Ismail Mal’Osmani - Një shembull botuesi në Ditën Botërore të Librit


U mbajt sot në Bibliotekën Kombëtare një ceremoni përkujtimore për 100-vjetorin e lindjes së botuesit Ismail Mal’Osmani. Me këtë rast u promovua libri “Ismail Mal’Osmani- Njeriu i Librit”, përgatitur nga Spiro Mëhilli, si dhe një ekspozitë retrospektive me botime të kohës. Po dje, Ismail Mal’Osmani u vlerësua me titullin “Fisnikëria e Tiranës”

Një shembull botuesi në Ditën Botërore të Librit


Ismail Mal’Osmanin e kishte tërhequr emri i Johan Gutenbergut, shpikësit të shquar gjerman, që themeloi mënyrën europiane të shtypjes së librit me anë të kallëpeve të lëvizshëm... Për këtë arsye, në vitet ‘30, pasi kishte mësuar zanatin e tipografit dhe sekretin e shtypit, ai formoi shtypshkronjën “Gutenberg”. Ismail Mal’Osmani u përkujtua dje në 100-vjetorin e lindjes në ambientet e Bibliotekës Kombëtare. Është zgjedhur pikërisht ky botues për t’u nderuar në Ditën Botërore të Librit, pasi, sipas Aurel Plasarit, drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, pa botuesit, autorët do të shkruanin vetëm për veten. Gjatë ceremonisë ku morën pjesë familjarë e dashamirës, Ismail Mal’Osmani u vlerësua nga kryetari i shoqatës "Tirana", Arben Tafaj, me titullin “Fisnikëria e Tiranës”. “Ismail Mal’Osmani dha një mesazh shumë të madh për atë periudhë në investimin për fushën e librit, si dhe për fjalën e lirë. Të gjitha këto së bashku kanë lënë një gjurmë të madhe në ruajtjen e vlerave historike të kombit”, komentoi ai. Në këtë veprimtari kushtuar figurës së këtij botuesi u promovua edhe libri “Ismail Mal’Osmani- Njeriu i Librit”, përgatitur nga Spiro Mëhilli. Ky vëllim vjen i pasuruar me letërkëmbime të botuesit me shkrimtarë e personalitete të kulturës së kohës. “Fatkeqësisht, shumë prej tyre u asgjësuan nga frika se mos binin në duart e inkuizitorëve, ndërsa një pjesë humbën në vite”, shkruhet në parathënien e këtij libri. Ndërkaq, e veja e Mal’Osmanit, zonja Leman, e pranishme në këtë ceremoni, i dhuroi Bibliotekës Kombëtare librin "Gremina e dashunisë”, i autorit Mustafa Grabelleshi, si dhe një dosje të gazetës “Trumbeta e Krujës”, e autorit Faik Konica, që daton në 1913.
Me këtë rast u përurua ekspozita retrospektive me disa prej botimeve të tij, si “Liza në botën e çudirave”, “Pasqyra e thyer”, “I fundmi i Kastriotëve”, pamje nga qyteti i Tiranës së asaj kohe, ilustrime nga librat (reklamat, procesverbalet), sigla e botuesit, shkrime të tij në shtypin e kohës etj. Suzana Turku, zëvendësministrja e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, tha se brezat e rinj duhet ta njohin se kush ka qenë Ismail Mal’Osmani... Ai u dha botimeve të kohës një hop cilësor. Në faqen e parë të secilit prej tyre shkruhej: “Ismail Mal’Osmani Botonjës-Tiran”. Në të gjithë librat që Mal’Osmani botonte, në mes të kapakut vendoste një shenjë dalluese me madhësinë e një pulle poste. Aty kishte një “O”, brenda saj një “I” dhe mbi të një “M”, anash nga e djathta qëndronte një pishtar. Ato kanë kuptimin: “Ismail Mal’Osmani përhapës i dijes”. Në fund të librit, nga pas, vendoste çmimin dhe në kllapa shënohej “Në të gjithë Shqipërinë”, në mënyrë që të mos abuzohej me të. Në fillimet e tij ai botoi “Vargjet e lira” të Migjenit. Me poetin e lidhte një miqësi e ngushtë. Botuesi kishte zgjedhur që vulën e botimeve të tij ta mbanin libra të gjinive të ndryshëm, si artistike, historike, shkencore etj. Më vonë “Gutenberg” mori emrin e botuesit të saj, që një meritë të madhe e pati në botimin për herë të parë në shqip të disa librave të autorëve të huaj, të tillë si “Topi me dhjamë” i Gi De Mopasanit, “Armiku i popullit” i Ibsenit, “Kasollja” e Ibanjezit, si dhe libri për fëmijë, “Liza në botën e çudirave” etj. Ismaili botoi gjithashtu edhe veprat e shkrimtarëve të rinj në atë kohë, si Nonda Bulka me “Kur qan e qesh bilbili”, Mustafa Grabelleshi me “Gremina e dashurisë”, Sterjo Spasse me romanin “Afërdita”, Sejfulla Malishova me “Njerka” etj. Po kështu, në vazhdën e botimeve të “Gutenbergut” hyjnë vepra si “Shqipëria si m’u duk” i Faik Konicës, “Problemet shqiptare” të Mehdi Frashërit, “I fundmi i Kastriotëve” i Andon Frashërit, “Në burg” i Haki Stërmillit, “Në hijen e Rozafës” i Injac Zamputit, “Lulja e kujtimit” nga Foqion Postoli etj. Mjaft kopje të botimeve të tij ruhen në Bibliotekën Kombëtare. Në një artikull me titull “Fushata e librit shqiptar”, të gazetës “Bashkimi i Kombit” të vitit 1944, bibliofili shkruan: “Shkrimtarët shqiptarë filluan të marrin frymë: Ismail Mal’Osmani, një djalë enthusiast me ndjenja patriotike dhe vështrime tregtare, vendosi të vërë mundin dhe kapitalet e tij në shërbim të kulturës. Shtëpija botonjëse ‘Ismail Mal’Osmani’ ka vendosur të shtypë sëpaku katër libra në mua; për këtë ka lidhur kontrata me më të mirat shtypshkronja të Tiranës, kështu që librat dalin estetikisht të përsosura. Me gjith këtë, çmimi i librave të kësaj shtëpije botonjëse është ma se i arsyeshëm, pothuaj-se gjysma e çmimit të librave të tjera që u shtypën, në kohët e fundit nga të tjerë botonjës. ‘Libra të zgjedhura, bukur të shtypura dhe të lira’, është parimi që ndjek z. Ismail Mal’Osmani. Dhe me gjithë këtë ay u ka dhënë gjer tani shpërblimet më të mira shkrimtarëve.... Këto na solli iniciativa e editorit tiranas, i cili në këtë mënyrë i bën një shërbim të shënuar kulturës shqiptare dhe për këtë meriton përgëzime”. Përgëzimet për Ismailin ishin të shumta, ato vinin nga personalitete të kulturës, por edhe lexues të thjeshtë. E tillë ka qenë edhe letra e dërguar nga Odhise Paskali, zëvendëskryetar i Institutit Shqiptar për Studime e Arte, në vitin ’44, ku shkruan: “ISHSA, qi vëzhgon me interesim lëvizjet kulturore në Shqipni, ka vu re me gëzim shërbimin qi Shtëpija e Juej Botonjëse asht tue bam në lamin kulturor me botimin e deri më sot të nji serije veprash të konsiderueshme, të shtypuna me kujdesë e me shije...”. “Ismail Mal’Osmani nuk duhet parë si një botues i thjeshtë. Ai ishte një njeri me zemër të madhe”, shkruan Spiro Mëhilli. Kjo sepse ai u dhuronte shpesh libra bibliotekave të vogla apo të sapokrijuara. Edhe të holla dhuronte ai. Ismaili lindi në Tiranë, më 3 janar të vitit 1910, në një familje të mesme tiranase. Ai ndërroi jetë më 12 shkurt të vitit 1983. Edhe ky botues i suksesshëm nuk u shpëtoi dot vuajtjeve e përndjekjeve të regjimit komunist, si edhe shumë intelektualë të tjerë të kohës. Në vitin 2000, Bashkia e Tiranës i dha titullin “Mirënjohje e Qytetit të Tiranës”, me motivacionin “Për vlera të larta qytetare dhe intelektuale të vëna në shërbim të qytetit të Tiranës dhe për të cilat qytetarët e saj i shprehin mirënjohjen e tyre”.

Elbasan, 6 Vjesht’ e Parë 1944
Zotit
Ismail Mal’Osmanit
Tiranë
Miku im i dashur,
Zoti Sul Kurani më pruri aty moti një vandak me vivëlla nga ana e jote; të falem nga të thellat për nderin që më bëre duke më kujtuar me këtë dhuratë, që për mua ka një vlerë dyfishe; e para se më vjen nga një zemër mike, që e çmonj prej kohe, pastaj sepse ky vark veprash të ra o të përtëritura më dha desha s’desha, volijën për të parë disi me për së afri, gjendjen tonë të sotme në punë arsimi, që ndryshe, i mbytur si ç’jam gjer në fyt me punët të vehta, si s’kish jam si e shofënj... Të kam uruar’ dikuri për punë të kryera jo vetëm sipas dokavet të mjeshtërisë së shtampës, po dhe me një art që, me të vërtetë, nuk pritësh asaj kohe ndë një vend si ky që sapo kishte nisur të delinj syt në botë. Sot qysh të të them dhe qysh të të uronj? Për nga an’ e dukës dhe syrit gjithë veprat të dalura në dritë me kujdesën t’ënde, kanë arritur kulmin, dhe mund të barabite me ç’do vepër tjetër të punuar jashtë... Dhe vinj te “kasollja”; i paske ruajtur priftit të drejtat të përkthimit. Të lumtë, Ismail për çapën që ke hedhur në këtë rrugë nderi. Duke nderuar veten ke nderuar atdhenë dhe, nga ana tjetër u ke dhënë një grushtë të fortë gjithë larokëvet’, që s’e dijen të dajën të vehtën nga e huaja. Se cubat e pendës dhe të djers së huaj i kemi të shumtë në këtë cep të botës, për fatin t’ënë të prapë. Të lumtë, pra ty që na rrëfeve rrugën e mbarë së drejtës. Kjo capa jote qoftë shëmbëll e pasqyrë ndo përkthimtarët të veprave të huaja, ndo për gjithë sa merren me punë shtampërije dhe me botërime....
Duke të përsëritur falënderimet të mija uroj shëndet dhe zemër të gëzuara dhe punë të mbarë për të mirë të kombit.
Yti
SK
(Sotir Kolea (1872-1945), ish-drejtor i Bibliotekës Kombëtare)




Shqip






Leman Mal'Osmani: Jeta ime me Ismailin në vitet e mjerimit




Fatmira Nikolli

Në vitin 1954 Ismail Mal'Osmani, nje riu i librit, martohet me një vajzë nga Durrësi. Nuk ishin ditët e tij më të mira. Shtypshkronja i qe shtetëzuar. Nuk gëzonte më 'privilegjin' e të qenit botues. Ato kohë kishin perënduar e të tjera kishin lindur në të gjithë Lindjen. Megjithatë, ai ishte një njeri me horizont të gjerë, kulturë e formim tjetër. Në takimin e parë me bashkëshortin, Lemanit do t'i pëlqente tek ai intelekti, zgjuarsia, eleganca dhe bukuria. Edhe pse në moshë të re, ajo do të dinte t'i qëndronte pranë një njeriu me të cilin kishte diferencë moshe, e kjo në kushte mjerimi nën regjimin komunist. Sot, kur shënohet 100-vjetori i lindjes së tij, që u përkujtua në Ditën Botërore të Librit, Lemani e përlotur kujton 33 vitet e jetës me të.
Si u njohët me Ismailin?
Unë isha një vajzë nga Durrësi, lindur e rritur në një familje intelektuale. Më prezantuan me të dhe më pëlqeu shumë nga biseda që bëri. Dukej që ishte një njeri me shije, me dije dhe me edukatë. Natyrisht që më pëlqeu edhe fizikisht. Ismaili ishte një djalë i pashëm, serioz dhe me një buzëqeshje mjaft të bukur. Ishte një djalë që të bënte për vete, elegant që nga mënyra e të folurit deri në detaje. Ishte i veçantë që nga mënyra se si të jepte dorën.
Kur jeni martuar me të, e sa vite keni jetuar bashkë? Unë kam jetuar me të 33 vite dhe jam martuar në vitin 1954.
Ju ka folur për punën e tij si botues?
Kur u martova me të, ai ishte i papunë. Shtëpinë botuese e kishin shtetëzuar. Po kalonte vitet e mjerimit. Unë erdha nga Durrësi në Tiranë dhe isha e papunë. I thashë që do të punoja, por ai më tha se kur ta merrnin vesh gruaja e kujt isha, nuk do të më punësonin. Kemi pasur shumë vështirësi ekonomike. Ne blemë dy lopë, të cilat i kullosnim nëpër rrugët e Tiranës. Me lekët që fitonim nga shitja e qumështit, u munduam të jetonim. Shumë vonë e thirrën në punë dhe ai e pranoi menjëherë. Në atë kohë fillova edhe unë punë dhe i shitëm lopët. Ka qenë njeri me dimensione të qarta. Me gjithë diferencën e moshës që kishim ne të dy, ai diti të përshtatej me mua. Sigurisht, edhe unë bëra timen. Kam bërë një jetë të bukur, pavarësisht nga vështirësitë ekonomike.
Ai nuk kishte probleme drejtpërdrejt më regjimin e kohës. Përse u "persekutua" prej tij?
Ai nuk u mor me politikë, por kjo i erdhi sepse ishte njeri i përveçëm, duke qenë se kishte tjetër botëkuptim. Ai nuk dukej si shqiptar. Pati sjellje europiane, qe njeri i librit, i rregullit e disiplinës. Ai binte në sy për shkak të kulturës.
Ju ka thënë ndonjëherë se ndihej keq për këtë që kishte ndodhur?
Asnjëherë. Njëherë më pati pyetur nëse më vinte keq se ishte i papunë dhe i thashë që jo. E dija se ai ishte punëtor dhe se papunësia e tij s'varej nga ai, por nga një gjë më madhore, të cilën Ismaili s'e kishte në dorë.
Cili ishte raporti i tij me librin nën komunizëm?
Ai e donte shumë librin dhe i vinte keq që më shtetëzimin e shtëpisë botuese ia morën edhe librat. Megjithatë, edhe pse në një gjendje të vështirë ekonomike, ai çdo muaj blinte libra. I vinte keq kur në to shihte gabime.
Ka njohur nga afër shumë shkrimtarë shqiptarë mjaft të njohur. Ju ka folur për ta? Po, më fliste. I donte shumë që të gjithë dhe ishte shumë korrekt me ta.
Çfarë ju ka thënë për Migjenin?
Kishte një debulesë të madhe për të. Ka qenë shkrimtar i mirë edhe pse jetoi shumë pak, edhe pse jetoi në kushte të vështira. Shkrimet e tij zënë vendin e parë. "Njeri për t'u marrë shembull është Migjeni. Sepse ai jeton në një skaj të vendit, në një fshat të thellë të Pukës dhe megjithatë, krijon mirë e shkruan bukur. Asnjëherë nuk vishet në mënyrë të papërshtatshme për rastin ku merr pjesë. Mënyra e paraqitjes së tij tregonte kulturë", këto më ka thënë, që i mbaj mend tani. Biseda e tyre bashkë ka qenë rreth librave, ishin të kujdesshëm që të dy për të. Për botimin e "Vargjeve të lira", pas vdekjes së Migjenit, Ismaili ka kontaktuar motrën e tij, Ollgën.
A ka shkruar vetë ai?
Vetë? Jo nuk shkruante.
I ka mbetur ndonjë gjë peng?
Nuk mendoj. Edhe pas vështirësive, ai kishte një familje, dy fëmijë, Dashamirin dhe Eldën dhe ishte i kënaqur.
Ai vdiq në vitin 1983. Sa e keni përjetuar humbjen e tij?
E kam vuajtur shumë sepse e kisha shok, bashkëshort dhe mik. Ka qenë familjar i mirë dhe njeri i mençur. Meqenëse ishte vetë shumë i rregullt, këtë kërkonte edhe në familje, herë me elegancë e herë të tjera edhe më strikt, e kështu i edukoi fëmijët. 



Gazeta Shqiptare

Related Posts: