Harpa e Eolit dhe një shenjë e cekësisë së shijes shqiptare

EQREM ÇABEJ 



Me rastin e botimit besnik të poezisë së Poradecit sipas botimeve të Bukureshtit, ja dhe një shënim nga një njohës jo i zakontë i veprës së tij, Eqrem Çabej.

Gjuhëtari flet që më 1929 në një tekst "Mbi poesin' e Lasgush Poradecit", ndërsa autori ishte në gjendje kritike shëndetësore
Eqrem Cabej (ne mes), Norbert Jokl dhe Lasgush Poradeci ne nje feste kombetare ne Austri

Poesia e Lasgush Poradecit ka shumë vjet që tingëllon në veshin e Shqiptarit; po e ngadalshme e si nga lark, si harpa e Eolit: vetëm në kohët e fundit, me rastin e sëmundjes së tija të rëndë, vetëdija kombëtare u zgjua, dhe fletoret janë plot me artikuj për të e për ndihmat materiale q'i mblidhen.

Po sa di vetë gjer tani kurrkush nuk është marrë estetikërisht me poezinë e Lasgush Poradecit.
Nga Shqiptarët që kam pyetur më të shumëve u pëlqejnë do vjersha idyllike si "Kroi i Poradecit" kurse shumë të paktë i shijojnë thellësitë moderne të tija: një shënjë e cekësisë së shijes shqiptare.

Duke hedhur një vështrim mbi literatyrën e Shqipërisë së re, do t'shohim së pari se në gjithë rrjedhën e jetës së saj, të gjithë përfaqësonjësit e saj, i përshkon një frymë e lartë ethike (morale) një shenjë kjo mjaft karakteristike. Kjo frymë kapërxen në shumë raste në zonat e religjionit.

Së dyti ajo ndahet natyrisht në dy periudha: e para përmbledh ata vjershëtorë në jetën dhe veprën e të cilëve një ide kryesore është flaka e madhe që i ndez për lirimin e Atdheut; flasim për De Radën dhe Naim Frashërin.

Doemos idea e tyre merr forma të ndryshme në të dy: e mbajtur tek De Rada, ati i vjershës shqiptare, në format e ngadalshme e madhështore të klasicizmit, tek Naimi më i djegur, çfaqet më direkte. Po në thelb idea është gjithë ajo. Dhe religjioziteti i tyre bie dëndur në rigatën e misticizmit, mysticizmë katolike te De Rada e te Naimi mysticizmë orientale.

Një vënd të veçantë midis periudhës së parë dhe të dytë, mban Fishta: tek ky mbretëron jo vetëm idea e çlirimit, po edhe fjala burrërore profetike e ruajtjes së lirisë së fituar, vëllazërimi i Shqiptarëve të sotmë.

Duke filluar, pra iden' e lirisë nëpër heroizmat lokale, Fishta arriti të përqafojë atë që quhet idea shqiptare. Edhe vepra e Prendushit, me ndyshimet e veta, më duket se i kushtohet po këtij misioni.

Periudha e dytë është ajo në të cilën idea kombëtare i lë udhën idesë njerëzore. Atdheu ishte duke u çliruar, ëndrra e përvëluar e shkrimtarëve të parë ishte duke u bërë realitet. Kështu syri i poetit u hap për horizonte më të gjëra, vegime më të thella.

Po të marrim në dorë veprat e Asdrenit, do të shohim të çfaqur atje fillimet e kësaj periudhe të dytë, e cila mund të quhet periudha moderne e letërsisë shqiptare dhe gjen vazhdimin e saj nër vjershat e Lasgush Poradecit.

Shenjë modernizimi e Asdrenit është dhe fakti se, i pakënaqur me pasurinë e fjalëve të gjertanishme, për të ëndur ndjenjat e vegimet e tija në gjithë stërhollësinë e tyre, ky fillon dhe pasuron thesarin e gjuhës me xhevahire të çëmuarshme, fjalë e mënyra folje të ra delikate e stërmagjike.

Po ikur që prej djalërisë prej Atdheut, e duke mos mundur nga ana tjatër të ngrihej në një ide universale, vepra e tija nuk mundi të dalë e plotë dhe duhet të vërtetojë fjalët e gjermanit Theodor Storm: Asnjë poet i math pa Atdhé. (Kein grosser Dishter ohne Vaterland).

Lasgush Poradeci na hap portën e një jete të re në poesinë shqiptare: një "frisson nef" siç pat thënë V. Hugo-i për vjershat e Baudelaire-it, lint e rritet në lëmin e këngës shqiptare një stil i ri, të cilin do t'a kërkosh më kot nër poetët e tjerë shqiptarë, po më kot dhe nër shkrimtarët e huaj nga shkaku i origjinalitetit që e çquan këtë poet djalosh.

Këtu ndenja e mendime që nuk kish guxuar e s'kish arritur kurrkush për Shqiptarët e pendës t'i çfaqte, këtu një stil i munduar, i cili ndryshon nga shkrimi i një Naimi a Fishte, siç bie fjala një pjesë beethoviane nga një mozartiane. Ky pra është stili modern, stil'i Lasgush Poradecit.

Ç'e ndyshon nga të parët është thellësia... Ay është vjershëtori më i thellë që ka shkruar në shqipet; në qoftë se kjo nuk është vënë re gjer tani, shkaku është se më të shumtët nuk e kuptojnë poesin' e tij e cila me fjalë e mënyra fare të thjeshta shumë herë popullore arrin të koncentrohet aqë sa mundet të nxjerrë në dritëmendimet më të thella, ndjenjat më labirinthike, idetë më të larta. Dhe po të këndohet Lasgushi me dashuri do të vërtetohet thellësia e tija e pashoqe, në mos sot, nga brezat që do të vijnë.

Poesia moderne n'Europë: Në Gjermani është çudi se ka qënë një shkrimtar i lindur që në 1770, Hoelderlin, i cili në jetën e tij letrare fort të shkurtër, ka nxjerr harmonira që u afrohen këtyre të sotmeve. Në kohët e fundit Rilke, Stefan George e disa të tjerë janë përfaqësonjësit e vjershës moderne gjermane.

Në Francë filloi fryma e re me disa vjersha të V. Hugo-it, e lulëzoi me Baudelaire (Fleurs du mal), Verlaine, Mallarmé, Rimbaud, Valeéry etj. Në Itali, D'Annunzio e Pascoli e rritën pemën e re të vjershës moderne të mbjellur prej Carduccit.

Në Rusi, prosatorët e së cilës kanë influencuar të gjithë Europën, nga vjershëtorët aty që mori më famë në kohët e fundit është djaloshi i vdekur Sergej Jessenin. - Ja, pra, poetët që janë produkt i kohës moderne, bir i së cilës është Lasgush Poradeci.

Një tjetër send karakteristik për të: ky nuk është poet lyrik në kuptimin më të vërtetë të fjalës: nuk do të gjesh t'ëmbla e të buta melodi: më shpesh vjeshat e tij janë drama dhe shumë prej syresh tragjedi të vogla: çquan prologun, aktin e parë të dramës, kulmin e dramës, pastaj si vala e detit e "Këngë pleqërishte", bie, bie, bie pasi pat luftuar shpirti i munduar më kot...
Pasi pat luftuar më kot për të gjetur lumtërinë jashtë kësaj bote, për t'i u avitur idealit të paarritshëm.

Po, mor mik, lërë këtë botë! Në qoftë se nuk vret veten hidhu në ideal e mbushe shpirtin plot me të! Një fuqi elementare mundet të krijojë një botë... Po ah janë të gjitha përralla! Largohu më mirë dhe ruaje jetën si murg i vdekur i pakallur. Të paktën do ndjesh ahere "Ç'ëndërim krijovi truri".

Më çdo varg prej pikash lot
Kur dridhesh nga hidhërimi dhe jeta t'është natë, mos u ngroh me mishin e gruas!... Përpara syrit të shpirtit t'ënt t'avitet forma ideale: "Me flokë përmi supe"
Me robë gjer për dhé

Këtë të patruptën pushtoje "me një magji të re". Ja qëndrimi i Lasgush Poradecit kundrejt dashurisë ku duken aq zotësia ashtu dhe vetijat e një vjershëtori.
Disa nga vjershat e tija nuk kuptohen ose me shumë zor.

Kush e njeh Lasgush Poradecin për s'afërmi di se ay është një adhuronjë enthusianst i kulturës latine, një armik i obskurantizmit gjerman. Një paralele: Nietzsches, armikut të më rreptë të "besties blonde" të muzikës së Vagnerit, i pëlqente muzika latine e Bizet-it, poezia latine e Horacit, mendimet latine e stili latin i Montaigne-it.

Po të pakë të mëdhenj kanë qënë ata aq të munduar nga demoni i mendimeve kaotike sikur Nietzschea. Shpjegimin na e jep nja dialog i Platonit: "Njeriu dëshëron atë që nuk ka vetë". Edhe Lasgush Poradeci është larg nga të qënët një njeri "latin".

Po mos kuptimi i lehtë, të thomi errësira e disa vjershave të tija, nuk është një e metë, përkundrazi një element i gjithë shkrimeve të thellë në botë, që prej poemave indiane e, nëpër Kuranin gjer më sot. Fundi i fundit çdo thellësi është e errët. Dhe faji s'është aq i gjeniut sa i publikut mëndje-shkurtër.

Dante, tek i cili gjinden ca verse jo aqë të kjartë, ka thënë: 
E voi che avete l'intelletti sani,
Mirate la dottrina che s'nasconde
Sotto il velame delli versi strani.

Po sikundër nër kompanistët e një stili të rëndë, ziplot, nganjëherë ndihen tingëllimet e këndshme të një "scerzo-je", ashtu dhe nëpër poesitë e këtij të gjëra e plot gremina, që janë tableau-të e një fati, çfaqet dikur (sa rrallë!) një nënqeshje sublime në trioletin e lehtë si një grumbull rrezesh djelli të mëngjezit në një odë të zezë:

Këto kopshte ku fryn era
Muar ngjyrën e floririt,
Se ç'i shkel baluke-prera
Këto kopshte ku fryn e ra!-
Kush nuk mundet nga magjia e kësaj gjuhe? Dialëri Shqiptare, këndo Lasgush Poradecin, e pastaj vdis!

Këto vërejtje le t'i shërbejnë kuptimit të poesisë së Lasgush Poradecit, të këtij djaloshi, të cilin një fat i mirë duket sikur i a ka falur Shqipërisë, që të bëhet ay shkrimtar, të cilin Shqipëria do t'i a falë njëherë botës.

Po si do të zhvillohen punët kush mund t'a dijë? Lasgush Poradeci ka mjaft kohë që nuk shkruan. Periudha e djalërisë i kaloi, tash do t'vinte krijimi i burrërisë. Po një sëmundje e rëndë dhe e pamëshirshme lufton që t'a shtypë... Kjo kaptinë e sëmundjes së tij është tepër tragjike, aq sa nuk mund të zgjatemi më tej.

A është sëmundja shkaku i vuajtjeve të tija apo vuajtjet e tija të para qenë shkaket e sëmundjes. Këto janë probleme tepër të koklavitura. Fakti është se leteratyra shqiptare do fitonte shumë, ose do humbiste shumë me Lasgush Poradecin. Ne dëshërojmë të parën.

Po fati e ka në dorë! Edhe Shqiptarët. Duhen sakrifica të mëdha që ay të mund të mbarojë misionin e vet...
"E pastaj le të ronitem, le të qaj, e le të vdes"
Graz, Shkurt 1929, botuar në Gazeta e Re