Librium


image


Dita e djeshme shënoi një moment të rëndësishëm për librin, sepse mjaft veprimtari u kryen me paraqitje librash, takime me shkrimtarë dhe poetë, si edhe me botues nga ana e pjesëve të interesuara të publikut. Gjithçka u krye në kuadrin e ditës ndërkombëtare të librit. Në vetvete, një operacion i vlefshëm, sepse sado që të bëhet për librin përsëri është jo aq sa do të duhej.
            Libri nga njëra anë është çliruar nga censura, ka përfituar nga mundësitë e shprehjes së lirë, në thelb liri politike, por nga ana tjetër ndodhet nën presionin e tre faktorëve që janë fakti se bashkë me liritë ai është shndërruar në një mall që shitet e blihet në treg, pra në një vlerë komerciale, mbi të ushtrohet presioni i mediave vizive shqiptare dhe të huaja, si edhe i internetit, që tërheqin gjithnjë e më shumë audiencë, e më në fund, ndjen edhe presionin që vjen nga një kulturë aktuale që drejtohet nga vlera konsumiste dhe materialiste.
            Pak kohë gjen sot shqiptari i mesëm të lexojë. Ndofta ka edhe një përtaci të ushqyer nga fakti se informacioni që merret para ekranit të kinemasë, duke ngrënë çipse, apo para ekranit televiziv, është më i rehatshëm, më i kollajshëm dhe më lehtësisht i debatueshëm. Mentaliteti për të bërë gjëra të thjeshta e dëmton kulturën e leximit të librit, sepse të lexosh është padyshim kënaqësi, por edhe një farë lodhjeje që vjen nga përqendrimi.
            Pa mohuar faktin se sasia e titujve në qarkullim është shtuar dhe janë futur në treg shumë autorë që vetëm para dy dekadash ishin krejt të panjohur ose të ndaluar, përsëri ka vend që të pranohet se libri ndodhet sot te ne para problemeve serioze. Ndodhet në vështirësi. Për ta përballuar atë kërkohet pa dyshim një tërësi politikash më efikase dhe konkrete.
            Më ka ndodhur që të vizitoj disa biblioteka të vendeve evropiane perëndimore. Nuk flas për ato që janë kombëtare apo të profilizuara në shkenca apo tematika të tjera kulturore. Për ato as që mund të flitet. Sjell ndërmend biblioteka lagjesh apo komunash të vogla urbane dhe gjykoj se me një pjesë prej tyre nuk mund të krahasohen as edhe biblioteka të rëndësishme qendrore apo institucionesh kombëtare te ne. Fonde të hapura ku lexuesi apo anëtari i bibliotekës e prek vetë librin, e sheh në raftin e tij, e lexon dhe konsulton në vend, pa pasur nevojë për asnjë procedurë administrative. Baza e të dhënave të titujve të librave e gjitha e dixhitalizuar dhe e konsultueshme në internet nga çdo banesë e planetit e lidhur në web. Komanda për libra të adresuara te biblioteka qysh nga banesa e rrisin shumë konsumin e librit dhe lehtësojnë përdorimin e tij. Mbi të gjitha, bibliotekat e komunave dhe të lagjeve të kthyera në qendra të rëndësishme kulturore. Ekspozita për libra të rinj, biseda për shkrimtarë e poetë, atje lexojnë shtypin të rinj e të rritur, vend kulturimi për brezin e tretë. Si edhe mjedise ku konsultohen dokumente shtetërore të botuara në gazetat zyrtare a dokumente të tjera. Si vështirë të konceptohet sot një bibliotekë e denjë për këtë emër pa propozuar shërbime bibliotekare edhe në materiale me support dixhital, si CD, video-kaseta etj., ku ndjek emisione televizive, koncerte muzikore, filma, biseda të regjistruara me njerëz të letrave dhe të artit, muzikë popullore nga vende të ndryshme etj.
            Nuk është herët që rrjeti i bibliotekave dhe përmirësimi i tyre cilësor, konceptimi i tyre edhe si vende informacioni, argëtimi, kulturimi dhe çlodhjeje, të kthehet në një politikë të qëndrueshme kulturore.
            Përndryshe, të rinjtë do të vazhdojnë të qëndrojnë nëpër kafe bare gjithë ditën dhe të rriturit do të kenë si të vetmin burim kulture imazhin televiziv, i cili edhe ai ka rolin dhe vendin e vet në këtë shoqëri të informacionit ku jetojmë.
            Veç bibliotekave ka vend të mendohet edhe për përkthimin. Tani gjithkush përkthen dhe shpeshherë kjo ndodh nëpërmjet një njohjeje tepër të pjesshme si të gjuhës amtare ashtu edhe të gjuhës nga vjen libri origjinal i përkthyer. Struktura e fjalisë kaotike dhe që nuk i shkon sintaksës shqipe, termat shkencore të përkthyer lirisht dhe pa asnjë përgjegjësi, për të mos thënë se një pjesë e teksteve të librave shkencorë janë përkthyer me gabime logjike të pafalshme. Nuk po hyj në këto analiza, sepse kërkojnë të merren shembuj konkretë ndërkohë që nuk është vendi për t’u marrë me këtë gjë.
            Diçka tjetër të tërheq vëmendjen. Shoqëria jonë deri tani nuk ka mundur të përkthejë nga vlerat shkencore, filozofike etj., veçse botimet më të thjeshta të autorëve të mëdhenj. Atje ku ata kanë dashur të divulgojnë teoritë e tyre dhe konceptet e tyre mbi botën. Thuhet se është botuar Spinoza, por kush mund ta përkthejë sot në shqip librin e tij themeltar «Etika e ndërtuar si gjeometri»?! Thuhet se është përkthyer Umberto Eko. Dakord, ka ndonjë vepër letrare e tij që është përkthyer, por kush ka mundur ta përkthejë filozofinë e tij të gjuhës ose punimet mbi retorikën? Jemi ende shumë shumë larg kësaj dite. Thuhet bile se është përkthyer edhe Sartri duke bërë me fjalë se kemi drama të tij. Dakord, janë përkthyer. Nuk po flasim për cilësinë e përkthimit. Por, ndërkohë duhet kuptuar se pa veprën e tij «Qenia dhe Asgjëja» vështirë se mund të thuhet se ne e kemi mendimin sartrian në shqip.
            Dikush thotë se ai që dëshiron të lexojë këto vepra fondamentale nga estetika, filozofia, sociologjia, gjuhësia, le të mësojë gjuhët e huaja në të cilat janë shkruar këta libra. Edhe kjo është një rrugë, por jo e vetmja. Mbi të gjitha na duhet ta pasurojmë shqipen me të gjitha ato cilësi shprehjeje që gjenia e botës ku jetojmë ka arritur ta artikulojë mendimin dhe komunikimin në gjuhë të tjera. Përndryshe është vetë gjuha që do të mbesë pas pavarësisht se do të përsërisim me të drejtë se shqipja ka potencialitete të mëdha shprehëse.
            Ne sot ende nuk kemi treguar se kem aftësi për të përkthyer dhe nxjerrë në qarkullim botime themeltare të mendimit botëror. Nuk e ka përgjegjësinë as gjuha edhe as lexuesi. Puna është se ka dy frena që pengojnë dhe që duhen lehtësuar.
            Së pari, mungojnë përkthyesit në këto fusha. Bota sot po përkthen me ekipe të tëra dhe që punojnë për një kohë të gjatë me një libër. Kjo do t’iu kushtonte shumë financiarisht shtëpive tona botuese. Shpesh ato e gjejnë veten më mirë kur botojnë libra mediokër ose të dorës së dytë, për t’ia shitur një publiku që kërkon gjëra të lehta, për të fjetur a thjesht kaluar kohën, a vetëm për t’u çlodhur, a lëçitur buzë detit poshtë ndonjë çadre, sesa për të përvetësuar kulturë a dije.
            Libri përdoret si librium, një lloj medikamenti siç e dimë që ndihmon ata që kanë ankthe për t’u çliruar dhe ndofta edhe fjetur.
            Në këtë mënyrë veprat themeltare mbesin në një harresë, nën shprehjen se «Filani është përkthyer tashmë në shqip». Është përkthyer, por çfarë është përkthyer?
            Freni i dytë vjen nga fakti se shtëpitë botuese e kanë më të lehtë të shesin nganjëherë tituj me përmbajtje mediokre sesa vlera të vërteta të kulturës. Nuk është vetëm fjala te letërsia, por edhe te pjesë të tjera të kulturës. Sikurse thekson edhe sociologjia e kulturës, në këtë mënyrë rritet tej mase edhe numri i autorëve që nuk kërkojnë të përshtatin publikun me shijet e larta të vlerave kulturore, por nisin vetë ata të përshtaten me shijet e rëndomta të një publiku që kërkon një letërsi të lehtë, të sipërfaqshme dhe pa ndonjë vlerë të madhe. Edhe letërsia shpesh bie nën logjikën e komercializimit të ngushtë që e godet rëndë.
            Pa një mbështetje nga politika kulturore të mirëfillta këtu do të ishte e pamundur që këto probleme të gjenin zgjidhje. Gjithnjë e më shumë do të na mungojnë titujt e mëdhenj të kulturës botërore.
            E njëjta situatë ndodh edhe me libraritë. Ka librari private edhe cilësore në shumë raste. Por, libri, qoftë edhe ai më i miri, pasi qarkullon për një farë kohe, zhduket nga raftet e librarive dhe nuk ka më njeri që ta gjejë. Titujt dalin dhe humbasin. Kjo ndodh sepse libraritë sigurisht kanë hapësira materiale stokimi të librit shumë të kufizuara. Nga ana tjetër, shtëpitë botuese që rendin pas fitimeve sa më të mëdha, edhe sepse janë të detyruara, nuk i ribotojnë tituj që kërkohen në më pak kopje pas një piku të parë, të lartë, të arritur më parë. Po kështu, nuk njihet ende shitja e librave të kthyer në informacion të dixhitalizuar.
            Kam përshtypjen se shumë vlera kulturore, shkencore, letrare, pasi qarkullojnë për një farë kohe, nisin e humbasin dhe i gjithë i investim që është bërë bëhet i pavlefshëm dhe i papërdorshëm për brezin që vjen pas.
            Titujt e librave nuk kanë kujtesë. Libri nuk po arrin të stokohet nëpër libraritë, bibliotekat dhe shtëpitë e qytetarëve. Hapësirat për bibliotekat në shtëpitë e shqiptarëve janë bërë shumë të ngushta dhe të ndërtuara me kritere kaotike.
            Veprimtaritë për promovimin e vlerave kulturore dhe arritjeve letrare apo shkencore nëpërmjet librit nuk po dalin dot nga një logjikë ceremoniali. Emisionet televizive dhe radiofonike, sidomos në mediat publike, kushtuar librit duhet të shmangin edhe një lloj publiciteti të ekzagjeruar dhe mbi të gjitha të ndërtuar keq ku stisen lëvdata dhe autolëvdata për autorët, por ndërkohë ka shumë pak analiza të vërteta kritike mbi vlerat dhe mangësitë e librave që dalin në qarkullim. Edhe këtu logjika e audiencës së gjerë, sa më të gjerë të mundshme, pra sasia, po e mund librin që në vlerat e veta më të mira është një parametër cilësor i mirëfilltë.
            Leximet në shkolla janë në një situatë disi kaotike dhe jo fort të shëndoshë gjithashtu. Në shkollat e nivelit parauniversitar, nxënës dhe prindër ankohen se nga shumë mësues iu rekomandohen tituj që nuk kanë ndonjë farë vlere. Kurse në shkollën e lartë lexohet pak. Studentët janë sigurisht pjesa më e ndriçuar dhe më e motivuar e lektoratit, por edhe në programet mësimore ka pak vepra të plota cilësore të rekomanduara. Puna e gjallë e nxënësit dhe e studentit vendosur në kontakt të drejtpërdrejt me librin ka vend të stimulohet shumë më tepër sesa deri tani. Shpesh herë lëndë të tëra përfundojnë vetëm me një fletore të hollë të mbushur me shënime përmbledhëse nga ato që pedagogu i jep gojarisht duke i quajtur leksione.
            Në këtë mënyrë edhe baza bibliografike e shkollarit tonë mbetet shumë e vakët.
            Pa dashur t’i numërojmë të gjitha, është vendi që në të gjitha këto pista të gjenden mundësi politikash kulturore bazuar në strategji të shëndosha për të bërë që lexuesi shqiptar t’i kthehet kulturës së librit, jo në mënyrë sipërfaqësore, jo në mënyrë kaotike, jo mbi vlera mediokre, por duke qarkulluar vlera të vërteta dhe prioritare të botës së sotme, të huaj apo të asaj shqiptare. Këtu ka vend gjithashtu që të ndërtohen prioritete përkthimesh, të qarkullojnë buletine periodikë me informacione për tituj të rinj nga fusha të ndryshme që botohen sot në botë apo në hapësirën mbarë shqiptare.
            Mbi të gjitha qarkullimi i librit në shqip dhe me autor shqiptar që botohet në Shqipëri qarkullon pak ose aspak, sidoqoftë shumë ngadalë, në hapësirat ballkanike ku banojnë shqiptarë. Atje ka një lexues që mund të bëhet edhe më i interesuar sesa kaq për atë që botohet në Shqipëri dhe anasjelltas. Por, kjo nuk mund të realizohet thjesht dhe vetëm me anë të një panairi që sado i rëndësishëm që të jetë nuk mund t’i shterojë mundësitë në këtë fushë. Kur shkon nëpër librari të Shkupit, Tetovës, Ulqinit a gjetiu, dhe sheh sesa pak libra të botuar në Shqipëri gjenden atje, rri e mendon se çfarë mundësish të tjera duhet të na krijojnë aleatët tanë perëndimorë për të bërë që së paku të krijojmë hapësirën mbarëkombëtare të kulturës.
            Përndryshe libri do të ishte vetëm librium ku festivitetet do të na vinin në gjumë mbi bazën e sloganit se «Ne shqiptarët jemi libërdashës».
              

Related Posts: