremiste e leninizmit ishte instrumenti absolut i konsolidimit të  pushtetit në parti. Fahri Balliu e përshkruan shkëlqyer këtë situatë: "Enver Hoxha në të vërtetë nuk luftoi kundër “imperializmit. ”Lufta e vërtetë që bënte Enver Hoxha ishte ajo brenda partisë. Sepse ai për qëllim kishte sigurimin e mbijetesës dhe kështu të mbante frenat e vendit” (fq. 92). Me fjalë të tjera, kto kogo! Më shumë sesa kaq, përgjithësimi i terrorit bën që "shteti të mos përballet me armiqtë por me vetë popullin" (f. 190). Kështu, transformimi radikal i një sistemi të tillë si ai i Hoxhës, shndërrohet në vëllavrasës. Kjo është ndoshta trashëgimia më të vështirë e leninizmit. Mund të ekuilibrohet në post-komunizëm  kujtesa e jetëve të shkatërruara me ato të jetëve të realizuara nën komunizëm?
Siç ve në dukje Balliu, PPSH është transformuar në një "shpikje pothuaj mitike”,  groteske dhe tragjike njëkohësisht" (f. 132). Ashtu si Çaushesku, Hoxha transferoi simpatinë impersonale për partinë mbi të. Në të dy rastet, kulti i personalitetit është bërë parimi unifikues i shtetit komunist me personifikimin e ndërtimit të socializmit në një vend të vetëm. Hoxha ishte "subjekti kryesor i mitologjizimit, por, në të njëjtën kohë, dhe  më i rëndësishmi [asistuar me përkushtim të plotë dhe bindje nga Nexhmija] krijues i miteve komuniste në Shqipëri". Fahri Balliu beson se "një proces historik lamtumire përfundimtare me të kaluarën  diktatoriale është e vetmja mënyrë  përmes të cilës trauma, mistifikimi dhe kompromisi moral të imponuara nga përvoja komuniste, mund të tejkalohen. Vetëm kështu do të eliminohet helmi që ka depërtuar thellë në gjakun e çdo shqiptari "(fq. 24). Hapi i parë i një procesi të tillë historik është të identifikojë ata që janë përgjegjës. “Zonja e zezë” është një padi e shkëlqyer për një nga përgjegjësit e mëdhenj për tragjedinë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë. Gjithashtu, biografia e Nexhmijes është një puzzle historik, rindërtimi i së cilit është thelbësor për analizimin e komunizmit rumun nga perspektiva krahasimtare.