JORIDA PASKU
Shekspiri, Servantesi dhe Aligieri janë për Mira Meksin bibla të letërsisë. Në një intervistë në Ditën Botërore të Librit, pak nga përvoja e saj për leximet dhe dashuritë letrare
Përkthyesja dhe shkrimtarja Mira Meksi merrte pjesë dje në aktivitetet e Ambasadës Spanjolle në Ditën Botërore të Librit, për të referuar mbi librin e saj të fundit, "E kuqja e demave" dhe lidhjet me botën hispanike.
Meksi foli para studentëve të gjuhës spanjolle për procesin krijues, përjetimet vetjake mbi Spanjën, si arriti të ndërtonte dy universe në një vepër: të Koridave me universin e ikonës, si rrjedh koha në secilin prej tyre në libër, cilat janë vendet, qytetet, manastiret e Spanjës ku ajo ka ngritur historinë dhe çfarë simbolesh i ka huajtur botës hispanike.
Ajo lexoi për të pranishmit edhe një pjesë nga poeti spanjoll Rafael Alberti, me titull "Të puthurat", një tregim për dashurinë, pasionin, epshin.
Në një intervistë për "Shekullin" flet nisur nga përvoja e një njeriu të rrahur me lexime.
Znj. Meksi, si ju duket atmosfera sot në Ditën e Librit?
Shikoj që ka një interes të jashtëzakonshëm. Sidomos studentë, të rinj, që duan të lexojnë Kishotin. Nuk ma merrte mendja që do të kishte kaq shumë prani, kaq shumë njerëz që duan të lexojnë.
Nëse ju do të ishit në një pozicion drejtues në kulturë, çfarë do të bënit në këtë ditë?
Unë mora pjesë në organizimin e sotëm dhe kështu e mendoj organizimin, me lexime kolektive.
Si një njeri i lexuar, cilët libra sugjeroni për t'u lexuar doemos në jetë?
Në përgjithësi unë nuk jap formula për librat që duhen lexuar. Gjithsecili, në sajë të kultivimit që ka, dëshirave dhe nevojave lexon aksh ose aksh libër. Nga ana tjetër, mund të thuhet se në gjuhën e botës sot ka një lloj fenomeni që është i njëjtë, si për gjuhën spanjolle, angleze dhe italiane.
Në përgjithësi unë nuk jap formula për librat që duhen lexuar. Gjithsecili, në sajë të kultivimit që ka, dëshirave dhe nevojave lexon aksh ose aksh libër. Nga ana tjetër, mund të thuhet se në gjuhën e botës sot ka një lloj fenomeni që është i njëjtë, si për gjuhën spanjolle, angleze dhe italiane.
Të tri gjuhët kanë prodhuar tri shkrimtarë universalë, të padiskutueshëm, që janë Servantesi, Shekspiri dhe Dante Aligieri. Madje brezat e shkrimtarët që kanë ardhur nga këto gjuhë, e kanë "qortuar" faktin që këta kanë qenë aq të mëdhenj si shkrimtarë, sa kanë thënë gjithçka. Të tre janë autorë që në asnjë mënyrë nuk mund të neglizhohen për t'u lexuar. Janë bibla e letërsisë.
Ju vetë nga i keni filluar leximet?
Sigurisht që nuk e kam filluar nga asnjëri nga këta të tre. Kam filluar të lexoj shumë e vogël, që 5 vjeç. Libri i parë ka qenë libri i Mitrush Kutelit, "Xinxifillua". Shumë herët kam lexuar edhe tragjedi të Shekspirit, ndoshta në një moment të jetës sime që nuk i kuptoja.
Megjithatë, ai muzikaliteti i përkthimit, më bënte që t'i mësoja gati përmendësh dhe t'i recitoja përpara pasqyrës. Më kujtohet edhe botimi i parë i asaj kohe. Nuk kam qenë më shumë se 6-7 vjeç. Merrja një perde ngjyrë vishnje të gjyshes e vija përpara, dhe më dukej vetja si Zhuljeta, por ndërkohë bëja edhe rolin e Romeos.
Ndërsa sa për Don Kishotin e kam lexuar më vonë, nga tetëvjeçarja. Kam lexuar pjesën e parë të Nolit, që është e pakrahasueshme. Pastaj kam pasur fatin të punoj me Petro Zhejin në shtëpinë botuese "Naim Frashëri" dhe jo vetëm e kam lexuar pjesën e dytë, por dhe kemi diskutuar, fraza të tëra të Don Kishotit. Sa për Dante Aligerin, ky është ca më vonë akoma, ndonëse më kujtohet që në gjimnaz kam lexuar një pjesë të komedisë hyjnore. Ka qenë "Parajsa" në frëngjisht dhe të adaptuar për shkollarë, me tekste shpjeguese.
Në ç'moshë jeni mbërthyer më shumë pas leximit? Po tani çfarë lexoni?
Unë jam e sëmurë pas leximit. Nuk besoj ta kem të edukuar. Tani jam bërë selektive në leximet e mia.
Ndjek autorë të njohur, autorë që i lexoj në origjinal, të gjuhës hispanike, hispano-amerikanë, autorë francezë, apo në gjuhë të tjera, deri Saramagon në portugalisht. Sigurisht, që bie rasti që unë lexoj autorë jashtë autorëve të mi të zemrës.
Kush janë ata të zemrës?
Janë autorë hispano-amerikanë dhe të gjuhës frënge, si Markez, Sabato, Saramago, Carlos Fuentes, Isabel Allende. I ndjek edhe botimet post-mortum. Libra të Borgesit të madh, vazhdoj t'i lexoj, të mos neglizhoj asnjë gërmë nga këta autorë. Dhe kjo të merr shumë kohë.
Duket sikur sot prindërit nuk mund të ndërhyjnë për shijet e leximit tek fëmijët. Ju vetë ç'mendoni?
Nuk di. Thuhet, të paktën teorikisht, që leximi edhe edukohet. Prirem t'i besoj kësaj. Edhe im bir është fëmijë që ka lexuar, por nuk e di nëse e ka pasur ai vetë apo ka ardhur duke parë klimën e familjes, duke parë bibliotekën, njerëz që lexojnë. Për të diktuar, nuk jam shumë e bindur. Diktati, sidomos tek fëmijët, është krejt e kundërta e reagimit. Mendoj se mund të edukohet, pa dyshim.
E vërteta është se tani nuk lexohet shumë, si më përpara. Është era e internetit. Gjithsesi mund të them, kur pashë romanin tim të fundit që ka njohur 4 ribotime dhe është i pesti tani në shtyp, rithem ka shpresë, lexohet. Ose romani i fundit i Ismail Kadaresë, "E penguara".
Çfarë është për ju letërsi e mirë?
Është një pyetje pak subjektive. Megjithatë, dihen sot në botë autorët e mëdhenj. Për mendimin tim, vazhdon që nga bumi latino-amerikan i viteve '60-të, që në krye të narrativës botërore, të jenë autorët hispano-amerikanë. Për mua ky është kulmi i letërsisë së arritur deri më sot.
Po në teori?
Letërsia e mirë është letërsia që transmeton ndjenjë. Ajo që në fund të fundit, përçon vlera të tilla universale, prek shpirtin njerëzor. Ndonjë funksion tjetër, letërsia nuk ka.
Po ajo e mirë shqiptare?
Nuk do të kisha dëshirë të përmendja emra, sepse kam frikë se mos harroj. Kadareja është pjekuria e letërsisë shqipe, por ka dhe autorë të tjerë, Fatos Kongoli, Zija Çela, Arjan Leka, Agron Tufa që bëjnë letërsi të mirë, por kulmi është pa diskutim Kadare.






