Kudo që ka shqiptarë ka edhe një libër të Ismail Kadaresë. Sepse gjuha e romaneve të Kadaresë është abc-ja e çdo shqiptari kudo që gjendet, qoftë në robëri a liri. Ismail Kadare, shkrimtari i madh shqiptar e europian, së fundmi paraqitet në shtetin fqinj të Italisë me dy publikime të reja, në pak ditë distancë nga njëri tjetri. Shtëpia botuese “Longanesi” ka marrë përsipër botimin e romanit të ri, “Aksidenti”, kurse me 22 prill pritet që nga shtëpia botuese “Fandango” të hidhet në treg libri i mirënjohur “Përbindëshi”. Romani “Aksidenti” fillon kështu – thuhet në një raportim të një agjencie të rëndësishme lajmesh nga vendi i përtejdetit: “Mëngjesin e 17 Tetorit, në kilometrin e 17-të të një rruge që të çon drejt një aeroporti austriak, një taksi del nga pista dhe përplaset duke shkuar me shpejtësi drejt një lugine të thellë. Të dy pasagjerët, një burrë dhe një grua e re, të dy të kombësisë shqiptare, vdesin në çast gjatë goditjes. Ndërkohë që, shoferi i mbijetuar, nuk mundet të shpjegojë shkaqet e aksidentit: detaji i vetëm që ai kujton (ose mendon se kujton) është se ka vënë re diçka në pasqyrën e pasme, por as nuk është në gjendje të përcaktojë se kush ishin dy udhëtarët, ku shkonin dhe përse. Sondazhet e bëra tregojnë se viktimat ishin të dashur. Ky rast, i paraqitur së pari si një "incident i pazakontë" është rishqyrtuar nga shërbimet sekrete serbe dhe shqiptare, të cilat në fakt nuk të çojnë në asnjë drejtim konkret. Bëhej fjalë vërtet për një aksident apo për një vrasje të motivuar nga arsye sentimentale apo për një vrasje politike?” Duke marrë parasysh dimensionin emocional, historik dhe politik kjo histori lë të hapur deri në fund dyshimin për zgjidhjen e këtij misteri, vijon raportimi i medias italiane. Ajo çka Ismail Kadare, (përtej fakteve) kërkon të shqyrtojë në këto faqe është një histori dashurie. Gjithçka është e mjaftueshme për të nxitur lexuesin që ai të pyesë veten nëse dashuria ekziston vërtet apo është vetëm një iluzion apo maskë... Ja edhe një pjesë tjetër nga “Aksidenti": "Kur u pyet për të njëqindtën herë në lidhje me atë çka kishte parë konkretisht, shoferi nuk diti të përgjigjej. Edhe ndërhyrjet e mjekut, i cili kishte rekomanduar që pacienti mos të lodhej, nuk e penguan gjykatësin për të vazhduar. Shoferi e kishte parë të gjithë pamjen e aksidentit nga pasqyra e pasme... me fjalë të tjera çfarë kishte ndodhur në sediljen mbrapa të taksisë, që ishte kaq e çuditshme dhe e kishte shkëputur atë nga makina? Ndoshta një grindje me dy pasagjerëve? Apo ndoshta gjithçka kishte ardhur për shkak të përkëdheljeve të tyre të forta? I plagosuri tundi kokën e tij: nuk ishte asnjë prej këtyre gjërave. Po pastaj? Pothuajse i bërtiti tjetri. Pse e keni humbur mendjen tuaj? Çfarë dreqin keni parë? Mjeku ishte duke ndërhyre sërish, kur pacienti rifilloi të tregojë. Në fund të fjalimit të tij i cili dukej sikur nuk të mbaronte kurrë, gjykatësi dhe mjeku shkëmbyen me mëdyshje mes tyre një vështrim. Sipas të plagosurit, të dy udhëtarët në sedijen e pasme të taksisë... vetëm kishin... kërkuar ... në të gjitha mënyrat e mundshme... të ... putheshin”. Kurse shtëpia botuese “Fandango” me 22 prill rikthen në librari Ismail Kadarenë me romanin “Përbindëshi”. Romani është njëra nga veprat më të njohura dhe më të veçanta të shkrimtarit. Jemi në vitin 1960, citohet media italiane, kur Shqipëria dhe Bashkimi Sovjetik sapo kanë prishur marrëdhëniet mes tyre. Kadareja kthehet nga Moska. Prishja mes dy vendeve krijon ankth në popullatën shqiptare, sidomos në mesin e studentëve. Dhe ky shqetësim vendoset në qendër të romanit, me të gjithë gjendjen e sëmurë të njerëzve dhe perceptimin e rremë të botës, një këndvështrim sfidues që u shfaq nën emrin e veprës “Përbindëshi”, në vitin 1965 dhe që u censurua në Shqipëri për 25 vjet me radhë. Pikërisht pasqyrimin e këtij ankthi të përdorur nga regjimet politike, Kadare e vendosi apo më mirë e transferoi nga vendi i tij në vendin mitik të Trojës, citon agjencia informative “affariitaliani”. Simboli i kësaj politike të grekëve, të pranuar nga trojanët është kali i stërmadh i braktisur në portat e qytetit. Pra, në këtë mënyrë romani i Kadaresë është i ndërtuar rreth këtij simboli, rreth këtij kali (Përbindësh) që ndodhet disa hapa nga dera e Trojës: ndërkohë që këtu paralel me të është një furgon i braktisur diku në periferi të Tiranës. “Përbindëshi” është një roman rreth terrorit politik, një roman ankthi, por edhe një roman i mistikës. Ismail Kadare është shkrimtari më i njohur shqiptar në Perëndim, por Italia prej dekadash ka qenë vendi që e ka mirëpritur veprën e tij, me përkthime të hershme e me ribotime të herëpashershme, por kryesisht me çmime të posaçme, që kohë pas kohe akordohen - siç thonë mediat – “shkrimtarin e madh të përtejdetit”.
...
Home »
» Italia publikon dy romane të Ismail Kadaresë – i cilëson si romane të ankthit dhe të terrorit politik